Leonard Veizi boton romanin e ri: Tranzicioni shqiptar në
fatin e “Lorës”

Një ish-¬prostitutë moldave gjendet e masakruar me 13
goditje thike në shtratin e një hoteli pranë Stacionit të Trenit në Tiranë…
Shkrimtari Leonard Veizi shfrytëzon një histori si ato që rëndom mbushin
kronikat e zeza të lajmeve, për të zbuluar gjithë tranzicionin shqiptar. Jetë
të thyera në mes përdhunshëm, dashuri të humbura, kujtime që zgjohen nga një e
shkuar e largët dhe që të turbullojnë të tashmen… “Lora”, si emri i femrës së
vrarë, e ka titulluar romanin e tij më të ri, hedhur në qarkullim nga shtëpia
botuese “Omsca 1”, Leonard Veizi. Por ai nuk sjell vetëm fatin tragjik të një
vajze. Ajo është shkëndija që vë në lëvizje motorin rrëfimtar. “Lora” është nga
ato romane, që lexohen me një frymë. Lexuesi është kureshtar të ndjekë deri në
fund jo thjesht linjën e zbardhjes së një vrasjeje, duke ndjekur gjurmët bashkë
me hetuesin e prokuroren e çështjes, por të mësojë deri në fund fatin e gjithë
personazheve që hyjnë e dalin në roman, si pasagjerët që nxitojnë në një
stacion tranzit. “Lora” bën bashkë fatin e vajzave që përfunduan nëpër semaforët
e Italisë, me atë të emigrantit që punon në disa punë, duke numëruar liretat e
fundit të qirasë. Aty gjendet edhe biznesmeni që tashmë e ka kuptuar se të
gjithë i vijnë rrotull për shkak të portofolit të ngrohtë, punonjësi i
administratës shtetërore, menaxheri i artit, një femër e braktisur nga i
dashuri… Fundja të gjithë personazhe, me të cilët shkëmbehemi çdo ditë në jetët
tona. Ngritja e shumë linjave paralele, zhvendosja e ngjarjeve sa në Tiranë,
Torino, Vjenë, nga një vendngjarje krimi, në një avion, në një aeroport, në
furgonin e linjës për Sarandë…, në tokë e në qiell, nuk e pështjellon lexuesin.
Romani ka dinamikë, stili është i rrjedhshëm, i pasforcuar. Autori nuk ndalet
në përshkrime të tepërta. Veizi nuk ndalet gjatë në vizatimet e tipareve të
Rron Grabovës, Mark Brovinës, Lora Emersonit, Drin Kelmendit.. , por lexuesi
mund ta ravijëzojë fare qartë pamjen e tyre. Ai i drejton me ngut kureshtarët
deri në faqen e fundit.. “Lora” vjen për lexuesin, paraprirë nga 9 vepra të
mëparshme të autorit, në tregime, novela e romane, si “Treni i fundit i
metrosë”, “I dënuar me vdekjen”, “I çmenduri i pavijonit 3″ etj.
No comments:
Post a Comment