Shënime udhëtimi
Nga Leonard Veizi
Ai
është një vend kulti i famshëm. Ndoshta u bë i tillë për shkak të pozicionit
gjeografik ku u ndërtua. Ndoshta për shkak se kryetrimi Gjergj Kastrioti e
zgjodhi si vend për të kurorëzuar martesën e tij me Donikën e Gjergj Arianitit.
Ose ndoshta sepse shumë kohë më vonë, - atëherë kur nuk flitej më për objekte
kulti, - territori i saj dhe vetë kisha u përdorën si shesh xhirimi ku u realizuan
disa nga filmat e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”. Por gjithsesi, prania afër
tij të jep një qetësi të pamasë shpirtërore.
Flitet
për Manastirin e Ardenicës.
Rrugëtimi
Për
të shkuar në Ardenicë, prej kryeqendrës, nuk duhet ndonjë mundim i madh. Janë
vetëm rreth 100 kilometra rrugë që karakterizohet përgjithësisht nga
autostrada, ku mund të ecësh mesatarisht me 80 kilometra në orë, duke iu
përmbajtur tabelave që kufizojnë shpejtësinë.
Google maps të siguron se nëse zgjedh të udhëtosh
në autostradën e Durrësit, të kalosh Golemin e Kavajën, e të marrësh për në
Lushnje, janë 103 kilometra në dispozicion të cilat përshkruhen për 1 orë e 29
minuta.
Nëse
do të zgjedhësh autostradën e Elbasanit e tek rrethrrotullimi i Rrogozhinës t’ia
mbash për nga autostrada e Fierit, - duke kaluar në periferi të Lushnjës
gjithsesi, - janë 109 kilometra të cilat përshkohen për 1orë e 39 minuta. Pra
kemi gjashtë kilometra më shumë, por një shtesë prej 10 minutash në kohë.
Vendmbërritja
është administrativisht në rrethin e Lushnjës me një largësi prej 18
kilometrash nga qendra e qytetit.
Por
që të ngjitesh për në kodrën e Ardenicës, duhet të kalosh mes përmes fshatit
Kolonjë, që në kushtet e zhvillimeve të fundit përafron me një qendër të vogël
urbane.
Vetëm
pak kilometra nëpër kthesa për të marrë lartësinë dhe ke mbërritur në majën e
kodrës, ku asfalti i lë vendin një rruge të shkurtër kalldrëmi e cila të çon
deri në portën e madhe hyrëse të manastirit. Vendi përreth është i mbushur nga
qiparisa e bredha të lartë, gjë që i japin vendit jo vetëm një pamje të bukur e
piktoreske, por dhe krijojnë një ambient me një qetësi apostolike ku mund të
meditosh e të dalësh në përfundime më të arsyeshme.
Pak histori
Referuar materialeve
enciklopedike, me bindjen e thellë se as nuk zbulojmë ndonjë gjë të re e as nuk
themi diçka të pathënë më parë, mund të përmendim faktin se manastiri
bizantin i Ardenicës prej kohësh zë një vend të veçantë në listën e
destinacioneve më të mira historike-fetare të turizmit në Shqipëri. E
megjithatë vendi nuk është se gëlon nga turistët. Edhe pse destinacioni është
lehtësisht i aksesueshëm.
Kisha mban emrin e
Marisë Hyjlindëse. Një gjë e tillë vihet re në shumicën e kishave të trevës
së Myzeqesë. Sepse ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike
bujqësore.
Mendohet
se ndërtesa u ngrit në vitin 1282 nga perandori Bizantin Androniki II Paleolog,
për nder të fitores mbi anzhuinët në Berat. Por gjithsesi, ky me sa duket
nuk është një variant shterues. Sepse ka edhe disa variante të tjera, ku thuhet
se manastiri mund
të jetë ndërtuar edhe në kohën e Despotatit të Epirit në shekullin e XIII, apo
që është themeluar diku në shekujt XIII-XIV ndoshta në kohën e zotërimit të trevës
nga familjet e mëdha feudale të Muzakajve dhe Matrangëve.
