Thursday, January 28, 2021

Letërsia shqipe në kurthin e Kadaresë

 

Nga 
Leonard Veizi


Në fatkeqësinë e saj, prej kohësh letërsia shqipe identifikohet vetëm me emrin e Kadaresë. Dhe jo se nuk mund të identifikohej edhe me emra të tjerë të letrave kombëtare. Por duket se një pjesë e tyre dalëngadalë e humbën peshën.
Sot, vendi i “mbretit” të letërsisë shqiptare është i zënë. Pretendenti hipi në fron qysh më herët dhe tanimë duhet një “revolucion” për ta rrëzuar prej andej. Por konkurrentët e tij më të fortë për sa ishin gjallë, tanimë nuk jetojnë. Ndaj ai është i lirë të mbretërojë. Dhe mbretërimi ka koston e vet, të cilën duhet ta mbajë mbi shpinë me të drejtën e “liderit”.
Prej kohësh Ismail Kadare shijon suksesin e të qenit në majën e toplistës së shkrimtarëve shqiptarë. Zyrtarisht është thënë, - në qarqet letrare dhe nga maja e piramidës drejtuese, -  se ai është më i miri ndër letrarët që janë ende aktivë. Edhe pse në botën e artit në përgjithësi e në atë të shkrimtarëve në rastin konkret, të gjithë janë gjeni por të pazbuluar ose të pakuptuar në kohën e tyre. Por disa zëra më të thelluar kritikësh letrarë bëjnë me dije se Kadare i ka eklipsuar edhe ata që bënë epokën e letrave shqipe, pararendësit e tij. Pra, duke marrë për bazë këto lloj analizash, dhe prapashtesat që i shtohen shkrimtarit për të treguar kapacitetin e tij, dilet në përfundimin se ai është më i miri i të gjithë trevave dhe i të gjitha kohërave, për sa u përket atyre që i përkasin mentalitetit shqiptar.
Sa e mirëqenë mund të merret kjo? Cili është “kandari” i përdorur si njësi matëse për të vlerësuar në kilogram talentin e një shkrimtari, dhe a ka peshore që mund t’i japë atij në mënyrë të patjetërsueshme sasinë e bindjes për të mbretëruar, qoftë dhe pa kurorë?!
Ismail Kadare - shkrimtar
Ky është një abuzim fund e krye, pasi pesha e talentit është e vështirë për t’u krahasuar, dhe etalonet në art nuk janë të qëndrueshme. Ajo çka është e mirë për një njeri nuk është e mirë për dikë tjetër. Një shkrimtar i vlerësuar si i patalentuar sot mund të jetë një gjeni nesër, po si shkrimtar. Thjesht ndryshojnë kohët dhe qasja ndaj llojit të letërsisë.
Duke iu përmbajtur metodologjisë së vjetër, jemi mësuar me idenë që shkrimtarët, - ashtu si dhe piktorët, - ta marrin famën pas vdekjes. Madje të bëhen edhe të pasur pasi e kanë lënë botën e të gjallëve. Padyshim, kjo është një teori e tejkaluar tashmë. Pasi në kohët e sotme, mund të jesh po ti që i shijon frytet e punës tënde për sa je gjallë mbi dhé. Duhet veç një agjent letrar që të gjejë tregun dhe pak marketing, që me fjalë të thjeshta do të thotë: dalje në gazetë e televizor. Dhe mund të jetosh në profesion të lirë. Si askush shkrimtar tjetër Kadare e ka të kompletuar prapavijën e tij, duke iu dhënë dhe shansi i madh për të qenë i lirë në profesion.
Por cila është kostoja që shkrimtari të mbajë edhe staf? Pra të ketë në dispozicion njerëz që i shërbejnë makinerisë së tij.
Në rastin e Kadaresë ka qenë vetë shteti i cili ka marrë në dorë fatin e tij. Në kohën e diktaturës së egër po se po, por jo pak dhe në vitet e demokracisë liberale. Ndaj ai është nga ata autorë që po i shijon frytet e punës së mundimshme, për sa kohë është gjallë, pikërisht falë edhe këtij ingranazhi të vënë në punë qysh herët.
A është një veprimtari e suksesshme kjo që meriton termin “Pakt me Djallin”?? Dhe se ky “pakt” e ka ndihmuar atë të hipë dhe në “fron”???...
Kur shkroi “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” Kadare, me siguri nuk e dinte se shkrimtarët e tjerë bashkëkohës, dashur pa dashur ranë në kurthin e letërsisë së tij. Sepse “Gjenerali...” - edhe pse sprova e parë e rëndësishme në prozë që ishte botuar prej tij, - qëlloi të ishte një kryevepër. Këtë sigurisht ai nuk e bëri me kast për të ngritur çarkun. Pasi për një 27 vjeçar, i cili ende nuk e dinte se ku do ta nxirrte udha e jetës, ishte ende herët të futej më labirintin e logaritmeve për të ardhmen. Por padyshim më pas do të ishte ai iniciatori i ngritjes së çarqeve, e do të bëhej një mjeshtër “kurthesh” e “leqesh”.Por si arriti ta bënte këtë?
Do të ishte ai që do të sprovonte publikun me tema të mëdha të aktualitetit, duke guxuar madje t’i jepte një bojë fytyrës portretit të diktatorit, gjë që për hir të së vërtetës për shkrimtarët e tjerë ishte krejt tabu. I vënë në qendër të kritikave të herëpashershme, për shkak të lënies në hije të strategjisë socrealiste në një vepër letrare, Kadare mori një kthesë dhe zgjodhi të merrej me temat historike dhe mitet. Shtrirja e gamës kohore dhe e vetë temave të përzgjedhura, bëri që ai të merrte copën më të madhe dhe më të mirën natyrisht të tortës, për të lënë në tavolinën letrare copëza e më shumë thërrime. Këto ishin kurthet e tij të reja, por këtë herë jo rastësore, por të përllogaritura mirë.
Askush pas tij nuk do të guxonte të shkruante romane me të njëjtat tema. Shkaku ishte i thjeshtë. Kadare e kishte ngritur goxha lart stekën. Të kapërcejë mbi këtë limit duhet të kishe vërtet stofin e gjeniut. Për të kaluar poshtë stekës ishte shumë më e lehtë, por kjo nuk do t’i jepte askujt medaljen e Heroit.
Kadare i ka futur të gjithë në kurth, shkrimtarë të vjetër e të brezit më të ri. Por dhe ata që nuk kanë qenë gjallë në majën e lavdisë së vet, sërish i çuan drejt këtij kurthi.
Kjo e rriti dimensionin e tij, qoftë dhe në mënyrë artificiale.
Por një gjë e tillë kishte dhe një risk, ndoshta të paparashikuar, i cili prodhoi dhe një defekt kryesor. Sepse bota letrare shqiptare sot ecën mbi paterica, ku njëra prej tyre mban emrin e Kadaresë.
Ai vazhdon të cilësohet si autori më i mirë shqiptar, më i përkthyeri dhe më i kërkuari në treg. Dhe nëse ai është kampioni, ende nuk dimë të kemi një nënkampion apo qoftë dhe një sfidant. Ai është i vetëm atje në majën e Olimpit. Dhe natyrisht mund të mbretërojë, qoftë dhe i pakurorëzuar.
Ndërkohë, që mes përkëdheljeve dhe anatemimeve mediatike, të cilat i janë bërë shkrimtarit në vazhdimësi, - pjesë e kostos së mbretërimit, - është thënë se shkëlqimi i shkrimtarit në tregun perëndimor të letërsisë, ishte një dhuratë e pushtetit të kaluar, i cili për shkak të interesave të ngushta, i vunë në dispozicion gjithçka që i duhej për ta marrë këtë shkëlqim. Mbi të gjitha ai pati luksin të kishte një përkthyes të jashtëzakonshëm nga frëngjishtja dhe agjentë marketingu që ditën të vendosnin marrëdhënie me botues të ndryshëm në emër të shtetit. Dhe kjo tashmë nuk është më “top secret”. Ndoshta këtu qëndron dhe kleçka e të bërit “Pakt me Djallin”.
Por po aq në dijeni është dhe fakti se sistemi politik i para viteve ’90 të shekullit të kaluar, hodhi në tregun Perëndimor, po aq dhe në Lindje, edhe disa shkrimtarë të tjerë shqiptarë, por që lexuesi përtej kufijve nuk i kapërdiu dot. Rezultoi se në tregun e ashpër të një marrëdhënie kapitaliste, ku nuk pyet njeri për shokun, mikun e partinë, vetëm vepra e shkrimtarit Kadare arriti të rezistojë madje duke pasur një tërheqje maksimale.
Padyshim ai diti ta shfrytëzojë mirë situatën konjukturale dhe vetë dhuratën që i bëri shteti deri në vitet ‘90, sepse me rënien e regjimit rrugët u mbyllën dhe shkrimtarët mbetën “jetim”. Tanimë një shkrimtar shqiptar të botohet në një gjuhë të huaj i duhet të kalojë në stërmundime dhe sërish të mos ketë suksesin e garantuar.
Gjithsesi, përçapjet e tij për të krijuar një disidencë artificiale post diktaturë nuk kanë pasur ndonjë rezultat për t’u marrë parasysh. Dhe po aq e panevojshme ishte pompimi i shkrimtarit Kadare si një armik ndaj regjimit komunist...
Letërsia e tij ka arritur të thyejë me sukses rregullat strikte të realizmit socialist dhe t’i japë botës së mbyllur të shqiptarëve një dritare nga ku kushdo lexues mund të shihej përtej. Dhe kjo ishte e mjaftueshme për ta nxjerrë atë nga vatha e shkrimtarëve dogmatikë.
Kadare, përveçse një shkrimtar i mirë do të ishte dhe një hero, nëse vërtet do të ishte përplasur ashpër me regjimin aq sa të vihej në diskutim liria e tij, gjë që nuk rezulton. Por duket se kompromisi, apo “pakti me Djallin”, e ka kompromentuar jo pak.
Ndoshta edhe pse për këtë shkak nuk e arrin dot “Nobel”-in e shtrenjtë, ai sërish mbetet në majën e letrave shqipe. 




