Tashmë, si një shkrimtar i kompletuar, Leonard Veizi ka
nxjerrë në treg gjashtë botime në prozë dhe i fundit, romani i tij i tretë pret
të dali së shpejti nga shtypi. Ai është një nga gazetarët më jetëgjatë në
median shqiptare të post viteve 90. Ka punuar për 20 vite në median e shkruar
dhe atë vizive, duke dhënë kontributin e tij në pasqyrimin real të së vërtetës.
Por Leonard Veizi, i cili mund të përkufizohet me plot gojën si një personazh
mediatik, prej vitesh ka treguar edhe pjesën tjetër të shpirtit, duke na
dhuruar dhe një letërsi mjaft interesante.
Të bësh letërsi është
një marrëdhënie që jo të gjithë e kanë talentin për ta bërë. Si ka nisur ky raport
dhe kur është konsoliduar tek ju, për të arritur deri në përfaqësimin e sotëm?
L.Veizi - Them se me letërsinë jam ndeshur qysh herët, jo
vetëm si lexues, por dhe si një njeri që mendoja se kisha aftësi për të thurur
vargje apo për të shkruar një prozë të shkurtër. Po aq herët vendosa që në të
ardhmen të bëhesha shkrimtar, pa e ditur se sa barrë të madhe mbarte në vetvete
ky term. E megjithatë nuk e tradhtova asnjë ditë të jetës time premtimin e
hershëm. E sa për konsolidimin, mendoj se ai është një proces i cili vazhdon
pafundësisht.
-Gati njëzet vjet jeni marrë me gazetarinë, e shkruar përgjithësisht.
Sa ju ka ndihmuar dhe sa jua ka vështirësuar shtypi lëmin e të shkruarit?
L.Veizi - Iu bashkova gazetarisë i bindur se ishte fusha që
i afrohej më shumë letërsisë. Vitet e para ndihesha komod, sepse të shkruarit e
përditshëm, dhe njohja me personazhe e karaktere të ndryshme më ndihmuan për të
krijuar dhe raporte të reja me letërsinë. Por kjo deri në njëfarë pike. Prej
disa vjetësh, mendoj se gazetaria, vetëm se tenton fuqishëm të shkatërrojë stilin
tim. Mendoj se ka ardhur koha që pas gati 20 vitesh në shtypin e shkruar dhe
atë elektronik, ta braktis atë.
-Sipas një psikologjie të përgjithshme për njerëzit që
shkruajnë, artin në fjalë ata rreken ta sjellin
në forma jo vetëm jetësore por edhe përmbajtje filozofike apo një lloj
ngarkese që lexuesin e vënë në dyshime. Natyra juaj e përqas këtë frymë, (siç
duket në vepra). Ka një shtysë për këtë apo është thjesht, e brendshme?
L.Veizi - Në fillim ka qenë e brendshme, madje e hidhja në
letër në mënyrën më bruto që më vinte. Më pas e konsiderova të arsyeshme ta
trajtoja këtë dhunti në mënyrë racionale. Natyrisht, gjatë viteve, shfletova
filozofi e psikologji bashkë, për të arritur në shartimin aktual.
-Letërsia është një orientim i mirëfilltë i asaj që jetojmë,
duam ta jetojmë dhe i një ëndrre për të prekur të paprekshmen. Ka ndodhur me ju
kështu dhe a mund të më rrëfeni ndonjë copëz nga veprat tuaja?
L.Veizi - Letërsia që unë shkruaj është e bazuar mbi
trillin. Copëza të jetuara, apo pjesëza nga e përditshmja e rrëfyer prej të
tjerëve, natyrisht që vijnë e ikin në mendjen time gjatë procesit të të
shkruarit, por përgjithësisht fabula mbështetet mbi një subjekt abstrakt, që zë
fill e zhvillohet vetëm në kokën time dhe që pasqyrohet në letër.
-A ka një ëndërr në sirtar tek ju sa i takon jo vetëm
krijimtarisë por dhe zhvillimit të saj më gjerë se kaq, në pelikulë për
shembull?
L.Veizi - Ka qenë një bashkëpunim që nisi me regjisorin e
njohur Artan Minarolli për të kthyer një nga novelat e mia të titulluar: “Treni
i fundit
i metrosë” në skenarin e një filmi. Por gjithçka ka mbetur
pezull. Që nga ky çast mendova se detyra ime është të shkruaj dhe të botoj
krijimtarinë time. Nëse një prej titujve që mban firmën time, adoptohet për
skenar filmi apo për dramë, do ta mirëprisja. Por ëndrra ime në sirtar mbetet botimi
i të gjithë krijimtarisë.
-“Treni i fundit i metrosë” është komentuar ndër kritikë, si
një letërsi aktuale dhe për periudhën shoqërore që po kalon vendi. E shikon si
një mundësi të mirë apo si gjithkund në kulturën shqiptare paratë hidhen me
grushte për Miss-e dhe Sfilata e jo për artin e dëshiruar që duhet fiksuar në
memorie?
L.Veizi - Fillimisht si shumëkush, më ka munduar ideja se
hidhen më shumë para për sfilata femrash me rroba banje. Por një ditë e kuptova
se jeta njerëzore ka nevojë dhe për to. Çfarëdo që ne të themi, për to, do
hidhen para më shumë se për shumë gjëra të tjera. Kështu që duhet të gjejmë
rrugë të tjera për të vënë në jetë ëndrrat tona.
-Po punoni aktualisht rreth një vepre? Cilat janë planet në
vijim?
L.Veizi - Ç’është e vërteta, si asnjëherë më parë, prej disa
muajsh nuk kam shkruar as edhe një
rresht. Ndërkohë që jam në pritje të daljes nga botimi të
romanit tim të fundit: “I çmenduri i pavijonit tre”. Plane për të ardhmen kam.
Janë disa synopsuse që presin t’i rikthehem punës pas lejes të pajustifikuar që
i kam dhënë vetes.
-Si e shikoni letërsinë në tregun e sotëm shqiptar, krahasuar
me njëzetvjeçarin e pluralizmit?
L.Veizi - Vitet e fundit letërsia është çliruar mjaft. Nuk
ka më realizëm socialist dhe as heronj kryesor me partishmëri proletare. Tashmë
letërsia shqiptare nuk mund të shihet si një mjet konsumi vetëm brenda kufijve
të Shqipërisë, ajo është e detyruar të përballet me letërsinë botërore. Në këtë
përballje globale ajo po mbijeton duke u përshtatur me të veçantat e saj.
-Po sa i takon letërsisë të sjellë nga politikanë shqiptarë
apo gazetarë, që nga Edi Rama, Ben Blushi, Spartak Ngjela, mandej tek Blendi
Fevziu, Andrea Stefani, Sokol Balla etj, keni një koment për këtë frymë të re
të menjëhershme?
L.Veizi - Të gjithë këta emra kanë qenë pjesë e letrave prej
vitesh. E menjëhershme ka qenë publikimi i librave të tyre në prag të panairit
të 14-të të librit. Më duhet të them të vetmen shprehje slogane: I uroj për
kontributin që po japin në letrat shqipe.
Kjo intervistë është publikuar më 4 dhjetor 2011
No comments:
Post a Comment