Friday, March 15, 2024

Shqipëria e paarmatosur përballë një lufte të gjithëarmatosur


Nga 
Leonard Veizi
 
Bota po armatoset.
Koha e dalldisë së pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore u eliminua dhe rreziku Sovjetik, ka ikur. Ishte periudha, kur njerëzit menduan se nuk do të kishte më luftë dhe se ariu i stepave kishte rënë në letargjinë dimërore. Por dihet se letargjia është e përkohshme dhe ariu që ngrihet nga gjumi është i rrezikshëm për shkak të urisë. Ndaj krisi lufta. Luftë lokale gjithsesi, por për ekspertët e çështjeve ndërkombëtare nuk ka më nuanca. Shumëçka është kthyer në bardh e zi
Bota po armatoset.
Pas skadimit të afatit që u përcaktua pas Luftës së Dytë, në garë është vënë dhe Gjermania. Dhe Gjermania ka treguar se di të armatoset mirë dhe shpejt. Madje nuk duhet harruar se ishin shkencëtarët gjermanë, që i paketuan nga Berlini në avion, ata që i dhanë një hov teknologjisë amerikane menjëherë pas përfundimit të Luftës. Dhe kjo pati kulminacionin e vet me armatosjen bërthamore.
Nëntë shtete në botë posedojnë armët bërthamore me 12,705 mbushje gjithsej. Me kaq mbushje Toka bëhet satelit i Hënës, ose përfundon sa një asteroid pa trajektore.
Në Gjermaninë, - lokomotivë të trenit evropian, - e djathta ekstreme prej kohësh po tregon dhëmbët. Po merr terren. Por përsëri në Evropë hija e luftës nuk ndihet. Po aq sa dhe në vitin e largët 1933 kur Adolfi hipi në pushtet dhe shpalli Rajhun III.
Bota po armatoset.
Forcat Ajrore të SHBA po intensifikojnë një armë të re në kuadër të "Programi Quicksink".
Rusia po zëvendëson bombarduesit e vjetër, Tupolevët 160 me ata të rinj e shumë më modern e të fuqishëm 160M.
Kina kërkon të riformësojnë peizazhin ushtarak me armët e reja të energjisë kinetike. Dhe demonstron forcën para Tajvanit.
Turqia, më në fund, ka prodhuar avionët e saj KAAN. Kjo do të thotë se tanimë ky shtet kyç në kontrollin e Bosforit do të jetë më e pavarur përsa i përket këtij lloj armatimi.
Serbia ble gjithfarë armatimi nga Rusia e Kina, dhe përfiton para nga Bashkimi Evropian. Dhe ata hapin fondet, se mendojnë që Serbët do të qëndrojnë urtë para thasëve me para e nuk do hapin ndonjë front në prapavijë, gjë që do të çorientojë gjithë mekanizmin.
Kaq kaqola janë ata të BE-së? Doemos... nëse mendojnë se bashkë me zhvillimin e Inteligjencës Artificiale do ndryshojnë forcën e zakonit dhe thirrjen e ADN-së.
Bota po armatoset.
Lufta si term konvencional, - me armë konvencionale, - në mos është tek pragu, vërtitet aty rrotull. Çështje kohe, do thotë ndokush. Ëndrra janë, mbase dhe dalin.
Kjo do të thotë se ekspertë të sigurisë kombëtare nuk shohin dritë në fund të tunelit. Edhe nëse shohin, ajo me siguri është shpërthimi i ndonjë rakete.
Bota po armatoset.
Shqipëria e shkatërroi me zell municionin e saj... dhe mirë bëri. Tani po kërkon që mjetet e vjetra t’i vënë në përdorim sepse duhen municione. Ukraina kërkon ndihmë. Shqipëria ofrohet për të dhënë ndihmë. Kemi nisur të rrëmojmë në uzinat e Poliçanit dhe të Gramshit, me qëllim që të gjejmë ndonjë torno që të na bëjë punë. Ca mjete të tjera mund të na vijnë më të reja në kohë. Ja kështu do të gjallërojmë industrinë ushtarake. Atë industri që na e kishin montuar kinezët në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Por ne na u dukën të tepërta. Nuk kishim fuqi t’u vinin as ndonjë ushtar te dera e t’i mbanim të konservuara, por i lamë të shiteshin për skrap nga kontrabandistët e metalit.
Ejani o vëllezër, ka hekurishte sa të duash këtej nga ne! Uzina për t'u çmontuar, topa e tanke sa të duash. Barotin po dihet, e përpiu Gërdeci.
Bota po armatoset. Ne u çarmatosëm.
Sot Shqipëria ringriti aerodromin e saj të Qytetit Stalin. Se Kuçova është e shquar si vendburim nafte. Ndërsa si pozicion ushtarak, kemi Qytetin e Stalinit. Domethënë “Stalingradin” shqiptar.
Në këto ditë të turbullta, Shqipëria kërkon të kapë kohën e humbur, ndaj e sheh domosdoshmëri të vendosë në dispozicion të NATO-s dhe një bazë detare.
-Pushka top na u bëftë!
Po a rritet rreziku?
Ismail Kadare shkruan tek romani i tij “Dimri i Vetmisë së Madhe” pikërisht kur debatohen ngushtësisht mes dy delegacioneve, Sovjetik dhe atij Shqiptar, ndërmjet seancave të mbledhjes së 81 Partive Komuniste në Moskë.
-Në qoftë se baza sjell grindje, ta heqim! – tha Hrushovi.
-Si të doni! - tha Enver Hoxha. – Ekzistenca e bazës së Vlorës do të thotë që në rast lufte të digjet më parë Vlora se Sevastopoli.
E bëra këtë perifrazim për të thënë se kohët ndryshojnë por logjika mbetet e njëjtë. Pyetja mund të ketë sens. Por përgjigja... është më ekuivoke: Bashkë me të thatin do shkojë dhe i njomi.
Në kushtet e sotme, dhe në ato të së nesërmes, nuk është çudi që Sazani të kthehet përsëri në një vend të fortifikuar. Nuk është çudi që Porto Palermo të marrë sërish vlera për shkak se në tunelin e saj mund të strehohen shumë anije dhe duhet vetëm ca vaj për të vënë në punë mekanizmin e ndryshkur të portave.
Bota po armatoset.
Gara e armatimit që u mendua se u ndërpre të paktën 30 vite më parë ka rinisur ethshëm, dhe natyrisht, ajo nuk është ndërprerë asnjë ditë.
Bota është me konflikte rajonale, por po përgatitet për më shumë se kaq. Askush nuk e di se si do të shkojë puna nga orekset e superfuqive por dhe të fuqive të tjera që po rriten ethshëm. Duket qartazi se Evropa si kontinent është po aq e rrezikuar sa në Luftën e Madhe, po aq sa dhe në Luftën e Dytë Botërore. Vazhdon të mbetet një shesh lufte. Rritet rreziku. Skepticizmit për nisjen e një Lufte të re Botërore, pak vite pasi kishte mbaruar e para, i ka ardhur fundi. Megjithatë dhe sot jemi në një gjysmë përgjumje.
-Njerëzve u janë errur sytë nga të mirat që u ka sjellë fashizmi, - është një batutë nga filmi shqiptar “Balonat”.
Ne na janë errur sytë nga të mirat e demokracisë dhe zhvillimit të skajshëm teknologjik. Dhe nuk e kuptojmë se një shkëndijë duhet, po ashtu si në Gërdec vite më parë.
A jemi në prag lufte në fakt???
Ç'rëndësi ka kjo pyetje tanimë. Ajo duhet riformuluar: A ka Shqipëria këllqe në rast të një konflikti t'i bëjë ballë armikut? Të thërrasë nënshtetasit nën armë. Rekrutët të dinë të paraqiten në pikat e hapjes. Të marrin pajimet personale. Të jenë të aftë të përdorin armatimin bazë, që është ose një pistoletë, ose një pushkë, ose një automatik. Se nuk po flasim për përdorimin e tankut këtu, dhe as për pilotimin e avionëve supersonik. Apo do thoni ju që lufta moderne sot nuk pyet më për armatimin konvencinal se është kthyer në luftë kibernetike, por të paktën tanimë a kemi tunele mjaftueshëm për të futur kokën në rast bombardimi masiv me raketa,... apo më keq akoma?

