Friday, April 28, 2023

Ilirian Shima, skulptori që na solli “Nënë Terezën”


Nga Leonard Veizi
 
Ai është një nga ata që quhen: artistë race.
Ai ka guxuar të eksperimentojë e ndoshta të kalojë limitet që përballon një shoqëri në tranzicion dhe jo tërësisht të emancipuar.
Ai ka ideuar gjithfarë marrinash estetike, dhe u ka dhënë jetë shumë prej tyre. Sepse i tillë është artisti. Nuk mund të jetë slogan.
Ai ka punuar fort për të sjellë në jetë, gjithçka është ravijëzuar ne mendjen e tij si imazh fillestar e kaotik apo si një projekt tërësor dhe krejtësisht i modeluar.
Ai ka sfiduar për ta paraqitur të arritshme atë që për shumëkënd ishte e paaritshme dhe jofunksonale.
Ai ka arritur t'ia dalë për shumicën që e kuptojnë dhe i duan punën e tij.
Por si kushdo edhe ai nuk mund të jetë aq gjithëpërfshirës sa për të kënaqur orekset e kujtdo, ca që kërkojnë realizëm teknik të vjetëruar dhe ca të tjerë që mendojnë se arti duhet të jetë sipas parimit: lart frymën revolucionare.
Dhe së fundi ai na solli në Tiranë, - vendlindjen e tij, - një shtatore të mahnitshme.
Ajo është Nënë Tereza. Krejt e bardhë e me shiritat blu mbi kokë. Plot hijeshi dhe elegancë. Një Nënë Terezë, gjithsesi. Kompakte.
Mund ta kishte vendosur në Romë, në Athinë, në Bukuresht... si dhe në Prishtinë. Sepse të gjitha këto vend i kishin ofruar një shesh për gruan e shenjtë. Por fati e donte që ta sillte në Tiranë, pikërisht në aeroportin që mban emrin e saj. Sepse ajo është pika universale që lidh shqiptarët me botën, dhe të huajt me Shqipërinë. E tash e tutje, në hyrje të këtij terminali, shtatorja e saj që lutet, do të presë e përcjellë gjithkënd që kërkon të fluturojë. Sepse gjithkush e do një mbrojtje. Për më tepër kur është lart në qiell, e s’ka ku mbahet kund.
Ilirian Shima është një nga artistët më në zë të Shqipërisë, i cili 32 vitet e fundit vendbazimin e ka në Athinë. Megjithatë duhet thënë se ateljeja e tij, - e cila gjeografikisht ka vendndodhjen në kryeqendrën greke, - është një studio që në funksion të krijimeve të tij lëvizi në ccdo skaj të globit. 
Por si u ideua skulptura e shenjtores shqiptare?
Boceti kishte nisur. Autori shpjegon:
Nuk e studiova kurrë atë figurë në sensin anatomik ose proporcional.  Bëra atë që më kishte mbetur në kujtesë. Dhe janë ato dy tre gjëra, ato që i mbeten përjetësisë, një pëlhurë e bardhë me tre vija blu dhe brenda saj një formë e kërrusur që tenton të strehojë në hapësirën e gjoksit të gjithë të varfrit. Vura re se sa më shumë anatomi dhe materie i hiqja aq më shumë frymë i shtohej. E lashë veten të lirë ta vazhdojë këtë proces, deri sa vetë boceti më tha: stop. U gjet e mesmja e artë, midis materies dhe idesë. Ajo mbeti frymë.
Dhe në këtë mënyrë një bocet disa gramësh u kthye në një shtatore disa tonëshe.
Konkurs pas konkursi e propozim pas propozimi, së fundi “Nënë Tereza” në mermer mbërriti në aeroportin me emrin e saj. Nuk kish si ndodhte ndryshe.
Autori u largua për në studion e tij në Athinë. Punë të tjera e presin, ca nëpër bocete e të tjera ende të pambaruara. Krijimtaria vazhdon.
Por Ilirian Shima asnjëherë nuk mungon të vizitojë Tiranën, e cila e ka mirëpritur me ekspozitat e tij të veçanta, krejt moderne e disi abstrakte, madje dhe provokative. Ekspozita “Farajon” me veprave që mbartnin tematikë erotike. Megjithatë ajo u prit mjaft mirë nga artdashësit e Tiranës, ku siç u shpreh vetë autori: “Ekzistonte një si fshehje apo si turp. Njerëzit që kur kalonin para veprave të mia me tematikë erotike, ulnin kokën apo i shikonin me bisht të syrit. Donin t’i preknin… por aty ishte tabuja”. 
Ilirian Shima nuk rresht asnjëherë së punuari. Madje dhe në kohën e frikshme të pandemisë. Asgjë se pengon atë të hedhë bojëra mbi telajo apo të gdhendi mbi mermer. Dhe ashtu siç është shprehu ai: e sheh veten si një njeri në prizë, në lëvizje dhe në krijimtari të vazhdueshme që i sheh gjërat vetëm artistikisht. 
Disa vite më parë Ilirian Shima vendosi në qendër të qytetit të Lushnjës, në një nga përvjetorët e Kongresit që u mbajt në këtë qytet në vitin 1920, punën e tij, një Shqiponjë, të cilën gjatë një interviste të realizuar enkas me këtë rast, ai e përcaktoi si një shpend të fortë e krenar por që gjithashtu përcjell dhe sensualitet pa fund.
Ilirian Shima është një skulptor i veçantë për shumë kënd. Ai është gjithmonë në kërkim të diçkaje të re. Dhe të një motivi të gdhendur që sërish do të na surprizojë.





No comments:

Post a Comment