Autori i romanit më të fundit "Lora", flet për gazetën "Super Shëndeti"
-Si
fillim pse ju zgjidhni gjithnjë një gjini të letërsisë, siç është romani.
Dëgjoj shpesh të thonë, që koha e romanit ka ikur. Cili është mendimi juaj?
Të paktën deri tani romanit nuk i ka ikur koha,
përkundrazi tendenca botërorë e viteve të fundit jo vetëm që ka qenë drejt
romanit por madje është orientuar drejt një romani voluminoz. Romani, si
veprimtari klasike, vazhdon të jetë në mode, ose më saktë i mbijetoi kohërave
dhe kanë dalë nga moda përgjithësisht tendencat moderniste si të tipit
“antiroman”, ato që kanë pasur jetë të shkurtër. Në modë tanimë është futur
tendenca që letërsia ndërthuret nga pak me publicistikën, me filozofinë është
eksperimentuar qysh më herët, me psikologjinë është e pandarë gjithashtu.
Ndërsa për sa i përket pjesës së parë të pyetjes suaj mund të them se në nëntë
vëllimet e botuara të krijimtarisë time, numëroj pesë romane dhe katër vëllime
të tjera me tregime dhe novela. Pra unë nuk kam botuar poezi, por në prozë i
kam lëvruar të gjitha gjinitë letrare.
-Lora!
Pse zgjodhët për titull një emër femre? Ishte rastësore apo edhe ju si shumë
shkrimtarë të mëdhenj nuk i shpëtoni dot nënndërgjegjes tuaj dhe doni s'doni
kopjoni pjesëza të jetës reale?
Romani është krejt fiksion, i fantazuar apo i
trilluar. Nga jeta reale ka fare pak. Përgjithësisht janë përfytyrime të asaj
bote të cilën e kam prekur në udhëtimet e mia të shkurtra përtej kufirit.
Natyrisht, nënndërgjegjja është e pranishme te një shkrimtar, me të gjithë
strukturën e saj të fshehtë që krejt papritur bëhet e dukshme për të të
ndihmuar në një çast kritik. Por unë them me bindje që “Lora” ashtu si pjesa më
e madhe e letërsisë që kam shkruar ka të bëjë me fantazinë time prej shkrimtari,
por aspak me detaje të mbledhura si gazetar, të qëmtuara apo të arkivuara.
Përndryshe ajo nuk do të ishte letërsi, por në libër kronologjik.
-Edhe
në vepra të tjera tuaja, ju zgjidhni pak tragjiken. Kësaj here krimin. Pse e
gjeni veten këtu?
Që kur kam filluar të shkruaj kam menduar
tragjikisht për personazhet e mi. Kam pasur idenë e përhershme, të përforcuar
tanimë dhe aspak të zbutur, se një melodramë apo një romancë, nuk më çon atje
ku dua unë. Unë them se: nuk ka gjë më të trishtuar se një fund i lumtur. Një
dramë e fortë, qoftë kjo duke i sakrifikuar personazhet me të cilët ke
bashkëjetuar për një farë kohe, do ta bëjë edhe lexuesin t’i shkojë romanit
deri në faqen e fundit dhe pasi të këtë mbyllur dhe kapakun të reflektojë më
thellë, në të mirë apo dhe në dëm të shkrimtarit. Por kjo nuk ka më aq shumë rëndësi.
Kjo do të thotë të fitosh betejën, pra ta fitosh lexuesin, dhe ai të mos të të
braktisi në mes të faqeve.
-Emri
"Lora" ishte ndopak ide komerciale?
Lora është një ndër dy personazhet kryesore të
romanit. Vëllimi fillon dhe mbaron me të. Për këtë shkak i gjithë romani e ka
të justifikuar që në kopertinë të ketë emrin e saj. A është komerciale?
Padyshim. Ky libër duhet të shkojë tek lexuesi me të gjitha format. Një titull
i gjetur është gjithashtu pjesë e marketingut. Një emër femre gjithashtu është
më komercial se ai i një mashkulli.
-Dukeni
i dashuruar këto kohë me "Loren". Mendoni se do ju bëjë të lumtur, po
ekonomikisht? Mendoni se do të na duhet ribotim?