Thursday, March 14, 2024

Në Elbasanin e “Ditës së Verës” dhe Tiranën e “Ditës së Pushimit”


Nga 
Leonard Veizi
 
Sado të mundohet Tirana me fuqinë e kryeqytetit, nuk ia merr dot peshën e rëndësisë së Ditës së Verës Elbasanin, trevës ku vazhdon të në festohet si një herë motit. Për komunitetin heterogjen të Tiranës, - ku se merr vesh i pari të dytin e për më tepër nuk bëhet fjalë, - ku një pjesë e të cilëve 14 marsin e ngatërrojnë me 14 shtatorin, Dita e Verës është thjesht një ditë pushimi.
-Të na rrojë Qeveria more shokë.
Për ata që e kanë xhepin plot, kjo do të thotë dhe më shumë. Se ia therrin malit me makinë e zënë ndonjë tavolinë restoranti, ku hanë e pinë sa për tri ditë bashkë.
-Epo Ditë Vere vëlla, e shporrëm dimrin më në fundi.
Por, gjithësesi kjo festë mesmuaji e ka bishtin prapa, se andej nga fundi i muajit janë “plakat” që të kujtojnë edhe një herë ditët e shkurtit, të ftohta por dhe me borë ndonjëherë.
Për Tiranën, që i përket bashkësisë së rretheve të Shqipërisë së Mesme, 14 marsi është një festë demokracie. Sepse para viteve ’90 të shekullit të kaluar, 14 marsi as që konsiderohej si ditë feste, pararësisht se njihej për procedurë. Dhe një tirons që donte të festonte, merrte turravrap rrugën e Kërrabës për të mbërritur në Elbasan.
Aty ahengu është aheng. Çok Gjyzel...

...Për Ditën e Verës në Elbasan terbjetet e një feste që cilësohet pagane janë ruajtur me fanatizëm. Më krahina të ndryshme të Shqipërisë Dita e Verës festohet në ditë të ndryshme. Por asnjëra prej tyre nuk krahasohet me 14 marsin e Elbasanit. Dhe hijeshia e festës mbulon krejt qytetin, por dhe zonën përreth, të cilën Sami Frashëri e pat cilësuar si “kërthiza e Shqipërisë”.
Gjithsesi, në Elbasan, Dita e Verës ka një ritual të veçantë. Madje as nata e ndërrimit të viteve, që jemi mësuar ta quajmë “Viti i Ri”, nuk e ka peshën e kësaj ngjarjeje.
-Ditë Verë or bab.
 
Festa dhe Gostia
Mëngjesi i Ditës së Verës, - në rastet më të larta të propabilitetit, - gdhin vërtet si ditë vere. Elbasanasit sajdisen enkas për këtë festë, dhe një pjesë e atyre që bëjnë xhiro poshtë e lart mureve të kalasë, dalin me mëngë zhapone, si për ta bërë fakt të kryer që dimrin e kemi lënë pas tashmë, dhe ditët e ngrohta na presin.
Në Elbasan festa fillon që mbrëmjen e 13 marsit. Me një darkë festive në shtëpi. Se terminologjinë vendase kjo është një “gosti”. Shtrohet tryeza më se e plotë. Nuk mungojnë aty gjeli i detit, qulli me ara, tava me pestil, tava e kosit, palat e fikut, për të vazhduar tek vera e rakia me bollëk.
-Janë hapur magazinat e italianit.
Natyrisht, në përmbyllje të të gjitha të ngrënave nuk mungon ballakumja e revania, të cilat amvisat i kanë gatuar që më parë. Dhe po të ngrihesh nga tavolina pas një darke a dreke të tillë, me siguri do të kesh shtuar 5 kile njëherazi, tensioni do të ketë shkuar, sa për spital, sheqeri mund të ketë shkuar në majë aq sa të të bjerë damllaja.
-Hajd se do shtrëngojmë rripin deri për Bajram.
 
Sekreti i ballakumeve
Për ditë vere tanimë është bërë zakon që ballakume gjen në çdo markatë e dyqan lagjeje. Por po t’i krahasosh ato me atë që prodhojnë elbasanasit e vjetër, do të të duken si biskota 5-lekëshe, nga ato që prodhonte kombinati.
-Eh, sa do zanati!
Sepse ballakumet e Elbasanit mund t’i prodhojnë vetëm elbasanllinjtë. Dhe kjo punë, përveç elegancës, ka disa sekrete.
Të jemi të qartë: sekretet nuk janë nga ato të kyçurat në arkiva e katakombe. Ato janë të hapura për çdo amvisë. “Sekreti” i vërtetë është tek përbërësit, tek koha e punimit dhe tek enët, tek të cilat kryhet i gjithë procesi. Dhe ka nga ato që ta japin formulën, duke e ditur mirë që sado të përpiqesh, përsëri nuk do të mund të bësh një ballakume, fjala vlen në Laçin e veriut apo në Patosin e jugut, të njëjtë me atë të Elbasanit.
Fillimisht merren enë bakri. Dhe flitet për enë të cilat janë të ruajtura në familje brez pas brezi. Pastaj do të merret miell misri i situr ose siç quhet ndryshe maja e miellit të misrit. Sheqeri duhet pluhur, dhe nëse ai është pak më i ashpër, gratë e punojnë fort me një nga enët e bakrit, për ta bërë sa më të imët. Preferohet gjalpi i freskët lope, i cili në fillim tretet në zjarr, – cilësia e tij ndihet nga aroma karakteristike që mbush ambientin, – dhe rrihet me sheqerin për të paktën nja dy orë të mira. Shumë nga praktikantët heqin përparëset se nuk ia dalin dot me këtë praktikë gjimnastikore. Por elbasanasit ia kanë marrë dorën. Meqenëse procesi është i gjatë e i lodhshëm, ena e madhe e bakrit kalon dorë pas dore te gratë e shtëpisë, të cilat e rrahin për nga 20 minuta secila. Vezët, të verdhat e të bardhat bashkë hidhen një e nga një në enën e bakrit, duke u përzierë me sheqerin pluhur e gjalpin e tretur më parë. Mbi to, së fundi, hidhet maja e miellit të misrit. Nuk rrihet me forcë, por trazohet derisa lidhet dhe bëhet homogjene, gjithmonë në enën e bakrit. Me një lugë të madhe druri, përbërësi ndahet në forma topi dhe piqen me zjarr të ngadaltë.
-Hej shyqyr që ia dolëm!
Ky është i gjithë procesi i bërjes së ballakumes. Duket i thjeshtë në sqarimin me shkrim, por fakti është që askush nuk e arrin dot magjinë e një elbasanaseje të vjetër e me shumë përvojë në këtë drejtim. Edhe revanija, si ëmbëlsira tjetër e barasvlefshme e Ditës së Verës, pak a shumë ka të njëjtën praktikë pune. Por në këtë gatim special përdoret edhe finja, që del nga hiri i drurit të djegur mirë që hidhet në ujë e më pas kullohet. Ajo që percepiton nga kjo formulë përdoret për ëmbëlsirën e revanisë.
 
Rituali dhe zakonet
Festa ka zakonet e vjetra, një pjesë e të cilave janë trashëguar brez pas brezi, dhe ca të tjera janë produkt i epokës moderne që po jetojmë. Që ta festosh Ditën e Verës duket pak a shumë të ndjekësh këtë itinerar: Në mëngjes çohesh pa zbardhur dita. Dhe vishesh me rroba të reja. Hapet dera e rrugës për të hyrë e mira e për të dalë së andejmi e keqja. Pas kësaj vihen për t’u zjerë vezë fshati, - jo nga këto industrialet e qytetit, kuptohet, - për të gjithë personat e familjes. Me ujin e tyre shpëlahet fytyra. Është ky një veprim që bëhet për të uruar fat, mirësi e shëndet, i cili duhet të jetë i bardhë si lëvozhga e vezës.
Ky është prologu i ritualit.
Pastaj këputet një fije që vendoset tek guri i zallit pranë derës, e që nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë. Itinerari vazhdon me vendosjen e veroreve në kyçin e njërës dorë. Veroret janë fije pambuku dyngjyrëshe, e kuqe dhe e bardhë, që do të thotë dashuri dhe paqe. Ndërsa fëmijët e vegjël bëjnë ‘kam” ose këmbë, tek të afërmit e tyre në shenjë mbarësie. Sepse ata konsiderohen si engjëj. Dhe është më e vlerësuar nëse këtë hap të parë e bën një fëmijë i gjinisë mashkullore. Për këtë veprim mbarësie fëmijëve u dhurohen pako me ëmbëlsirat tradicionale. Pastaj nis xhiroja në bulevardin kryesor të qytetit, i cili mban emrin “Qemal Stafa” një segment i së cilit kalon përbri mureve të kalasë mesjetare të  qytetit dhe që është vendi më atraktiv në pjesë urbane, pasi aty pranë janë gjetur dhe gjurmë të një qytetërimi të vjetër mbi 2000-vjeçar, pjesë e qytetit të vjetër, i cili quhej Skampa. Në orën 10 tradicionalisht mbahen karnavalet, me numra të ndryshëm argëtues. Por hapet dhe një një panair me produkte artizanale, që vitet e fundit është kthyer në një trend. Dhe pasi je lodhur duke bërë disa kilometra xhiro, ke pirë kafe dhe ndonjë gotë rakie, je i uritur për të nisur drekën. Dreka në këtë eveniment është një veprimtari e cila bëhet në shtëpi vetëm në rast të një kohe me shi. Sepse riti thotë së ajo duhet konsumuar me familjarët, për të ndarë sa më shumë gëzim mes njëri-tjetrit, në një ambient të hapur.
Para viteve ’90 të shekullit të kaluar, askush nuk drekonte në shtëpi por festohej në Parkun Rinia dhe në kodrat e Krastës. Sot kanë ndryshuar kohët, paguan lekët dhe prenoton një lokal, ku ke në dispozicion këngëtar live, apo një dixhej, e ku këndohet kënga “Më mirë në pyll se në qytet”.
 
