Alma Saraçi aktore shqiptare në Los Anxhelos: Si e bëra ëndrrën realitet.
Kinemaja amerikane nuk është shaka, por një punë rraskapitëse. Tanimë jam
producente. Po diskutoj për të bërë një film në Shqipëri
nga Leonard Veizi
Tek kapërcente Atlantikun, në një udhëtim të gjatë e të
mërzitshëm, të paktën 10 mijë metra mbi det, një herë të vetme, në mënyrë të
ndërgjegjshme, a ndoshta të sforcuar disi, duhet t’i ketë shkuar në mendje se
në tokën që do shkelte, më shumë se kushdo duhet ta udhëhiqte e vetmja shprehje
e famshme, të cilën për djall e kishte shpërdoruar një njeri me ambicie
negative: “The world is mine”. Toni Montana dhe eskorta e tij nuk jetonte më
por shprehja e shkruar me llamba vezulluese mbi shpinë e një baloni fluturues,
vërtitej në mendjen e gjithkujt: “Bota është e imja”. Duhet të ndodhte
kështu, qoftë si në një imagjinatë engjëllore apo në një ëndërr satanikë në
duhej të ishte e tillë. Në të kundërt rruga e kthimit, e gjatë dhe e mërzitshëm
mbi Atlantik, do ta çonte sërish nga andej ku ishte nisur. Por bileta ishte pa
kthim...
..Ajo e kapi
ritmin e kohës edhe pse 17 vitet e para të jetës i kishte kaluar në një ambient
krejt ndryshe. Nga Shqipëria e jugut të Ballkanit kishte mbërritur në Qytetin e
Engjëjve, për t’u ndeshur në një “luftë pa kompromise tek audicionet teatrale
edhe përpara kamerave të studiove filmike. Motoja e “njeriut me shenjë”
ekzistonte brenda saj si një ndjesi që e gërryente dhe i pëshpëriste pareshtur:
“Ata që nuk rrezikojnë asgjë, nuk arrijnë asgjë, e nuk bëhen askush”. Dhe ajo
ia doli. Alma Saraç, me një sërë rrolesh në qendrën e kinematografisë botërore,
rrëfen për “Shekullin” hapat e saj të parë në Amerikë dhe projektet e fundit ku
përfshihet dhe Shqipëria.
Prej vitesh jetoni në Amerikë. Çfarë
ndryshimesh keni ndjerë nga jeta në Shqipëri në atë përtej Atlantikut?
Jeta në Amerikë është
shumë herë më ndryshe se në Shqipëri. Këtu është kulturë krejt ndryshe. Puna
merr më shumë rëndësi në Amerikë. Njerëzit punojnë
ditë e natë. Një kulturë
e vërtetë kapitaliste dhe në të njëjtën kohë ka më shumë mundësi të ndjekësh
dëshirat e ndryshme sa i takon aspektit të formimit përmes edukimit ose
karrierës. Në qoftë se ke dëshirë, vrull dhe nuk ke frikë, Amerika është vendi
më i mirë për ‘make your dreams come true’ (t’i bësh ëndrrat realitet), siç i
thonë këtu. Megjithatë mendoj se, evropianët në përgjithësi dinë më mirë
si ta gëzojnë jetën.
Çfarë ju ka lidhur me aktrimin?
Aktrimi ishte një
mënyrë e bukur që më ndihmoi të rilidhesha me jetën e artistit. Ishte
gjithashtu e lehtë ta përdorja atë si një krijuese e mesme për arsye akoma më
të mëdha, shprehjen përmes emocioneve dhe trupit. Ndaj edhe kur isha duke
përftuar gjuhën angleze, unë nuk ndihesha e kufizuar. Vitet e fundit jam
përqendruar në zhvillimin e shkrimit, sidomos te skenarët dhe kam kompletuar
mbi 5 të tillë. Dy prej tyre janë xhiruar, ndërsa dy të tjerë planifikojmë t’i
xhirojmë në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit që vjen. Aktrimi për
shumë vite gjithashtu më ka ndihmuar të forcoj lidhjen me të shkruarit e
skenarëve, sikundër kam qenë gjithnjë e ekspozuar të shkruaj skenarë për dramë
dhe të kërkoj për role dhe karaktere të cilat gjithashtu kanë qenë të
paçmueshme në procesin e të shkruarit.
