Leonard Veizi
Ç’është e vërteta, Facebook-u gjithmonë më është dukur
punë kalamajsh. Domethënë, ai është shumë i përshtatshëm për të flirtuar, për
të gjetur ndonjë mik të hershëm që ke vite pa e takuar, për të bërë
thashetheme, e sidomos për të luajtur “FarmVille”. Por nuk më jep përshtypjen
se mund të përdoret dhe për punë zyrtare, e për deklarata të rëndësisë së
veçantë të njerëzve më me peshë të shtetit. Në Shqipëri kjo ndodh rëndom,
Facebook-u përdoret nga të gjithë zyrtarët e lartë për të thënë gjëra, që në
fakt duhen arkivuar me numër protokolli.
Kadare shkruan se Belul Gjonomadhi e kishte zët telefonin
dhe vuri inat me radarë, e nëse do të plaste lufta, gjënë e parë që do të bënte
ishte t’i merrte shpirtin asaj gjësë që rrotullohej e jepte sinjale me drita.
Natyrisht, sot nuk vete puna deri këtu. Shumë më keq do ta kishim pa
teknologjinë madje. Se edhe Beluli, me qylaf në kokë dhe gunën krahëve, e ka
kuptuar më në fund, se nisja e luftës bëhet jo vetëm nga telefoni i
dashuriçkave, por dhe nga një sms.
Në këtë kuadër, tanimë është bërë e modës që kryeministri
Rama për çdo gjë i referohet Facebook-ut. Teknologji e lartë. Kjo është një
prirje e theksuar edhe e ish-kryeministrit Berisha, sidomos me daljen në
opozitë. Por fort po ndikon dhe te “kryeministri” në pritje Lulëzim Basha. Pra
te politikanët më me pushtet në Shqipëri, nga ku populli pret t’u vijë ndonjë e
mirë. Media po nuk ka punë tjetër veç i referohet çdo thënieje të tyre në faqen
e Facebook-ut. E fillon Rama që në pikë të mëngjesit me Facebook. Nuk kalojnë
veç pak minuta e i përgjigjet Basha me të njëjtën monedhë. Fiks si cicmic-et e
kalamajve. Dhe imagjinoni që flitet për akuza milionëshe me euro e dollarë. “Ku
i ke 160 milion...” Në Prokurori s’ka asnjë denoncim për be. Dosjet që mbushin
sirtaret janë çështje të klasifikura si “krim brenda familjes”. Për zyrtarë të
lartë nuk ka ankesa. Vetëm në Facebook. Atje i gjen të gjitha. Është çështje
gare. Vetëm reagimi në Facebook të mos mungojë. Atje flitet për
dekriminalizimin e Kuvendit e Reformën në Drejtësi. Një herë në Facebook,
pastaj linja kalon në Twitter e Linkedin, d.m.th: nga e djathta në të mëngjër e
anasjelltas. Aq sa nuk dimë nga ta kthejmë kokën. E si mund ta marrësh
seriozisht një gjë të tillë. Herë-herë futet në lojë dhe Berisha, por meqenëse
e ka kaluar atë fazë matet mirë para se të bëjë një reagim elektronik.
Lind pyetja: Po faqe zyrtare interneti a kanë këto
institucione? Kërkoj në google. E gjej për një sekondë www.kryeministria.al,
http://www.pd.al. Po paskan ore, paskan. Se mendova mos kishin mbetur në të
keq. Madje dhe me inicialet e shtetit në fund. Po pse çdo reagim të tyrin nuk e
transmetojnë nëpërmjet faqes zyrtare, por qëndrojnë si adoleshentët pas faqes
së Facebook-ut?!
Kushdo që hap Facebook-un nuk e ka të vështirë të kuptojë,
përveç njerëzve normalë që duan një dritare komunikimi, ai gëlon nga profilet
false e faqet pornografike. Po burrat e shtetit shqiptar çfarë kërkojnë që
qëndrojnë gjithë kohës online në Facebook. E ku ta marrim vesh nëse kush është
Rama i vërtetë dhe ai fals, Berisha i vërtetë, apo ndonjë tjetër që hap faqen
me foton e tij. Apo marrëdhënia pasionante me Facebook-un tregon se janë trendy
e duket sikur po ecin me hapin e kohës.
Dhe të gjithë këtyre që përmendëm nuk u mungon media që
të dalin në ekrane sa herë t’u dojë qejfi. Me një të fërshëllyer mbledhin 20
kamera e gazetarë. Dhe mund të komunikojnë sa të duan. Por jo.... te
Facebook-u, atje u rri mendja. Se njërit po i bëhen 700 mijë “frendsa” e
tjetrit i kanë kaluar mbi 800 mijë.
Postuar në ResPublica
03 Shtator, 2015
No comments:
Post a Comment