Post festa
Ç’është e vërteta, sipas shkencës, cikli pranveror nis të paktën në 22 mars. Kjo pasi në hemisferën e veriut, baraznata e marsit, që ndodh më 20 apo 21 të muajit, është baraznata e pranverës dhe quhet: ekuinoksi pranveror.
-U mbytëm me terma shkencorë. Thjeshtohe ca mër daj.
Pikërisht në 21, data, dita dhe nata janë të barabarta, secila nga 12 orë.
-Ja u kuptuam më në fund.
Por 14 marsi nuk ka punë me shkencën pasi është një rit i ardhur nga qindra vite më parë. Ndoshta mijëra. Me hamendje e kemi. Por meqë thuhet se është pagane, duhet të jetë të paktën 2000-vjeçare. Por nuk është fare çudi që të jetë një përshtatje e turqinizmave mesjetare me atë të epokës së akullnajave.
 
*E përditësuar. Shkrimi fillestar i botuar në “Fjala” më 15/03/2022
 
 

Tuesday, March 12, 2024

“Operacioni Valkyrie”, Sebastian Koh e Tom Kruis në garë për të vrarë Adolfin



Nga Leonard Veizi
 
Ai kishte një sy të hequr, një dorë të cunguar, e plagë të tjera të marrë në luftë, por në dorën tjetër me tre gishta shtrëngonte valixhen ku kishte kronometruar shpërthimi e një bombe. Dhe meqenëse ishte një kolonel i Vermahtin dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë Rezervë, - dhe si i tillë konsiderohej i besuar, - iu afrua Fyhrerit në një distancë prej vetëm dy metrash. Gjithçka do të kishte shkuar perfekt nëse një nga oficerët që u pengua tek çanta, e lëvizi atë...
 
...Një përfaqësi ushtarakësh madhorë kishin vendosur ta eliminonin Shefin e Madh, duke menduar njëkohësisht se kjo do të ishte më e mira për të ardhmen e Atdheut, Gjermanisë. “Operacioni Valkyrie”, ishte një plan që u jepte komandantëve të ushtrisë rezervë autoritet mbi gjithë të tjerët, duke përfshirë edhe Gestapon e trupat “SS”, në rastin e një kryengritjeje të brendshme. Por plani dhe pse i kuruar me kujdes, dështoi. Kjo më pas solli një sërë analizash dhe plot histori herë të vërteta e herë të fabrikuara derisa e vërteta u zbardh mes arkivave e dëshmitarëve të mbetur. Kështu autori amerikan Blaine Taylor ka shkruar një histori të gjatë me titullin “Komploti më i madh për të vrarë Hitlerin? – Operacioni Valkyrie” dhe po aq francezi Pier Galante shkroi librin “Operacioni Valkyrie: Komploti i gjeneralëve gjermanë kundër Hitlerit” botuar në vitin 1981. Dhe mbi to janë realizuar dy filma.
 
“Stauffenberg”
“Stauffenberg” është një film televiziv gjermano-austriak i vitit 2004 nga “Das Erste”, i cili flet për Klaus Shenk Graf fon Shtaufenberg dhe komplotin e 20 korrikut 1944 për të vrarë Adolf Hitlerin. Filmi u transmetua për herë të parë më 25 shkurt 2004 në televizionin gjerman ARD.
Shtaufenberg bëhet armik i politikës së Hitlerit, sepse gjeneralmajor Henin von Trekou e informon atë për krimet gjermane të luftës prapa frontit rus. Më 20 korrik 1944 ai shkon me një bombë me sahat në çantën e tij në një sallë konferencash në selinë e Hitlerit në Uollshanze pranë Rastenburgut në Prusinë Lindore. Bomba shpërtheu. Katër persona u vranë menjëherë, por Hitleri mbijetoi. Filmi u vlerësua si “filmi më i mirë” në “Deutscher Fernsehpreis” dhe që janë dhe Çmimet e Televizionit Gjerman. Filmi mban emrin ndërkombëtar në anglisht “Operation Valkyrie”. Në të interpretojnë Sebastian Koh në rolin e Klaus fon Shtaufenberg, Remo Girone në rolin e Ludvig Bek, Ulrik Tukur në rolin e Hening Von Trekou, David C. Baners në rolin e Albreht Mertz fon Kuenhajm
 
“Valkyrie”
“Valkyrie” është një film thriller i vitit 2009 me regji të Brajën Singer, shkruar nga Kristofer Mekuori dhe Neithën Aleksandër, me protagonist Tom Kruis. Filmi zhvillohet në Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përshkruan komplotin e 20 korrikut në 1944 nga oficerët e ushtrisë gjermane për të vrarë Adolf Hitlerin dhe përdorimin e planit të emergjencës kombëtare “Operacioni Valkyrie” për të marrë kontrollin e vendit. Filmi u publikua nga studio amerikane “United Artists” ku luan Tom Kruis si kolonel Klaus fon Shtaufenberg. Kasti mbështetës përfshin Keneth Brane, Bill Nij, Edi Izard, Terenc Stamp dhe Tom Uillkinson.
Trupa e Kruise shkaktoi polemika për shkak të praktikës fetare të “Scientology” që ka manifestuar aktori, e cila shihet me dyshim në Gjermani. Megjithatë trupës iu dha akses në vende të tilla si “Bendlerblock” historik i Berlinit, që ishte dhe selia ku vepronte Agjencia e Inteligjencës “Abwehr”. Gazetat dhe kineastët gjermanë e mbështetën filmin dhe synimin e tij për të përhapur ndërgjegjësimin global për komplotin e fon Shtaufenberg. Filmi mori vlerësime përgjithësisht pozitive nga kritikët dhe fitoi rreth 201.5 milionë dollarë në mbarë botën.
 
Koloneli
Në jetëshkrimin e tij thuhet se Shtaufenberg, ashtu si shumë ushtarakë të tjerë gjermane i pa me shqetësim lëvizjet drejt pushtet të nazistëve. Megjithatë, kur Hitleri erdhi në krye të vendit, ai u betua për besnikëri ndaj Fyhrerit. Shërbeu në pushtimin e Polonisë në vitin 1939, duke besuar se ku vend duhej të kolonizohej nga Gjermania. Më pas kontribuoi edhe në pushtimin e Francës në vitin 1940. Tregoi impresion për mendjemprehtësinë ushtarake të Hitlerit, por edhe u alarmua nga ambiciet e tij pa kufi.
Gatishmëria e Shtaufenbergut për t’iu bashkuar rezistencës dhe komplotuar për përmbysjen e Hitlerit nga pushteti, ka të ngjarë të jetë rritur në disa faza. Egërsia e pushtimit të Bashkimit Sovjetik, e shoqëruar me ekzekutimet masive të hebrenjve, rusëve dhe ukrainasve, e neveritën atë. Nga viti 1942, ndjesia në rritje se Hitleri qe duke e çuar Gjermaninë drejt greminës i shtoi vendosmërinë. Plagosja e rëndë që pësoi në Afrikën e Veriut në vitin 1943 ishte shkatërruese – ai humbi dy gishtat e dorës së majtë, gjithë dorën e tij të djathtë dhe syrin e majtë – kjo gjendje e vendosi në pozitën për të vepruar.
 
