-Zoti Veizi, ju
keni një karrierë të pasur si në gazetari ashtu edhe në letërsi, por nga anoni
më shumë?
-Ka plot gazetarë
që thonë se ndodhen aksidentalisht në gazetari, por unë nuk hyj tek ata. Nuk
mund të them që vij rastësisht në gazetari. Personi që më rekomandoi kishte
lexuar shkrimet e mia.
-Kush ishte ky?
-Llazar Vero,
gazetar i vjetër i gazetës “Bashkimi”. Ai më orientoi te kjo gazetë në vitin
1991 ku kryeredaktor ishte Qemal Sakajeva. Faktikisht unë aty kam filluar si
korrektor. Dy muaj pasi kisha filluar punë në gazetën “Bashkimi” propozova që
të bëja një shkrim. Ata e mirëpritën këtë propozim dhe të nesërmen kur kam parë
emrin në gazetë ndjeva një emocion të papërshkrueshëm.
-Dhe më pas si
arrite që në vitin 1997 ke nxjerrë librin “Grahma e shpirtit në mjegull” ?
-Minimalisht që
nga mosha 14 vjeç unë e ndava mendjen me veten time që do isha një shkrimtar në
të ardhmen. Fjala shkrimtar në fakt edhe sot më duket e madhe. Pikësynimin e
kisha shumë të qartë megjithëse isha futur në një shkollë profesionale, Harry
Fultz sot. Poezitë e para datojnë që nga mosha 11 vjeç. Mbaj mend që kam
shkruar një vjershë për dëshmorët, por që nuk ia mbaj mend vargjet.
-Cili shkrimtar
ka ndikuar te ti?
-Pasi kisha lexuar
pas një farë kohe letërsi të mirë, deri në moshën 14-vjeçare, një ditë të bukur
zbulova Balzakun. Kur njoha Balzakun unë u shpërfytyrova në kuptimin e mirë të
fjalës,
-Pse pikërisht
te Balzaku?
-Forcën goditëse e
kishte shumë të madhe dhe e kam filluar me Xha Gorionë. Unë ende vazhdoj të jem
i dashuruar me Balzakun sado që lexova më pas Hygonë dhe shumë të tjerë. Ndërsa
nga shkrimtarët shqiptarë padyshim që ka ndikuar Kadareja.
-Pse Kadareja?
-Ka qenë viti 1980
kur bashkë me prindërit shkojmë te kinema “17 Nëntori” dhe shikojmë filmin
“Ballë për ballë”. Filmi më la një mbresë të jashtëzakonshme pasi flitej për
skena masive, skena lufte, dhe kërkova librin. Ky është impresioni i parë nga
Kadareja. Po u fute me impresion pozitiv, ashtu ngelet gjithë jetën.
-Vijmë në vitin
1998 “Ngrehina e përhumbjes”, tregime.
-U bë shpejt.
Shkoj e mbyllem në Bibliotekën Kombëtare dhe brenda një muaji kam rreshtuar 25
tregime të shkurtra. Çdo ditë bëja një tregim. Në fakt ato janë si synopsus të
cilat po më shërbejnë për të kapur tema. U bënë në shpejtësi e sipër dhe me
euforinë e librit të parë, nxora librin e dytë.
-Në vitin 2005
nxjerr librin “Treni i fundit i metrosë”.
-E pashë që nuk
bëhej shaka me letërsinë. Dhe kam bërë disa vite pushim. Ose më saktë, punoja
çdo ditë, por nuk botoja. Se fillimisht autori mendon se shkruan për veten e
tij. Pastaj kujton se është përballë një lexuesi i cili do dhe ai pjesën e vet.
Kështu që u mendova mirë kësaj radhë për të nxjerrë vëllimin e tretë, “Treni i
fundit i metrosë” i cili më dha shumë dorë.
-Ndërsa në
vitin 2006 nxjerr librin “I dënuar me vdekjen”.
-Projekti
fillestar ishte në 12 novela, por meqë shtëpia botuese fillimisht më pranoi
vetëm 4. Kështu që kisha akoma për të prodhuar një libër tjetër.
-Pas 4 librave
me tregime, ju vini në një stad tjetër duke shkruar romane.
-Cili është
romani me të cilin je ndjerë më mirë dhe më tepër i vlerësuar?
-Sa herë botoja
një roman ndihesha mirë, pastaj vinte tjetri, vinte tjetri e kështu me radhë.