Thursday, January 21, 2021

Lojë me maska



Nga Leonard Veizi

Për shkak të inteligjencës, e cila në evolucionin e viteve e ka rritur gamën, raca njerëzore ka pasur gjithmonë nevojë për të mbajtur një maskë në fytyrë. Sepse vetëm maska nuk do tregonte emocionet tona të vërteta. Nuk do na tradhtonte. Nuk do të na tregonte më të dobët para tjetrit, nuk do ta tregonte lumturinë e epërme. As trishtimin e tepruar. Sepse tjetri nuk e do lumturinë tënde. Sepse tjetri do të të shohë vetëm duke vuajtur.
Por si i bëhej për t'i mbuluar të gjitha këto?
Vendoset një maskë.
Dhe njeriu e gjeti mënyrën si ta ndërtonte maskën, me të cilën në fakt nuk e kishte pajisur krijuesi i tij. Por i kishte dhënë inteligjencën. Dhe maska nuk ishte  prej pambuku, as plastike, madje as si ato të kirurgjisë abdominale. Por gjithsesi, ishte një maskë e cila ta mbulonte mirë fytyrën aq sa askush nuk mund të depërtonte për të parë se cili ishte fytyra e vërtetë e tjetrit.
Sepse siç më thotë nga njëherë, ai i ka shtyrë gjithmonë që të kenë një maskë, një maskë hipokrizie që Beni nuk e duron dot”, do të shprehej personazhi Fredi i filmit “Hije që mbesin pas”, i cili shpjegonte për dhëndrin Agron marrëdhënien e Adnanit baba me të birin Beni, ku mospërputhja midis tyre kishte një shkak thelbësor: mbajtjen e “maskës”. Dhe Adnani baba, si burrë i mençur e me përvojë që ishte, kërkonte që Beni aguridhe dhe i pamësuar me jetën ta mbante maskën, se do t’i duhej për t’u ngjitur në atë që ai e cilësonte si “karrierë zyrtare”.
Viti 20 i mijëvjeçarit të ri tregoi se ne u futën në epokën e maskimit. Dhe ky është një maskim i trashë, pa shumë elegancë dhe pa përdorur fare inteligjencën.
Sot ne kemi vënë të gjithë nga një maskë. Është e detyruar, duam apo nuk duam. Madje na thuhet se është për të mirën tonë. Dhe për këtë ka një vendim qeverie. Një vendim i thjeshtë fare, por që të penalizon fort. Po e hoqe maskën merr një gjobë për të cilën do të thartohesh mirë. Kështu që më mirë i nënshtrohesh fatit dhe e mban, paçka se ajo s’ka asnjë vlerë, dhe pse trumbetohet se është pikërisht ajo që po na mbron nga viruset; nga ky fort i rrezikshmi Covid, por dhe nga një seri virozash, që për të thënë të vërtetën prej një viti u janë harruar emrat dhe simbolet.
Ndërkohë që fytyra jonë e vërtetë, pa maskë inteligjente dhe pa maskë artificiale, ka të bëjë me individualitetin e secilit prej nesh. Sepse të gjithë e kemi nga një fytyrë të ndryshme, dhe kur ajo nuk është e bukur. Dhe gjenialiteti i krijuesit është pikërisht këtu, që na ka bërë të gjithëve në këtë botë, nja 7-miliardë e kusur njerëz, të ndryshëm nga njëri-tjetri. Po ashtu si dhe shenjat e gishtërinjve. Ndërsa maska e humbet atë dhe i bën njerëzit të njëtrajtshëm. Si në ata filmat me robotë, ku mekanizmat bëjnë të njëjtat veprime të urdhëruara nga ordinatori qendror. Dhe në këtë mënyrë, çdo njëri prej nesh mbetet vetëm si një numër në databazën e të dhënave. Pa identitet.
Ne nuk e tregojmë sot fytyrën tonë. Një i huaj nuk e di se me kë ka të bëjë kur të ndalon në rrugë për të të bërë pyetjen më bazike: “ku është “filan” rrugë? Ai nuk shquan dot plastikën e bashkëbiseduesit, mimikën e tij. Nuk ia ndjen dot as skuqjen prej mashtrimit dhe dhe as zverdhjen e saj prej frikës.
Maska na vjen në ndihmë, pikërisht atëherë kur ne për shkak të paaftësisë nuk e realizojmë dot një maskë natyrale e cila na mbron nga ballafaquesi.
Maska tanimë është bërë pjesë e gardërobës tonë. Shumëkush kujdeset që të ketë disa syresh, me dizajnë e masa të ndryshme. Për verë dhe për dimër. Për xhiron e paradites dhe për atë të darkës. Dhe të dalësh pa maskë sot është njëlloj si të dalësh... pa pantallona fjala vjen. Dhe nëse nesër do ta heqim maskën, por me vendim qeverie, do të na duket vetja nudo e s’do kemi me çfarë ta mbulojmë lakuriqësinë tonë.
Ne të gjithë mbajmë maska dhe mbulojmë fytyrën deri tek sytë.
Po çfarë duam të mbulojmë me to???
Kapuletët dhe Montagët, armiq të betuar, u ngatërruan fort midis tyre në një ballo me maska, pikërisht se nuk po kuptonin kush ishte miku dhe kush ishte armiku. Përfitoi vetëm një çift të rinjsh nga e gjitha kjo: Romeo dhe Zhuljeta.
Volfgang Amadeus u trondit kur pa babain e tij Leopold të hiqte nga koka një maskë me të cilën ishte mbuluar gjatë gjithë kohës së një mbrëmjeje festive. Besoj se e mbani mend këtë sekuencë të filmit “Amadeus”. Dhe ky vizion nuk iu shqit Mozartit gjithë jetës, gjë që e bëri ta vendoste si personazh skene në një nga operat e kompozuara prej tij që titullohej “Don Zhuani”.
Novela “Ëndërr” e shkrimtarit Arthur Schnitzler frymëzoi regjisorin Stenley Kubrick për të realizuar filmin e shumëpërfolur “Eyes wide shut” i cili në metrazhin e tij kulmonte me një ballo erotike maskash, nëpërmjet të cilave, të ftuarit, për shkak të anonimatit, vëzhgonin të pa emocionuar një orgji ku dhe vetë ishin të përfshirë si lojtarë të dorës së parë.
Eh... çfarë bëjnë maskat.
Ushtarët e Hamasit gjithashtu mbanin maska në fytyrë. Ata të ISIS-it po se po. Gjithfarë banditësh në vitin e mbrapshtë 1997 mbanin maska e të grabisnin në mes të rrugës apo në qendër të qytetit. Maskat janë mbajtur gjerësisht edhe nga hajdutë ordinerë të cilët mundoheshin të mos linin gjurmë njohje në kamerat e sigurisë së lokaleve, teksa thyenin ndonjë bravë për të vjedhur sende me pak vlerë.
Pra maskat nuk janë dashur vetëm për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve, por janë përdorur dhe për të mos u njohur në një ambient publik. Kjo të jep mundësinë të bësh ç’të duash. Dhe nuk është nevoja për të vendosur atë maskën e tejdukshme të hipokrizisë. Sepse kjo e detyruara, është shumë më e thjeshtë. Ka kosto të ulët dhe ta mbulon krejtësisht fytyrën. Dhe nëse deri dje për t’u identifikuar policia të kërkonte të të shihte surratin, sot ka gjithë të drejtën ligjore të të dënojë pse e mban zbuluar fasadën.
Të themi që bota është rrotulluar mbrapsht...?
Maskat në fytyrë tanimë janë kthyer në trend. Me gjasa ato nuk do t’i mungojnë më procesionit të veshjes sonë. Dhe nesër kur Covidi të mos ekzistojë do të mbahet përsëri me sebepin e ajrit të ndotur, të viruseve sezonale. Dhe njerëzit sërish do të fshehin fytyrën pas një cope.
Nëse nuk do të takosh njeri, mbaj një maskë në fytyrë. Askush nuk do të të përshëndesë dhe askush nuk do të të ndalojë në rrugë për të të të bërë pyetjet klishe të shëndetit dhe të mbarëvajtjes në punë. Nëse nuk do të njihesh e të jesh më i shpenguar për të bërë gjithfarë “bëmash” të cilat as mund t’i imagjinoje më parë, mbaj gjithashtu një maskë.
Ne sot po mbajmë të gjithë maska. Po fshehim të keqen tonë. Kjo po na kthehet gati organike. Ne nuk do të mund të bëjmë dot pa maskat, nëse detyrimi për t’i mbajtur ato do të zgjasë dhe pak në kohë. Ndoshta ky është dhe qëllimi i OBSH-së, i vetë qeverive që e aplikojnë me kaq zell të tepruar.
Ne sot të gjithë kemi nga një maskë, ata që duan ta kenë një të tillë me se s’bën, dhe ata që nuk e kanë të nevojshme një koperturë pëlhure të zezë.
Jetojmë kohë të çuditshme.
 

Thursday, January 14, 2021

Mjekët, këta “heronj” të pamerituar


Nga Leonard Veizi
 
Mjekët nuk janë heronjtë e ditëve të sotme. Nuk kanë qenë as më parë se kaq. Ata nuk kanë dalë me çantën e instrumenteve në dorë, të kaptojnë male e lumenj, për të bërë humanizmin e radhës në shërbime të jetës humane. Ata thjesht janë paraqitur në vendin e punës, pasi kanë çekuar në listprezencë, dhe më pas kanë nisur të bëjnë vizitat e radhës. Nëse kjo detyrë, pra pjesë e profesionit që kanë zgjedhur, është e rrezikshme, janë të lirë të ndryshojnë profil. Ose të hapin ndonjë bar-kafene, ose të rrinë pa bukë. Ky është thelbi i problemit.
-Pra çfarë bëjnë mjekët???
-Thjesht profesionin me të cilin marrin rrogën. Ose përndryshe, sigurojnë bukën e gojës.
E qartë si kristali.
Në familjen tonë është diskutuar gjerësisht ideja që fëmijët tanë të mund të studionin në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Llogaria është e thjeshtë: Punë e sigurt e me perspektivë. Pavarësisht kësaj, fëmijët e kanë refuzuar këtë ide, për të zgjedhur profesione më pak të sigurta për të ardhmen. Në familjet e tjera të shqiptarëve gjithashtu sot e gjithë ditën diskutohet gjerësisht për t’u dhënë fëmijëve një zanat të qëndrueshëm: atë të mjekut, ndihmësmjekut ose të farmacistit. Garanton të ardhmen këtu në Shqipëri, por thonë se të merr në punë edhe gjermani.
Pra edhe një herë: kemi të bëjmë me një profesion mjaft të lakmueshëm. Mjek me punë e rrogë të mirë.
Ku është heroi këtu?
Sepse emërtimi “hero” është bërë si një fasadë e cila të mbron nga goditjet. Se demek është “hero”. Rrezikon jetën e tij për të tjerët. Si puna e policit. Se ata heronj janë ngaqë përballen në vazhdimësi me krimin. Paçka se brenda radhëve të tyre ka dhe segmente, apo individë të veçantë që marrin në mbrojtje krimin, e u çojnë nga një sms të shumëkërkuarve: Ik, se erdhi policia. Po këta, a janë heronj???
Hero bëhesh nëse je me pushime, bie zjarr dhe të merr trupi flakë pasi je futur për të shpëtuar një fëmijë. Ky është heroi jo zjarrfikësi që ka zgjedhur të bëhet i tillë se ka dhënë prova të mjaftueshme që di të mbajë shllangën e ujit përpjetë dhe të hipi në majë të shkallëve.
Kush detyron në zgjedhjen e profesionit? Mos vallë dëshira e madhe për t'u ardhur në ndihmë njerëzve. Pallavra. Duhet të jesh naiv ta besosh këtë. Gjithkush gjen një profesion, atë që është i mundur të bëjë, në bazë të aftësive fizike dhe asaj mendore, me qëllimin e thjeshtë që të marrin një rrogë e të jetojë. Thënë më shqeto: i bën hyzmetin bukës së gojës dhe të kalamajve.
Vijmë përsëri tek mjekët.
Rasti i fundit: që një sanitare merrte para me grushte nga një paciente dhe i ndante ato me mjekë e ndihmësmjekë, tregon edhe një herë se për mjekët e ditëve të sotme një pacient është thjesht një klient. Kështu ka qenë dhe 100 apo 200 vjet më parë, të kuptohemi drejt. Teknologjia ecën me hapa të shpejtë jo mentaliteti njerëzor. Ke parë mjek ti që të vijë e të bëjë vizitë falas, e të lërë familjen e vet pa bukë, në emër të humanizmit?
Këtu nuk po flasim për një mjek të licensuar si një biznes privat që kontribuon me taksa në buxhetin e shtetit, por për mjekë që rrogat i sigurojnë nga buxheti i shtetit.
Vitet e gjata të tranzicionit treguan më së miri se si u deformua morali i njerëzve në Shqipëri. Një moral i dyshimtë që ishte presuar ca më përpara se të vinte tranzicioni. Dhe mbi të gjitha sot gjithçka është e ngritur mbi korrupsionin. Madje dhe të rinjtë që vijnë me një frymë të re pasi kanë përfunduar studimet jashtë vendit, shumë shpejt bëhen pjesë e mekanizmit. Nisin e u lezetojnë tarifat shtesë të cilat pas një farë kohe u sigurojnë edhe vila dykatëshe edhe makina me zero kilometra. E pastaj flasim për pastrim parash... Tani kemi të bëjmë me një rreth vicioz e të çimentuar ku të duhet vizë për t’u futur, por që nuk ka gjasa t’ja dalësh për të dalë.
Sanitarja e Sanatoriumit, të cilës policia i vuri prangat, është vetëm një prej rasteve. Dhe kjo ka ardhur pas një denoncimi. Por në jetën reale dhe të padenoncuara ka aq shumë raste sa njerëzit kur mendojnë spitalin e kanë më të lehtë të përdorin për veten e tyre shprehjen e plotkuptimtë: “Në kokë e në gropë”. T’i mbyllësh shpejt hallet, sepse po re në dorën e mjekëve, aha...
Por jo të gjitha shkojnë ashtu siç duam.
Pandemia e Covidit, erdhi si me porosi për mjekët tanë dhe për ndihmësmjekët sidomos. Ta kërkosh me qiri sot një ndihmësmjek të të bëjë një gjilpërë a të të vendosi një serum. Çmimet e shërbimit shkuan në stratosferë dhe u standardizuan. Padyshim tregu është i lirë dhe vepron sipas kërkesë – ofertës për sa shërbimi është privat dhe i liçensuar. Por kur ky shërbim vazhdon me të njëjtat çmime edhe në një repart të shtetit, me mjetet e blera nga buxheti ku personeli merr rrogën prej kontributit të pacientëve, këtu duhet ndalur vrulli. Sepse ky nuk është thjesht një abuzim, por një krim. Dhe si i tillë duhet dënuar sipas Kodit Penal.
Mjekët nuk kanë pse të cilësohen si heronj nëpër ekrane televizive, t’u çohen tufa me lule e t’u këndohen serenata. Ata punojnë për rrogën e tyre, ashtu si dhe shumë të tjerë por që s’kanë asnjë përfitim shtesë. Dhe më së shumti u falen “honorarëve” që marrin nga xhepat e shqiptarëve të varfër. Them të varfër, sepse vetëm ata përplasen në dyert e një spitali shtetëror ku të shohin shtrembër e me sytë nga xhepat, që prej sanitares e deri tek shefi i pavijonit.
Ata të shtresës së mesme shkojnë në ndonjë spital privat ku pacienti-klient trajtohet me buzëqeshje e dashuri sepse  xhepat i janë zbrazur që pa e kaluar pragun ku është vendosur recepsioni. Ndërsa të pasurit e kanë edhe më të thjeshtësuar procedurën: Ata e anashkalojnë sistemin mjekësor vendas për t’i hipur avionit e për të shkuar në një spital jashtë shtetit për një terapi më intensive e më cilësore.
Pa dashur t’i fusim në të njëjtin thes punonjësit e shëndetësisë, duhet thënë me zë të lartë se një pjesë jo e vogël e sistemit mjekësor është i kalbur dhe i korruptuar. Mos u rëntë halli e të përplaseni me të se nëse nuk e kuptoni ditën e parë do ta merrni vesh në të dytën se si funksionon sistemi nën një logo aq shpresëdhënëse “Shëndetësia falas”. Sepse në vetvete dhe sipas standardit shtetëror të sanksionuar, mjekësia mund të cilësohet falas, pavarësisht se funksionon në bazë të kontributeve, por nëse nuk paguan nën dorë me shumë gjasa nuk e merr të plotë të gjithë shërbimin. Ndaj të gjithë tkurren e shtrëngohen për të dhënë diçka që është ruajtur për një ditë të zezë, edhe pse kjo “diçka” në fund të ditës e kalon ku e ku rrogën ditore.
Epidemia Covid është një kohë e artë për mjekësinë shqiptare. Rasti i fundit i denoncimit të sanitares së Sanatoriumit, na mësoi saktësisht se cilat janë tarifat me të cilat operojnë mjekët, ndihmësmjekët dhe sanitarët. Dhe ta bëjnë mend mirë ata që nuk i kanë aq para, e të paktën të marrin masa për një kredi afatgjatë. Situata bëhet e frikshme kur mëson se edhe pse ke paguar kursimet e jetës nuk është e thënë se “do ta kalosh klasën”. Dhe t’i marrësh para një njeriu që ndan jetën nga vdekja me një fije peri dhe për më tepër të mos i japësh as shërbimin e detyruar, mban mbi supe një peshë të madhe mëkati e mallkimesh.
Por mjekët nuk kanë frikë nga mallkimet. Duhet të jenë imunizuar tashmë. Sot ata dalin ballëlartë duke thënë se po punojnë në një front shumë të vështirë e me një risk të madh. Kjo padiskutim e ul gramaturën e mëkatit që nuk është kolektiv, për zhvatje e ryshfete nën dorë. E në njëfarë mënyre përligj “5-lekshin” e xhepit.
Po cili është ai profesion që nuk ka risk? Mos vallë minatorët e kanë të sigurt jetën kur futen në galeri? Po ushtarakët të cilët shteti i nis me mision qoftë brenda territorit të republikës apo në një front të nxehtë jashtë kontinentit?
“Shëndetësia falas” tanimë është vetëm një slogan. Betimi i Hipokratit nuk ka vlerë. Ai shkelet me këmbë sapo kupton që ky betim është veç një pengesë. Sistemit të kalbur i duhet një plugim i thellë ashtu si dhe Vettingu në Drejtësi.
Sa herë që ndodh ndonjë denoncim ku një nga të sistemit kapet me presh në dorë, dikasteri thotë se është rast i izoluar.
Jo, nuk është rast i izoluar.
Po pse nuk denoncohen? Sepse secili mundohet me të gjitha mënyrat të mbarojë hallin e vet. Dhe nëse ia hedh, i lë pas të gjitha.
Për të rregulluar imazhin e njollosur dikasteri thotë plot pathos se puna e mjekëve në këtë kohë krize është e madhe.
Po, është vërtetë një punë e madhe. S'e mohon kush. Por të gjithë punojnë, atje ku u ka rënë për pjesë. Kjo nuk do të thotë që të gjithë janë heronj. Cilin gazetar e gënjen mendja se është hero, pasi mblodhi faktet, mes presioneve e kërcënimeve, dhe denoncoi në shtyp një aferë korruptive. Kjo është detyra e tij. Për këtë paguhet. Te e fundit të gjithë punojnë për të jetuar.