Situata
“Operacioni Valkyrie”, siç u kodua komploti, ka depërtuar në ndërgjegjen kombëtare të Gjermanisë Perëndimore, duke marrë konturet e një miti ngushëllues. Sepse vrasja e Fyhrerit kishte për qëllim t'i tregonte botës se gjermanët si popull nuk ishin bashkëpunëtorë të Hitlerit.
Gjatë vitit 1943 dhe fillimit të 1944, kundërshtimi ndaj Hitlerit në qarqet e ushtrisë së lartë u rrit pasi situata ushtarake e Gjermanisë u përkeqësua. Planet për grushtin e shtetit, të koduara me emrin në gjermanisht “Walküre”, u vendosën në fund të vitit 1943, por Hitleri, gjithnjë e më i dyshimtë, u bë më i vështirë për t'u aksesuar dhe shpesh ndryshonte papritur orarin e tij, duke penguar kështu një numër përpjekjesh të mëparshme për jetën e tij.
Drejtuesit e komplotit përfshinin gjeneral kolonelin në pension Ludvig Bek (ish-shefi i shtabit të përgjithshëm), gjeneralmajor Hening von Treskou, gjeneral kolonel Friedrih Ollbriht dhe disa oficerë të tjerë të lartë. Field Marshalli Ervin Romel, një nga komandantët më prestigjioz të Gjermanisë, ra dakord me komplotistët se Hitleri duhej të hiqej nga pushteti,
 
Ngjarja
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, koloneli i Vehrmaht-it, Klaus von Shtaufenberg, vendoset në Tunizi, Batalioni i tij sulmohet nga bombarduesit luftarakë P-40. Shtaufenberg plagoset rëndë dhe evakuohet në Gjermani. Ai zhgënjehet gjithnjë e më shumë për të ardhmen e vendit nën Hitlerin.
Ndërkohë, Adolf Hitleri viziton selinë e tij ushtarake në Frontin Lindor. Gjenerali Hening fon Treskou tenton të vrasë duke kontrabanduar një bombë me sahat të maskuar si një kuti që përmban një shishe aperitivi “Cointreau” në aeroplanin e tij. Bomba dështon të shpërthejë dhe avioni i Hitlerit u ul i sigurt në Berlin. Menjëherë pas kësaj, anëtari i rezistencës gjenerali Hans Oster arrestohet nga Gestapo.
Shtaufenberg është rekrutuar nga gjenerali Fridrih Ollbriht për të zënë vendin e Osterit në Rezistencën Gjermane, e cila përfshin Trekou, gjeneral Ludvig Bek, Dr. Karl Gordeler dhe Field Marshall Ervin von Vitzliben. Staufenberg propozon përdorimin e Operacionit “Valkyrie”, i cili përfshin vendosjen e Ushtrisë Rezervë në një emergjencë kombëtare, si një mjet për të marrë kontrollin e vendit. Komplotuesit rihartojnë urdhrat e planit për të mundësuar shpërbërjen e regjimit nazist pas vrasjes së Hitlerit. Promovimi i Shtaufenberg brenda Ushtrisë Rezervë i jep atij akses të drejtpërdrejtë me Hitlerin, i cili miraton planin e riformatuar pa i shqyrtuar plotësisht ndryshimet. Duke kuptuar se vetëm gjenerali Friedrih From, kreu i Ushtrisë Rezervë, mund të inicojë “Valkyrie”, ata i ofrojnë atij një pozicion si kreu i Vehrmahtit pas grushtit të shtetit; por From, megjithëse pranoi të heshtë për këtë çështje, nuk pranon të përfshihet drejtpërdrejt.
Më 20 korrik, Staufenberg shkon në “Strofkën e Ujkut”. Për shkak të motit të ngrohtë, mbledhja mbahej në një kazermë verore me dritare të hapura, duke minimizuar efektivitetin e mundshëm të bombës. Në mesditë 21 oficerë, dy stenografë dhe vetë Fyhreri u ulën në një tavolinë të gjatë dhe të rëndë lisi për të marrë në shqyrtim zhvillimet e fundit. Kolonel Klaus fon Shtaufenberg mbërriti me vonesë në këtë takim por si oficeri i besuar zuri vend më pak se dy metra larg në të djathtë të Hitlerit, duke e vendosur çantën pranë tabelës shpjeguese të mbledhjeve. Lajmet që u raportuan në mbledhje nuk qenë aspak të mira. Trupat ruse kishin përparuar përgjatë Frontin Lindor, dhe gjendeshin pak më shumë se 60 milje larg nga ”Strofka e Ujkut”. Në perëndim, në 6 qershor aleatët kishin zbarkuar në plazhet e Normandisë, duke arritur të krijonin Frontin e Dytë.
Më pas, duke këmbëngulur se kishte nevojë të kryente një telefonatë urgjente me Berlinin, Shtaufenberg doli papritmas nga dhoma. Oficeri Heinz Brandt padashur lëvizi valixhen pas një këmbe të tavolinës, gjë që e mbrojti Hitlerin. Shtatë minuta më vonë, çanta shpërtheu. Tre oficerë dhe një stenograf vdiqën në vend. Të tjerë pësuan tronditje të forta. Hitleri ishte në mesin e të mbijetuarve.
Pas shpërthimit, i bindur Hitleri ishte vrarë, Shtaufenbergu u largua me shpejtësi nga “Strofka e Ujkut” duke kaluar pikat e kontrolli. Pas një fluturimit prej tre orësh mbërriti në Berlin. Në zyrat e Ushtrisë Rezerviste në Bendlerblock, filluan të qarkullojnë fjalët se Fyhreri kishte mbijetuar. Këmbëngulja e Shtaufenbergut se Hitleri kishte vdekur, dhe se për këtë arsye plani duhet të vazhdonte, u mbështet nga disa dhe kundërshtua nga të tjerët.
Ollbriht refuzoi të mobilizojë Ushtrinë Rezervë pa konfirmim se Hitleri kishte vdekur; por koloneli fon Kuenhajm, një nga komplotistët, falsifikon nënshkrimin e tij dhe lëshoi urdhrat. Me “Valkyrie” në zhvillim e sipër, komplotistët urdhërojnë arrestimin e drejtuesve të partisë naziste dhe oficerëve SS, duke bindur ushtarakët se Partia dhe SS po bënin një grusht shteti ndaj ushtarët duhet të merrnin kontrollin e ministrive.
Majori Oto Ernst Remer i Ushtrisë Rezervë përgatitet të arrestojë Josif Gëbelsin, por ai ndalon kur Gëbels e lidh atë me telefon me Hitlerin. Duke njohur zërin në anën tjetër, Remer kupton se Ushtria Rezervë ishte mashtruar. Oficerët SS lirohen dhe komplotistët rrethohen brenda "Bendlerblock".
Pasi mësoi nga Field Marshall Vilhelm Keitel se Hitleri është ende gjallë, Gjenerali From refuzoi të bashkohet me komplotistët. Ai mori kontrollin  e situatës dhe u përpoq të pastrojë emrin e tij. Mblodhi një gjykatë ushtarake të improvizuar, vendosi Bek-un në arrest dhe dënoi me vdekje von Kuenhajm, Ollbriht, fon Heften dhe Staufenberg. Bek-ut i jepet një pistoletë me të cilën ai kryen vetëvrasjen.
Në orët e para të mëngjesit të 21 korrikut 1944, komplotistët u ekzekutuan në oborrin e Bendlerblock. Fjalët e fundit të Shtaufenbergu ishin: – “Rroftë Gjermania jonë e shenjtë”
 
“Stauffenberg” vs “Valkyrie”
Skenarët e dy filmave janë pothuajse identikë, megjithatë ka disa dallime domethënëse në mënyrën si tregohet historia, të cilat e bëjnë të vlefshëm krahasimin e dy filmave.
Titulli “Stauffenberg” tashmë tregon se fokusi është shumë më pak te Operacioni Valkyrie sesa te njeriu vetë Staufenberg. Dhe ky është në fakt problemi më i madh i këtij prodhimi televiziv. Është mjaft konfuze dhe për dikë që nuk është i njohur me historinë, nuk është e qartë se çfarë është Operacioni Valkyrie. Isha i lumtur që kisha parë filmin amerikan përndryshe do të kisha humbur pak pasi nuk e njihja të gjithë historinë.
Ndërsa “Valkyrie” fillon me Staufenberg në Afrikë, filmi “Staufenberg” fillon shumë më herët. Staufenberg-un e shohim fillimisht në Berlin, me të fejuarën dhe gruan e tij të ardhshme Nina, më vonë ai është në Poloni dhe vetëm më pas në Afrikë. Kjo ndihmon për të kuptuar motivimet e tij për të vrarë Adolf Hitlerin.
 
Valkyrie
Po përse operacioni mori emrin “Valkyrie?
Në mitologjinë norvegjeze, një valkyrie është një prej morisë së figurave femra që drejtojnë shpirtrat e të vdekurve në sallën madhështore të Valhalla, - e cila është dhe "salla e të vrarëve" me heronj e mbretër të ndryshëm legjendarë gjermanikë, - e që udhëhiqet nga perëndia Odin.

