Ditët e Kujtesës
Nga Leonard
Veizi
Zë fill që në periudhën e largët të antikitetit, kur
Helena u dashurua me Paridin dhe “Për hir të dashurisë” u vranë mijëra burra
dhe u shkretua e gjithë Troja. “Për hir të dashurisë”, gjithmonë ka sjellë
viktima, deri tek Zhuljeta dhe Romeo në Veronën latine. Dhe dashuria e për hir
të saj sakrifikoi Tanush Topinë dhe bashkëshorten Helena, që ishte pinjolle e
derës së famshme të dinastisë franceze të Anzhuinëve dhe vajza e vetë Robert të
Anzhusë, që aso kohe ishte dhe mbret i Napolit. Por nuk u mjaftua me kaq, sepse
“Për hir të dashurisë” përveç ngjarjes së shekullit XIV solli mjaft viktima dhe
në shekullin XX kur Shqipëria që tërhiqej nga Partia e Punës për tu bërë
Socialiste bënte pjesë në Kampin Lindor. Flitet për gratë ruse që burrat
shqiptarë me dashuri të madhe i morën në udhën e gjatë nëpër det... për të
zezën e tyre të pafat.
...Burra
shqiptarë, djem fare të rinj dhe të tjerë më në moshë, lanë pushkët trofe të
Luftës dhe zbarkuan në botën e madhe të stepave, territori të cilës aso kohe
quhej Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Moska ishte madhështore, me
kupola kishash, portikë e kampanil, për më tepër po ta krahasoje me Tiranën.
Dhe vetë jeta në metropolin lindor ishte shumë më e lirë dhe e gëzueshme se sa
në vendin ku ndikimi oriental i Azisë së Vogël i mbante gratë pas portave me
dryna ndërsa burrat pinin duhan dhe raki kazani nëpër akshihane. Herë me anijen
“Irgis”, herë me atë që quhej “Krimea” por dhe me anijen “Transilvania” që
bënte rregullisht linjën Odesa-Durrës, djemtë nga Shqipëria kalonin nga
Adriatiku e Joni, nëpër Bosfor për të lunduar në Detin e Zi e për të ankoruar
në portin e Sevastopolit. Krejt të parahur me jetën moderne por me instikte të
forta mbijetese si shqiptarë safi, ish partizanët me yllin e kuq e këpucë
angleze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare u kthyen në nxënës shkollash ushtarake
parësore dhe u ulën në bankat e akademive superiore “Vorollishov” a “Frunze” për t’u bërë më pas drejtues të lartë ushtarakë.
Dhe
shkuan të vetëm në Rusinë e largët, pa e ditur se në kthim do t’i çudisnin
punëtorët durrsak të portit kur nga anijet e transportit "Krimea" a
"Irgis" do të zbrisnin shkallët me valixhe dërrase në dorë dhe vajza
flokëverdha përkrahu. Ishin vajza plot hire ruse, që kishin braktisur familjet
dhe vendin me klimën acar të ftohtë për të mbërritur milje larg në Shqipërinë e
huaj, krejt të zhveshur por shumë të ngrohtë nga rezet e diellit dhe po aq
miqësore në frymën njerëzore.
Ky
ishte vetëm prologu i miqësisë 15 vjeçare mes shqiptarëve dhe rusëve në
tërësinë e tyre, sepse prologu do të ishte i errët e me humbella të thella.
Duke
sjellë në vëmendje dashurinë e shqiptarëve me gratë ruse dhe armiqësinë
qeveritare ndaj tyre dhe burrave që i kishin marrë, flet dhe dokumentari “Për
hir të dashurisë” i cili u promovua në ditët e fundit të shkurtit 2025
pikërisht në “Ditët e Kujtesës”.
Me
skenarin e Blerina Gjokës dhe regjinë e Rezart Shehut, ky projekt përçoi në
vëmendje një plagë të harruar të historisë, duke e sjellë atë përmes gojës dhe
syve të atyre që e përjetuan në mënyrën më të dhimbshme. Një produksion i
“Kujto.al”, me ndihmën e fondacionit “Kornad Adenauer Stiftung Albania” ky film
shërben si një memorial për kujtesën historike dhe thirrje për drejtësi.