Unë jam i dashuruar me të gjithë personazhet e mi
kryesor. Janë një pasuri e tërë. Dhe për më tepër i kam ngritur nga asgjëja, u
kam dhënë frymë, u kam dhënë personalitet i ka shtyrë të bëjnë jetën sipas asaj
që kam menduar unë se është më e mira për ta dhe i kam ndëshkuar duke u dhënë
dhe fund tragjik padyshim. “Lora” është dashuria e radhës. Sapo të nis një
tjetër synopsis, do filloj të dashurohem me personazhin e ri. Për muajin e parë
“Lora” ka pasur një shitje të avancuar gjë që më bën shumë optimist për
ribotimet e mundshme. Ekonomikisht...? Ende jo sa për të qenë i lumtur.
-Si
do ta përshkruanit ju "Lorën" dhe si mendon është perceptuar nga
lexuesi?
Dua të sqaroj mbi të gjitha që Lora nuk është një
femër shqiptare, por që gjen vdekjen në Shqipëri. Rreth këtij misteri është
ndërtuar fabula e mëpastajme. Ngjarja shkrihet në një hapësirë kohore 20 vjeçare, një pjesë e mirë e së cilës vjen përmes
kthimeve në kohë. E gjithë drama ka të bëjë me njeriun shqiptarë të pas viteve
’90. Nga të gjitha mesazhet që më kanë ardhur deri tani, nga lexues të
ndryshëm, Lora është perceptuar ashtu si unë e kam trajtuar në roman. Nuk ka
pasur dyshime.
-Unë
personalisht kur lexoj Kadarenë, them jo nuk mund ta marr mundimin të shkruaj.
Ju çfarë mendoni kur nisni një vepër?
E para nuk e mendoj fare Kadarenë. Përndryshe do të
mendoja se në këtë botë ka shkruar dhe Dante, Shekspiri, Balzaku, Tolstoi
dhe... o Zot i madh... Servantesi. Por bota është e madhe dhe ka nevojë
gjithmonë për vepra të reja. Kështu jemi dhe ne të tjerët në garë. Çdo kohë ka
ngjarjet e veta. Kur nis një vepër unë fillimisht mendoj sa kënaqësi do marr
unë si autor i saj dhe, nëse më pëlqen vetë filloj të mendoj edhe për lexuesin.
Nuk është egoizëm, por unë mendoj se nuk ka shkrimtar serioz në botë që niset
të botojë një vepër që fillimisht nuk e ka testuar atë që ka shkruar tek
lexuesi i tij i parë: vetja.
-Një
studim tregonte se të lexuarit, kryesisht romane bën mirë për shëndetin e zemrës.
Për ju ç’fare do të thotë të lexosh?
Unë them se të lexuarit, të letërsisë artistike në
përgjithësi, bën mirë vetëm për shëndetin mendor. Për zemrën duhet të bësh 5000
metra vrap rreth kodrave të Liqenit Artificial.
-Kur
ju keni zgjedhur te jeni shkrimtar në Shqipëri keni zgjedhur edhe të jeni i
varfër, apo jo?
Unë jetoj me rrogën e gazetarit, të cilën duke e
bashkuar me atë të bashkëshortes time, gjithashtu gazetare, mbajmë familjen,
pra dhe dy fëmijët tanë. Nëse do të pretendoja të jetoja si shkrimtar, do të
kisha probleme të mëdha financiare.
-A
e ka gjetur Veizi Lorën në jetën reale?
Në jetën reale shqiptare si Lora ka me qindra vajza,
më përtej kufirit padyshim ka disa dhjetëra mijëra të tilla. Ndryshimi është se
Lora ime vjen në mënyrë artistike.
-Se
harrova, meqenëse jemi gazetë shëndeti. Lora bën mire apo keq për zemrën?
Të paktën një takikardi do ta përjetojë çdo lexues.
Por gjithsesi është e përballueshme dhe nëse një lexues ka tre by-passe apo një
problem me valvulën.
Intervistoi: Silvana Balliu
No comments:
Post a Comment