Por mendoj që më mirë jam ndjerë te “Orgji në
famullinë e at Ludovikut” për të cilin them që në 11 librat mendoj që është ai ylli në krijimtarinë time, është pika më e mirë, ndoshta më e larta. Por edhe te “Lora” dhe te “Rrënimi”. Me këto tre tituj do thosha që kam marrë shumë benefite personale. Nuk po them që kam bërë namin në shitje apo
jam bërë i pasur, thjesht ka shkuar te lexuesi dhe jam i kënaqur.
famullinë e at Ludovikut” për të cilin them që në 11 librat mendoj që është ai ylli në krijimtarinë time, është pika më e mirë, ndoshta më e larta. Por edhe te “Lora” dhe te “Rrënimi”. Me këto tre tituj do thosha që kam marrë shumë benefite personale. Nuk po them që kam bërë namin në shitje apo
jam bërë i pasur, thjesht ka shkuar te lexuesi dhe jam i kënaqur.
-A kemi ne në
Shqipëri një letërsi tipike post-komuniste?
-Po tani e kemi. U
humb orientimi në vitet 1990-2000. Një 10-vjeçar ka shkuar kot, madje edhe ato
që dolën kishin një ngërç të madh sepse ishte problemi i kapërcimit. Por pas
viteve 2000 u kapërcye ky ngërç dhe tani mendoj që ka letërsi jo vetëm
post-komuniste por është një letërsi e shkrirë me atë të letërsisë europiane.
-Kryetari i
Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, në një intervistë që i kam marrë
deklaroi se në nëntor do të mblidhet Kongresi i Albanologjisë dhe një nga
objeksionet e kësaj do jetë gjuha standarde. Nuk pritet të ketë ndryshime
thelbësore por një nga ndryshimet mund të jetë që fjalët e huaja të shkruhen
siç shkruhen në gjuhën e tyre.
-Unë mendoj që
duhet të shkruhet siç shqiptohet. Siç e kanë lënë në vitin ’72. Unë jam i
ndjeshëm ndaj gjuhës, aq sa mund të jem. Mbas viteve ’90 gjuha standarde u
sulmua. Deri tani nuk i është bërë asgjë. Mua standardi më duket i qepur me
dorë, kaq i bukur dhe kaq tingëllues. Dhe jam dakord ashtu siç është lënë në
’72, shkruhet siç shqiptohet.
-Ju jeni një lëvrues shumë i mirë në zhanrin e
dosierit. Çfarë mund të thoni sot që ju me anë të dosierit keni zbuluar dy-tre
fakte që mbeten në histori?
-Unë në fakt e kam
gati për ta botuar, por po ngurroj. Mund të them që kam një histori të plotë,
ndoshta e kam më të mirën e mundshme, të bëj historinë e armatimit ose ushtrisë
shqiptare nga viti 1945 deri në vitin 1997.
-Ç’të lidh ty
me këtë?
-Rastisi që mora
30-40 ose shumë më tepër ushtarakë të lartë në intervistë dhe po t’i mbledh të
gjitha aty bëj historinë e ushtrisë shqiptare nga 1945 deri në 1997 vetëm me
ushtarakë të lartë të cilët flasin për problematikën në ushtri.
-Që ne kemi pasur
armatim sa për gjithë Europën.
-Keni 30 vjet që
punoni si gazetar. Si është media shqiptare sot?
-Në vitet
2000-2010 unë them se është bërë një gazetari e shkëlqyer në Shqipëri.
-E shkëlqyer?
-Shumë e mirë.
Gazetari lajmi, gazetari investigative, se sot përveç nja dy emisioneve
televizive nuk ke më gazetari. Sot për mua ka marrë fund.
-Pse, çfarë
ndodhi?
-Sepse u fut kjo
që ne sot e quajmë media online. Dhe ajo e shkatërroi gjithë sistemin. Njerëzit
të gjithë janë mbi një celular që marrin lajmet në mënyrë të shpejtë dhe të
pakontrolluar gjë që i çon në marrjen e informacionit të gabuar. Ne kemi 900
portale pak a shumë zyrtarisht, nga të cilat serioze janë ato që kanë
përgjithësisht një gazetë apo televizion nga pas. Janë 15-20 të tilla. Kështu
që mbizotërojnë ato që nuk kanë profesionalizmin e duhur. Çdo gazetar
televizioni apo edhe online, duhet të kalojnë domosdoshmërisht një kurs
2-vjeçar në gazetë. Të kuptosh se si bëhet lajmi.
No comments:
Post a Comment