Si është të jesh një aktore shqiptare në Hollivud?
Këtu konsiderohem pak si e veçantë. Zakonisht njerëzit
nuk para kanë njohur shqiptarë më përpara, ndaj unë jam një prezantim që përfaqësoj.
Si aktore jam në gjendje të luaj role më interesante, sidomos kur kërkojnë
aktore ndërkombëtare. Mendoj se eksperiencat që kam pasur në Shqipëri kanë
influencuar në mënyrë të fortë tek unë. Edhe kur luaj personazhe amerikane jam
në gjendje të sjell elemente më origjinale.
Një aktore shqiptare është e motivuar në Amerikë?
Pa motivim nuk ka
punë. Por në të njëjtën kohë, vitet e fundit jam përqendruar në krijimin e
projekteve personale, duke shkruar dhe bërë producenten, dhe jam në gjendje të
krijoj role dhe punë për veten time. Kur krijon projektet e tua duhet të jesh
shumë e motivuar, punon më shumë dhe sakrifikon më shumë, por të njëjtën kohë
garantimi për punë është edhe më i sigurt.
Cilat kanë qenë kontaktet e para, të cilët
mundësuan fillimin e karrierës suaj në Amerikë?
Nuk e dija me të
vërtetë se kush isha në fillimet e mia në Los Anxhelos. Është shumë e vështirë të kapesh me punë në Hollivud. Ndonjëherë dhe më e
vështirë se sa të fitosh lotarinë Amerikane. Ka shumë elementë jashtë
kontrollit tënd që diktojnë sa larg do të shkosh. Kam punuar shumë në klasa, teatër dhe kam bërë miq të
rinj. Unë fillova punë nëpërmjet teatrit dhe pastaj në (Independent
films) filmat e pavarur. Roli i parë që pata në filmin “Float”, ishte
personazhi i një vajze nga Armenia. Producenti më ofroi një intervistë pasi më
pa në një pjesë teatri kur po luaja një personazh francez. Ishte një proces i
bukur dhe mbushur me shumë eksperienca të reja. Ky nuk është një vend i lehtë dhe puna e vazhdueshme,
në takimet me njerëz të rinj, e bënte më të sigurt mbajtjen e lidhjeve me miqtë
e duhur përreth. Me kalimin e kohës kam qenë në gjendje për të takuar njerëz të
cilët më kanë ndihmuar gjatë rrugës dhe u jam shumë mirënjohëse. Shpresoj se do
të jenë më shumë në të ardhmen.
Mund të shpjegoni një ndryshim thelbësor mes
kinematografisë evropiane, asaj shqiptare në veçanti, dhe asaj amerikane?
Unë nuk e ndjek
shumë kinemanë shqiptare dhe shpresoj që ajo të ketë ndryshuar. Duhet të them
se edhe pse amerikanët kanë realizuar artistikisht një mënyrë të fuqishme dhe
të mirë të procesit të filmave, puna aty është shumë e vështirë. Do të thosha
se shqiptarët (nga disa prej përvojave të mikut tim nga puna atje) janë shumë
më të qetësuar, si evropianët në përgjithësi. Kinematografia evropiane dhe shqiptare në përgjithësi është më e
përqendruar në artin dhe historinë që ato tregojnë. Aktorët janë më të thjeshtë
edhe në disa raste më interesantë. Amerikanët duan të bëjnë çdo gjë të madhe,
të fuqishme, spektakël, me buxhete astronomik. Në Amerikë ekipi punon të paktën 12-14 orë në ditë
në një film të caktuar për t’u realizuar brenda një muaji. Kjo është punë shumë
rraskapitëse. Në një film të pavarur është gjithashtu shumë e paparashikueshme
se çfarë përfundimi do të ketë ai, edhe nëse nuk do të ketë ndonjë pagesë të
veçantë mënjanë nga përvoja në grup. Sa i përket temave dhe filmave, duke u
bërë nga një perspektivë artistike, unë do të shpenzoja më shumë kohë duke parë
disa filma shqiptarë të kohëve të fundit për t’i komentuar.