Thursday, January 7, 2021

Në vorbullën epike të programeve televizive


Nga Leonard Veizi
 
Po e filloj këtë shkrim me dy sentenca urbane që qarkullojnë prej kohësh, por që nuk kanë arritur të marrin të drejtën e titullit si “fjalë të urta popullore”.
E para: “Kur s’ke punë tund derën”. Por që i përshtatet edhe shprehja tjetër: “Hyr e dil e tund peshqirë”.
E dyta: “Prandaj nuk bëhet ky vend”. Kjo e dyta nuk ka përshtatës, është unike.
Po pse pikërisht këto të dyja, do pyesni ju?! E ka dhe kjo një shpjegim.
E nisim me të parën.
Meqë më qëlloi që një ditë isha pa punë, po krejt pa punë ama, e meqenëse nuk kisha ç’të bëja, u rehatova në minder e nuk e luajta kanalin e televizorit nga një program, për të cilin kisha dëgjuar se kishte një audiencë të pazakontë. Nja dy milionë shikues, më kishin thënë. Ja, kësaj i them audiencë unë. “Shiko kush luan”. Se shkon dhe me “luajtjen e derës”, jo për gjë. Luaj ata, luaj dhe unë. Prezantuese ishte një bionde, po yll fare. Epo ndjekësit shqiptarë nuk ia fusnin kot, se çoç do kishte ky program. Për më tepër që, të ndarë në dy ekipe ishin përfshirë dhe ca fytyra të njohura nga të ekranit. Spektakli vazhdonte. Skuadrat nisën luftën me njëra-tjetrën. Te keqen e zborit. Atëherë të paktën na gënjente mendja se stërviteshim që të mbronim Atdheun. Dikur plasi e ngrëna në kusi e garuzhde, me kusht... Plasën dhe dënimet, kush nuk e mbaronte racionin. Çfarë nuk shpik truri njerëzor. Aktorë e këngëtarë që zhgërryheshin e shlyheshin dënimet. Nam i zi.
“E paske ul pazarin, ke filluar të ndjekësh këto trapllëqet”, - ma pat çuni pa e ngritur kokën nga celulari i tij. Vajza ishte dhe më indiferente kur pyetjes time se pse nuk e ndiqte këtë lloj programi iu përgjigj shkurt: idiotësira.
-Ke të drejt moj bab, se ja dhe unë se si u ndodha,... bosh.
Vazhdoj të jem pa punë, dhe të mos i gjej vetes një mënyrë për ta shkëputur nga televizori. “Qenkam budallallepsur”, - mendova. Futem në  youtube, ku gjej deklaratën e prezantueses që thoshte se spektakli në fjalë kishte kapur dy milion shikime. Dyfish i parashikimeve. Unë si i vonuar duhet të futesha tek milionëshi i tretë. “Pyteee...”. “Të jetë katandisur kështu dhe Shabani ynë”?
Isha në pikëpyetje me veten. Vërtet njerëzit shohin nga këto trapllëqe? Bashkë me mua, kuptohet. Se të thuash se kemi dy milion shqiptarë budallenj, kjo është ca si e rëndë. Ne gjithë-gjithë, me ata që janë tej kufirit dhe në diasporë bëhemi a s’bëhemi nja 8 milionë frymë. E në 8 milionë të kesh 2 milion budallenj duhet marrë seriozisht çështja. Nuk kemi bërë as vaksinën antiCovid, që t’ia hidhnim fajet asaj të paktën.
Epo këto janë risitë e kohës.
Dikur risia e kishte emrin “Big Brother”. Emisione për shpëlarje truri. Paketa të gatshme. U evidentua edhe LGBT-ja aty brenda. Se kishim mbetur prapa ne shqiptarët me deklarimin zyrtar të homoseksualitetit. Kështu që nisëm të ecnim me hapa gjigantë. Gjynah që nuk na pranojnë në BE. Kushtet po i plotësojmë.
Sot ka ecur edhe më përpara. P.sh: kur dy motra vihen në rivalitet për t’u zgjedhur nga i njëjti burrë. Hajde rivalitet hajde. Ta merr tjetra burrin nga dora. Natyrisht kjo nuk është ndonjë gjë e panjohur se ka ndodhur edhe më parë. Kësaj radhe e kam fjalën për një program me emrin tejet të konsumuar “Love Story”. Sentenca e emisionit është bazuar mbi një mashkull, që rri si gjeli majë plehut, dhe nja 20 femra në garë kush të jetë ajo që do t’i fitojë zemrën. Kulmi. Edhe sulltanit të Osmanëve i duhej luftë për të pasuruar haremin. Këtij shqiptarit haremin ia bëjnë qyl. Njëra nga vajzat  që u dogj një nga seancat tha se kishte shumë karakter dhe se ishte e lumtur që po largohej nga loja. Ja për këtë lloj kurajoje kemi nevojë. Bravo i qoftë për karakterin dhe që u largua nga loja pas një muaji jargavitjesh e pasi nuk u përzgjodh nga “gjeli”.
O Zot!
Hap facebook-un nga celulari. Vazhdoj të mos kem punë, por merrem me thashetheme virtuale. “Iksi i jep një përgjigje epike Ypsilonit: Ik or debil”. M’u fut llapa brenda. Kërkoj në google fjalën “epike”. Më dalin “vargjet epike”... Jo, jo, jo, jo, se çka këtu që nuk më shkon. “Përgjigje epike...”. S’ma rrokte dot truri. “Është lojë e produksionit”, shkruhej andej-këtej nëpër rrjetet sociale. Jo more. Po qenka “Produksioni” për të shkuar e për të marrë çmimin Nobel në Stokholm, jo Ismail Kadareja. Hajde Produksion, hajde. Çfarë të bëka Produksioni s’ta bëka Perëndia.
Te një tjetër emision ndoqa ca të rinj e të reja që përlesheshin me njëri-tjetrin. Edhe këta në luftë për të gjetur njeriun e jetës. Sherr jo shaka. Edhe emisioni quhej “Përputhen”. Fiks ia kishin gjetur. Patentë ndërkombëtare. Kush e di që kur nuk aplikohet më dhe shkuam ne shqiptarët ta nxjerrim nga harresa. Se nuk na mjaftojnë rrjetet sociale për të gjetur gjysmën e bashkëshortësisë.
Dikur njeriu i jetës gjendej në frontin e prodhimit, duke punuar në ara, fabrika, kantiere... Tanimë kanë ndryshuar kohët, nuk vlejnë më as lajmërimet në gazetë. Duhet bërë “live” në televizion.
U përqendrova nja 40 minuta të merrja vesh se për çfarë bëhej debati por s’thithja gjë. Se aty ta merrnin fjalën nga goja. S’binte gjë në tokë. Kakofoni. Pastaj i dhashë drejtim: “Ik o Nard futi ndonjë gastare rakie, merr edhe ca turshi që mos të të marrë flakë stomaku, se këto janë emisione trendy e s’i kap dot”, i thashë vetes.
E drejtë.
Kemi qenë trendy dikur, por sot jemi në bisht. Çdo brez ka të tijat. Nuk po mundohem të bëj moral dhe as të them se nuk më pëlqejnë emisionet argëtuese, por... Në fakt po vendose ‘por”-in, mund t’i hedhësh të gjitha poshtë në argumentim.
Argëtues apo të dobishëm, emisionet televizive tanimë po prodhojnë personazhe nga hiçi që më pas shiten si VIP-a dhe zënë vend në faqet rozë që i mbushin ca gazetarë të cilët për djall na duhet t’i quamë kolegë meqenëse punojmë në të njëjtën gjatësi vale. VIP-a të stimuluar. Nga ata që harrohen sapo bie sipari i emisionit. Sepse të jesh VIP e të mos kesh bërë asgjë në jetë, kjo nuk është vlerë!
Po ec e t’i mbushësh mendjen. Si një herë e një kohë “njëri” që kur doli nga “kafazi” tha: E arrita qëllimin, u bëra i famshëm. Sot asnjeri nuk e di nga bëhet ai farë djali.
Mos po e teproj gjë?
Se janë dy milion shqiptarë që i ndjekin këto emisione. Shumë prej tyre i adhurojnë. Shumë të tjerë duan të jenë pjesëmarrës por nuk munden dot. Se s’të lë njeri të kapërcesh gardhin.
Sërish pa punë unë: “Hyr e dil e tund peshqirë”. Merrem me hallet e të tjerëve kur ata vetë janë në kokërr të qejfit.
Këto patentat që blejmë ne shqiptarët me shumë gjasa bota i ka nxjerrë jashtë sistemit. Gjende mirë. Njerëzit duhet të shtyjnë kohën para televizorit, o me telenovela turke, o me emisione shqiptare.
U pa puna, mendova, do t’u kthehesha serialeve indiane, që na zëvendësuan ato të Amerikës Latine. Mbase del ndonjë “Sarasvatiçandra” e re e shtyjmë ca kohë.
Se kot nuk e ka thënë i moçmi: Kur s’ke punë do tundësh derën.
Prandaj s’bëhet ky vend...
Se desh harrova. Kjo ishte sentenca e dytë që nuk na kishte rastisur ta qëmtonim deri tani. Ajo unikja.
 

