Tuesday, July 12, 2022

Tirana, qyteti ynë i pabanueshëm!


Nga 
Leonard Veizi
 
Tirana po bëhet çdo ditë e më tepër e pabanueshme. Ajo braktiset nga ca e ca dhe mbipopullohet nga shumë të tjerë.
Por ajo nuk bëhet më mirë. Thjesht bëhet më keq.
Tirana, ky qytet me 40 mijë banorë në vitin 1945 dhe me 250 mijë të tillë në vitin 1990, pas vitit 2020 pretendohet të ketë rreth një milion gjallues. Pra gati 40 përqind të popullsisë që jetojnë brenda kufirit shtetëror shqiptar ka sulmuar Tiranën. Të gjejmë një copë pune dhe një vend ku të fusim kokën... Pastaj shohim e bëjmë.
Ky është migracioni.
Tirana i ka pritur me dashuri jabanxhinjtë edhe para se të bëhej kryeqytet në vitin 1920. Por tanimë nuk pyet njeri, se e drejta për të jetuar ku ta merr mendja të favorizon deri në ngulje hunjsh në tokën e tjetrit dhe vendosjen e sinorëve të rinj. Këtu kemi kaluar në mbivendosje pronash. Se merr vesh qeni të zonë.
Tek e fundit të gjithë kanë të drejtë të lëvizin. Të gjithë kanë të drejtë të jetojnë atje ku e shohin më të përshtatshme apo që është më mirë për ta.
Sot Tirana është një qytet i sulmuar. Por ajo në vend të zgjerohej, është ngushtuar. Është tkurrur. Është bërë më e vogël nga sa ishte. Kjo është jashtë realitetit matematikor, por brenda kornizave mentale.
Në Tiranën e sotme janë shtuar pallatet shumëkatëshe por janë zvogëluar ambientet për fëmijët dhe lulishtet. Në Tiranë janë zgjeruar rrugët dhe janë ngushtuar trotuaret. Në Tiranë nuk ka më rruga a rrugica që të nxjerrin nga një rrugë kryesore tek tjetra, sepse kudo do të gjesh një mur, një garazh, një perimetër mbyllur me teneqe për ndërtim që i kanë kthyer ato në rrugë qorre, të cilat nuk të çojnë askund por të kthejnë pas. Dhe ti vjen vërdallë se nuk e njeh më qytetin që pretendoje se e njihje me pëllëmbë.
Shumë qytetarë të Tiranës sot kanë zgjedhur të largohen nga kryeqyteti e të shkojnë provincave të Evropës, sepse në Tiranë çdo ditë e më tepër jeta bëhet e vështirë dhe e papërballueshme. I keni parë pallatet e Bllokut nga jashtë sa të bukura që janë. Po nga ana e pasme, që nuk kufizohen me rrugën, a e dini çfarë katastrofe është? Po ashtu janë të gjitha blloqet e banimit në Tiranë. Fasada interesante nga rruga dhe qelbësirllëk, ujë baltë dhe mbeturina mes tyre. Dhe të gjithë bashkëjetojnë me erën e qenve e maceve të ngordhura dhe të jashtëqitjeve të tyre që i gjen në çdo hap që hedh.
Dhe mbi këtë qelbësirllëk rrjedh Lana, lumi i vogël, dikur me ujin e pastër sa mund të laje lëveret, ku sot derdhen të gjitha mbetjet e qytetit. Kontributi më i vyer për ndotjen mjedisore.
Në asnjë pallat tanimë nuk ka njerëz të cilët kanë jetuar aty prej dhjetëra vjetësh dhe kanë ndarë me fqinjët vajin e kikirikut, qepë e kripë si dhe farën e kosit. Sepse pronarët janë degdisur gjetkë dhe apartamentet e tyre i kanë dhënë me qira për emigrantët e brendshëm. Dhe nuk ka më shkallë të pastra si dikur, kur gratë dilnin e pastronin pjesën e tyre, dhe ambienti ndriçonte. Sot në çdo shkallë, dhe po aq në ashensorë, gjen plehra të cilat të zotët që i kanë bërë, për shkak edukatës së tyre të përçudnuar, dhe një injorance klasike të theksuar, i lënë cepave me qëllimin që vetë të dalin në rrugë të krekosur, por mbeturinat e tyre t’ia rrasin dikujt tjetri t’i hedhë në koshin që është vetëm 20 metra larg shtëpisë.
Tirana është kthyer në një qytet paçavure. Ecën me makinë por nuk di ku të parkosh. Ecën në këmbë por nuk di nga të kalosh. Ecën me biçikletë, por... e di vetë ti pastaj. Dhe pastaj vjen qershia mbi tortë. Gazetarët me nga një mikrofon në dorë pyesin turistët e huaj: Si u duket Tirana?
-Oh, beautiful!
Dhe pastaj i transmetojnë nëpër ekrane. Tirana kryeqytet Evropian.
Po pse çfarë prisni të thonë: është m.... Po ata 15-katëshin dhe Muzeun shohin. Për aq, interesante u duket Tirana, një qytet me gjurmë orientale në zhdukje, pak oksidental por që po i vihet kazma, më së shumti socrealist me pallatet parafabrikate për së fundi, dhe shumë kaotikë me ndërtime masive pa asnjë lloj urbanistike, të cilat kanë plasur si dinamit që nga viti 2000 e këtej.
Kjo do të thotë që mijëvjeçarin, - i cili do dhe 978 vjet që të mbyllet, - e kemi filluar për së mbari. Imagjino si do jetë Tirana në vitin 3000. Futurizëm fare...
Mirëpo ne po qajmë hallet tani. Dhe tani është.... o Zot s'po e them fare.
Mjafton te shikoni pjesën tjetër të botës, që sapo kalon kufirin, për të ndjerë disnivelin se në çfarë llumi është zhytur Tirana, nga e cila u del koka vetëm gradaçelave.
Tirana po bëhet përditë dhe më e pabanueshme, e pamenaxhueshme. Nuk besoj se do ketë studio urbanistike që e merr përsipër rregullimin e saj. Ndaj do vazhdojmë kështu... me kontribut vullnetar, ta bëjmë edhe më të pabanueshme, por me numër më të lartë banorësh brenda saj.

No comments:

Post a Comment