 

Monday, March 11, 2024

Në Byshek, me ujin brisk e rrape shekullorë

 Shënime udhëtimi

I gjithë rezervati është i vogël, por shumë shijues. Ajo që e bën të veçantë këtë zonë, nuk lidhet vetëm me ujin e ftohtë që buron pa fund, por edhe me disa rrape shekullorë

 

Nga Leonard Veizi 

Nëse nuk i ke punët në terezi aq sa të kërkosh të “arratisesh” jashtë shtetit për një fundjavë, do shohësh për atraksione turistike brenda vendit. Ndonjëherë brenda rrethit, e maksimimi në ndonjë pikë të afërt të rrethit fqinj.
Dy janë arsyet që të pengojnë në realizimin e një axhende të tillë. E para, situata gripale të cilin herë-herë na e kthejnë në gogol për të trembur të vegjlit dhe të rriturit. E dyta, jo më pak e rëndësishme është se në rastin më të mirë, shumica e shqiptarëve ose kanë një ditë pushimi javor, ose janë në punë me turne e nuk rakordojnë dot. Dhe këtu u jap të drejtë deri në fund atyre që militojnë me partitë politike, bëjnë jetën e organizatës bazë dhe ulërijnë sa u del fyti vendit nëpër mitingjet elektorale, sepse duan medoemos të kapin një cep tavoline aty tek administrata shtetërore. Në të vërtetë, administrata mund të mos i ketë rrogat në lartësinë e duhur, por sa për benefice… Më e dukshmja është ajo e ditëve të pushimit. E fillon të premten nga dreka dhe deri të dielën në darkë, ke mundësi të marrësh makinën, t’i hipësh autobusit turistik, por dhe të presësh një biletë avioni, or lum miku, e ta bësh një xhiro nëpër kontinent, se ke kohë boll. Kjo punë është çdo javë, pa përmendur 28 ditët vjetore të pushimeve që mund të ndërmarrësh edhe ndonjë rrugë kozmike.
Kjo me siguri konsiderohet si inflacion pushimesh.
Për të tjerët, dita e pushimit është e shenjtë. Dhe për t’u çlodhur e marrë veten nga java me temperatura të luhatshme të fillim pranverës, - me viruse në këmbë, ku tanimë Covidi është bërë si i shtëpisë, - shumëkush planifikon një tur nëpër fshatrat e Shqipërisë. Kjo na ka mbetur tek e fundit; njohja e atdheut. Në hartën e google-s zarat e hedhur na dhanë dy alternativa: Ujëvara e Shëngjergjit dhe burimet e Byshekut. U zgjidh me konsensus destinacioni i dytë. Motovi ishte i thjeshtë, shmangie nga kthesat e shumta të rrugës që të çon në Shëngjergj, duke preferuar rehatllëkun e autostradës deri në Bradashesh. Por dhe për shkak se atmosfera e Ditës së Verës në zonë ka filluar të ndihet që ditët e para të marsit.
Në distancë kilometrike të dy fshatrat, njëri në Tiranë e tjetri në Elbasan, kanë pak a shumë të njëjtën largësi diçka më shumë se 40 kilometra.
Sa për informacion, Bysheku është një zonë pranë fshatit Shushicë, e cila është pjesë e Njësisë Administrative të Shushicës, që përfshihet nga Bashkia e Elbasanit. Ndodhet 9 km në juglindje të qytetit, ose 49 km larg Tiranës, por gjithmonë nga qendra. Në të vërtetë, nga Unaza e Elbasanit deri në Byshek janë vetëm 6 kilometra. Sepse Bysheku ndodhet në jug të qytetit, në luginën e Shkumbinit në të majtë të rrjedhës së tij. Pra, janë aq metra linearë sa mund të thuash “një vrap pele”.
Informacionet e faqeve elektronike të sqarojnë se e gjithë zona ka rreth 4000 banorë, ku 50% e popullsisë së zonës merret me bujqësi. “Shushicë” do të thotë “vend me ujë” ku në fakt, në mjaft pika të kësaj zone ka vendburime uji. Një variant tjetër është “Shushurimë” e cila është krijuar sipas zhurmës së ujit që shushurin. Sipas “google maps” elbasanasve u duhen vetëm 11 minuta për ta shijuar këtë mrekulli të natyrës. Ndërsa për banorët e Tiranës duhen rreth 40 minuta. Për më tej se kaq nuk marr mundimin të bëj llogaritë. Te e fundit, të gjithë kanë Google Maps e dinë të bëjnë llogari.
Njësia administrative Shushicë njihet dhe për disa monumente të tjera kulturore me vlera të mëdha historike dhe arkeologjike, si pjesë të rrugës së vjetër “Egnatia”, që degëzohet në fshatin Fushë-Buall. Në Byshekun piktoresk ndodhet një prej burimeve karstike më të rralla në vend. I gjithë vendi ka një sipërfaqe prej 2000 metra katrorë sipërfaqe ujore, ku prurjet që dalin rrëzë një shkëmbi gjigant, janë 70 litra në sekondë.
Mbërrijmë në Byshek, i cili na shfaqet përballë në mënyrë befasuese. I gjithë rezervati është i vogël, por shumë shijues. Ajo që e bën të veçantë këtë zonë, nuk lidhet vetëm me ujin e ftohtë që buron pa fund, por edhe me disa rrape shekullore me zgavra të mëdha.
“Do të mbetesh vetëm Irenë”. Kjo është një fjali nga skenari i filmit shqiptar, “Pranvera s’erdhi vetëm” ku regjisori Piro Milkani ka zgjedhur që disa sekuenca t’i realizojë pikërisht në këtë zonë turistike. Sepse Bysheku nuk është njohur si zonë turistike këto vitet e fundit.
Ai ka qenë i tillë edhe para viteve ’90. Dhe po të bësh krahasimin e vitit 1986, kur është realizuar ky film, me vitin 2024, do të shohësh se vendi është i njëjtë si atëherë dhe sot. Por nëse në ilustrimin kinematografik shihet se toka është e mbuluar nga bari i gjelbër, tanimë do të ndeshësh më së shumti në një tokë të zhveshur në ngjyrë kafe të hapur.
Gjithsesi, ujët e ftohtë të burimit dhe rrapet qindravjeçare i japin zonës hijeshinë dhe qetësinë e munguar, për të kaluar një ditë interesante dhe larg kaosit të kryeqytetit.Por mbi të gjitha duhet evidentuar dhe puan e vendasve. Kudo toka të punuara dhe pemët e ullinjve që qëndronin të kuadratuar në rresht.
I quajtur ndryshe si “Driloni” i Elbasanit, Byshekut i duhen ca më shumë investime serioze. Sepse kuptohet lehtë që për shumë e shumë vite aty askush nuk ka vënë, përveç se është keqtrajtuar gjatë viteve, kur shteti nuk e ka pasur të përqendruar vëmendjen te zonat turistike, sepse në interes të tij kanë qenë doganat, portet dhe aeroporti.
Ç’është e vërteta, Bysheku është një nga zonat e përfshira në projektin zhvillimor “100 fshatrat”. Por deri tani investimet ende nuk janë dukur nga ato anë.
Padyshim ditë të ngarkuara në këtë resort turistik, - nëse mudn ta quajmë kështu - janë ato të pushimeve, ku njerëzit mësyjnë e nuk gjen tavolinë të lirë për be, por që në majë të piramidës qëndron 14 marsi si Dita e Verës, e cila edhe pse një festë kombëtare duket se rrënjët më të thella i ka në gjithë trevën e Elbasanit.
Vendasit të thonë se Bysheku shumë vite më parë ka qenë një zonë shumë e pastër. Më pas zona u ndot dhe nuk mirëmbahej. Por turistët vendas nuk e braktisën asnjëherë. Tanimë situata ka ndryshuar sërish. E, megjithatë, në basenin e madh ku mblidhet uji i dalë nga burimi shkëmbor, jo rrallë gjen shishe birre e kanaçe pijesh të gazuara të hedhura aty-këtu si dhe ambalazhe patatinash.
Dhe kjo pa dyshim që ka të bëjë me kulturën qytetare të fshatarëve që vijnë nga zonat përreth e që, me sa duket, të paktën për një ditë të vetme, e shohin veten si turistë anglezë. Zgavrat e rrapeve madhështore që përdoreshin dhe si magazina për të strehuar gjithfarë objektesh, tanimë janë të pastruara e mund të bësh ndonjë fotografi artistike.
Numri i makinave që vijnë në Byshek nuk është shumë i lartë, por duke qenë se nuk kanë një vend ku të parkojnë, shumë prej tyre futen brenda rezervatit, ndërsa ato që mbeten të parkuara buzë rrugës e bëjnë edhe më problematik qarkullimin e automjeteve të tjera.
Një drekë nën hijen e rrapeve është një atmosferë më vete. Por ajo që të përmirëson ndjeshëm situatën dhe të bën të marrësh frymë i lehtësuar është çasti i pagesës. Të mësuar me faturat e rënda në lokalet e vijës bregdetare, sidomos kur shkon për verim andej nga Zona e Parë Operative, Vlorë – Llogara – Sarandë, fatura e Byshekut të duket e lehtë pendë. Dhe, për më tepër, prodhimet edhe nëse nuk janë krejtësisht bio, të paktën janë shumë më pranë tyre.
Dhe me kaq dita e pushimit mbaron. Sepse të nesërmen avazi nis sërish…
 