Çfarë do të thotë për ju të qenit pjesë e
studiove më të mëdha botërore?
Kjo është një
ëndërr e bërë realitet, megjithatë shumica e roleve të cilat kam bërë janë arritur
me anë të kompanive të pavarura të prodhimit. Unë kam shpenzuar shumë kohë në
shumë studio dhe është mjaft emocionuese çdo herë që unë jam atje. Më pëlqen shumë puna që bëj dhe e konsideroj veten shumë
me fat. Shpresoj që puna do të rritet
në cilësi dhe sasi. Kam ende shumë punë përpara, suksese që akoma nuk i
kam arritur, por çdo ditë e shpenzoj duke bërë apo duke u përpjekur të bëj punë
që e gëzoj jashtë mase.
Cili është kujtimi më i bukur nga xhirimi i
filmave?
Më pëlqen të
udhëtoj dhe bëj filma si dhe të kem disa kujtime përgjatë SHBA, Evropës madje
dhe nga India. Por një nga kujtimet më të mira ishte gjatë xhirimeve të filmit më
të fundit këtu në Los Anxhelos. Ishte një nga ditët e para dhe unë e kujtoj këtë
ndjenjë gazmore gjatë realizimit të diçkaje të cilën e kisha shkruar vetë dhe ndërkohë
imagjinoja në mendjen time shumë herë atë që isha duke bërë. Duke parë të
gjithë këta artistë të talentuar të përfshirë, pavarësisht punës nganjëherë të
lodhshme dhe të mos qenë në gjendje për të marrë anën tjetër të vlerësimit për
disa muaj, ishte gjithashtu një lloj përpjekjeje që ia vlente të sakrifikoje.
Po bashkëpunimi më i rëndësishëm?
Bashkëpunimi më i
rëndësishëm në këtë moment ka qenë një seri projektesh me një ekip krijuesish,
regjisorë të rinj në SHBA dhe në Evropë, veçanërisht me miken time më të mirë,
redaktoren dhe drejtoren Alexandra Wedenig, kinematografen Meena Singh dhe
drejtorin Kai Devani. Megjithatë kam pasur mundësinë
të punoj me aktorë dhe regjisorë të nivele të ndryshme.
Sa filma keni të regjistruar deri tani?
Unë kam punuar në
mbi 11 filma artistikë të pavarur, dhe disa filma të tjerë të shkurtër.
Cili është xhirimi më i fundit të cilin në
fakt e keni hedhur dhe në faqen tuaj sociale?
Kam dy projekte
në rolin e post-prodhimit të cilat i kam shkruar dhe bashkë-drejtuar, prodhuar si
dhe interpretuar. Emrat e filmave janë “Reflektimet e Maya Rose” dhe “Gardenjat
e prishura”.
A keni pasur ftesa nga kineastë shqiptarë?
Në momentet që
flasim bashkë, jam në diskutime por nuk kam plane konkrete.
Do të donit të xhironit për një film në
Atdheun tuaj?
Po sigurisht. Në
këto çaste jam gjithashtu duke shkruar një projekt që do të pëlqeja ta xhiroj
një pjesë në Elbasan dhe një pjesë në Durrës.
Diçka për jetën tuaj personale?
Jashtë
profesionit jeta ime private është e thjeshtë dhe e qetë. Unë jetoj në një
fqinjësi të mirë në Los Anxhelos me partnerin tim prej disa vitesh dhe kur nuk
kam impenjime pune më pëlqej të lexoj, pikturoj, shpenzoj kohë me miqtë e mi
dhe të gatuaj, pse jo disa herë gatime tradicionale shqiptare. Më pëlqen të
udhëtoj dhe kur dal jashtë kufijve, përpiqem të vizitoj vende të reja dhe të
mësoj rreth tyre dhe kulturave që ata përfaqësojnë. Megjithatë unë shpenzoj
shumë kohë në profesion për momentin që komunikoj dhe me ju, por në të njëjtën
kohë do të preferoja të kisha një pushim të vogël dhe ndoshta të kisha fëmijë
apo të shkruaja një libër.
Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?
