Nga Leonard Veizi
Nis si një shfaqje fine, me buzëqeshje për reklama dhe veshje që kushtojnë
sa një garsonierë në periferi. Një batutë këtu, një "thumbim" atje –
gjoja për të mbajtur publikun zgjuar. Por, meqë intelekti i lodhur nuk prodhon
dot debat, loja rrëshqet me shpejtësi në "sportin tonë kombëtar": aty
ku gjuha zgjatet më shumë se mendja.
Dhe fillon: nis e shan nga nëna, vazhdon nga motra, e kur nuk ngopesh, i
futesh tjetrit me "shkelm" mbi pragun e shtëpisë. Sapo mbaron ky
serial i “erotik” që do të bënte edhe një horr të skuqej, vjen ajo fjalia
magjike, "lavatriçja" e ndërgjegjes: “Epo, lojë ishte, o burrë! Mos
ma merr për keq”
Ah, kjo "loja"! Mburoja universale që na lejon të nxjerrim vrerin
e pastaj të fshihemi pas gishtit.
"Kandari" i thyer i temperamentit
Ne shqiptarëve na ndizet gjakun shpejt; një fije shkrepëses e kemi. Nxehemi
edhe pse dikush na pa shtrembër në semafor. Inatosemi dhe kur lojtari i skuadres
së zemrës gabon përpara portës, ndaj e shajmë sa nuk i mban kandari, ndërsa
arbitrit i "krehim" pemën gjenealogjike nga rrënjët.
Por, edhe në mes të këtij kaosi testosteroni dhe nervash, dikur ekzistonte
një vijë. Një lloj kufiri moral që nuk guxonte ta shkelte askush.
Sot? Sot ky kufi është bërë transparent – hyn e del kush të dojë, mjafton
që në fund të muajit të ketë mbledhur mjaftueshëm audiencë.
Tribuna e banalitetit
Të sharat me "nënë e motër" nuk janë zhargon loje. Janë dëshmi e
një varfërie alarmante fjalori. Është dhunë e pastër, por meqë nuk kërcet
grushti dhe nuk rrjedh gjak mbi tapet, na duket sikur s’ka ndodhur asgjë.
Ekrani nuk është një rrugicë qorre ku mund të vjellësh e të ikësh pa u
parë. Ekrani është tribunë. Dhe kur nga ajo tribunë normalizohet shkelja e
dinjitetit për pesë minuta famë, kemi krijuar një model ku banaliteti është
mbret dhe argumenti është thjesht një i afërm i varfër që nuk e fton kush në
dasmë.
Një mesazh për "yjet"
Dua t'u them këtyre djemve dhe vajzave që aspirojnë famën nëpër reality
show: Ne shqiptarët nxehemi shpejt, por nuk dimë të harrojmë shpejt. Nëse nuk
na mban kandari kur shajmë portierin e skuadrës se hëngri gol, imagjinoni si
rëndojnë mbi shpinë sharjet me nënë e motër. Kjo nuk ndodhte dikur as kur
s'kishte dëshmitarë e mund të mohoje gjithçka, e jo më sot, në ekran, ku të sheh
e dëgjon gjithë Shqipëria.
Mbajini frerët! Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen. Është e jashtëzakonshme
kjo proverbë a fjalë e urtë. Dhe kjo nuk është thjesht një klishe popullore.
Ezopi, në perifrazimin e tij të famshëm, e cilësoi gjuhën si mjetin më të mirë
dhe më të keq të njeriut: me të mund të ndërtosh botë, por edhe mund të
shkrumbosh gjithçka.
Fjala si plumb
Leksioni është i thjeshtë: Realiteti i këtyre "show-ve" mund të
jetë lojë, por degradimi që mbjellin është tmerrësisht real.
Fjala që del nga goja nuk është si bumerangu që kthehet mbrapsht; është si
plumbi. Pasi del nga gryka e armës, nuk ka "ishte lojë" që e kthen në
fole. Prandaj, përpara se të luani me nderin e tjetrit nën dritat e
prozhektorëve, kujtohuni se bota vazhdon edhe kur mbyllen kamerat. Turpi,
ndryshe nga kontrata e emisionit, nuk ka afat skadence.