Wednesday, January 6, 2021

Sandër Prosi, vdekja tragjike e aktorit brilant

Në 35 vite jetë artistike interpretoi më shumë se 100 role 30 prej të cilave në kinema
 

Nga Leonard Veizi
 
Vdekja e tij ishte tragjike, por përditshmëria në të gjallë kishte aq shumë intensitet, ndërsa jetonte jetën e vet dhe atë të personazheve të tij...
 
...Në rrugët e Tiranës ai dukej po aq fisnik e madhështor sa dhe imazhi i doktor Borovës apo i dhaskal Todrit të cilat i pat “gdhendur” me aq mjeshtëri. Por në kujtesën time të hershme qenien e tij prej artisti e kam fiksuar me një llullë në gojë po aq sa dhe profesor Mirushi tek “Dora e ngrohtë”, e pak flokë të gjata sa më kujtonte daj Vranën tek “Yjet e netëve të gjata”. Ndërsa po aq imazhi i tij hijerëndë të linte mbresën e një burri të fortë, ashtu si dhe i mahnitshmi Jaho Labi, që luhej nga i njëjti njeri, nën të njëjtën lëkurë. Dhe padyshim nëse do të përmendet emri i tij si aktor, ai do të lidhej rrufeshëm me atë të Ismail Qemalit, personazhit historik që i dha aq shumë vërtetësi në një interpretim të jashtëzakonshëm. Por jo më pak qenësia e tij aktruese lidhet menjëherë me një tjetër personazh emblematik gjithashtu, me atë të gjeneralit të “ushtrisë së vdekur”, të cilit i dha aq shumë elegancë:
-“Vërtet je kaq e lehtë Beti, apo më duket mua kështu nga lumturia. Sa e lehtë që je ti Beti... Ndërsa tani ti je vetë më i lehti i njerëzve në botë, 3-4 kg, jo më shumë”.
Ky ishte Sandër Prosi... Dhe vazhdon të jetë, gjithashtu... Sepse ka mbetur në memorien kolektive dhe në pelikulën e filmit.
Si aktor brilant që interpretoi në skenën e teatrit shqiptar dhe në sheshxhirime, ai do të linte pas një mori personazhesh të cilët vazhdojmë t’i kemi në ekran. Statistikat thotë se ka interpretuar më shumë se 100 role. Galeria e personazheve të tij është e thellë dhe e gjatë. Por përsëri kjo mbetet një statistikë. Sepse në realitet do t’i mjaftonte vetëm një prej tyre me të cilin do të identifikohej. Dhe për këtë mund t’i mjaftonte Sefedini:
-“O popull sa shumë gjëra bëhen nën emrin tënd, biles edhe naltmadhnija flet nën emrin tënd...
Ndërsa ai ka shumë më tepër se kaq.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se u lind në Shkodër më 6 janar 1920. Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe 14 vjeç. Në vitin 1938, pas mbarimit të gjimnazit, përfitoi një bursë, për të studiuar në një nga universitetet e Vjenës. Për dy vite studioi stomatologji dhe pas pushtimit italian të Shqipërisë bursa iu ndërpre. Në vitet 1942-‘43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, që kishin mbaruar të njëjtën shkollë, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës.
Më 1947 fiton konkursin pranë Teatrit Popullor. Prej këtej filloi veprimtaria e tij artistike.
Për herë të parë luante në vitin 1948 tek komedia "Prefekti" të Besim Levonjës. Më pas do të vazhdonte në teatër me role tek "Cuca e maleve", "Orët e Kremlinit", "Hamleti", "Fytyra e dytë", "Doktori pacient", "Otello", "Makbethi", "Epoka para gjyqit", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Familja e peshkatarit", "Çatia e të gjithëve", "Revizori", "14 vjeç dhëndër", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Rrënjët e thella", "Xhaxha Vanja" etj.
Krijoi dhjetëra role në veprat e autorëve shqiptarë si Andon Zako Çajupi, Kol Jakova, Besim Levonja, Loni Papa, Ismail Kadare, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj. Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role që kanë hyrë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare.
Pas vitit 1961, ku interpretoi në filmin "Debatik", rolet i takojnë kinematografisë me: "Detyrë e posaçme", "Vitet e para", "Horizonte të hapura"...
-“Aspirinë?! Hajd ta marrësh në bigë”, - do të ishte një nga batutat e tij në rolin e kapitenin të bigës lundruese.
Dhe Sandër Prosi do të vazhdonte me filmat e tjerë: "Plagë të vjetra", "Guximtarët", "Gjurma", "I teti në Bronz", "Mëngjese lufte", "Yjet e netëve të gjata", "Shtigje lufte", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Në fillim të verës"...
-“Ik or tutje, breshkave u dhamë ne ujë, më njëzetën. Dhe ç’ujë pa, tërë detin... Do hosten bualli, jo pickima pleshti.”
Ky ishte Jaho Labi. Por më pas do të vinin rolet e tjera për të në filmat: "Përballimi", "Fijet që priten", "Njeriu me top", "Gjeneral Gramafoni", "Udha e shkronjave", "Yje mbi Drin", "Vajzat me kordele të kuqe"...
-“E ka fajin 7 prilli o Resul. Mos e harro dhe Selam Musanë me shokë.
Dhe ky ishte Safeti, babai i Dhuratës.
Odiseja e filmave do të vazhdonte me: "Plumba perandorit", "Plaku dhe hasmi", "Qortimet e vjeshtës", "Nëntori i dytë", "Dora e ngrohtë", "Kush vdes në këmbë"...
-“Afrohu dele e perëndisë, afrohu. Ke qenë në Kostur ti Sofi? Do ti them babait të të marrë me vete kur të që ti lutesh Shën Mërisë të të plotësojë çdo dëshirë
Ndërsa ky ishte dhespoti që shkishëroi Petro Nini Luarasin e gjuhës shqipe.
Pikërisht e gjithë kjo galeri rolesh, përvoja e 35 viteve jetë artistike, në krijimin e më shumë se 100 personazheve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, krijuan dhe shkollën shqiptare të aktrimit.
Miqtë e kolegët e tij janë shprehur se Sandri ndihej në një lloj persekutimi, ndoshta për shkak të goditjes që iu bënë shumë intelektualëve që kishin studiuar në perëndim. Punonte nën presion. Disa nga rolet që i dhanë e impresionuan negativisht, por kishte dhe njerëz të tjerë që nuk ia donin të mirën dhe ndikonin keq në jetën e tij. Të gjitha këto probleme psikike iu rënduan.
Kështu më 25 mars 1985, Sandër Prosi vetëvritet, ndërsa ishte tek hotel Vollga në Durrës, me xhirimet e filmit "Pranverë e hidhur", të regjisorit Muharrem Fejzo.
Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit skenik e kinematografik Sandër Prosi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes, Presidenti i Republikës nderoi Sandër Prosin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Në 24 shkurt 2017, Sandër Prosi u nderua me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" pas vdekjes.

