Friday, September 16, 2022

Të shpëtojmë Kinostudion prej djegies dhe pjekjes

 

Nga Leonard Veizi
 
Çfarë do të bëjmë nëse do ndalohen së transmetuari filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”? A kalohen ditët e gjata të verës dhe netët e gjata të dimrit, pa batutat e jashtëzakonshme të filmit shqiptar
-E Mazllëm, çkemi?
-Ë, hiç.
Debati mbi filmin është hapur e rihapur disa herë. Duhen transmetuar filmat e prodhuara nën diktaturë apo duhen bllokuar. Deri tani janë lënë të lira. Disa kanale televizive i transmetojnë ato në vazhdimësi.
-Epo tërë jetën tuafe mbeti kjo e shkretë Kostaqe. Grise Ollgë grise e bëji të vogla se do thonë bota që dashka të bëjë një dhëndër me politikë në biografi.
Tani, edhe ata që thonë se duhen ndaluar së transmetuari kanë të drejtë: se këto filma u kujtojnë një kohë të errët ku flitej për arritje spektakolare ndërkohë që shumë njerëz o ishin nëpër burgje o në internime.
-Kapiten Sami Ameni, në emër të popullit je i arrestuar.
-Ju lutem Genc, çfarë kërkon ky zotëria.
Mirëpo si t’ua bëjmë të tjerëve që thonë se duhen transmetuar pasi aty është puna strapacuese e shumë njerëzve, loja e mrekullueshme e shumë aktorëve, dhe tek e fundit filmi është dhe një pasqyrë e një epokë të caktuar. Ja që dhe ata kanë të drejtë.
Se në këtë botë të gjithë të drejtë kanë. Sipas tyre, kuptohet
-Ti more bir nuk ma çkoqite mirë atë hallin tim: të thashë se ma kanë caktuar ca si tepër detyrimin. Nuk e di në më more vesh apo jo?
-Posi o xhaxho, derisa ngul këmbë, ke një farë të drejte. Po do ta shohim, do ta shohim, mos ki merak.
E keqja e kësaj punë është se me filmin është bërë “punë e dendur agjitative”. Nuk do shumë mend për të kuptuar që me kinematografinë është bërë propagandë, madje e pastër. Dhe lojës së mrekullueshme të aktorëve u është veshur petku politik i kohës, gjë që i nxjerr ata jashtë loje.
-Ky lavamani është nga ana të mirët që kanë ardhur për hotelin e ri. E zgjodhi vetë përgjegjësi
-Nuk më pëlqen. E dua prej hekuri. E o që të mos më thyhet dhe kur të mos jetë kryetar komiteti ai dhëndri im.
Në këto kushte, kur jemi para kësaj dileme, duhet të pranojmë se një pjesë e filmotekës është vërtet për t’u hedhur në koshin e mbeturinave. Më saktë për t’u mbyllur në arkivë.
Mirëpo nuk është se kjo traditë e propagandës u zhvillua vetëm në Shqipërinë Socialiste - që në fillime ishte injektuar fort nga kinemaja sovjetike, - dhe as vetëm në vendet e kampit socialist. Sepse Hollivudi amerikan, që nuk kishte të bënte me socializmin dhe as me doktrinën marksiste, ua kaloi të gjithëve përsa i përket propagandës.
Fjala vjen:
Ndërsa shqiptarët lartonin një hero si Kreshnik Martinin, tek “Operacioni i Zjarrit”, amerikanët nxorën Rambon që vriste e priste vietnamezë e rusë, dhe nuk e kapte plumbi për qamet.
Ndërsa shqiptarët pomponin Blertën si një volejbolliste fshati që kërkonte ta merrte Dinamo në kryeqytet, Hollivudi nxori Roki Balboen që rrahu për vdekje sovjetikun Ivan, në një ring të Moskës, aq sa bëri të ngrihej në këmbë e ta duartrokiste amerikanin hero dhe Byroja Politike e Bashkimit Sovjetik.
Hajde gallatë hajde.
E ç’ta zgjasim më shumë me Hollivudin, që ndonjëherë më duket edhe më keq se “Kinostudio Shqipëria e Re”.
Tani në skenë ka dalë fort kinemaja turke, e cila transmetohet nga ekranet shqiptare tërë ditën e ditës. Kjo kinema po bën propagandë mbi madhështinë e Perandorisë Osmane, dhe po e glorifikon aq sa shqiptarët kanë nisur nën zë të thonë: vallahi-bilahi kena qenë mirë nën administrimin e Portës. Ç’ju desh Ismail Beut ta ngrinte flamurin. Stambollin e kishim kryeqytet Sulltanin në vend të babait. Çdonim më...
Pra në një farë mënyre, në të gjithë botën, përveç krijimtarisë së lirë dhe bërjes së biznesit përmes artit të filmit, së shumti ka investuar dhe për të bërë propagandë.
Por le të kthehemi në vatrën tonë, se për filmat e Hollivudit dhe të Bollivudit ka kush kujdeset.
A është një hall që zgjidhet në mënyrë radikale: o andej o këtej. Jo të bllokohen, jo të transmetohen. Sipas meje ka dhe zgjidhje të mesme. Oportune.
-Që dhe mishi të piqet edhe helli të mos digjet.
Nga prodhimet e Kinostudios “Shqipëria e Re”, një grupim filmash me temë shoqërore, kanë arritur t’i shpëtojnë censurës dhe kanë ardhur me dinjitet deri në ditët tona. Disa prej tyre janë me temë shoqërore si: “Duaje emrin tënd”, “Të mos heshtësh”, “Hijet që mbeten pas”, “Kur xhirohej një film”... mund të transmetohen pa frikë se japin mesazhe politike dhe as flasin për kurthet që i ngrinin Shqipërisë Socialiste, armiqtë e brendshëm e ata të jashtëm.
Disa filma të tjerë, kanë më shumë sens humori si: “Përrallë nga e kaluara”, “Dy herë mat”, “Dhe ashtu edhe kështu”, “Zëvendësi i grave”.
Ndërkohë janë prodhuar dhe një seri filmash me temë historike si: “Skënderbeu”, “Nëntori i dytë”, “Mësonjëtorja”, “Kush vdes në këmbë”
Por ka dhe një seri filmash që edhe pse kanë nga pak propagandë, sërish nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore si: “Kur hapen dyert e jetës”. “Treni niset në shtat pa pesë”, “Rikonstruksioni”, “Tej fasadës”, “Në çdo stinë”.
Thënë shkurt, një grup filmash të seleksionuar nga një ekip specialistësh, mund të vazhdojnë të transmetohen jo vetëm për nostalgjikët, por dhe për brezin e ri që përmes imazhesh të kuptojë si funksiononte jeta social-shoqërore të një periudhë të caktuar të historisë.
Sa për filmat me temë nga Lufta e Dytë Botërore, ku një partizan vriste 200 gjermanë, apo ato kur luftonim me bandat e diversantëve kundër imperializmit amerikan, nuk humbasim gjë edhe nëse nuk transmetohen.
E në këtë kuadër është normale që nuk humbasim gjë nëse nuk e shohim filmi “Dita e parë e emërimit”, që në epilog të tij nëna i jep këtë këshillë të birit të sapoemëruar zëvendësministër:
-Me këmbë të mbarë o bir. Të nderosh shokët, të nderosh Partinë. Nënës tënde mund  mund t’i bësh ndonjë hile, por Partisë kurrë, kurrë.
Dhe në sfond nusja që buzëqeshte e lumtur.
 

No comments:

Post a Comment