*E përditësuar. Shkrimi fillestar i botuar në “Fjala” më 13/07/2020

Friday, March 8, 2024

Mësuesit po ia mbathin, nënat zgjidhin ekuacionet me fëmijët

 Me rastin e 7-8 marsit


 
Nga Leonard Veizi
 
Ka rastisur që në kalendarin shqiptar të festave, katër të tilla, - dy e nga dy, - të jenë afër njëra-tjetrës. 28 dhe 29 Nëntori si dhe 7 – 8 Marsi.  Sa mbaron festimet njëra, nis festimet tjetra. Është dhe 15 dhe 16 Tetori. Por këtyre dy datave të shtrenjta kësaj here nuk po i japim shumë rëndësi, edhe pse në ditë të tilla që nuk janë rrethuar me bojë të kuqe, kanë lindur burra shteti që kanë drejtuar me dorë të hekurt.
Por le të vijmë tek aktualiteti.
Gëzuar 7-8 Marsin!
Po ndodh që armata e mësuesve nuk është aty ku duhet në fakt. Edhe pse i bëjmë ledhe e i marrim me të mira sa më s’ka. Kanë lëvizur rreshtat dhe armata po rrudhet. Do pyesni ju: ç’u bë me rritjen e pagave. Atë e di qeveria. Ne lapsin kemi. Por shqetësimi im është tjetër kund.
Shqipëria është me halle shumë. Pas hemorragjisë së vazhdueshme të mjekëve, po ndihet mungesa dhe tek mësuesit. Domosdo, kur ndihet mungesa e kamerierëve dhe e punëtorëve të brumit që bëjnë byrek, natyrisht që do t’u vitne radha dhe zanateve të tjera.
Mësueset po ikin. Zëvendësues nuk ka. Të vetmet që mund ta bëjnë këtë punë janë nënat. Të paktën ato do t’i mësojë fëmijët. Aq sa munden. Sepse nënat në shumicën absolute të tyre nuk janë dhe pedagoge universiteti. Ato mund të japin vetëm në cikël të ulët. Kështu që do rritet një brez ku do dinë vetëm gjërat bazë.
-Rroftë 8 Marsi! Për 7-tën do mendohemi...
Me siguri, pas ca vitesh, 7 Marsi do ikë nga kalendari si ditë e shënuar. Do mbetet si kujtesë.
Duke iu referuar një hulumtimi të kryer nga Top Channel, si media kombëtare, është evidentuar se në institucionet arsimore parauniversitare ka më shumë se dymijë vende të lira për mësues, ku vetëm shkollat e Tiranës vuajnë për 202 mësues.
Ore punë ka, por s'ka profesionistë, e kemi thënë kush e di sa herë.
Keq muhabeti. Mirëpo nuk jemi as në mesjetë dhe as nën obskurantizëm. Jemi në vitet e arta të iluminizmit.
Por me sa duket për ne shqiptarët do të vijë dita ku s’do ketë njeri të na bëjë një leksion dhe do përfundojmë si Muzaka që xha Hyseni i mësonte fshehurazi gjuhën shqipe:
Normal, se kësaj i thonë të pyesësh: A do i verbri sy?!
-Më-më-dhe i da-shur!
-Oh rrofsh more bir, më kënaqe! Një komb rron edhe zhvillohet në sajë të gjuhës së vet, ndryshe në gjuhë të botës ai tretet, – thosh Hyseni si burrë i mençur që ishte.
Sot, më shumë se 100 vjet pas kësaj situate, ku Shqipëria i kaloi me sukses etapat e shkollimit dhe ngriti plot universitete, po na mungojnë mësuesit.
Ka mbetur vetëm nëna si mësuese bazë.
Nëpër rrethe e shkolla fshati ku ka klasa të bashkuara, mësuesi i kimisë jep dhe edukimin fizik. Ai i matematikës jep dhe vizatimin. Ndërsa ai i fizikës dhe lëndën e muzikës. E të keqen o Bethoven... le të flasim pastaj për Shopenin e Paganinin.
-Shegë, hajde këtu! Lëre leckën dhe nisu! Lajmëro që nesër në mëngjes të jenë të gjithë këtu: Dulja me fizarmonikë, Remziu me violinë, të vijë dhe Xhevahiri me gërnetë...
-...Edhe Arifi me mandollë o drejtor se kur martuam djalin e kunatit ja mua mishi, kokrra-kokrra.
Mungesa e mësuesve në Shqipëri është një çështje komplekse, dhe ndikon në cilësinë e arsimit. Është e rëndësishme që qeveria të marrë masa për të adresuar këtë problem dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen dhe angazhimin e mësuesve në sistemin arsimor.
Por situata e sotme në Shqipëri duket ca si qesharake.
-Po kjo është parimore more shokë. Një shoku ynë i klasës punëtore e dredh fjalën si tel. Por unë do të ankohem.
Mungesa e mësuesve në Shqipëri është një sfidë e njohur, me shumicën e shkollave që përballen me këtë problem. Çështjet e pagave, kushtet e punës dhe mungesa e motivimit janë disa nga arsyet që kontribuojnë në këtë situatë.
Por nënat mbeten gjithsesi.
Rroftë 8 Marsi. Kush po pyet më për 7-tën.
Nga e keqja.... Si dikur kur u hapën kurset e analfabetizmit e gratë shkuan të mësonin ABC-në edhe tani do u qëndrojnë mbi kokë më shumë fëmijëve që nuk marrin dot arsimin e duhur.
-Kush nuk di shkrim e këndim me u regjistru në shkollën e flamabetizmit, – sqaronte Filja, nusja e shtëpisë, vjehrrën që ishte dhe nëna e Cucës së Maleve.
-Analfabetizmit, - e ndreqte Cuca.
-Ama-flama-beizmit... – vazhdonte në të vetën Filja. Dhe mirë e kishte. Për flamë ka shku shkolla sot. E dinte Filja që s'kish të ardhme ky muhabet.
Por nënat, si mësuan vetë, nisën t’u japin mësim edhe fëmijëve. Dhe kështu shkon zinxhiri.
Po jo si Vangjelia, gruaja e shokut Kristofor që i thosh mësuese Norës, e cila i jepte djalit matematikë:
-Ne djalin e kemi të mirë. Vjet në matematikë ishte nxënës i nëntës dhe i dhjetës. Sivjet ra në fund të klasës. S’ka Vangjeli këtu, po akuzohemi sikur nuk dimë të edukojmë fëmijët.
E si vete puna.
Tek filmi “Lum Drite” mësuesi nga qyteti vraponte mbi një pasarelë me qëllim që të ishte në kohën e duhur për t’u dhënë mësim fëmijëve. Ishin vite të vështira por jo aq sa tek “Komisari i Dritës”,  kur mësuesin e vranë pas shpine duke korrigjuar detyrat e nxënësve.
Dhe dituria në Shqipëri ka ardhur përmes një lumi gjaku. Kjo ka nisur që me eliminimin e korifenjve të saj: Petro Ninit, Dhaskal Todhrit, Papa Kristo Negovanit...
Sot nuk vrapon njeri për në punë. Po s’e kapi njeri orarin të jepet një mundësi e dytë.
-Duku andej nga shtëpia... për një kurs.
-Mirëpo vihet tek tjetri duar bosh? Jo. Çdo shtëpi e ka nga një hall. Kështu që kur të zbresësh herë tjetër hajde me mend në kokë.
Dhe i mbushi Dania nja dy trasta plot me fasule, mish pastërma, e shishe rakie.
Mirëpo sot 7-8 Marsi në Shqipëri është ditë ahengu. Në fakt mund të protestohet fuqishëm mund të protestojnë mësuesit për ca të drejta të tyre, edhe gratë për të tjera të drejta. Jo se nuk kanë. Por gjithmonë ka vend për përmirësim.
 