Saturday, December 26, 2020

Leonard Veizi, tregimtar me forcë të madhe psikologjike


 
Shpendi Topollaj

Kanë kaluar gati pesëmbëdhjetë vjet qysh kur miku im Leonard Veizi, më pati dhënë një librin e tij me tregime. Qysh atëherë kuptova se ai i njihte mjaft mirë teknikat e të shkruarit dhe i dhashë të drejtë kritikut sqimatar Virgjil Muçi kur shprehej për të se “Me gjithë karrierën e gjatë si gazetar në shtypin e shkruar, ma do mendja që Leonard Veizi s`kish për ta krijuar dot një kuadër me ngjyra kaq të gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç`arrin ta krijojë me prozën e vet fikcionale dhe t`ia përcjellë lexuesit”.
Jo se s`kisha se ç`të lexoja, por duke ndierë një detyrim për këtë autor që bën kaq shumë për të promovuar krijimtarinë e të tjerëve, ju ktheva edhe një herë librit të tij, me synimin që të jap gjykimin tim modest, edhe pse e di se ai ndërkohë e ka shtuar së tepërmi kolanën e veprave të veta. Janë gjashtë tregime të gjata që ai i ka përmbledhur, por do të ndalem posaçërisht te njëri prej tyre, ai që ndofta ka qenë më i pëlqyeri edhe prej tij, po të nisemi nga fakti se me atë emër, ka titulluar edhe librin në fjalë, pra “I dënuar me vdekjen”.
Ai që e njeh nga afër Leonardin, pa tjetër që e ka fiksuar mirë urtësinë, modestinë, shikimin e ëmbël të syve të tij, edukatën dhe në tërësi mirësinë që rrezaton ajo fytyra e këndshme. Veç, kur kujton edhe kulturën e tij të gjerë, askush nuk çuditet kur vëren gjithë atë shpërthim psikologjik në tërë krijimtarinë e tij, ç`ka duket fare qartë edhe te tregimi i sapopërmendur. Ndodh shpesh që shkrimtari zgjedh tema që vetë as i ka parë dhe as i ka përjetuar. Dantja, Ferrin, Servantesi, Don Kishotin, Zh. Verni fundin e botës, Gogoli, shpirtrat e vdekur, dikush u mor me temën historike të shekujve më parë e dikush me yjet, ku e di mirë se nuk ka për të shkuar ndonjëherë. Por gjithsesi, të gjithë këta, talenti dhe aftësia e për të fantazuar, pra për të parë përtej njerëzve të zakonshëm, i bëri aq të lexueshëm, sa ua ngriti famën deri në përjetësi.
Edhe shkrimtari Leonard Veizi e ka vënë veten në rolin e një të dënuari me vdekje që pret ekzekutimin nga çasti në çast. Kuptohet, se kjo nuk është aq e lehtë. Ky mund të ishte një mundim për gjeninë e Stefan Cvajgut, sidomos po të kemi parasysh pragvdekjet e mbretëreshave në romanet e tij, gjendjen tepër të rënduar emocionale të tyre, kur prisnin xhelatin t`u hiqte kokën. Natyrisht që personazhi i vetës së parë të Leonard Veizit, nuk është i këtij rangu; ai mund të jetë si shumica, por dashuria për jetën edhe për të është po aq e çmuar sa ajo e mbretërve dhe mbretëreshave. Edhe për të vlejnë fjalët e Woodi Allen se “Nuk frikohem nga vdekja; vetëm nuk dua të jem aty kur të ndodhë”. Ma do mendja se edhe vetë Lukiani, iluministi greko – sirian i botës antike, kur shkroi atë traktatin e tij “Mbi pikëllimin”, ku e quante vdekjen shpëtim, për të mos thënë gëzim, nuk ka menduar ashtu kur ajo i erdhi te pragu. Ndaj mendoj se Leonardi kur ka vendosur të merret me atë që pret vdekjen, së pari, ka guxuar. Ka guxuar dhe ja ka dalë me sukses të plotë.
Ai nuk u referohet psikanalistëve apo sociologëve, por e përshkruan gjendjen e të dënuarit, nëpërmjet një rrëfimi, sikur të kishte qenë ai vetë në atë pozicion të vështirë. Të dënuar me vdekje gjatë shekujve ka pasur pafund. Madje ka edhe sot e kësaj dite, nga ata që me faj apo pa faj, presin litarin a plumbin. Për fat të keq edhe te ne ka pasur shumë të tillë. Por s`duhet harruar se sido që ta kenë pasur punën, cilido të ishte faji i tyre, i vërtetë apo i supozuar, ata ishin njerëz. Dhe si të tillë, u dhimbsej jeta dhe e kuptonin se do ndaheshin prej saj dhe të mirave e bukurive që ajo servirte, një herë e përgjithmonë. Ka pasur pa tjetër, nga ata që edhe u është falur jeta në çastet e fundit. Por atë që kaluan në pritje të marrjes së jetës, ndofta nuk e kanë pasur të gjithë aftësinë për ta rrëfyer, sidomos artistikisht. Ndaj këtu, hyn në rol, shkrimtari. Dhe sa më i zoti që të jetë ai, aq më i besueshëm është dhe tregimi i tij.
Po ta shohësh në pamje të parë, i dënuari me vdekje i Leonardit, nuk ka profil, as moshë, as kohë, as vend e për më tepër për dënimin e tij, nuk dimë nga ç`akuzë vjen. Këto janë pa tjetër të rëndësishme, por autori ka preferuar t`i anashkalojë. Dhe këtë e bën me qëllim, si një mjeshtër i narracionit, i cili nuk do ta shmangë lexuesin nga ideja kryesore. Ai ndalet te gjendja shpirtërore e të dënuarit, te ankthet e makthet që i vinë ndërmend. Ai edhe vetë, duket se ka harruar përse është dënuar aq rëndë. Njeriu kalon situata të kokolepsura kur është i lirë e jo më kur i mbyllur në qeli “ku – siç shkruan autori – hapësira e lirisë ishte më e ngushtë se vetë kuptimi i fjalës burg”, pret pas hekurave litarin, plumbin, gijotinën, injekcionin, ose… Oh sa shpikje për të vrarë. Kë do zgjidhte ai, sikur t`ja linin atij në dorë. Dhe i merr me radhë, por asnjëra nuk ishte e pranueshme, se fundja njësoj do të ishte.
Ai arsyeton; “Do të më vrasin. Vdekja ime s`kishte të bënte as me hakmarrjen dhe as me ndjenjën e gjaknxehtësisë. Aty hynin ligjet, nenet e pafundme të kodit penal dhe dikush tjetër krejt gjakftohtë, si të bënte gjënë më të zakonshme në botë, do të më vriste pa ju dridhur dora aspak”. Dhe pastaj “Gjaku im do të shpërthente si burim dhe do të spërkaste duart, rrobat, shpirtin e tij”.
Pra, të dikujt që as e njihte fare. Por që atë detyrë kishte; me të ushqente fëmijët. Hej! Si është ndërtuar kjo botë! Por, ndofta edhe mund ta plagosnin, se fundja ç`mund të kishin pushkatarët me të. Çfarë u kisha bërë unë? Do e mjekonin dhe do i falej jeta. Dhe aty për aty kthjellohet: “Idiot! Ku s`të shkon mendja”. Por mendja kështu e ka; plot dëshira e trille nga më të çuditshmet. Dhe prap, se nga del një rreze shprese. Kushedi… vjen dikush dhe i komunikon faljen e jetës, kthimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Se ai do pranonte edhe me një dorë, edhe me një këmbë mangut, edhe gjysmë trupi, vetëm të jetonte, qoftë dhe gjithë jetën në burg. Ku nuk e shpie imagjinata. Dhe kujtohet se ndërsa gjykohej, përhumbej para bukurisë së gjyqtares.
Sugjestionohet nga ajo bukuri e mbuluar me togën e zezë, dhe beson se nuk ka mundësi që ajo ta dënojë me vdekje. Por ja që kjo ndodh dhe atij i duket e shëmtuar dhe për më tepër e quan kurvë. Kishte tjetër plan; kur të kryente dënimin do e thërriste për një darkë dhe kushedi, ndofta… Mundet dhe Presidenti të bëjë diçka. Por a do ta lënë punët e shumta e shkresurinat që të merret me kërkesën e tij. Sikur ta bënte, do t`i shtërngonte dorën. Por a do të ishte përsëri po ai President. Dhe a do të kujtohej për firmën që kish hedhur dikur për të. Sa pyetje të vështira e mundonin. Dhe përsëri largohej nga ëndrrat.
Isha tepër i rrëmujshëm në ato që mendoja dhe që duhej të mendoja. Çdo minutë që ikte ishte ankth. Në jetën time të shkurtër kisha lënë pa bërë shumë gjëra, duke menduar se jetën e kisha përpara ndaj nuk duhej të ngutesha. Ndërsa tani më duhej të haja inat me veten, se përse kisha menduar ashtu”. Duhej ta priste me gjakftohtësi vdekjen.
Elioti diku ka thënë se “Vdekja ka qindra duar dhe ecën nëpër mijra rrugë”. Por, duket se Leonardit i dhimbset i dënuari pa emër dhe pa identitet. E le lexuesin vetë të abstragojë; duke i bërë veshët fatkeqit se po dëgjon hapa gardianësh. Ata ndofta po vinë për tjetër kumt, por atij atje i rri mendja, tek ekzekutimi. Atje i rri mendja edhe atij që e lexon këtë tregim të gjatë, ku pa asnjë invektivë (invectiva oratio), ashtu urtë e butë, dëshmohet e vërteta e madhe se shkrimtari me talent të spikatur, siç ngjet me Leonard Veizin, ka fuqinë t`i shndërrojë edhe ato që i servir imagjinata, në realitete tronditëse.


Friday, December 25, 2020

Për pak besim më shumë në fundvitin e festave të trishta


Nga Leonard Veizi
 
Atmosfera e festave të fundvitit si rrallëherë është tejet e vakët. Lëvizjet e njerëzve janë më të kursyera. Madje ndonjëherë të duken krejt “slow motion”, si në një film të vjetër ku nuancat janë zhbërë me kohë për t’u trajtësuar në të njëjtën ngjyrë, atë të një kafeje të zbehtë.
A është ky një pesimizëm i theksuar?
Varet se si kërkon ta shohësh gotën: bosh, për shkak të gjysmës bosh, ose plot, për shkak të gjysmës së mbushur.
Megjithatë ky fundviti nuk karakterizohet nga entuziazmi. Eufori të cilën nuk e humbëm as në vitin e mbrapshtë 1997, ku festat në mungesë të fishekzjarrëve i përshëndetëm me krisma armësh.
Sot, nëpër markata lagjesh nuk ka më blerje me shumicë e furnizim kuzhine me gjela të patherur si dhe asortimentet përbërës për një sallatë ruse masive. Dhe mbi të gjitha, ky është një fundvit pa ftesat bujare për ahengje padiava që stisnin qendrat e punës, ku kërciste dollia e rakisë me damixhanë për sukseset në realizimin e planit e zotimeve dhe ku kërcehej pogonishtja, vallja e Kukësit bashkë me...  Zorbën greke.
E megjithatë, qytetet janë zbukuruar me të njëjtin dekor si dhe një vit më parë. Ndërsa nëpër xhamat e vitrinave të lokaleve nuk mungojnë pankartat me urimet për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
Por duket sikur pas shkëlqimit të dritave që rrethojnë pemët e bulevardeve dhe të atyre që ndriçojnë në bredhat e mbushur me pambuk, është shtrirë një vel trishtimi. Dhe kjo ka të bëjë me pasigurinë e së nesërmes.
Sepse fasada mbetet fasadë.
Njerëzit po humbasin besimin se gjithçka do të rregullohet e do të jetojmë si më parë. Pasi prej një viti na thuhet çdo ditë në vesh se pas kësaj, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Që do të thotë se dhe kur nuk do ta besosh, fillon dhe e beson.
Prej kohësh nuk po marrim më lajme të mira. Ose dhe kur i marrim, nuk na le kush t’u gëzohemi. Pas lajmit të parë lehtësues që në botë u shfaq vaksina anti-Covid erdhi lajmi i dytë trishtues ku flitej se Shqipërisë nuk i dihej se kur do t’i vinte radha për furnizim, ndaj duhej bërë durim në bashkëjetesën e vështirë me virusin. Pas lajmit tjetër se Shqipëria ka bërë parapagimin dhe se vaksinat do të mbërrijnë nga janari i vitit të ri, vjen lajmi tjetër po aq zhgënjyes, që Covid ka pësuar një mutacion, i cili ka veti përhapëse më të shpejtë se ai me të cilin ishim miqësuar këto kohët e fundit.
Bëhuni gati për valën e tretë.
Pra, nuk arrijmë të gëzohemi dot. Sepse pas një lajmi të mirë, kemi një lajm tjetër po aq të keq. Megjithatë duhet besuar se një ditë gjithçka do të marrë fund dhe “virusi” si të mbarojë të gjitha ato që ka në axhendë, do të zhduket e do të na lërë të qetë.
Besimi është si një rreze dielli, sjell dritë në dritën e zbehtë të jetës, ndriçon gjithashtu me shkëlqimin e ëndrrave atje ku zakonisht urdhëron errësira e realitetit”, shkruante së fundi në esenë e tij shkrimtari italian Antonio Galdo, i cili është dhe gazetar gjithashtu. Dhe duke dashur të dekodifikoj këtë sentencë të thjeshtë në dukje, më duhet të pranoj me shumë dhimbje realitetin e errët. Pastaj, që besimi sjell atë pak dritë e cila arrin të çajë errësirën, është një tjetër temë, që ka të bëjë me euforinë e optimizmit.
Në fakt, na duhet të kemi më shumë besim. Dhe nëse na mungon, na duhet ta stimulojmë atë në vazhdimësi.
Po jetojmë ditën e një realiteti të errët. Sepse dhe jeta e natës ka marrë fund prej kohësh. Edhe nëse je më kokëfortë dhe do të thyesh rregullat, nuk ke ku të shkosh, pasi me vendim qeverie pas orës 08.30 të mbrëmjes nëpër rrugë mund të lëvizin makinat e policisë, autoambulancat si dhe ndonjë i vonuar që gjithsesi ka aplikuar në e-Albania për leje të posaçme.
Gjithçka është e mbyllur. Me terminologjinë e kohës tanimë cilësohet: lockdown.
Edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, njerëzit kishin më shumë besim se bataretë e armëve dhe bombardimi i qyteteve me avionë do të përfundonte një ditë. Ndërsa në kapërcyellin mes viteve ‘20 e ’21-të të mijëvjeçarit të ri po flitet për ekzistencën njerëzore. Padyshim që kjo është një marrëzi e madhe, por nuk është një temë tabu gjithashtu.
Viti 2020 na surprizoi në të keqen e saj. Por askush nuk është në gjendje të parashikojë se çfarë do të ndodhë në vitin e ardhshëm 2021, ku pretendimi i parë konspiracionist apo jo i tillë flitet që, sapo të kalojnë ditët e para të janarit do të futemi në një valë të tretë të sulmit që Coronavirusi, me të gjithë mutacionet e saj, do të sulmojë qenien njerëzore.
Na duhet më shumë besim në këto ditë të trishtuara, ku lajmet për Krishtlindje të gëzuara dhe ato për bllokimin e automjeteve të transportit të mallrave në kufirin mes Francës dhe Britanisë, na transmetohen në të njëjtën paketë me ambalazh shumëngjyrësh e të mbledhur me fjongon e kuqe të shtrënguar kryq.
Po jetojmë ditë të tilla “festive” ku edicionet e lajmeve nuk hapen më me darkat e bamirësisë së politikanëve shumëllojësh, por me numrin e të infektuarve me Covid-19 dhe atyre që ndahen nga jeta e të gjallëve. E për më tepër se kaq, panelet e emisioneve post lajme, janë të mbushur me mjekë infeksionit, epidemiologë dhe specialistë statistikash, që na informojnë në mënyrë të vazhdueshme rreth virusit mutand dhe barrierave që i duhen vënë për të frenuar përhapjen, nga lëvizja e lirë e njerëzve, mjeteve tokësore dhe atyre ajrorë, deri tek barriera që vendoset para hundës së secilit prej nesh e që në fjalorin e përditshëm quhet: maskë.
Një natë Krishtlindjesh mund të jetë një mënyrë e mirë për të rritur besimin te vetja dhe besimin tërësor njëkohësisht se e gjitha çfarë po ndodh, nuk është dhe aq problematike sa mundohen ta transmetojnë mediat dhe se hyrja në një vit me numër tek mund të jetë më optimist se ai që po lëmë pas me numër çift.
Tek e fundit, “shpresa vdes e fundit”!

