Ajo
që ndodh prej vitesh në Shqipëri, si në një film horror me skena të
pandriçuara, ka të bëjë me vrasje të paralajmëruara dhe ato me paralajmërim.
Vrasje të qëllimshme dhe vrasje aksidentale. Vrasje në eksitim e sipër apo
vrasje të përllogaritura.
Risku
mbetet i lartë.
Nuk
ka nevojë të të lajmërojnë, për të të thënë se je në gjak me dikë e duhet të
kthesh kokën pas në çdo çast se gjaksit nuk i duhet ku ta ka zënë pusinë. Ti je
gjithmonë një shënjestër e lëvizshme. Me raste dhe krejt i palëvizshëm a i
murosur. Ti je nën syrin thep-shqekës kur ke bërë ndonjë mëkat dhe je i
akuzuar, por edhe kur je duke ecur në rrugën tënde dhe je i çliruar nga çdo
lloj akuze.
Ti,
si pjesëtar i kësaj shoqërie, do të ndihesh gjithmonë i kërcënuar nga gryka e
një arme dhe sikur ajo të mos ekzistojë kund. Dhe ti po aq je gjithmonë një
viktimë e mundshme. Madje, ti je një viktimë në të gjitha rastet.
Ca
vite më parë Shqipëria ngjante më shumë si Siçilia e viteve ‘70 ku shumëçka
zgjidhej përmes armëve. Po herë-herë më së shumti ngjan me vitet ‘90, ku në
bastionet e krimit e drogës në Medillinin kolumbian të Eskobarit, jeta nuk
vlente dy lek.
Në
Shqipëri krimi nuk fle asnjëherë. Ai është roje.
Ti
fle, se je i qetë, se nuk të rëndon asnjë faj dhe nuk ke përse të përballesh me
të. Por ai të gjen dhe kur ti je në gjumin e thellë të pasmesnatës, sepse do të
të duhet të mbledhësh energjitë për të shkuar disa orë më vonë në frontin e
punës, në ndërtim fjala vjen, apo në një uzinë ku punohet me hekura. Sepse e
tillë është jeta. Ajo nuk të merr me të mira.
Ti
je viktimë e krimit, edhe kur mbi ty askush nuk ka qëlluar me plumb të nxehtë
dhe as me armë të ftohtë, por sepse në mëngjes, ndërsa ngrihesh për të përgatitur
ca bukë me vete, ndez televizorin dhe informohesh... për një krim që ka ndodhur
në mesnatë, ose përpara mesnate. Por në atë kohë ty të kishte zënë gjumi, sepse
nuk mund të rezistosh aq gjatë sa për të ndjekur dhe lajmet e vona në
televizor.
Ti
nuk je i vdekuri fizik, por je viktimë gjithashtu.
Po
bëhet e udhës që vrasjet sot po bëhen në sy dëshmitarësh. Jo dëshmitarë të
zakonshëm rruge, por familjarë. Një gjyshe vritet në sy të mbesës. Një nënë në
sy të vajzës. Një baba në sy të djalit dhe një djalë në sytë e babait të tij.
Dhe
çfarë pastaj... Do të na duhet të vëmë kujën, apo të bëhemi të fortë e të
përballojmë dhimbjen. Sepse krimi është fakt. Ai nuk mund të zmbrapset për ta
ripërsëritur skenën në një version të ri. E për më tepër të ngushëllohemi se demek:
“Këto janë punët e Zotit” dhe se “Zoti të mirin e do pranë vetes”. Ç’e
ngatërroni Zotin në fronin hyjnor me larjet e hesapeve të tokësorëve.
Së
fundi, një tjetër skenë krimi e pamëshirshme u përhap rrufeshëm nëpër titra nga
televizionet informative dhe portalet. Aparati kishte fokusuar një baba që qëndronte
pranë të birit të vdekur. Të vrarë me plumb në praninë e tij. Duke pirë kafe.
Dhe asnjë burrë tjetër s’do të donte të ishte në vendin e tij. As ai vetë. Por
plumbi nuk të pyet, kur del i nxehtë nga tyta e armës, pasi një gisht ka vënë
në lëvizje mekanizmin e shkrepjes.
Ç’rëndësi
ka motivi përse u vra. Nuk na duhen motivet. Ato i përkasin palëve. U vra se
kishte një mëkat mbi shpinë apo se qëlloi në orën e gabuar në vendin e gabuar.
Tek e fundit u vra një njeri. Dhe askush tjetër nuk ndihet i sigurtë më. Për të
mos thënë që ndihet veç i kërcënuar.
Ne
qajmë për fatin tonë. Që jetojmë në një botë të kriminalizuar, ku vriten njerëz
çdo vit po as sa janë vrarë dhe në një luftë frontale.
Veç
këta nuk janë dëshmorë, janë veç viktima.
Jetojmë
në kohë makthi. Jemi shënjestra të lëvizshme të krimit pa fytyrë e pa emër.
Dhe
krimi është futur thellë në jetët tona. Bashkëjeton me ne. Ne flemë me të e
gdhihemi në mëngjes duke psherëtirë nën vete se e kaluam dhe një natë. Por nuk
dimë ç’do të ndodhë gjatë ditës. Sepse krimi të vret natën dhe ditën. Ai është
roje. Ai nuk njeh kohë.
Dhe
kjo është një jetë e jetuar nën një panik të presuar, me një frikë të
patreguar. Por fundi është i njëllojtë për këdo të qëlluar.
Dhe
pas kësaj mbetesh thjesht një kujtim...
No comments:
Post a Comment