 
 

Thursday, March 7, 2024

Kur 25 mijë shqiptarë “elegantë” e pantallona doku zbarkuan në Itali

 7 Mars 1991


Nga 
Leonard Veizi

Shqiptarët e kishin parë Italinë vetëm nëpërmjet televizorit. Shumë prej tyre ndiqnin me fanatizëm një emision mesditë të Rafaela Kara-së. Dhe thuhej nëpër tavolina qebaptoresh e zgëqe intelektuale se ajo ishte puro shqiptare. Dhe kjo vërtetohej lehtë se biondina e hijshme kishte për mbiemër atë që Mahmut pashë Bushatlliu i Shkodrës e kishte si titull para emrit “Kara”. Por nuk e dinin se në fakt bombën do ta plaste Ana Hoxha, e bija e Qazimit prej Kruje. E veç kësaj shqiptarët kishin mësuar dhe gjuhën italiane. Por për t’i vënë vulën e thatë, nuk kishte shqiptarë që të mos ishte pak tifoz me Italinë e të mos njihte të gjitha formacionet me të cilat Apeninet kishin luajtur në kompeticionet e rëndësishme. Dhe ëndërronin. Ëndërronin që një ditë ata më tërë bagazhin e tyre intelektual, ku futeshin dhe këngët e Adriano Çelentanos, të mbërrinin një ditë në kryeqytetin e gadishullit e të marshonin mbi kalldrëmet e Romës.
Ëndërronin aq sa ëndrra e tyre u kthye në barsoletë: "Nëse do të thahej Adriatiku, nuk do mbeste më asnjë durrsak në Durrës... Sepse të gjithë do të shkonin në Itali: Po kjo merrte formë sipas vendeve. Por po aq lehtë adoptohej edhe për Vlorën. Por jo për Sarandën që më afër kishin Grekun. Dhe as për shkodranët që në tokë të thatë mund ta vinin njërën këmbë shpejt e shpejt në tokat i ish-Jugosllavisë.
Por deti Adriatik nuk u tha ndonjëherë. Veç në është tharë në epokën e akullnajave. Megjithatë, nga Durrësi, stacionet më të afërta italiane nuk ishin fort të largëta. “Një vrap pele” si të thuash. Dhe shqiptarët e gjetën mundësinë që pa tokë të thatë të mbërrinin në Italinë mike, të cilën 45 vite më parë gjyshërit e tyre e cilësuan si armike për shkak të pushtimit të Atdheut nga trupat e gjeneral Guxonit, i cili udhëhoqi 25.000 ushtarët e parë të zbarkonin në territorin shqiptar.
Për tua kthyer reston italianëve, shqiptarët, të paorganizuar tanimë, pa armë në sup, por me një elegancë sportive nga dieta ushqimore dhe ca veshje demode të blera nga stoqet e MAPO-ve u sulën drejt Italisë.
Zot na ruaj!
Ishin po aq në numër sa ushtarët e Benito Musolinit, të paktën 25.000, që kërkonin tokën e ëndrrave pasi kishin lënë pas një tokë “të djegur”. Nuk kish nevojë të mbanin armë, sepse edhe të paarmatosur ata mund të merrnin çdo terren të fortifikuar. Mjaft të largoheshin nga e keqja që i kish mbajtur ndrydhur për mëse 4 dekada, dhe të shihnin botën e lirë, qoftë dhe atë që transmetonte Rafaela Kara nga ekrani i RAI-t.
Shqiptarët po mbërrinin në Itali në një mënyrë të furishme. Italianët ishin zënë në befasi. Mobilizuan forcat rajonale. Por me siguri nëse shërbimet sekrete do të kishin ndonjë sinjalizim të mëparshëm, Roma do të urdhëronte që brigjet e Brindizit të merreshin në mbrojtje nga ndonjë divizion fanterie. Nuk ishte parë një fluks i tillë njerëzish, që nga periudha e pasvdekjes së kryeheroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Edhe atëherë, shqiptarët u turrën drejt Italisë, për t’i shpëtuar represionit osman. Dhe kishte një marrëdhënie shumë të mirë ndihme reciproke mes Alfonsit të Aragonës dhe Gjergj Kastriotit, aq sa Mbreti i Napolit u bëri vend shqiptarëve në tokat e Kalabrisë.
Mirëpo në qoftë se italianët si pushtues mësynë bankinën modeste të Durrësit në 7 prill 1939, shqiptarët 52 vite më pas shpejtuan vetëm një muaj dhe hynë në Itali në 7 mars 1991. Ishte pranverë në të dyja rastet. Dhe gjaku ndizet, doemos.
Mund të thuhej se komunizmi kishte rënë në Shqipëri. Ishte rrëzuar dhe përmendorja e Enver Hoxhës në qendër të Tiranës prej thuajse një muaji. Ndaj shqiptarët e ndjenin vetëm shumë më të lirë, për të realizuar “ëndrrën në sirtar” që regjisori Xhani Amelio nëpërmjet një realizimi filmik e cilësoi: "L'Amerika".
Kronikat e kohës thonë se në harkun kohor të 30-orëve mbi 24 anije me shqiptarë në bord e mbi direk, u ankoruan në bankinat e portit të Brindizit. Statistikat flasin për rreth 27 mijë shqiptarë, ndërkohë që vetë qyteti port i Jugut të Italisë nuk i kapte 90 mijë banorë.
Anijet tregtare si në një formacion lufte përplaseshin tek bankinat dhe lidhnin cimat në kalatë, ndërsa pasagjerët e pazakontë, të pangrënë e krejt të dehidratuar kishin kapërcyer pengesat më shpejt se kaq për të prekur betonin italian. Dhe ishin të lumtur, padyshim. Kishin shkuar në Itali pa viza, dhe pa pasaporta. Më vonë se kaq, mjerë kush do të bënte dokumentat për në ambasadën Italiane të Tiranës. Ndaj si shqiptarë që jemi u biem gjërave shkurt. U hipëm gomoneve.
Mbërritën njëra pas tjetrës anijet “Liria”, transoqeaniku 12 mijë tonësh “Tirana”, panamezja me emrin “Legend”, "Butrinti", "Sazani", 'Sopoti", "Alba', 'Kallmi", "Apollonia", etj. E gjithë flota tregtare shqiptare kishte paralizuar aktivitetin, dhe në vend të transportonte miell e sheqer kishte çuar në Itali kontingjentin më të madh të mundshëm të shqiptarëve neto. Sepse edhe në mesjetën skënderbejane, arkivat thonë se nga Shqipëria drejt Italisë udhëtuar rreth 30 mijë vetë, në kohë të ndryshme. Por asnjëherë 27 mijë vetë, në të njëjtën ditë.
Kanë kaluar 33 vite. Dhe kohët kanë ndryshuar.
Pretendohet se në Itali, i gjithë komuniteti shqiptar kap një shifër prej 800 banorësh. Jo shaka. Shqiptarët janë integruar ndjeshëm në vendin e ëndrrave të para. Por meqenëse historia asnjëherë nuk është bardhë e zi, mund të themi se tani edhe italianët janë turrur drejt Shqipërisë. Jo si në epokën e fashizmit. Sot u hipin trageteve, por më shpejt në destinacion mbërrijnë me fluturimet ajrore “low cost”. Ca bëjnë plazh, ca e shfrytëzojnë për turizëm dentar. Dhe së fundi ka plasur mbjellja e flokëve. Ejani o vëllezër! Mirë e lirë. Edhe kapni ndonjë lek. Se kohë të vështira këto për Italinë, sidomos pas pandemisë “Covid”. Dhe po jetojmë epokën kur dashurisë së Skënderbeut për Alfonsin e Ferdinandin iu shtua dhe dashuria me interes reciprok e Edit dhe Xhorxhias. Tani jemi në kohën e artë të pritjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

 

 

Tuesday, March 5, 2024

Xhon Belushi, vdekja e dyshimtë e aktorit me famë

5 Mars 1982



 
Nga Leonard Veizi
 
Si një shqiptar i pastër – meqenëse dhe të dy prindërit i kishte shqiptarë, - ai u njoh gjerësisht në Shqipërinë e postkomunizmit me filmin emblematik “The Blues Brothers”, apo thënë në shqip “Vëllezërit Bluz”. E ndërsa fama e tij u shpërnda nëpër Shqipëri dhe për ata që nuk kishin dëgjuar kur më parë për të, ai vet kishte të paktën dhjetë vjet që ishte ndarë nga jeta. Por kjo nuk do të thoshte asgjë, sepse në pelikul jetonte për të gjithë ata që donin ta shikonin...
 
...Vdekja e tij, po aq sa e çdo artisti me famë, u shoqërua me dyshime të mëdha. Pavarësisht se vdekja i shkaktua nga një mbidozë në dukje, kishte ende shumë mister rreth rrethanave të sakta të vdekjes së Xhon Belushit. E padyshim u ngritën dhe teori konspirative. Një talent në fushën e aktrimit komik vdes papritur në moshën 33 vjeçare. Ishte po aq sa Krishti 2000 vite më parë...
 