Sunday, December 20, 2020

Një intervistë e rrallë me Themie Thomain, ish ministre e Bujqësisë

Themie Thomai


JETËSHKRIMI
E lindur në Këmishtaj
Themie Thomai u lind në Këmishtaj të rrethit të Lushnjes dhe është e datëlindjes 31 tetor 1945. Shkollën fillore dhe atë tetëvjeçare e ka kryer në vendlindje, Këmishtaj. Më pas ka vazhduar arsimin e mesëm, teknikumin bujqësor, të cilin e ka mbaruar në Tiranë. Gjithashtu përfundon studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Në vitin 1967, ajo emërohet kryetare e Kooperativës së Këmishtajt. Në 1 maj të vitit 1976 emërohet Ministre e Bujqësisë dhe Ushqimit, portofolin e së cilës e mbajti për gati 14 vjet me radhë. Ka qenë gjithashtu dhe deputete e Kuvendi të Shqipërisë. Nga martesa me një mjek stomatolog shumë i njohur, Themie Thomai ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Ndërsa vitet e fundit është bërë edhe dy herë gjyshe.
 
FILLIMET
Përvoja nga specialistët
Me përfundimin e shkollës për Themie Thomain ka nisur dhe karriera profesionale. “Pastaj pasi mbarova shkollën jam emëruar kryetare e degës së planit të ish Kooperativës, Këmishtaj dhe në vitin 1967, jam bërë kryetare e Kooperativës së Këmishtajt, post të cilin e mbajta për 10 vjet me rradhë në kooperativën e cila shumë shpejt do të fitonte vlerësimin më të lartë, pra do të cilësohej një nga më të mirat në atë kohë. Kishim një kolektiv specialistësh dhe kuadrosh të përkushtuar me një popull të mrekullueshëm që dinte të punonte mirë. Si rezultat i asaj pune dhe i një trajtimi shkencor të punës në fjalë, jo vetëm nga ne kuadrot por dhe i gjithë populli i asaj zone, kooperativa bujqësore e Këmishtajt vazhdimisht ka arritur rezultate të larta”, shprehet ish ministrja e Bujqësisë Themie Thomai.
 
KOOPERATIVA
Vendi ku bëheshin eksperimentet
“Një nga arsyet, që kooperativa e Këmishtajt kishte rezultate mjaft të larta në prodhimin bujqësor e blegtoral, unë mendoj se ishte ngaqë ne kishim bashkëpunëtorë nga më të afërt dhe nga më të rregulltit e institucioneve kërkimore shkencore. Shumë eksperimente bëheshin në kooperativën tonë. Vazhdimisht futeshin elemente të reja në prodhim. Punohej të mënyrë të shkëlqyer me tokën, me racën e bagëtive si dhe me farërat. Të gjithë këto komponentë: njerëzorë, shkencorë, teknikë, teknologjikë, bënë që prodhimi të arrinte rendimentet e Evropës Perëndimore. Paralel ndikuan të gjitha këto në formimin tim profesional dhe në karrierë. Unë nuk kam menduar se do të ndodhte ndonjëherë kjo gjë. Ishte vetëm pasioni që kisha unë për bujqësinë, e duke qenë dhe specialiste në këtë fushë, i kuptoja specialistët dhe ata më kuptonin mua. Punoja me një zell të madh dhe ky vrull tek unë vinte gjithnjë e në rritje”, rrëfen për gazetën “Ballkan” ish ministrja e Bujqësisë.


Themie Thomai
 

INTERVISTA I
Flet Themie Thomai, ish ministre e Bujqësisë. Si e gjeti dhe si e la ministritë në të cilën punoi për 14 vjet
 
“Ja si i drejtova dikasteret e prodhimit të bukës”
 
Si u bë emërimi i papritur në K.Q. Shkarkimi dhe zëvendësismi i Piro Dodbibës, ministrit paraardhës
 
Orjona Tresa
Leonard Veizi
 
Nuk ka më makinë dhe shofer që e pret tek dera e shtëpisë. Por kjo për të nuk ka asnjë rëndësi. Madje nuk ka më asnjë forcë për të ushtruar ndikimin e saj urdhërues mbi vartës, punonjës të administratës, drejtorë drejtorish, apo specialistë me tituj. Por dhe kjo nuk përbën më asnjë rëndësi për të. Ajo është e kënaqur që më në fund ka dalë në pension dhe ka mundësinë që në mëngjes herët të pijë një kafe shtëpie, ndërsa pak më vonë të pijë një kafe të dytë, nën shoqërinë e shoqeve dhe të miqve, në një nga lokalet fare pranë shtëpisë. Megjithatë, thotë se është e apasionuar pas bujqësisë dhe se ka mundësi që eksperiencën e saj të mbledhur në vite të mund ta japi në shërbim të një bujqësie më intensive. Edhe pse për 14 vjet me radhë ka drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme të shtetit, tanimë jeton në një apartament normal të rrugës “Komuna e Parisit” në Tiranë. Është Themie Thomai, e cila megjithëse nuk ka ndonjë dëshirë të veçantë të jetë e intervistuar në faqet e ndonjë të përditshmeje, nuk e refuzon kërkesën e gazetës “Ballkan”. Dhe në këtë mënyrë gjithçka e arshivuar në mendjen e saj, mund të bëhen publike dhe për lexuesin e gjerë, që gjithsesi e ndjek kurioziteti i një të kaluare jo fort të largët.
 
Kur u emëruat në krye të dikasterit të Bujqësisë?
Në vitin 1976 unë jam shkëputur nga ish Kooperativa e Këmishtajt ku isha kryetare e saj dhe më 1 maj të po atij viti emërohem Ministre e Bujqësisë detyrë të cilën e realizova për më shumë se 13 vjet. Kam rreth 1 vit e gjysmë që jam shkëputur nga puna dhe nuk jam angazhuar më. Kam menduar se pas një kohe të gjatë pune pa pushim dhe shumë të lodhshme si fizikisht dhe mendërisht, kam vendosur që të qëndroj pranë familjes për të cilën kam detyrime të mëdha, si ndaj bashkëshortit, ashtu dhe ndaj fëmijëve.
 
E kishit menduar se një ditë do të bëheshit Ministre?
Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të ulesha në atë karrige. Natyrisht kam mbetur e befasuar që m’u besua mua një detyrë kaq e lartë. Nuk ishte e lehtë të drejtoje specialistë që kishin vite përvojë në punët e bujqësisë. Pastaj pozicioni i ministres do të thoshte që kjo të më jepte forcën e fjalës dhe të gjithë të tjerët që kishin të bënin me atë ministri të më dëgjonin mua dhe të bënin si thosha unë.
 
Dhe çfarë bëtë ju?
Unë zgjodha të kundërtën. Asnjëherë nuk mund të vendosësh vetëm. Duke qenë në atë karrige, unë kisha bashkëpunëtorët e mi më të afërt, pra konsulentë. Përveç atyre që kisha në Ministrinë e Bujqësisë, kishte dhe të tjerë jashtë ministrisë, që mendoj se ishin nga specialistët e mirëzgjedhur të fushave të ndryshme. Përpara se të merrej një vendim merrja mendimet e tyre paraprakisht dhe dilja më tej në përfundime.
 
Ndërkohë si ishin të shpërndara degët që vareshin nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit?
Kishim institucionet shkencore të vendit të implementuara sipas zonave. Për shembull në Lushnje qenë vendosur Instituti i Drithërave dhe i Pambukut, në Fushë-Krujë Instituti i Foragjereve, në Korçë Instituti i Panxharit, në Elbasan Instituti i Duhanit, në Vlorë ai i Fruti-Kulturës e kështu me radhë. Domethënë këto në një farë shkalle përfaqësonin edhe zonën ku punonin specialistë të kualifikuar dhe unë përpiqesha që t’i mbaja shumë afër.


 
Cili ishte paraardhësi juaj?
Para meje Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit ka qenë zoti Pirro Dodbiba, për të cilin gëzoj një respekt shumë të madh. E kisha njohur shumë më përpara se unë të merrja postin e ministres së Bujqësisë, në takime të ndryshme që bënim ne për bujqësinë. Kisha biseduar shpeshherë dhe për shumë probleme me të, madje ai kishte ardhur dhe më kishte vizituar edhe në kooperativën ku punoja. Ishte një person me shumë kulturë. Mund t’ju them se e kisha të vështirë të drejtoja atë ministri pas Pirro Dodbibës. Ai ishte shumë më i pjekur nga ana profesionale dhe them se kam përfituar mjaft nga përvoja e tij.
 
Çfarë reformash ishin ndërmarrë nga ministria deri në çastin kur erdhët ju?
Kam gjetur gjëra të mira kur kam shkuar në ministri. Reformat kishin qënë në vazhdimësi. Nga ana ime jam përpjekur që ato gjëra që kishin ardhur deri në ato vite, t’i çoja më përpara. Kështu koha kërkon gjithmonë gjëra më të reja. Dhe unë e çova më përpara punën, sepse dhe detyrat ishin më të mëdha nga viti në vit. Ish ministri Pirro Dodbiba e tregoi që ishte një njeri i zoti dhe organizator i mirë, një specialist i talentuar në fushën e ekonomisë dhe të bujqësisë. Këtë e tregonte puna e bërë deri në ato çaste.
 
Cili propozoi për zgjedhjen tuaj në postin e drejtuesit të Ministrisë së Bujqësisë?
Unë nuk e kam marrë vesh asnjëherë se kush e ka bërë këtë propozim dhe kush më ka kërkuar, vetëm di që më kanë kërkuar të paraqitesha në ish Komitetin Qendror të asaj kohe. Nuk e dija absolutisht qëllimin e vërtet të asaj thirrjeje. Për të ditur se me se kishte të bënte paraqitja ime në Komitetin Qendror pyeta një shokun tim në Lushnjë që punonte në Komitetin e Partisë të rrethit, duke i thënë se “mua më kanë thirrur nesër në Tiranë, përse, sepse duhet të përgatitem?”. “Nuk e di”, më tha i cili nuk kishte natyrisht as informacionin më të vogël se si bëhej në lidhje me emërimet e kuadrove të larta.
 
Menduat se mos ndoshta ju kishin thirrur për t’ju tërhequr vërejtje?
Në fakt unë mendova se më kishin thirrur për të më marrë ndonjë mendim për bujqësinë, siç veprohej atëherë dhe kur u paraqita në Komitetin Qendror kam gjetur dhe katër bashkëpunëtorët e mij që gjithashtu i kishin thirrur në takim. Mes tyre dy persona i njihja, siç ishte Spiro Lengua, ish kryetar i Kooperativës së Derviçanit. Natyrisht më erdhi si çudi, megjithatë në Komitetin Qendror më thanë që kjo detyrë të është ngarkuar dhe ti do të marrësh drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë.
 
Në çfarë kushtesh ishit kur morët këtë post të rëndësishëm?
Kur më emëruan isha 31 vjeç, e martuar dhe me dy fëmijë, vajzën 8 vjeç dhe djalin 4 vjeç. Bashkëshorti ishte (dhe është) mjek stomatolog.
 
Si e pritën në familje emërimin tuaj?
Familja ime e mirëpriti këtë vlerësim që më bënë, por për mua ishte një detyrë shumë e vështirë atëherë. Ndryshon nga e sotmja sepse në atë kohë ishim në një ekonomi të centralizuar dhe duhej të përgjigjeshe për gjithçka. Pra shkurt ishte e rëndë si detyrë. Megjithatë ashtu siç ishte koha, atëherë po ta ngarkonin detyrën do ta bëje dhe me thënë të drejtën unë këtë punën time të vështirë, jam munduar ta kryej më së miri.
 