Mendohet
gjithashtu se shumë përpara ndërtimit të Manastirit aty gjendej më parë një
tempull pagan kushtuar Artemisës, prej nga do të rridhte dhe emri Ardenicë. Ndërsa
një variant tjetër thotë se Ardenicë ka dhe kuptimin: burim uji.
Hyrja
për në manastir bëhet nga ana lindore nëpërmjet një porte me qemerë. Oborri
është i shtruar me kalldrëm. Hajatet janë dykatëshe dhe shërbejnë si dhoma për
murgjit. Kati përdhes përdorej si hambar për bereqetin. Në mjediset e
manastirit gjendet një mulli për prodhimin e vajit të ullirit.
Gjithsesi, formën e tij
të sotme, - në
një sipërfaqe që zë 2,500 metra katrorë, - manastiri e ka marrë gjatë shekullit të XVIII.
Brenda territorit të Manastirit ndodhen dy kisha: kapela e Shën Triadhës dhe
kisha Lindja e Hyjlindëses Mari.
Studiuesit
thotë se kisha është ndërtuar me gurë shtufi dhe me gurë të ardhur nga
Apollonia. Kjo kishë tërheq me arkitekturën e saj të stilit Bazilikal, me
portikun e hapur me kolona e harqe si dhe kambanoren që ngrihet në 24 metra
lartësi.
Fare pranë këtij
tempulli, vetëm 1 kilometër në perëndim të tij kalonte dega jugore e rrugës
antike Egnatia, që lidhte Romën në Perëndim me Kostandinopojën në Lindje.
Ikonat
Duhet
një restaurim mjeshtëror që të dalë në dritë pamja e ikonave murale. Sepse ato
janë zbehur nga koha, por dhe janë keqtrajtuar gjatë periudhës komuniste kur
manastirit iu ndërrua destinacioni. Por duket se një gjë e tillë nuk është ende
në axhendë, meqenëse flitet për një fond të konsiderueshëm. E megjithatë, duhet
thënë së në muret e kishës kanë marrë jetë kryevepra të botës ortodokse.
Kanë
qenë piktorët e ardhur nga Korça, si Kostandin dhe Athanas Zografi, të cilët
kanë pikturuar afreske të mrekullueshme në ambientet e brendshme të Kishës, të
cilat sipas specialistëve pasqyrojnë episode të Dhiatës së Vjetër dhe asaj të
Re.
Ikonostasi
i gdhendur në dru, apo ikonat e tjera të lëvizshme, të cilat janë punuar nga dora
e Kostandin Shpatarakut, ia shtojnë akoma më shumë bukurinë dhe vlerat kësaj
kishe.
Në narteks, (apo në parasallë)
në të
gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”. Disa
nga ikonat janë: “Lindja e Shën Mërisë”, “Krishti në Fron”, “Shën Mëria me
Krishtin”, “Johan pagëzori”, “Mbledhja e kryeengjëjve”, “Kryqëzimi”, etj.
Manastiri
i Ardenicës ka qenë fort i dëgjuar, jo vetëm për afresket e tij, jo vetëm si një vend
arsimi dhe kulture, por edhe për bibliotekën e pasur me mbi 32 mijë vëllime,
e cila fatkeqësisht
është djegur nga një zjarr i rënë në vitin 1932.
Dasma e famshme
Ajo
është dasma më e famshme ndër shqiptarët. Dhe u kurorëzua pikërisht në këtë
manastir. Në mesditën e 26 prillit të vitit 1451 në një ceremoni që zgjati për
disa ditë, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu u kurorëzua në martesë me Donika
Aranitin, pikërisht në altarin e Kishës në Ardenicë. Ceremoniali u zhvillua nga peshkopi i
Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptare dhe ambasadorëve të
Napolit, Venedikut e Raguzës.