Zhurma mediatike
Në mediat më të mëdha botërore dhe ato amerikane sigurish, kur vjen puna për vdekjen e Xhon Belushit, do të gjesh të njëjtin lajm që ka qarkulluar rëndom në faqet e tyre. Dhe gjithçka ka të bëjë me deklaratën e një këngëtareje të dështuar e cila më shumë se me muzikë merrej me shpërndarje droge në rrethet e artistëve, dhe që duke folur për një tabloid amerikan, ku autorë të shkrimit ishin Toni Brena dhe Lari Heili, u shpreh: "Unë vrava Xhon Belushin. Nuk doja, por jam përgjegjës”. Dhe kaq duhej për t’i vënë kapakun historisë për më tepër që gruaja në fjalë pas një procesi gjyqësor, - edhe pse pati 13 akuza, - kreu dhe një dënim 15 mujor për vrasje të shkallës së dytë, dënim që e kreu në Institutin e Kalifornisë për Gratë.
 
Në botën e drogës
Mëngjesin e datës 5 mars 1982, Xhon Belushi ishte në pavetëdije edhe në agoni, por diçka afër drekës, ai u shpall i vdekur në dhomën e tij në një hotel në Kaliforni.
Hetimi fillestar nxori se ai vdiq nga një mbidozë droge pasi kishte marrë  një kombinim vdekjeprurës kokaine dhe heroine të njohur si "speedball".
Gjashtë ditë më parë, më 28 shkurt 1982, Belushi ishte regjistruar në apartamentin 3 në “Chateau Marmont”, një hotel luksoz me pamje nga Sunset Strip. Ai po punonte për një skenar rreth projektit filmik “Noble Rot”.
Dihet pak për lëvizjet e tij për ditët e mëparshme, por mbrëmjen e vdekjes, u vërtetua se në dhomë u vizitua veç e veç nga miqtë e tij, aktorët Robin Uilliams dhe Robert De Niro. Secili u largua duke e lënë Belushin në shoqërinë e këngëtares Kathrin Ivelen Smith që njihej dhe si shpërndarëse droge.
Në një shkrim të botuar prej tij: “Si vdiq Xhon Belushi? Historia e vërtetë e vdekjes së tij tragjike” Samiel Uard thotë: Kathrin Smith më vonë raportoi se, e alarmuar nga zhurma e frymëmarrjes së tij, ajo e zgjoi Belushin rreth orës 9:30 të mëngjesit dhe e pyeti nëse ai ishte mirë. "Vetëm mos më lini vetëm," u përgjigj ai. Në vend të kësaj, ajo u largua pak pas orës 10 të mëngjesit për të kryer disa detyra. Rreth mesditës, trajneri personal i Belushit, Bill Uolles, mbërriti në hotel dhe u fut me çelësin e tij. Duke e gjetur Belushin të papërgjegjshëm, Uolles u përpoq ta përmendte, por më kot. Pak minuta më vonë mbërritën urgjenca mjekësore dhe Belushi u shpall i vdekur në vendngjarje”.
Vdekja e tij u hetua nga mjeku Rajen Norris, ndërsa nga provat e gjetura u konstatua se ajo kishte ndodhur për shkak të një incident të lidhur me drogën.
Dr. Ronald Kornblum, mjek ligjor i kontesë së Los Anxhelosit, ia atribuoi shkakun e vdekjes së Xhon Belushit helmimit akut me kokainë dhe heroinë. Dr. Majkëll Baden, ish-kryeekzaminuesi mjekësor i qytetit të Nju Jorkut, më vonë dëshmoi se nëse Belushi nuk do të kishte marrë drogë, ai nuk do të kishte vdekur.
Më 9 mars 1982, Belushi u varros pranë shtëpisë së tij në Martha's Vineyard.
 
Fama e një aktori
Edhe pse vdekja e Xhon Belushit shënoi fundin e papritur të karrierës së tij si aktor, humorist dhe muzikant, nuk ishte befasi për ata që e njihnin më mirë. Përdorimi i drogës i Belushit u rrit bashkë me famën e tij.
Fama pati një çmim dhe Belushi nisi të abuzonte me kokainën dhe drogat e tjera për të përballuar pasiguritë e tij dhe orët e gjata që vinin nga puna në film dhe televizion. Varësia e tij e madhe nga droga u përkeqësua gjatë xhirimeve të “The Blues Brothers”.
Në shtypin që u morr gjerësisht me vdekjen e aktorit të famshëm, thuhej se muajt e fundit të jetës së Belushit u kaluan duke ecur nëpër rrugët e Los Anxhelosit si nëpër një mjegull droge. Dhe kishte raportime se Belushi, në muajt e fundit të jetës së tij shpenzonte rreth 2500 dollarë në javë për zakonin e tij të drogës.
 
Deklarata e fajësisë
Këngëtarja kanadez Katherin Smith apo Keti Smith, konsiderohej si një këngëtare rezervë, qoftë dhe e rastësishme. Dy muaj më vonë, ajo deklaroi në një intervistë për “National Enquirer”, se kishte qenë me Belushin natën e vdekjes së tij, dhe se ia kishte dhënë ajo dozën vdekjeprurëse. Pas shfaqjes së artikullit: “Unë e vrava Belushin!”, në numrin e datës 29 qershor 1982, çështja u rihap. Smith u arrestua në Toronto, u ekstradua në SHBA dhe u akuzua për vrasje të shkallës së parë. Një marrëveshje me gjykatën, e ndryshoi akuzën në vrasje të pavullnetshme, dhe përfudimisht ajo kreu vetëm 15 muaj burg.
Por a fshehu diçka Katherin Smith? Edhe nëse po, ajo e mori me vete në varr pasi ka vdekur në 16 gusht të vitit 2000 në moshën 73 vjeçare
Pak para vdekjes së tij, Belushi luajti në serialin komik “Skuadra e Policisë”. Belushi dhe miku i tij Dan Akroid, - që luan vëllain tjetër Bluz, - do të duhej të paraqiteshin për të tërhequr çmimin Academy Awards për efektet më të mira vizuale, një ngjarje që u mbajt më pak se 4 javë pas vdekjes së tij.
 
“Vëllezërit Bluz”
Xhon Adam Belushi ishte aktor dhe muzikant amerikan me origjinë shqiptare, i njohur më së miri si një nga anëtarët e kastit origjinal të shfaqjes së komedisë së NBC-së, “Saturday Night Live” dhe për rolet e tij në filmat “National Lampoon's”, “Animal House” dhe “The Blues Brothers”.
I njohur për personazhet e tij legjendare në “Saturday Night Live”, Xhon Belushi i mbushi performancat e tij brilante me një energji të pashtershme e të zhurmshme gjë që nuk e ka parë kurrë më parë se ai të vintë në ekran.
Belushi lindi në Çikago, Illinois, 24 janar 1949. Ishte i biri i Agnes Demetri Belushit, një shqiptaro-amerikane e gjeneratës së parë që erdhi nga Bilishti i Devollit, dhe e Adam Belushit, një emigrant shqiptar dhe pronar restoranti, i cili u largua nga fshati i tij i lindjes, Qytezë e Kolonjës, në vitin 1934 në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Emri i familjes në kohën e emigrimit ishte Velousi, më vonë u përshtat në Belushi.
Xhon Belushi u rrit në kishën ortodokse shqiptare në Wheaton me vëllanë Xhimi, pesë vjet e gjysmë më të vogël. Ai ndoqi shkollën e mesme Wheaton Central, ku u njoh gruan e tij të ardhshme, Xhudi Xhaklin.
Shpërthimi i parë i madh i Belushit si komedian ndodhi në vitin 1971, kur ai iu bashkua trupës së komedisë "The Second City" në Çikago. Ai mori pjesë në “National Lampoon's Lemmings”, një parodi e “Woodstock”, e cila luajti “Off-Broadway” në 1972.
Ai vazhdoi të luajë me Akroid në “The Blues Brothers” në 1980. Dyshja, e veshur me kostume të lira, kapele të tipit “fedora” dhe syze dielli të errëta, nisin "një mision nga Zoti" për të shpëtuar jetimoren në të cilën u rritën. Filmi përmban linjë muzikore R&B dhe xhaz nga Areta Franklin, Xhejms Broun, Rei Çalls, Kab Kaloej dhe Xhon Li Hoker. Filmi “The Blues Brothers” fitoi më shumë se 115 milionë dollarë në kinematë në mbarë botën dhe është bërë një klasik kulti në vitet që pas publikimit të tij.
 
Epilogu
Ndërkohë që Belushi ka më shumë se 30 vjet që është larguar nga jeta tokësore, personazhet që ai krijoi dhe performancat që dha në ekran janë ende të gjalla dhe shijohen nga fansat e tij. Në vitin 1989 nga revista “People” ai u cilësua një nga 25 yjet më të mirë të televizionit.