Pse mendoni se bujqësia është një fushë e vështirë, ose më e vështirë se të tjerat?
Çdo fushë ka rëndësinë dhe vështirësinë e vet. Por fusha e bujqësisë dhe ushqimit gjithmonë ka qenë gjithmonë e vështirë. Sepse ku dikaster duhej drejtuar për të prodhuar edhe për të tregtuar sepse janë produkte që duhet të trajtohen të freskëta.
(Vijon)
 

 
Sa i kushtoi shtetit shqiptar tufëzimi i gjësë së gjallë. Pse ra prodhimi vendas
 
“Tufëzimi na shkatërroi, prodhimi nuk ishte aq sa e trumbetonin”
 
Ishte një vendim që rëndoi shumë mbi ekonominë shqiptare. Pasojat e saj u ndien shumë shpejt. Reagimet e para nuk do të mirëpriteshin nga iniciuesit e saj. Po e vërteta ishte më kokëforte se sa sloganet. Duke kujtuar “epokën e artë” të tufëzimit, ish ministrja e Bujqësisë Themie Thomai thotë: “Për tufëzimin unë do të thosha se ishte një vendim madhor që ndryshoi dhe raportet midis konsumatorit dhe prodhuesit. Ky vendim është marrë shumë më lart nga Ministria e Bujqësisë. Në të gjitha këto hallka vendimmarrëse ishte Byroja Politike. Ndërsa Ministria e Bujqësisë ishte zbatuese e këtij vendimi, pra i kërkohej për të zbatuar hallkat si në ndërtimin e stallave, sigurimin e bazës ushqimore. Po të na kishin pyetur ne, natyrisht ne do kishim thënë jo, sepse tufëzimi ka bërë një dëm në vendin tonë për blegtorinë, për racën, por ndryshoi edhe raportet midis prodhuesit dhe konsumatorit. Fshatari u kthye në konsumator. Neve përpara se të bëhej tufëzimi, grumbullonim nga fshatarësia 12.500 ton mish, kur u bë tufëzimi grumbullonim 1500 ton. Kjo si pasojë pati dhe shumë kosto, në ndërtim, në numër, në vathë, pastaj dhe prodhimi nuk ishte i dukshëm aq sa e trumbetonin. Ishin hedhur disa argumente se po të bëhej tufëzimi do të futen lopët në trajtim, do të përmirësohet raca, gratë do të lehtësohen. Pra dhe higjiena në fshat do të ishte më e mirë duke iu afruar asaj të qytetit. Nuk e di në fakt nëse gratë u lehtësuan apo jo nga kjo reformë, por faktikisht ato duhej të hanin. Në të gjithë botën fshatari është prodhues dhe duhej të prodhoj ndërsa këtu ai u bë konsumator, iu vërsul kryeqytetit kështu që kush duhej të prodhonte?! Kështu që ishte një kosto shumë më e madhe se në lekë. Nuk mund të them ndonjë shifër të saktë por për mendimin tim ishte një kosto e rëndë dhe shumë e kushtueshme për vendin tonë”, rrëfen ish ministrja e bujqësisë Themie Thomai gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Ballkan”.
 
 
PËRKUSHTIM
Nderimi i veçantë për nënën
“Në punën time dhe formimin tim, përveç arsimit dhe të kulturës së nevojshme që kam marrë unë përmes arsimimit, një pjesë të rëndësishme të saj ia dedikoj familjes sime, nënës të cilën nuk e kam më. Ne kemi qenë dy fëmijë në shtëpi, motër e vëlla. Nënës sime i është dashur të përballojë shumë sfida për të na edukuar e shkolluar, pasi babai na ka lënë shumë të vegjël. Ajo ka sakrifikuar shumë për të ardhmen tonë. Ndaj dhe unë gjithmonë i jam përkulur dhe tërë jetën do t’i përkulem me respekt nënës sime, e cila edhe pse në kushte të vështira kërkonte që fëmijët e saj të ishin me dije e shkollë dhe të gëzonin dashuri e respekt për njerëzit”, thotë Themie Thomai.
 

OPTIMIZMI
Këshilla nga një e panjohur
“Mbaj mend se në fillim të karrierës time si ministre e bujqësisë, (ndoshta s’kisha veç pak ditë që isha emëruar në këtë detyrë) dhe isha zonja e dytë që drejtonte një nga dikasteret e rëndësishme të qeverisjes së Partisë së Punës, në një takim për çështjet e bujqësisë tek ish Hotel Drini, largohem nga tryeza e punës dhe dal jashtë. Nuk e di se si dukesha në ato momente. Kisha përshtypjen se nuk isha në vendin e duhur. Por në ato momente më afrohet një grua e thyer në moshë dhe më pyetse pse po qëndroja e mërzitur. Unë shtanga një moment ndërsa ajo ma kthen: “Nuk pse shqetësohesh aspak. Merre këtë punë më qetë pasi ashtu siç e kanë realizuar detyrën të tjerët, do ta realizosh edhe ti. Madje do ta bësh edhe më mirë se je grua”. Kjo ishte dhe një shtysë në ato hapa të fillimit të karrierës sime në drejtimin e bujqësisë shqiptare, të cilën ma dha një njeri krejt i panjohur”, rrëfen Themie Thomai.
 
RAPORTET
Marrëdhëniet me Enverin dhe Mehmetin
Por cilat kanë qenë raportet që ish-ministrja më jetëgjatë e Bujqësisë kishte me drejtuesit më të lartë të partisë dhe shtetit komunist? Ajo thotë: “Unë them që këto raporte kanë qenë vetëm pune, dhënie llogarie. Shumë prej tyre vinin në grupe pune për të parë se si zbatoheshin vendimet që kanë marrë për bujqësinë, si realizoheshin ato, dhe përgjegjësitë që mbaheshin. Përveç Enver Hoxhës, i cili në atë kohë ka qenë i sëmurë, gjë të cilën e kam marrë vesh vitet e fundit, por Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Manush Myftiu etj. vinin sipas rasteve. Një nga njerëzit që ndikonte më shumë në këtë fushë, ashtu si dhe në fushat e tjera, ishte ish-kryeministri Mehmet Shehu. Ai kishte kërkesë të lartë llogarie, por dinte të të jepte të drejtë atje ku vërtet ishte e drejtë. Ndërsa me Enver Hoxhën kontaktoja kur raportoja në Byronë Politike. Por Ministrisë së Bujqësisë i binte barra më e madhe duke dhënë llogari përpara organeve më të lartë në pushtet. Kishte shumë halle dhe telashe, bujqësia donte më shumë mjete që të rriste rendimentet, si: plehra, ujëra. Por edhe pse ishte bërë një punë e madhe, sërish ato ishin me pakicë, sepse vetë gjendja ekonomike e vendit tonë nuk ishte në atë shkallë sa të plotësonte vetë të gjitha kërkesat që kishte bujqësia”.
 
INTERVISTA II
Flet Themie Thomai, ish-ministre e Bujqësisë për 14 vjet:
 
“Si e kundërshtoja presionin që vinte nga udhëheqja”
 
(vijon nga numri i kaluar)
Vetëm dy javë dhe do të festojë 60-vjetorin. Ka lindur më 31 tetor ’45. Sigurisht, pret urimet e rastit, ndërsa pret t’i vijnë nga Greqia dhe fëmijët e vajzës Dejvid dhe Paula. Përpara se të ndahemi Themija, si një grua e thjeshtë, thotë se duhet të psonisë, në një nga tregjet e Tiranës. “Merrni pension suplementar?”- e pyesim. Ajo na shikon me habi. “Absolutisht, - përgjigjet, - unë marr një pension normal të përllogaritur sipas ligjit në fuqi. Ndoshta do të ishte mirë që për ne që kemi kontribuar për shtetin të kishte më shumë mirënjohje, por unë s’kam ndër mend të trokas në ndonjë derë”, thotë Themie Thomai dhe është e gatshme që këtu t’i vendosë dhe kapakun intervistës së saj me “Ballkanin”.  
 
Thotë se ministrat në vitet e ndërtimit socialist të vendit nuk kishin ofiqe, sepse kështu ishin vendimet e mara nga lart. “Në ato kohë ishim vetëm dy zonja ministre, unë dhe Tefta Cami, që ishte ministre e Arsimit. Vetëm për ne të dyja bëhej një lloj përkujdesje nga ana e shtetit për të na ndihmuar, për të na trajtuar, në kuptimin jomaterial sepse ne kishim rrogën dhe të gjitha të tjerat ishin si çdo qytetar tjetër”, thotë ish-ministrja.
 
Sa paguhej një ministër në vitet e Partisë së Punës?
Paga ime ka qenë 14 mijë lekë (të vjetra).
 
Çfarë është arritur në kohën kur ju drejtonit Ministrinë e Bujqësisë?
Ne bujqësinë jemi përpjekur ta përfytyrojmë në dy aspekte. Zhvillimi i bujqësisë tërësore rurale, që ishte një bujqësi masive dhe kjo duhej të vinte përmes një pune të madhe në drejtim të investimeve, në drejtim të punës shkencore, të rritjes së shkallës së mekanizimit, të kimizimit, të rritjes së nivelit shkencor të atyre që drejtonin dhe atyre që punonin dhe natyrisht kjo i dha frytet e veta duke punuar në drejtim të tokës, të farërave, të fidanëve, të gjedhëve, të shpendëve, të bagëtive të imëta me përzgjedhje racore. Ky ishte dominuese dhe besoj që këtu u arrit një rezultat i mirë dhe e dyta ishte komponenti i industrializimit të bujqësisë. Për shembull, të mos prodhohej veza në mënyrë spontane, por në kushte industriale, në komplekse ashtu siç janë realizuar në ditët e sotme. Mishi, sidomos gjedhi, por derri bagëtitë e imëta, krijimi i blloqeve të mëdha frutore, ullinjve, frutave, të perimeve me anën e serrave me ngrohje, pa ngrohje, kështu që efektivisht që kjo bënte që të lidhej zinxhiri i prodhimit në natyrë është gjithmonë i kushtëzuar nga natyra sepse kur e fut në ambiente të mbrojtura, ajo është nën ndikimin tënd, domethënë e drejton ti, nuk të drejton ajo.
 
Cili ishte niveli i prodhimeve gjysmë industriale në vend gjatë viteve ‘80?
U arrit të prodhohej 85% e vezëve në kushte industriale dhe të furnizoheshin qytetet sepse fshatari i prodhonte vetë, prodhohej 65% e mishit në kushte industriale, natyrisht kishte dhe shumë dru frutorë se ato nuk hynin menjëherë në prodhim. Ishin blloqet e reja që do hynin në prodhim, por dhe nga ato që do hynin në prodhim, prodhohej për shpërndarje, por edhe eksportohej. Dikush për shembull do ngrinte problemin, por mirë kur kishin gjithë këto blloqe frutore, ku ishin frutat? Dhe vërtet nuk kishte shumë fruta në Pazar, sepse ato ishin me sezone. Kjo duhej kuptuar. Ishte me sezone se molla nuk prodhon gjithë vitin dhe s’kishte kushte që t’i ruaje mollët.
 
Mund të importoheshin?
Sot importohen fruta të ndryshme që nuk janë të stinës, por asaj kohe nuk importohej, kështu ishte rregulli. Shteti nuk mund ta përdorte valutën për të importuar fruta, por lëndë të parë me të cilën vihej në funksion industria dhe mbaheshin njerëzit në punë.
 
Cili ishte niveli i eksporteve dhe importeve në sektorin bujqësor?
Bujqësia në atë kohë mbante goxha peshë, si për ushqimin bazë të popullsisë, për të mbajtur në punë industrinë e lehtë dhe ushqimore si dhe për eksportet. Sa për industrinë e lehtë ato eksportoheshin direkt nga tregtia e jashtme. Vetëm ato që eksportonim ne shkonin në shifra të konsiderueshme valute. Pra, e them me bindje se bujqësia mbante një peshë të madhe dhe të rëndësishme njëkohësisht. Eksportohej bimë medicinale, fruta, zarzavate, duhan, rrush.
 
Reformat ndërmerreshin nga dikasteri, Këshilli i Ministrave apo Byroja Politike?
Reformat që kishin të bënin me organizime ministrie ose institucione të tjera, nuk ishte e drejtë e ministrisë. Ministria për shembull po të bënte një studim duhej ta paraqiste diku që të miratohej, në Këshillin e Ministrave e më pas në Byronë Politike që thoshte fjalën e fundit, ky ishte rregulli. Madje dhe për anën teknologjike që kërkonin shuma për investime, edhe ato kërkonin miratim. Duhej të kuptojmë që ishim në një ekonomi të centralizuar. Ministria nuk mundej të vendoste vetë. Ajo kontrollonte vetëm zbatimin e punimeve me të tjerat merreshin strukturat më të larta.
 
Sa herë keni raportuar përpara Byrosë Politike për çështjet e bujqësisë?
Unë nuk e mbaj mend sa herë kam raportuar. Por kanë qenë të shumta, sepse bujqësia ishte shumë e rëndësishme. Kam vajtur shumë herë dhe me probleme të vështira siç ishte bujqësia, për blegtorinë, për drithërat, për frutikulturën, për bonifikimet. Ka pasur shumë tema, për përmirësimin racor. Pra, ishin tema të forta dhe me shumë përgjegjësi.
 
Keni pasur ndonjëherë presione nga drejtues të lartë të partisë dhe shtetit?
Natyrisht. Madje bënin presion për ndonjë problem të caktuar. Përplaseshim kur unë mbroja me vendosmëri jo vetëm mendimin tim, por dhe të specialisteve të tjerë. Puna më bënte të kontaktoja me zonat ku prodhonim. Takohesha me kuadro, me kooperativistë, vullnetarë, e kështu që mendimet i kisha dhe nga ata. Por kur duhej të realizohej diçka që lart ishte menduar ndryshe, natyrisht që presioni ekzistonte.
 
