Friday, July 21, 2023

Në mungesë të një gjyqtari të vrarë në krye të detyrës

Nga Leonard Veizi
 
Paolo  Borselino u vra në 19 korrik të vitit 1992. Edhe atëherë bënte shumë vapë, si tani, në korrikun e vitit 2023. Për më tepër në një vend mesdhetar si Siçilia. Dhe po vapë bënte edhe 57 ditë më parë, kur në 23 maj ishte vrarë një tjetër gjykatës i famshëm, Xhovani Falkone.
Kjo sa për të kujtuar se krimi i organizuar luftohet në çdo kohë. Por dhe organizatat mafioze veprojnë në çdo ditë të vitit, edhe në vapë, edhe në shi dhe në ditë të ftohë acar. Madje veprojnë po aq të organizuar dhe në ditë Pashkësh e Krishtlindjesh, pasi janë lutur para shtatores së Shën Marisë e i kanë kërkuar ndihmë që t’ua shtrojë rrugën në prapësinë e radhës. Sepse edhe kriminelët me faqen e nxirë, kanë ligësinë të thonë se paratë i kanë bërë me ndihmën e Zotit.
Në Shqipërinë e 30 viteve më pas ne jemi në një situatë të sforcuar që drejtësia të mund të kapi ndonjë peshk të madh. Sepse deri tani është llokoçitur nëpër kënetë duke u marrë me cironka. E puna për peshqit e mëdhenj, - apo ndonjë peshkaqen a tigër nëse qoftë, - duket fort e vështirë.
Në fillimet e veta SPAK u mor me cingërima dhe pse projekti madhor kërkonte kokat e bossave të krimit e korrupsionit. Në historinë e tij të shkurtër Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë një performancë përgjithësisht të dobët, ndonjëherë qesharake, dhe në disa çështje të tjera madje është cilësuar si e dështuar. Pra, u ngrit një mekanizëm për të cilin u investua që të bënte namin, e horrave me pushtet t’u dridheshin leqet e këmbëve, por që deri tani nuk e ka bërë dot namin. “U mbars mali e polli një mi” thotë populli në kësi rastesh. Dhe çfarë miu se...
Shqipëria nuk ka një Falkone dhe as një Borselino në arsenalin e gjykatësve të saj. Pra nuk ka një model. Pak kohë më parë kam botuar një shkrim, me titullin: “Gazetarët e Shqipërisë, përse mungojnë martirët e fjalës së lirë”, ku evidentoja faktin se raporti i përvitshëm i “Reporterët pa kufij” fliste për dhjetëra gazetarë të vrarë në krye të detyrës, por asnjëri prej tyre nuk ishte shqiptar. Kjo do të thotë se edhe në këtë front që përplaset hapur me krimin e korrupsionin, ne nuk kemi modele, as heronj të vrarë në krye të detyrës. Por që me siguri kemi manipulatotë të vegjël, që në xhonglime akrobatësh arrijnë t’ia hedhin më shumë duke e ndihmuar keqbërësin se sa duke e denoncuar atë. Deri tani kemi vetëm policë të vrarë. Nga ata që shkojnë mish për top e vriten në aksione, nën emrin e një kauze, që nuk dihet asnjëherë kush e tradhëton. Ose dihet, thjesht dihet. Dhe kaq.
Nisur nga kjo mënyrë kompozimi, më derivon të them se strukturat që duhet të përballen me krimin në fakt dinë fort mirë si të merren vesh me të.
Ne do vuajmë akoma për të gjetur heronjtë tanë ku të mbështetemi. Ku të ngrejmë kauzat. Sepse asgjë nuk fitohet në boshllëk. Dhe nëse mendon se mund të dhurohet, është edhe më keq.
Kur do zbardhen dosjet e SPAK që pluhurosen prej vitesh?
Në fakt pyetja është shumë administrative, sepse edhe përgjigja nuk vonoi që të vijë. Ja kështu, hap pas hapi. Mbaron njëra, fillon tjetra. Dhe kjo do të kushtojë disa dhjetëra vjet. Dhe krimi do jetë trashëguar ndër të tjerë, sepse të zotët e punës do kenë mbi eshtra nga një memorial e bazoreliev bronxi, ku të jenë shkruar epitafe me fjalë të çmuara.
Çfarë paradoksi.
Sot ne duam të fusim në burg një zëvendës-kryeministër. Por ai ia ka mbathur: se vendimi për prangosjen e tij kaloi më parë nga vetë ai. Dhe kjo të kujton gjithashtu atë sentencën e vjetër mediatike, tashmë: “Lajmi më parë kalon nga ne”.
Më 23 maj 1992, gjykatësi  53-vjeçar Giovanni Falcone u vra në mes të ditës, në atë që është quajtur si masakra e Kapaçit. Falcone, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke luftuar mafian. Në vitet 1986-1987 ai drejtoi gjyqin më të madh të zhvilluar ndonjëherë, i cili çoi në dënimin e 342 mafiozëve.
Kjo po, kjo ka të bëjë me guximin qytetar përveç asaj që të dikton profesioni.
Më parë se kaq, në 3 shtator 1982, po në Sicili, nga banda mafioze e Toto Rinës ishte ekzekutuar Prefekti i Palermos, gjeneral Karlo Alberto Dela Kieza, që kishte arritur me heroizëm të mposhte Brigadat e Kuqe por që ishte emëruar në vatrën më të nxehtë të Italisë me motivacionin për të luftuar Cosa Nostra-n.
Dhe pas vrasjes së Falcone-s, më 19 korrik 1992 një tjetër gjykatës siçilian Paolo Borsellino mbeti i vrarë nga një tjetër atentat me bombë. Të dy gjykatësit tanimë janë cilësuar heronj kombëtarë. Mbi gjakun e tyre kauza u bë edhe më solide.
Kaq sa për histori, për të ditur se kauzat dhe vetë mitet ngrihen mbi një realitet të fortë e tronditës. Dhe kjo kujtesë vlen nëse ndokush e ka harruar historinë, apo më keq akoma, nuk i njeh fare si raste.

No comments:

Post a Comment