Tuesday, February 2, 2016

“Lora” e huaj, në një histori krejt shqiptare - Ben Andoni - JAVA

nga Ben Andoni

Romani mundohet të përcjellë një botë të errët dhe shumë të zakonshme të kriminelëve shqiptarë dhe ata të huaj, një botë të hidhët të krimit.

Personazhi që i ka dhënë emrin romanit të fundit të OMSCA-1 trajtohet thjesht në kohën e shkuar, pasi romani hapet me vdekje dhe mbyllet me vdekje. Është vdekja e personazhit Lora që e hap siparin dhe e mbyll njësoj i pretenduari për vrasjen e saj. Ky i fundit, një personazh, që na jep një shtresë të shoqërisë shqiptare, plot iluzione, në kërkim të një jete me të mirë dhe shpesh kaotik si të gjithë shqiptarët. Historia e librit, që tregohet nga Leonard Veizi, ka paralel jetën e Lorës, përpjekjet për gjetjen e vrasësit të saj dhe një fluturim me avion të mikut të saj, që e përjeton vrasjen në një fluturim transoqeanik. Linja tjetër, të themi konvencionalisht zyrtare, përbën përpjekjen për të diktuar vrasësin, duke na dhënë strukturat e burokracisë jo vetëm shqiptare. Dinamika e bën romanin ta lexosh menjëherë dhe megjithëse autori dhe botuesi i përmbahen dhe e nënvizojnë faktin se romani s’është policor, shënjuesi i potencës shkon te romani i atij lloji. Autori njeh mirë kompozicionin, edhe pse kohët e dy linjave kryesore në vepër nuk përkojnë disi. Interesant është ndërthurrja e një linje të tretë, që është linja e personazhit kryesor të vërtetë në lidhje me personazhin.
Romani mundohet të përcjellë një botë të errët dhe shumë të zakonshme të kriminelëve shqiptarë dhe ata të huaj, një botë të hidhët të krimit, që për hir të së vërtetës është trajtuar në mënyrë shumë të ditur.
Nuk jemi futur ende në përshkrim, por romani "Lora" i OMSCA-1 është produkti i ri i i Shtëpisë Botuese, që po kërkon me ngulm të promovojë dhe të lançojë Leonard Veizin, që ka kohë që është prezent në mjediset e letërsisë shqiptare. Autori ka ngritur këndshëm një strukturë rrëfimtare të komplikuar ku dy linjat kryesore ndërthurren me disa të tjera. Të gjitha, ai mban në vetën e tretë, por në momente rrëfimi, që lidhen me të kaluarën, ai e kthen personazhin në një rrëfim në vetën e parë.
Ana pozitive është se lexuesin e gjerë ai e lë në tension deri në fund dhe kjo është një nga të mirat e veprës, që duhet thënë se të tërheq edhe prej ndërthurrjes me disa rrëfime në kompozicion për të na dhënë gamën e madhe të ngjarjes, por edhe përpjekjen për ta universalizuar.
Nuk mund të thuhet se autori e njeh thellësisht botën e krimit dhe ca më shumë atë të prostitucionit, pasi shumë herë ajo është përshkruar shumë bardhë e zi dhe në një farë mënyre nuk të ngjall shumë kureshti, por aman di të mbajë linjën kryesore dhe suspansën deri në fund.
Autori e nënvizojmë duket se punon mirë me strukturën e veprës, por në këtë rast nuk është shtjellë klasike, por e komplikuar që di të respektojë kanonet klasike. Forma është e zhdërvjedhët.
Mund të kursehej pak me detajet dhe përshkrimet sepse disa herë ato ia heqin veskun e universialitetit veprës, e nga ana tjetër të duket se përsërit pak veten në përshkrime tipike shqiptare. Janë mu këto detaje që e bëjnë historinë shumë shqiptare, paçka se gjetja me personazhin kryesor mund të merrte elementë shtesë dhe historia të ishte shumë më e pasur. Momentin që ai e përjeton me Lorën dhe trajtimi disi sipërfaqësor të lë me dyshim sesa idilike ishte realisht përpjekja dhe lufta e tij në botën e krimit.
Autori është në gjininë e vet, pasi ky është romani i tij i pestë dhe kjo e bën të jetë shumë “agresiv” në ambicie si edhe i jep detyrën që në të ardhmen të përballë rrugën e vet në një letërsi që është ende e paçelur mirë.
Romani mund edhe të ishte pak më i natyrshëm në historinë e vet dhe me më shumë dritëhije, ato që e bëjnë çdo subjekt të bëhet i kapshëm dhe jo i stisur. Të paktën këtë do donim t’i thoshim autorit, që po bën një punë shumë të mirë në letrat shqipe dhe që po e kërkon suksesin.
Në fund, duhet vlerësuar “Lora” e tij, pasi autori punon me personazhet, por edhe me shumë elementë në veçanti. Ndoshta duhet pak më shumë kujdes në dialogje, që të jetë më i natyrshëm edhe pse në shumë momente ai qëndron dhe i përgjigjet idesë së vet.
Kritika në Shqipëri mungon krejtësisht që ta kanalizojë suksesin apo mossuksesin atje ku duhet, por mediet tona, le të shpresojmë se do t’i japin ende më shumë besim për të vazhduar shkrimtarit...




No comments:

Post a Comment