1
- Lexuesi
do të çmojë në prozën e Leonard Veizit sidomos karakterin e shpenguar të
tregimeve, shpërfaqjen e asaj pjese të vetes njerëzore që zakonisht është
gjendur nën ndalimin e jashtëm dhe të brendshëm. Në letërsi kjo hyn në shkrimet
intensive, përndryshe nga një letërsi tradicionaliste, e mbështetur kryesisht
mbi vlera ekstensive: numri i personazheve, i linjave të veprimit, i
kulminacioneve etj. Këtu mund të bëhet fjalë vetëm për tensione psikologjike
dhe të thellimit të mendimit. Me një term jo dhe aq të përdorur, libri i
Leonard Veizit është letërsi e endo-kozmosit.
Shaban
Sinani – studiues
2
- Me gjithë karrierën e gjatë si gazetar në shtypin e shkruar,
ma do mendja që Leonard Veizi s’kish për të krijuar dot një kuadër me ngjyra
kaq të gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç’arrin ta krijojë me prozën e
vet fikcionale dhe t’ia përcjellë lexuesit. Kaq sa për të cytur kureshtjen e
lexuesit, për më tej lypset ta ngrini vetë perden e një bote, në skenën e së
cilës, siç na kumton Veizi me prozat e veta, jemi aktorë dhe autorë
njëkohësisht.
Virgjil
Muçi – shkrimtar, kritik
3
- Komponent i rëndësishëm në formësimin e individualitetit
krijues të Leonard Veizit, është edhe prirja në kahje të një proze neorealiste
që është brenda unit krijues natyral të tij, ku elementë të prozës moderne
integrohen harmonishëm, çka e ravijëzojnë dhe fuqizojnë origjinalitetin krijues
të autorit në plotësimin e vetvetes krijues si synim i përhershëm.
Mexhit
Prençi – kritik
4
- Që të lexosh Leonard Veizin duhet të “përgatitesh mirë”. Duke
zotëruar aftësinë e të treguarit, ai të mban pezull për të mësuar fatin e
personazhit. Përgjithësisht në të gjithë vëllimet e këtij autori ku ka shumë
personazhe. Madje këta personazhe të tij janë njerëz mëse të zakonshëm, që fare
rastësisht gjenden brenda një ngjarjeje të caktuar dhe kështu marrin rolin e
protagonistit.
Mimoza
Erebara – shkrimtare
5
- Autori
e di se çfarë do të thotë me atë që shkruan dhe këtë e jep në mënyrë të plotë,
në formë, stil dhe në përmbajtje. Proza e këtij autori është e thjesht. Ajo të
rrëmben dhe duke u shfaqur para teje si imazhe filmike, të rrëmben me magjinë e
fjalës, tensionin që krijohet nga situatat, dhe në fund nuk të mbetet të
admirosh zgjidhjet tejet origjinale. Kjo e bën atë të dallueshëm në morinë e botimeve
shqiptare.
Kliton
Nesturi – shkrimtar
6 - Arma më e
fortë e Leonard Veizit është dialogu. Ai ngrihet dhe ulet me mjeshtëri, nuk të
lë në baltë. Rrëfimin dhe vijueshmërinë e fabulës e lë në duart e dialogut.
Proza e tij është racionale, është me këmbë në tokë, është e lexueshme, e
ftohtë, ndonjëherë deri në cinizëm. Situatat ndodhin në ambientet ku ne gëlojmë
çdo ditë, por ato skicohen shumë lehtë, u ngjasojnë grafikave. Konturet e qarta
të ndodhisë krijojnë dimensione hijesh që përplasin mendimin tonë për më shumë
se kaq.
Miranda
Haxhiaj – shkrimtare
7
- Te proza e Leonard Veizit ndjen se nuk ka më tema tabu, nuk
ka fjalë tabu, nuk ka skena tabu, nuk ka copëza jete të mbyllura apo të
paprekshme, Në këtë risi të përmbajtjes do të thosha se autori është
vazhdimisht në kërkim të letrares, Sepse edhe Borgesi gjithmonë ka qenë në
kërkim të letrares e nuk e ka mbyllur me një vepër. Duke prekur prozën e Veizit
shohim gjurmë të një prozatori konsekuent. Dua të them që rrëfimi i tij, në
mënyrë personale është ashtu i çlirët, i derdhur e jashtë kornizave. Unë do të
thosha se ai ka një mënyrë të vetën të rrëfimit, e tërë materia na vjen në
mënyrë krejtësisht të veçantë, dhe kjo është në fund fare është një tregues i
rëndësishëm
Behar
Gjoka – shkrimtar, studiues
8
- Shkrimtari dhe publicisti Leonard Veizi i ka kushtuar një
vëmendje jashtëzakonisht të admirueshme strukturës narrative. Dialogu i
personazheve është i mrekullueshëm e i mprehtë. Struktura gramatikore, zhargoni
gjuhësor, koha e foljeve dhe drejtshkrimi i fjalëve, tregojnë se autori ka
njohuri të shkëlqyera e profesionale të gjuhës shqipe, që e bëjnë romanin shumë
interesant, me ide dhe mendime të thella e të detajuara, rreth konfliktit
shpirtëror, artistik e filozofik, dhe jo vetëm kaq – mesazhi i tyre është mjaft
prekës.
No comments:
Post a Comment