Saturday, January 30, 2016

Rrugëtim për mëkatin e faljen - nga Agim Baçi

Agim Baçi

Leonard Veizi ka notuar në debatin e përditshëm për të dalë në bregun e qëndrimeve të tij, tashmë si një prozator që kontrollon prozën e tij në favor të anijes që ai e drejton vetë. Është një prozë që sjell thuajse gjithë debatet e përditshme, të thënat dhe të pathënat e një shoqërie që ecën me ritmin e dëshirave dhe gabimeve njerëzore. E nëse në romanin "I çmenduri i pavionit 3" është një mjek që ndjek gjithë ndryshimet e shoqërisë përmes historisë së pacientëve, në romanin e fundit, "Orgji në famullinë e At Ludovikut" ngjarjet marrin edhe një ngarkesë qëndrimi moral mbi disa pikëpyetje që nuk po kalojmë vetëm ne, bashkëkomëbasit e tij, por thuajse të gjithë shoqëritë, qofshin moderne apo në tranzicion. Dhe At Ludoviku mbart nën veladonin e tij histori tronditëse, të cilat Veizi ka vendosur t'i zbardhë ngadalë, me ritmin e Penelopës, por njëkohësisht duke vendosur të jetë vetë edhe Odiseu që i jep zgjidhje lëmshit të nisur, një lëmsh që nis "me gumëzhinën e makinave të policisë dhe përfundon me një zjarr në një famulli", si për të paralajmëruar "nxehtësinë" e mëkatit atje ku paralajmërohesh për ndëshkimin.  "Deri ku shkon një njeri në rrëshqitjen e tij?" , është pyetja të cilën e bashkëmësojmë bashkë me doktor Mandin, i cili duhet të udhëtojë në pikëpyetjet e jetës përmes vendimit më të fundmë të njeriut, siç mund të jetë vrasja e më të afërtit, e prindërve, e fëmijëve, e gruas, e madje edhe të vrasjes për hobi, nën skenën e vampirit që i duhet gjaku i dikujt tjetër për jetën e tij. Një triller në kufijtë e së mundurës së shëmtuar. E megjithatë, Njeriu fle diku tek të gjithë. Por a është i trembur, i vdekur, apo thjesht i fshehur përkohësisht, këtë duhet ta mësojmë ngadalë, ose të paktën të mësojmë një version të mundshëm të tijin.
E më pas, një pyetje tjetër, që duket se mbart gjithçka në e prozës, jo thjesht të Veizit, por të asaj proze që lidh gjithë pikëpyetjet e mbrame të njeriut: Çfarë mund ta trandë më shumë një shpirt njerëzor? Dhe At Ludoviku, si barrierë e fundit ku njeriu përplaset, pasi nuk mundet më që të përballojë hapat e tij përmes enëve të kockave të tij, qëron nga pak "lëkurë" por duke e falur gjithnjë kockën që duhet të mbajë në këmbë njeriun, e duke e ftuar atë në bashkëudhëtimin e së mundurës së bukur. Një sfidë që mund të humbë ditë pas dite, por që nuk mund të mbytet kurrë pavarësisht lumit të rrëmbyer të mëkateve njerëzore, deri në veladonin e priftit apo atje ku mendja të ka shpallur divorcin duke të hequr kufirin e asaj që mund të gjykosh përpara se të kesh kaluar pragun e së mbrames, e asaj që nuk duam asesi të na ndodhë.
Është një stil kokëposhtë i rrëfimit, kur gjithçka për t'u mësuar nis nga fundi, për të bërë zbërthimin e hap-pas-hapshëm, deri sa vendos të na japë edhe fundin- një fund që vijon më pas në secilin që e shfleton, siç duhet të ndodhë vërtetë me një libër që arrin të trokasë në fondin e librave që mbartin Njeriun, të cilin në një mënyrë a tjetër duhet ta njohim. Është një stil që të jep mundësinë e kthimit dhe rikthimit te i njëjti personazh pa pasur nevojën e vazhdimësisë në përditshmërinë apo rritjen e dikujt. Eshtë një rrëfim në stilin e shikimit të fotove të shkuara, ku herë duam të ndalim e herë duam t'i kalojmë shpejt, por që në fund e kuptojmë se janë pjesë të së njëjtës, pa mundur dot të jetojnë veç e veç.
Ndërkaq, ky stil i Veizit, që shënon disa hapa të rëndësishëm në konsolidimin e tij në fushën e prozatorëve shqiptarë, ka nevojë ende për një farkëtim të rëndësishëm që të arrijë të konkurrojë- të arrijë të ndërtojë një personazh "pa pasur nevojë për dorën e autorit". Duket sikur personazhet, qoftë At Ludoviku, Viki, apo doktor Mandi, vijnë një moment dhe janë të varur nga ajo çfarë do tjerrë Veizi për ta, duke mos ardhur deri tek profili i një parashikueshmërie nga vetë lexuesi. Eshtë diçka krejt instiktive, e pakuptueshme, kur lexuesi nis të shkëputet nga autori dhe të jetë bashkudhëtar i personazhit apo edhe i fabulës. Është një lojë që i ngjan instinktit të fëmijës, që i zgjat dorën personit të cilit i beson se do të shkojë diku. Këtë kapërcim psikologjik ende Veizi nuk ka mundur t'ia falë lexuesit, duke "nguruar" t'i besojë udhëtimit për të cilin kanë nevojë personazhet. Ky proces nuk e përjashton aspak hapin e rëndësishëm të autorit, i cili tashmë ka sigurinë e tjerrjes së gjithë lëmshit që ndërton vetë. Por krijimi i një personazhi "të mëvetësishëm", që mund të rrojë "jashtë librit" siç ka ndodhur me shtegtimin e shumë personazheve në botë, është një proces fundamental, sidomos kur nuk veçohesh dot për teknikën e rrëfimit.  Padyshim që krijimi i profileve nuk ka qenë aspak i lehtë në historinë e letërsisë, e aq më shumë në atë të letërsisë shqiptare. E megjithatë, mjafton p.sh të marrim At Tanushin e Mitrush Kutelit, i cili duket sikur vjen nga kohërat, e ikën sërish në kohën e tij, e duket sikur autori veçse i ka bërë "foton e çastit". Pikërisht ky modelim, që të duket sikur personazhet kanë jetuar edhe më parë, e do të vazhdojnë edhe më pas, mbetet sfida e autorit. Për aq kohë sa ato do të jenë "nën penën" e autorit, ata mbeten brenda kapakëve, pa arritur të dalin e të udhëtojnë me lexuesin, duke i kthyer "reston" e bashkëudhëtimit që bën lexuesi gjatë leximit.

E deri më tash, duket se Veizi ja ka ndërtuar shtëpinë "banorëve të tillë", sidomos me dy prozat e fundit, nga ku paraqitet si zotërues i gjithë asaj çfarë ndërton. Aty thjesht duhet të hyjnë tashmë e të dalin emra që do të mund të jetojnë "vetëm" ashtu siç ndodh me letërsinë e madhe, ku personazhi vjen e bëhet edhe më i rëndësishëm se autori, pasi përshtatet në kohë. Domethënë, merr veladonin e autorit, dhe e bredh atë në kohë. Nëse do të mund të tentojë këtë profil, padyshim që proza e ardhshme do të mund të mbetet edhe më shumë në hullinë e emrave që duhet t'i kujtojmë se kanë lindur nga një penë, por që mund të rrojnë edhe pa të.

No comments:

Post a Comment