Mendoni ndonjëherë të ktheheni në Shqipëri përgjithmonë, apo çdo gjë është
relative?
Për momentin jam
e fokusuar në zhvillimin dhe rritjen e projekteve të mia dhe të jem selektive në
përzgjedhjen e roleve që do të merrja përsipër të bëja. Do të dëshiroja të
filloja të shpenzoja më shumë kohë në Shqipëri, jo e sigurt nëse do të vija së
shpejti aty, por jam e hapur për çdo lloj mundësie. Më pëlqen gjithashtu Evropa
dhe pse jo, ndoshta e shoh një ditë veten të jetoja pikërisht aty, në një prej
shtetet e mëdha të saj.
Kujtimet nga fëmijëria
Edhe pse prej 12
vitesh ne Shtetet e Bashkuara, Alma Saraçi e kujtoni fëmijërinë e saj në
qytetin e lindjes, Elbasan. “Jeta në Elbasan ishte mjaft argëtim në të njëjtën
kohë. Më merr shumë malli për të. Duke pasur shumë jetë familjare në atë kohë, e mbaj
mend gjithmonë se ishim të zënë me vizita dhe festat familjare. Unë kujtoj se
kam shpenzuar shumë kohë për lexim dhe shkrim, duke studiuar natyrisht. Një nga
kujtimet e mia më të veçanta janë të gjithë muajt e verës sepse kalonim kohën
në plazh, veçanërisht në atë të Durrësit. Shpesh, si nostalgjike, u kthehem
fotografive se janë ato që ma nxjerrin mallin gjithmonë. Megjithatë mundohem të ruaj kontaktet me
miqtë e mij në Shqipëri. Janë rrjetet sociale ato që më ndihmojnë të
mbaj ne linjë miqtë, megjithëse shpenzoj shumë pak kohë për ta. Për shkak të
angazhimeve të tjera”, shprehet aktorja e Hollivudit.
Bukuria femërore, aksesori që të jep dhimbje
Të qenit femër e
bukur, sa e ka ndihmuar Alma Saraçin në aspektin profesional? Kësaj pyetje ajo
i përgjigjet: “Bukuria ndihmon dhe nganjëherë dhemb. Duke qenë ‘simpatike’
ndonjëherë mund të përftosh në marrjen e një roli dhe kjo gjithashtu mund të
jetë frustuese. Ka njerëz që në të njëjtën kohë të shohin vetëm nga njëra
anë, bukuria, por ka dhe të tjerë që vlerësojnë produktin. Megjithatë unë kam mësuar për
të bërë më të mirën për filmin dhe tani vë re se të gjithë së bashku punojnë
dhe unë nuk shoh si përshtatje për mua më mirë se sa për përpjekjet dhe
qëllimet e mia krijuese. Parimi im është puna që bëj, ta realizoj sa më
mirë e të përfaqësohem denjësisht dhe për nga talenti, pastaj vjen bukuria”.
Jetëshkrimi i aktores
Alma Saraçi është një aktore në Hollivud, e cila i ka
hyrë me pasion rrugës së vështirë të filmit. Ajo ka luajtur rol kryesor në
filmin "Karma", të xhiruar në Indi si dhe disa role më pak të njohur.
Alma, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Elbasani, flet për mbi sfidat me
të cilat përballen aktorët e rinj për të filluar një karrierë në industrinë e
filmit. Saraçi ka lindur në prill 1984, në Elbasan. Ka luajtur në teatër qysh
në moshë të vogël dhe është angazhuar në televizione lokale, përpara se të
zhvendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 17-vjeçare. Nis
studimet e diplomohet në shkollën e mesme Rutgers University (Nju Xhersi) ku
studioi një sërë degësh që kishin të bënin me biologjinë, letërsinë franceze,
filozofinë etj. Mandej vendos t’i përkushtohet artit. Ka kaluar kohë në Siatëll
duke punuar në teatrot vendase për të kaluar më tej në Los Anxhelos. Ka çelur
kompaninë e saj teatrore që në kolegj. Është njohëse e gjuhës shqipe, franceze,
italiane dhe spanjolle.
Botuar në gazetën SHEKULLI më 5 maj 2013
No comments:
Post a Comment