Si u veprua për zbutjen e gjendjes pas viteve ’85?
U bë një përpjekje faktikisht dhe doli teoria e tufëzave dhe e arëzave që, për mendimin tim, nuk zbuti asgjë, por mendoj unë, ajo ishte një diçka paraprake që po trokiste në derë për ndërrimin e sistemit dhe hapi i parë mendoj unë është që të mësoheshin njerëzit jo me tufa të mëdha, por me tufa të vogla. Dhe pa folur me gojë se diçka do të ndodhi, unë mendoj se kjo ishte, por jo se zgjidhi ndonjë gjë. Ajo që do ta zgjidhte, për mendimin tim, ishte t’i kthehej lopa fshatarit dhe kafshët, pra atij që punonte dhe prodhonte. Por gjithsesi ishte një hap i hedhur që mendohej se zbuti gjë, por nuk ndodhi ashtu. Ndoshta përgatiti ndonjë mendim që drejt kësaj do të shkohej, për ata që kuptonin natyrisht. Jo të gjithë e kuptonin këtë gjë.
 
EKSPERIENCA
“Çfarë morëm nga bota”
“Në rolin e ministres së Bujqësisë kam vizituar mjaft vende, e ftuar nga homologët e mi. Kam qenë në simpoziume, konferenca, konferencën e FAO-s, kam vizituar Francën, Austrinë, Zvicrën, Hungarinë, Egjiptin, Turqinë, Greqinë etj. Jam takuar me personalitete nga më të ndryshmit, me presidentë, kryeministra, ministra, shkencëtarë, kam parë nga afër zhvillimin e bujqësisë, që më ka lënë mbresa. Institucione shkencore të drejtuar me investime të mëdha kapitale të cilat bënin që tregu të ishte plot e përplot e të kishin shumë vende ku eksportonin. Gjatë vizitave kemi shkëmbyer mjaft mendime racionale të cilat mbase dhe ato kanë ndikuar në punën dhe veprimtarinë time, profesionin dhe formimin tim për ta përfytyruar bujqësinë më shumë se një bujqësi rurale, me një zhvillim spontan, dhe jemi përpjekur me aq sa lejonte koha të bënim. Kemi parë dhe kemi marrë nga përvoja e Hungarisë. Këto mirëpriteshin me argumente, por investimet ishin të pakta. Në Francë kishte institucione që shërbenin për prodhime farërash, diagnostikime veterinare. Kemi marrë kafshë race nga Danimarka, lopë Xhersi, mëshqerra, kuaj në Austri, një racë në Francë. Kjo më ka bërë të kontaktoja, të shoh nga afër parametrat për një bujqësi moderne dhe të implementimin farëra, fidanë etj., që ne t’i prodhonim me tregues të lartë. Edhe tek ne kanë qenë të ftuar nga ana ime homologë të bujqësisë. Ka ardhur kryetari i FAO-s në ato vite Eduard Osauma me një ekip shkencëtarësh. Nga ata kemi marrë serrën që prodhon fidanët që quhet prodhimi “invitro”. Kanë qenë ministrat e bujqësisë së Greqisë, Turqisë etj. se bujqësia nuk njeh sistem, por teknologjinë. Ruaj respektin e mjaft figurave të njohura në disa vende të cilët më dërgojnë ende të fala me anën e delegacioneve shqiptare. Ruaj kujtime të mira”.
 
 
Ish-ministrja flet për bujqësinë e pas viteve ’90.
 
Keqardhja për prerjen masive të blloqeve frutore Si mund të ringrihen ato që u shkatërruan
 
Cilat janë dështimet në kushtet e reja. Si mund t’i paraprihet turizmit me prodhimet natyrale
 
“Janë bërë disa gabime, ndoshta edhe nga mungesa e eksperiencës, ndoshta edhe nga euforia që u kalua në një sistem të lirë dhe që ky sistem të lejonte të bëje gjithçka. Ashtu siç ishte tufëzimi një gabim, edhe pas viteve ’90 u bënë gabime një kosto shumë të shtrenjtë për shqiptarët. Përse? Bonifikimi ishte kryer, toka vaditej në 65% të sipërfaqes së saj. Pritat malore ekzistonin, këto që thonë se përmbyten sot. Sepse ato shkaktojnë erozione në qoftë se nuk funksionojnë. Qenë krijuar blloqet e pemëve frutore, nuk mund të them që shkëlqenin, por ekzistonin. Ato mund të përmirësoheshin me investime të tjera, shumë më të mira, por jo të shfaroseshin. Unë nuk e kuptoj se si mund të presësh rrënjët e ullirit?! Edhe në kohën e Skënderbeut, kur martoheshin të rinj, duhej të mbillnin ullinj. Si shembull e them këtë, si mund të priteshin agrumet e Ksamilit, mollët e Qafës së Plloçës dhe Dvoranit, kumbullat dhe qershitë e Peshkopisë ose plantacionet e rrushit. Ato të bëheshin siç e donte ekonomia e tregut, ajo ishte një kthesë e rëndësishme që po merrte vendi ynë dhe natyrisht pronën duke ia shpërndarë atij që do e punonte. Zhdukja e menjëhershme e të gjithë mekanizmave solli një dëm të madh ekonomisë. E dyta ishte caktimi i tokës. Si mund të pretendosh një bujqësi bashkëkohore, një bujqësi që sot në kushtet e ekonomisë së tregut duhet të konkurrojë me shtetet që kemi në kufij, Greqinë apo Maqedoninë e Italinë, Shqipëria ka prodhimet e saj tradicionale dhe të forta sipas mendimit tim, sepse vazhdon të jetë një bujqësi organike, e pakimizuar, dhe duke qenë e tillë ajo duhet të jetë konkurrente në treg. Duhani oriental, që është shumë i nevojshëm për të bërë harmanet, zonat kodrinore mund të prodhojnë shumë mirë lulediellin që ato mund të futen shumë mirë në përpunim dhe s’kanë pse vijnë vajra gjithmonë nga jashtë. Por si do të prodhohen ato? Tokat sot është e copëtuar, efektivisht nuk mund të bëhen dot punë madhore siç e do toka, për punimin, vaditje. Mbrojtjen e bimëve nuk e bën dot se po e spërkate këtu, tjetri e lë pa spërkatur, domethënë dëmtojnë. Erozioni po bën kërdinë. Dëmtimet pa kriter po shpërdorojnë tokën në mënyrë flagrante. Është sensibilizuar opinioni për gjakun, por unë mendoj që dhe ky opinion duhet të sensibilizohet për ndalimin e rasteve abuzive mbi tokën. Kjo ka të bëjë me ushqimin e popullit. Në të kundërt do të shkojmë në importimin e mallrave bujqësorë. Sipas mendimit tim, duhet të ketë eksport paralel edhe import që të ketë njëfarë bilanci. E treta është që bujqësia nuk është e mbështetur në infrastrukturë për menaxhimin e këtij prodhimi, qoftë edhe kështu siç e prodhon fshatari ynë. Atij nuk i shitet prodhimi, i dëmtohet sepse mund të ndërtohen edhe hallka që t’i dalin zot prodhimit, domethënë me kushtet e ekonomisë së tregut. Mungojnë qëndrat e përpunimit që të mos shkojë puna dëm, të mos shkojë dëm investimi, por ato të kthehen në të mira materiale që të shpërbejnë qoftë për brenda popullit, por edhe për jashtë. E katërta, efektivisht ne nuk kemi bankë bujqësore që të ndihmojë se prodhimi bujqësor ka një cikël të caktuar prodhimi, atëherë banka duhet të hyjë dhe të ndihmojë me kedi të buta fshatarët që të ngrenë blloqe frutore, të rrisin kafshë race, të bëjnë prodhime farërash, fidanësh, të krijojnë qendra prodhimi, ferma të vogla fillimisht pilot pastaj përgjithësuese, pra të futen teknologji të reja që prodhimi të vijë e të bëhet konkurrues se ky që është, është prodhim vetëm për vete, ajo që i tepron fshatarit e nxjerr në treg dhe ajo që do një kohë është rrugët që të transportosh prodhimin janë të dobëta. Duhet ndërtuar sistemi rrugor për t’i shërbyer prodhimit. Kam dëgjuar në vitin 2012 do të arrijmë 750 mijë euro nga turizmi, mirëpo duke pasur parasysh se si po zhvillohet turizmi, ai turisti që vjen përveç vendeve të bukura që kemi do të hajë. Ai nuk do gjëra frigoriferi por të freskëta, dhe këto i bën vetëm bujqësia. Prandaj duhet që prodhimi t’i paraprijë turizmit që ky i fundit të ketë sukses. Bujqësia duhet të jetë një hallkë e rëndësishme dhe si front pune për shumë njerëz”.
 
NDRYSHIMI
Në ekonominë e tregut
“Pas viteve ’90 kam qenë në parlamentin e parë pluralist. Pas asaj fillimisht kam punuar në Institutin e Frutikulturës, pastaj dola në asistencë. Ndenja për gati 2 vjet pa punë, pastaj u sistemova si specialiste në Entin Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve rreth 10 vjet në shoqërinë e një kolektivi të mrekullueshëm. E kam ndier veten të barabartë. Jam larguar me mendime nga më të mirat. I mbaj lidhjet dhe kam ndjekur me kujdes probleme të ndryshme të bujqësisë. Kemi bërë 3 forume të ish-ministrave nga një shoqatë. Mua më kanë vlerësuar. Në këto takime kanë qenë të gjithë ish-ministrat pavarësisht se ministrat e cilës kohe ishin. Madje më ka bërë përshtypje që ministrat nuk kanë qenë të politizuar. Ndoshta një specifikë që ka pasur vetë bujqësia, secili ministër që ka ardhur nuk është përpjekur të gjejë qimen në qull, sepse puna ka të meta, por është përpjekur që mbi tullat që ka vënë paraardhësi i tij të korrigjojë ato që duhen korrigjuar në sensin e mirë për të ecur përpara. Them se ata që janë të bindur se mund të kontribuojnë për bujqësinë të vijnë dhe të kontribuojnë ata që nuk japin të largohen”, thotë Themie Thomai.
 
DETAJ
Në tokat djerrë
“Kur isha në ministri, një ambasador që kish ardhur për vizitë kortezie më tha se drejtoja një punë të vështirë. E vështirë, i thashë, por gjërat e vështira janë edhe të bukura. Pastaj ai më bëri një kërkesë: A ke mundësi të më çosh në një kooperativë bujqësore? Pse një, i drejtohem me shaka, por deshe në një qind. Por mirë më tha, unë dua të shkoj në kooperativën ku ke drejtuar ti. Me kënaqësi, i them unë. E di pse ta thashë këtë, më tha. Unë me një shok kishim mbaruar Juridikun. Kisha shumë vite pa e takuar. Dhe një ditë m’u mbush mendja ta takoja. Vajtja. Më thanë që ai kishte lënë profesionin dhe kishte ngritur një fermë fushore. Edhe më mori malli, por edhe më shtyu kurioziteti. U nisa dhe vajta sipas adresës. Më tha se puna konkrete i jepte shumë kënaqësi. I kthehem: Ke të drejtë, unë ndoshta jam më i kollarisur se ti, por unë bëj ç’më thonë të tjerët, ti bën ç’do vetë. E tregova këtë detaj sepse mendoj se në qoftë se investohet që prodhimi bujqësor të jetë sa më pranë konsumatorit, edhe personat që kanë emigruar jashtë jam e bindur që do të kthehen të investojnë paratë e tyre për të ngritur plantacione e ferma të ndryshme bujqësore sepse ka shumë toka djerrë”.
 
FAMILJA
Bashkëshorti dhe vjehrra në ndihmë të ministres
Nëse ke një detyrë të madhe administrimi, duhet të përballesh njëkohësisht edhe me detyrat familjare. Por Themie Thomai thotë se e ka kaluar me sukses këtë pjesë problematike të jetës së saj. “Më kanë ndihmuar shumë në pozicionin që kur kam qenë kryetare e kooperativës në Këmishtaj qoftë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, që nga burri e vjehrra që më ka rritur fëmijët, dhe më vonë vetë fëmijët, të cilët më kanë kuptuar në rolin që kisha duke më qëndruar pranë. Këtë vit kam menduar t’ua kthej këtë vlerësim që më kanë bërë, pasi tashmë duke qenë në pension nuk kam më preokupime. Madje edhe si gjyshe e Dejvid dhe e Paulës, fëmijëve të vajzës”, shprehet Themie Thomai. Ajo shton se asnjëri nga fëmijët e saj nuk ka marrë profesionin e prindërve. Pra, as mjek stomatolog e as specialistë bujqësie. Të rinjtë e kanë kërkuar ndryshe të ardhmen e jetës së tyre.