Kur u dha lajmi se Ministria e Kulturës u bë me zyra të reja, u gëzova pa masë, përveç faktit që nga qendra, institucioni në fjalë u zhvendos në periferi, apo thënë ndryshe, nga një godinë e arkitekturës italiane shkoi pranë një ndërtese të stilit sovjetik. Çuditërisht një gjë e tillë ndodhi dhe pak më poshtë, me Ministrinë e Mbrojtjes, e cila gjithashtu u vendos me zyra në territorin e ish-Akademisë Ushtarake. Ndërkohë, Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore ishte kthyer në selinë e Partisë Demokratike.
Ky
mund të jetë një trend. Asgjë të keqe nuk ka.
Duke
menduar këto, dhe ca të tjera, bëra një bilanc të vogël me vete dhe më rezultoi
se në 25 vitet e fundit Ministria e Kulturës e kishte ndërruar katër herë
vendndodhjen e saj; nga Rruga e Durrësit ku ishte bashkë me Ministrinë e
Arsimit, në një fragment të katit të fundit të ish-Komitetit Qendror, te godina
e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve për të shkuar së fundi në ish-Kinostudion
“Shqipëria e Re”. Bo, bo, sa shumë “ish”-e.
Parë
në këtë mënyrë, duket se Tirana vazhdimisht përjeton një sindromë të çuditshme,
atë të ndryshimit të emërtimeve, të vendeve, por sidomos të destinacionit të
godinave, që në njëfarë mënyre kanë qenë pika referimi pikante e që përbënin
njëkohësisht edhe një formë adresari për “tironsit e vjetër” dhe jabanxhinjtë.
E
të themi se tanimë kemi një kaos të rregulluar në kryeqytet. Mund të mos jetë
ndonjë vlerësim për t’u marrë në konsideratë, por gjithsesi të bëjmë një
panoramikë gjysmake të asaj çka ka ndodhur në vite.
Kjo
ide, për herë të parë më lindi prej çastit kur një koleg i ardhur vonë në
Tiranë më dha mua të lindurit në Tiranë, një koordinatë krejt të pazakontë për
kujtesën time, emrin modern të një lokali demode të cilin nuk e dija nga binte.
E për ta vënë me “shpatulla për muri” i thashë se do t’i jepja një darkë
shembullore nëse më çonte te restorant “Donika”. Ky restorant nuk ekziston prej
më shumë se 30 vitesh. As restorant “Durrësi” që më erdhi në mend në ato çaste.
Madje as Hotel “Vjosa” me tavernën e famshme që deheshe nga avujt e alkoolit
sapo futeshe brenda. Shpëtova nga basti. Bëmë dhe pak humor inatçor me
njëri-tjetrin dhe e lamë me kaq.
E
bëra këtë parantezë të shkurtër për nostalgjikët, e për të treguar se Tirana
nuk është më ajo që ka qenë, jo nga ndërtimet e vrullshme, por dhe nga
tjetërsimi i emërtimeve, të cilat kanë rënë njëra pas tjetrës.
Unë
jam rritur pranë vendit që për t’i orientuar u thosha atyre që më pyesnin se
banoja prapa “Hotel Pezës”, apo pranë Kinema “17 Nëntori”. Tanimë kinemaja nuk
ekziston. Hotel “Peza” është kthyer në qendër biznesi. Natyrisht nuk po marr
përsipër të shtyhem tutje në kohë sepse nuk do të më duhej një studim i tërë.
“Varri i Bamit” apo “Zogu i Zi”, gjithësi i kanë mbijetuar rrymave që kanë
sjellë vazhdimisht ndryshim. Por të vazhdojmë me këto që na bien ndërmend
shpejt e shpejt. Për më tej, çdo ditë më duhej të merrja rrugën për në shkollë
nga bulevardi “Stalin” e të kaloja para hotel “Tiranës”. Mirëpo hotel “Tirana”
një ditë u kthye në Hotel “Arbëria” pasi emri iu dha ngrehinës më të lartë që u
ndërtua në kryeqytetin të viteve ‘80, pesëmbëdhjetëkatëshit. Pavarësisht se më
pas edhe bulevardi “Stalin” u kthye në “Zogu i Parë”, pasi segmenti që mbante
këtë emër dikur ishte zëvendësuar me “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë edhe hotel
“Arbëria”, pikë referimi sidomos për të zbriturit nga stacioni i trenit,
ndërroi destinacion për t’u kthyer në Ministri të Drejtësisë. Por për ironi të fatit dhe stacioni i trenit
e ka humbur territorin për t’u kthyer në “ish”.
Ndërtesa
hijerëndë e ish-Komitetit Qendror e projektuar nga italianët si Pallati i
Rinisë Fashiste, por e përfunduar nga rusët u kthye në Kryesi të Kuvendit dhe
ca “satelitë” të tjerë që gjetën mjedise po aty, si Gjykata Kushtetuese e KLSH.
Pallati i Fashos, të cilën dhe pushtimi gjerman e ktheu në komandaturën
naziste, pas çlirimit më së shumti u njoh si korpusi qendror i Universitetit e
tanimë thjesht si Universiteti Politeknik.
Një
pikë tjetër referimi e Tiranës ishte dhe hotel “Arbana” që një ditë u kthye në
zyra për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Hotel “Dajti” tani për tani
është një gërmadhë pa emër. Hotel-restorant “Vollga”, për shumë vite u njoh dhe
me emrin “Drini”, ndërsa tanimë është një godinë pa identitet. Në të gjithë
rrugën e Durrësit pika më e njohur e referimit ishte “Ambasada Jugosllave”,
godina e së cilës gjithashtu nuk ka të njëjtin funksion. Por metamorfozë të
çuditshme pati dhe ish-Shtëpia e Ushtarakëve që më pas u kthye në Lindjen e
Shkrimtarëve e në Ministri Kulture. Tanimë godina e ndërtuar nga italianët pret
të marrë një emërtim të ri.
Dhe
po e lë me kaq, pasi kështu mund të vazhdojmë pa mbarim. Veç sot në Tiranë më i
sigurt je të marrësh një hartë, sepse po të referosh si pikëtakimi uzinën
“Enver”, aty do të gjesh zyrat e Bashkisë.
Botuar në ResPublica
05 Janar, 2015
No comments:
Post a Comment