Saturday, March 28, 2026

“Good Morning Vietnam”, një kushtrim mes propagandës dhe rrënimit amerikan në Azi

 

Nga Leonard Veizi
 
Filmi “Good Morning Vietnam”, me gjallërinë tragjikomike të aktorit Robin Uilliams, nuk është thjesht kronika e një folsi radioje në ethet e luftës. Ai është radiografia e një skizofrenie kombëtare: nga njëra anë, makineria e propagandës që prodhonte entuziazëm artificial për të mbajtur në këmbë moralin e trupave, dhe nga ana tjetër, një baltovinë strategjike që po gëlltiste dita-ditës prestigjin e një superfuqie...
 
...Hollivudi është rikthyer shpesh në xhunglat e Vietnamit – herë me muskujt e fryrë dhe heroizmat e ekzagjeruara të Silvester Stalone dhe Çak Norris, që tentonin të fitonin në ekran atë që u humb në terren, e herë me pendesën e dhimbshme në kryevepra si “Born on the Fourth of July” me Tom Kruis apo filtrin naiv të “Forrest Gump” me Tom Henks.
Por, përtej shkëlqimit të celuloidit, Lufta e Vietnamit mbetet dëshmia e thyerjes së madhe, një plagë e hapur në ndërgjegjen amerikane që ende lëngon nën peshën e debateve historike.
 
Fillimi
Rrënjët e këtij konflikti nuk mbinë rastësisht; ato u ushqyen nga dekada të tëra rezistence kundër zgjedhës franceze. Pas kapitullimit të Francës në vitin 1954 dhe "shirave" diplomatikë të Gjenevës, Vietnami u gjymtua dysh: Veriu komunist nën hijen e Ho Shi Min dhe Jugu i rreshtuar pas Perëndimit.
Premtimi për zgjedhje të lira që do të bashkonin vendin mbeti një iluzion i vdekur që në lindje. Uashingtoni, i tmerruar nga "teoria e dominosë" dhe përhapja e komunizmit, hodhi bastin e tij mbi Negu Din Dim. Por regjimi i tij doli të ishte një kështjellë rëre – e korruptuar dhe e paqëndrueshme. Vrasja e tij në vitin 1963 nuk solli rendin, por hapi portat e kaosit, duke i lënë rrugë të lirë infiltrimit komunist në çdo qelizë të Jugut.
 
Përshkallëzimi
Ajo që nisi si një asistencë modeste me "këshilltarë ushtarakë", u shndërrua në një makth global pas vitit 1964. Incidenti në Gjirin e Tonkinit – një ngjarje e mbështjellë me mjegullën e dyshimit – shërbeu si shkëndija e duhur.
Më 7 gusht 1964, Kongresi i dorëzoi presidentit Lindon Xhonson një "çek të bardhë" për përdorimin e forcës. Ky ishte çasti kur diplomacia heshti dhe armët morën fjalën. Nga viti 1965, qiejt e Vietnamit u nxinë nga bombardimet masive, ndërsa çizmet e mbi 500 mijë ushtarëve amerikanë shkelën në një terren që nuk e njihnin dhe që nuk do t'i mirëpriste kurrë.
 
Lufta
Pavarësisht epërsisë dërrmuese teknologjike, ushtria më e fuqishme e botës u gjend e pafuqishme përballë "fantazmave". Vietkongët nuk luftonin sipas manualeve të Pentagonit; ata përdornin xhunglën si mburojë dhe taktikat guerile si thikë pas shpine.
Ashtu siç sugjeron edhe filmi “Good Morning Vietnam”, realiteti i terrenit ishte krejt ndryshe nga raportet rozë që lexoheshin në studio. Bombat nuk mundën të thyenin vullnetin e një popullsie që luftën e shihte si mbijetesë, jo si ideologji. Rezultati? Një luftë rraskapitëse ku fitoret në beteja nuk u shndërruan kurrë në triumf politik.
 
Bilanci
Kostoja ishte apokaliptike. Mbi 58 mijë amerikanë u kthyen në shtëpi në arkivole të mbuluar me flamur, ndërsa miliona vietnamezë humbën jetën në një konflikt që nuk kursente askënd.
Përveç gjakut, lufta thithi miliarda dollarë, duke tronditur themelet e ekonomisë amerikane. Por goditja më e rëndë erdhi nga brenda: rrugët e SHBA-së u mbushën me protesta, duke krijuar një hendek të pariparueshëm midis qeverisë dhe popullit. Lufta e Vietnamit ishte thyerja e parë e madhe e besimit amerikan te "pagabueshmëria" e shtetit të tyre.
 
Fundi
Me ardhjen e Riçard Nikson, nisi ajo që u quajt "vietnamizimi" i luftës – një tërheqje e dhimbshme e maskuar si sukses. Në vitin 1973, Marrëveshja e Parisit thjesht vulosi fundin e angazhimit ushtarak.
Epilogu u shkrua më 30 prill 1975. Rënia e Saigonit dhe imazhi poshtërues i helikopterit të fundit që nisej nga tarraca e ambasadës, mbeti simboli universal i një disfate që askush nuk guxonte ta quante me emër. Në vitin 1976, Vietnami u bashkua, por jo sipas planit të Uashingtonit.
 
Thirrja
Vietnami nuk ishte thjesht një dështim ushtarak; ishte fundi i pafajësisë amerikane. Ishte çasti kur një superfuqi u përplas me kufijtë e forcës së saj dhe me arrogancën e vetëbesimit të tepruar.
Prandaj, sa herë dëgjojmë atë thirrje ikonike “Good Morning Vietnam”, nuk dëgjojmë thjesht një përshëndetje mëngjesi, por kujtesën e një iluzioni që u thërrmua përballë realitetit të egër të xhunglës dhe historisë.

No comments:

Post a Comment