Jemi të monitoruar ngado, aq sa dhe
gjumin e kemi të vështirë ta bëjmë të qetë e krejt me vete. Në vitet ’60,
revolucioni kulturor i Kinës komuniste gjatë tentativës për të krijuar njeriun
e ri, kërkoi ta zhvishte atë nga intimiteti. Me këtë rast, mes të tjerash u
orjentua heqja e perdeve nga dritaret, mbajtja e dyerve pa çelës, e një seri gjërash
të tilla krejt absurde. Njeriu i ri duhej të ishte transparent. Nuk kishte çfarë
t’i fshihte vetes, as të tjerëve dhe as Partisë sigurisht. Ai ishte thjesht një
punëtor i dalë nga revolucioni, larg rehatisë mikroborgjeze.
Kanë kaluar 50 vjet prej asaj kohe, e
cila la jo pak gjurmë dhe në ndërgjegjen e shqiptarëve.
Tanimë besoj se duhet ta quajmë veten me
fat që kemi arritur të kapim epokën e kibernetikës dhe t’i marrim të mirat që
na lehtësojnë pafund. Më pak mundësi duhet të ketë pasur dy apo tre shekuj më
parë. Ose të paktën kështu na pëlqen të besojmë. Atëherë gjuetia mbi kalë, me
shigjeta e kama thuhej se ishte gjëja më e çmuar. Për plazh e banja dielli me bikini
apo krejt nudo as që bëhej fjalë.
Tanimë bota vërtitet rreth një qarku të
integruar. Vajzat toples nuk kanë më arsye të penalizohen. Më i shpejtë është
bërë komunikimi dhe më e lehtë është të gjesh këdo që kërkon të turmën
marramendëse të anonimëve. Çdo kush e ka një smartfon e gjithkush klikon në
internet. Kaq duhet për të lënë gjurmë. Nuk ka nevojë më për sinjale me ura
zjarri dhe alfabeti mors ka dalë nga loja prej kohësh. Sot, një celular i
sistemit android të mjafton për gjithçka. Me një lap-top apo tablet gjithashtu
je në treg. Deri këtu gjithçka është përfekt.
Por, e gjitha kjo a mos duket pak si e rrezikshme
për natyrën diskrete të vetë njeriut?
Pyetja është me vend. Sidomos nëse je
njeri urban, apo si të thuash, social, dhe puna të lidh në zyrën më ajër të
kondicionuar e një kompjuter para hundës. Falë teknologjisë sot shumë
institucione, qendrore qoftë periferike, nuk ka dallime më, janë të pajisura me
kamera dixhitale. Këmbë hajduti nuk shkel në to. Kush guxon, fytyra i mbetet në
harddisk, e ekspertët e policisë e identifikojnë tak-fak. Të vënë dhe celularin
në përgjim. Nga hajdutët nuk ka pse të kemi frikë më. Edhe mesazhe anonime kërcënuese
duhet të jesh goxha trim apo idiot krejt e t’ia dërgosh dikujt. Duhet veç një
denoncim dhe sektori i Hetimit të Krimit Kibernetik të gjen sa hap e mbyll sytë.
Por gjithsesi, çdo e mirë e ka një bisht
nga pas. Populli nuk i nxjerr kot fjalët e urta. Vitet e fundit më ka ndodhur
që, sa herë kam ndërruar zyrë të ngre sytë nga tavani e të kuptoj se nga e ka
syrin “big brotheri”. A thua po më kthehet në sindrom... Jo, jo, se besoj.
Është thjesht një masë që marr ndaj vetes.
Në një prej zyrave ku punoja ca kohë më
parë isha ndeshur fillimisht me një kamera të maskuar. Vendi ishte fort publik,
30 vetë punonim në të njëjtën sallë. Nuk flitej për intimitet. Por s'di pse ajo
mini-kamera ma prishte gjithmonë idilin tim të meditimit abstrakt. Sepse kuptoja
që gjithmonë ishte dikush që më mbante nën vrojtim për sa kohë isha aty. Jo
vetëm mua, sigurisht. E ndërsa këtë shqetësim timin ia shpreha një kolegu, u
habita edhe më kur ai ma ktheu: Po të tregohesh më i vëmendshëm do zbulosh edhe
sy të tjerë. E mbajta vath në vesh atë çfarë më tha kolegu. Në kontaktin e radhës
me zyrën-stallë hodha sytë ngado. Numërova dhe pesë kamera të tjera. 6
gjithsej. Goxha investim për t’i mbajtur njerëzit “nën monitorim”. Dhe qesha me
vete. Hidhur. Gjëja e parë që më ra ndër mend atë çast ishte filmi hollivudian
“Silver” i vitit 1993, me Sharon Stone e Uilliam Balduin, që bëri namin në
shikues e prerje biletash. Kur ai u bë publik, të gjithë që e shihnim, e
komentonim si një ngjarje të sajuar e ndoshta pa shumë perspektivë, përderisa
në qendër të skenarit ishte pronari i një ndërtese që kishte montuar kamera të
fshehta ngado dhe përgjonte të gjithë banorët e pallatit, në dhomat e gjumit e
duke u larë në vaska. Nëse 23 vjet më parë, kohë kur u realizua ky film, kjo
gjë shihej me mosbesim, sot është një trendi, pra është në modë. Nuk ka më
tabu. Je i vrojtuar ngado. Kolegë gazetarë më kanë thënë se në disa
“institucione” janë montuar kamera sigurie edhe në tualete. “E ç’duan të
shohin”, e pyeta gjithë ironi kolegun që më dha lajmin i pari. Ai ngriti supet.
“Ndoshta punonjësit që tentojnë të bëjnë seks në banja”, - më tha.
Edhe mund të kisha qeshur me këtë
batutë. Por jo...
Jemi të monitoruar në çdo çast.
Intimiteti humbet çdo ditë. Nëse Kina komuniste do ta kishte vonuar ca revolucionin
kulturor, nuk do të kishte arsye t’i detyronte nënshtetasit e saj të ishin
transparent përmes dritareve pa perde. Sot vish çfarë të duash për të mbuluar
lakuriqësinë tënde. Në fakt je krejt nudo në databazen ku intimiteti yt është në
dorën e dikujt tjetri.
No comments:
Post a Comment