Historia
e këtyre grave është një tragjedi në vetvete. Ato erdhën në Shqipëri të nxitura
nga dashuria, por shumë shpejt u gjendën të ngujuara në një vend që nuk u dha
as të drejtën për të jetuar të lira. Për regjimin, ato ishin "armike të
popullit", një lidhje e rrezikshme me botën e jashtme, dhe për këtë u
ndëshkuan rëndë.
Si
skenariste e dokumentarit, gazetarja Blerina Gjoka, kishte mundur të gjente
dëshmitare të gjalla të kohës, gra ruse që flisnin shqip, po aq sa mund ta
flasë çdo rus këtë gjuhë të vështirë dhe të përveçme me rrënjë indoeuropiane.
Dhe
ato folën, treguan se si u dashuruan me shqiptarët dhe Shqipërinë, dhe si u
ndanë plot dhimbje familjet e tyre, pas divorcit spektakolar të Enver Hoxhës me
Nikita Hrushovin.
-Do
ta kërkojmë Vlorën admiral...
Dhe
ishte fort e trishtë tortura 30 vjeçare e familjeve dy kombëshe ku “Për hir të
dashurisë” shumë syresh do të përfundonin pas hekurave të qelive, të tjerë do
të punonin në fermat e të internuarve, dhe po aq do të jetonin të ndarë, ca në
Korçë e Tiranë e ca në Moskë e Leningrad.
Po
pse gjithë ky mllef?
Ka
raste kur për hir të politikës gjërat rregullohen. Por jo rrallë, shkatërrohen.
Atëherë në sipërfaqe dalin inatet e vjetra, mëritë e pa treguara dhe armiqtë që
penguan mbarëvajtjen. Ndaj mund të jesh ti aty, për rastisi, në orën e gabuar
dhe vendin e gabuar... e të digjesh.
Në
historinë e Shqipërisë, ka një kapitull të errët që mbart mbi vete dhimbjen e
shumë grave ruse, të cilat u dashuruan, u martuan dhe ndanë jetën me burra
shqiptarë, por më pas u ndanë me forcë nga familjet e tyre, u burgosën apo u
persekutuan nën regjimin e hekurt të Enver Hoxhës. “Për hir të dashurisë” në
këtë "Memory Days" apo Ditët e Kujtesës, është më shumë se një rrëfim
artistik. Është një homazh për këto gra, të cilat u bënë viktima të një regjimi
që nuk njohu mëshirë për dashurinë e tyre.
“Për
hir të dashurisë” nuk është thjesht një film. Është një përpjekje për të mos lejuar
që këto histori të fshihen nga kujtesa kolektive. Është një përkujtimore për
gratë që u flijuan në një sistem që nuk pati mëshirë për to. Është një zë që
ngrihet për të kujtuar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet.
Dhe
ashtu siç thonë protagonistët dhe ideatorët e këtij dokumentari ky projekt na
bën të reflektojmë mbi çmimin e dashurisë në kohë diktature dhe mbi dhimbjen e
heshtur të mijëra grave, historitë e të cilave ende nuk janë thënë plotësisht.
Ai është një dëshmi se kujtesa nuk mund të shlyhet dhe se, për sa kohë që të
ketë zëra që tregojnë, e vërteta nuk do të shuhet kurrë.
Dhe
për së fundi: a e dini sa studentë shqiptarë u shkolluan dhe u diplomuan në
akademitë dhe universitetet Sovjetike? Spiro Mëhilli, kunsulent i dokumentarit
në fjalë, gjatë intervistës dhënë po aty thotë se kanë qenë të paktën 5200
studentë shqiptarë në shkolla dhe akademitë ushtarake të ish-Bashkimit
Sovjetik, në të gjitha degët e mundshme. Dhe të paktën 1200 të tjerë kanë
studiuar për degë të tjera civile ku futen dhe artet, dhe mjekësia, dhe
inxhinieritë e ndryshme.
Dhe
sa gra ruse mbërritën në Shqipëri përmes këtyre martesave, duke përfshirë një
periudhë kohe vetëm prej 9 vjetësh pasi deri në vitin 1951, qeveria sovjetike
nuk ishte gjithmonë e gatshme të lejonte martesat me shtetas të huaj, përfshirë
shqiptarët?
Këtu
vështirë të të përgjigjet kush. Sepse nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e
tyre. Madje kjo shifër nuk gjendet as në filmin e titulluar "Gratë
ruse", me skenar të Juri Arabov, që trajton historinë e këtyre grave dhe
fatin e tyre tragjik në Shqipërinë e asaj periudhe.
No comments:
Post a Comment