Sunday, March 29, 2026

Marinela në Shqipërinë e bunkerëve, zëri që çau perden e hekurt

 
Marinela gjatë një koncerti në Shqipëri - Gusht 1977


Nga Leonard Veizi
 
Ishte Marinela
Në gushtin përvëlues të vitit 1977, kur Shqipëria i ngjante një ishulli të mbyllur mes telave me gjemba dhe një heshtjeje të dendur ideologjike, ndodhi diçka që sot tingëllon pothuajse e pabesueshme. Në skenat zyrtare, ku çdo notë duhej të kalonte përmes sitës së rreptë të “moralit socialist”, u shfaq një zë që vinte nga përtej kufirit, i lirë, i papërmbajtur, i huaj dhe njëkohësisht thellësisht njerëzor. Ai zë nuk i përkiste thjesht një këngëtareje. Ishte një çarje në murin e izolimit, një dritare e hapur me forcë në një hapësirë ku ajri kishte nisur të rrallohej. Marinela nuk këndonte për aksione, as për rendimente, gara socialiste e brigada pune; ajo këndonte për dashurinë, për mallin, për dhimbjen dhe për një liri që publiku shqiptar e ndiente, por rrallëherë e dëgjonte kaq hapur. Prania e saj nuk ishte vetëm një ngjarje artistike. Ishte një përplasje e butë mes dy botëve — njëra e mbyllur në vetvete, tjetra që vinte me ritmin dhe frymëmarjen e Mesdheut. Për disa net, skenat shqiptare nuk ishin më vetëm tribuna ideologjike, por u kthyen në hapësira emocioni të pastër, ku publiku dëgjonte jo vetëm muzikë, por edhe një jehonë të largët lirie....
 
...Tanimë, kur Marinela u nda nga jeta më 27 mars 2026, në moshën 87-vjeçare, kujtesa rikthehet te ato net gushti, shtatë mbrëmje që nuk ishin thjesht koncerte, por një çast i rrallë kur Tirana dhe Athina u takuan mbi pentagram. Një çast i shkurtër, por i mjaftueshëm për të dëshmuar se arti, ndonjëherë, arrin të bëjë atë që politika vetëm e premton.
 

Kujtesa
Për shumë shqiptarë, magjia nuk ndodhi vetëm në sallat e koncerteve, por edhe përmes dritës së zbehtë të televizorëve tanë. Edhe sot, kushdo që e ka jetuar atë kohë, e mban mend mirë koncertin e Marinelës të transmetuar në ekranin e vetëm të "TV Tiranës". Ishte një përvojë thuajse surreale: të shihje në atë ekran, ku zakonisht jepeshin lajme mbi sukseset e korrjeve, një grua që pushtonte skenën me bukuri dhe forcë vokale.
Dhe nuk ishte vetëm ajo. Pas Marinelës, erdhën edhe zëra të tjerë pasues nga Greqia, të cilët, megjithëse kalonin përmes censurës dhe montazhit të rreptë shtetëror, arrinin të përcillnin te ne një lloj lirie që nuk mund të mbytej. Ato transmetime mbeten "shkëndijat" e para që na treguan se muzika ishte gjuha që na lidhte me botën, edhe atëherë kur kufijtë ishin të mbyllura me klon.
 
Paradoksi
Ardhja e Marinelës në Shqipëri më 12 gusht 1977 nuk ishte thjesht një turne muzikor; ishte një operacion i rëndësishëm diplomatik. Deri në fillim të viteve ’70, Tirana dhe Athina nuk kishin ambasada respektive. Vetëm më 6 maj 1971, Greqia dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Si rrjedhojë e këtij shkrirjeje të akullit, një ansambël shtetëror shqiptar me rreth 80 anëtarë performoi në Greqi, ndërsa nga Athina mbërriti në Shqipëri divën e muzikës laïko. Në një kohë kur regjimi i Enver Hoxhës po zhytej në vetizolim të thellë pas nisjes së ftohjes me Kinën, prania e saj ishte një paradoks i gjallë. Regjimi shihte te muzika popullore greke një lloj “vëllazërie ballkanike” të pranueshme, por për publikun, Marinela ishte imazhi i gruas moderne, me flokë të verdhë dhe një liri skenike që thyente çdo rregull të ngurtë të kohës.
 
Turneu
Nga 12 deri më 19 gusht, Marinela dhe ansambli i saj përshkuan Shqipërinë. Turneu nisi në Tiranë, me dy koncerte më 13 dhe 14 gusht në Teatrin e Operës dhe Baletit, për të vijuar më pas në Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë. Atmosfera ishte elektrizuese, por e kontrolluar rreptësisht nga sytë e Sigurimit të Shtetit. Njerëzit mbushnin trotuaret vetëm për të parë autobusin e saj, ndërsa në sallat e koncerteve, duartrokitjet mbartnin brenda një lloj “frike të bukur”. Ishte hera e parë që një artiste e përmasave të tilla këndonte drejtpërdrejt për ta. Edhe pse koncerti i Tiranës u transmetua i montuar nga televizioni shtetëror për të fshehur detajet “dekadente”, ai mbeti një dëshmi e etjes së rinisë për më shumë dritë.
 
Trashëgimia
Ndonëse Marinela ishte kulmi, ajo hapi rrugën edhe për emra të tjerë të mëdhenj që guxuan të kalonin Kakavijën gjatë viteve të izolimit. Artistë si Maria Farandouri, Janis Parios dhe Mariza Koh u bënë pjesë e atyre shkëmbimeve të rralla kulturore që regjimi i përdorte për të treguar një lloj “hapjeje” ndaj fqinjëve. Ata u kthyen në idhuj të heshtur për një popull që muzikën e tyre e dëgjonte fshehurazi përmes valëve të radios në netët e gjata të komunizmit.
 
Kujtesa
Sot, kur shohim pamjet e Marinelës në rrugët e Tiranës së hirtë, kuptojmë se ajo vizitë ishte një akt kuraje. Ajo i dha Shqipërisë një javë “erë Perëndimi” dhe Shqipëria i dha asaj një dashuri të sinqertë, të cilën këngëtarja e madhe e kujtonte me mall deri në fund të jetës. Marinela iku, por zëri i saj mbetet i skalitur në kujtesën kolektive si ura e vetme që asnjë regjim nuk mundi ta shembte.

No comments:

Post a Comment