Degradimi
Në
jetën e tij të gjatë, Manastiri ka përjetuar plot ngjarje të gëzueshme ashtu si
mbi të kanë rënë dhe kohë të tjera të trazuara. Gjatë viteve të regjimit komunist,
- sidomos pas vitit 1967, - shumë kulte fetare u dëmtuan, shkatërruan ose u
konvertuan. Në studimin e tij të publikuar nën emrin “Arti kishtar në Shqipëri”
historiani Andrea Llukani shkruan: Rrebeshi ateist i vitit 1967 solli një grup
të rinjsh nga Fieri për ta shkatërruar manastirin, por ai u mbrojt prej Imzot
Irine Banushit, i cili ndodhej i internuar në Ardenicë. Ai u foli
gjimnazistëve: “Historia nuk do të na e falë. Ky manastir nuk ka vetëm vlera
fetare për kombin tonë, por edhe historike, pasi në 10 maj të vitit 1451 në
manastir janë kurorëzuar heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti me Donikën”. Të
rinjtë dhe mësuesit e tyre u bindën dhe manastiri shpëtoi. Vendosja e repartit
ushtarak në të i solli mjaft dëme. Përsëri me ndërhyrjen e Imzot Irineut,
manastiri u shpall monument kulture në mbrojtjen e shtetit. Meritë ka edhe
teologu Theofan Popa, i cili në atë kohë punonte në Institutin e Monumenteve të
Kulturës dhe kontribuoi mjaft për ruajtjen e kishave.
Gjatë
viteve 1988-1989 manastiri i Ardenicës u kthye në pikë turistike: hotel,
restorant, kafene, duke bërë disa përshtatje për plotësimin e kërkesave për
këtë funksion.
Gjithashtu
dhe mungesa e ndërhyrjeve sistematike për mirëmbajtjen e gjithë kompleksit të
manastirit, - i bënë të domosdoshme vite më pas - ndërhyrjet restauruese nga
ana e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si për konsolidimin statik
të ndërtesave, ashtu dhe për rikthimin e këtij ansambli në funksionin e tij
fillestar, d.m.th. në manastir.
Kuriozitete
-8 shtatori është festa
më e rëndësishme fetare që kremtohet çdo vit në Manastirin e Ardenicës, sepse
është lindja e Shën Marisë.
-Në
një pllakë guri në hierore gjendet mbishkrimi, i cili vërteton se gdhendjet e
ikonostasit, amvonit dhe fronit dhespotik janë realizuar nga një grup
gdhendësish nga Dibra e Madhe apo më mirë të themi nga Golloborda.
-Në
narteksin e kishës (parasallës) “Fjetja e Shën Mërisë” shumë pranë derës
perëndimore në anën e majtë dhe të djathtë janë varrosur dy Dhespotët e
Mitropolisë së Beratit, Metodi dhe Joasaf “Plaku”. Dy varret janë të shoqëruara me një
pllakatë me mbishkrim në gjuhën greke.
-Biblioteka
e Manastirit kishte vepra të rralla të kulturës dhe të identitetit të popullit
shqiptar dokumente me vlera të çmueshme historike, duke përfshirë edhe një
pjesë të korrespodencës së Ali Pashë Tepelenës.
Epilogu
Kodrat e Ardenicës
ndodhen në jug të fushës së Myzeqesë së madhe me një pozitë dominuese që shihet
nga të gjitha anët. Kjo pozitë si ballkon, ku nga kambanorja e tij shihen
Kruja, mali i Dajtit, Tomori, deti Adriatik, laguna e Karavastasë e deri në jug
malet e Labërisë, e bëjnë Ardenicën një vend të vizituar nga turizmi çlodhës
dhe argëtues.
Manastiri
i Ardenicës është pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare. Ai është një nga
manastiret më të famshme ortodokse shqiptare dhe një nga më të mëdhenjtë në
vend. Prej studiuesve konsiderohet mrekulli e ortodoksisë shqiptare dhe një nga
kryeveprat e arkitekturës bizantine ortodokse.
No comments:
Post a Comment