Thursday, May 5, 2016

Shënim: Kafeja e një mëngjesi pa drita


nga Leonard Veizi

Një mëngjes, në barin ku shkoj çdo ditë, e që për hir të Zotit ta shërbejnë kafen bashkë me një gotë uji të mbushur me akull, por kjo e fundit krejt pa pagesë, qëlloi që kamerieri, i buzëqeshur si gjithmonë më solli vetëm kafen. M’u duk sikur diçka krejt e thatë m’u përplas mu në syprinën e tavolinës. Zakoni i vjetër më thoshte se duhet të lagia fytin. Vapë e madhe që me sabah. Shoh kamerierin në sy. Ai vazhdon të buzëqeshi e më thotë: “Të më falësh por ujë nuk ka”. Epo rregulla të reja mendova, pronari dashka të shesë ca bidonë në pikë të vapës. Biznes mo. “Ma sill një ujë me gaz, - i them kamerierit, - meqenëse ky i Bovillës na qenka mbaruar”. Por pronari i lokalit, pas aparatit të ekspresit hidhet për të më sqaruar. “Bovilla ka ujë sa të duash, por s’kemi ne. E gjitha lagjja demek. Se ç’po bëjnë ca rregullime me pompat, apo më duket rregullojnë nënstacionin e nuk ka energji për pompat. E dhanë edhe lajmet”. Tunda kokën. Po, po ke të drejtë, mendova, i pashë lajmet edhe unë. E vërtetë. E piva kafen i vetëm në pritje të një miku i cili u vonua ca. Por dikur erdhi dhe ende pa u ulur mirë në tavolinë porositi një kafe dhe një bidon ujë pa gaz. Unë buzëqesha. I merr masat tjetri, nuk pret ujë qyl nga lokali. Kamerieri erdhi menjëherë. Solli vetëm ujin. “Porosia do vonohet ca”, - tha. “Mbaroi dhe kafeja” - fola unë gjithë ironi. “Na kanë ikur dritat”, - u justifikua kamerieri. Po, po, ka shumë ngarkesë. Kondicionerët në punë që në pikë të mëngjesit. E besoj. “Tani do ndez gjeneratorin, - ndërhyri pronari i lokalit. - Sa të më vijnë nja dy litra naftë se ishte bosh fare serbatori”. “Epo e paskan lënë të gjitha për sot” - vazhdova unë. “S’ke ç’i bën, tranzicion, – foli një nga klientët e pakët të barit, gjithashtu i zakonshëm mëngjeseve në të njëjtin vend. - Ca me dhimbje por do kalojë”.
Tranzicion. E tmerrshme. Jeni apo s’jeni në vete. Kaluan 25 vite dhe ende jemi në tranzicion. Kulmi. Edhe piramidat e Egjiptit nuk vazhduan kaq gjatë. U ndërtuan më shpejt. Por a mund të themi se vazhdojmë të jemi në tranzicion? Edhe mundet. Uji me probleme... energjia gjithashtu. Gushti është futur gjithë kufizime. Axhanset thonë se bota ka më shumë se 7 miliard banorë dhe në vitin 2100 do të ketë mbi 11 miliardë. Parashikohet uri dhe etje. Po ç’hyn Shqipëria në këto statistika. Ne kemi ujë sa të duash. Shumica ikën kot, derdhet në det. As që shfrytëzohet. Tokat po rrinë djerrë, si punon kush.
“Nuk ka zgjidhje, - vazhdon bashkëbiseduesi. - Nuk bëhet ky vend”. Dua ta kundërshtoj, t’i mbush mendjen se bëhet... “Po, or po, - vazhdon me të tijën ai. - Duhet zbrazur vendi nga shqiptarët, të ikin në emigracion kështu si po ikin përditë. Të popullohet me të huaj, atëherë bëhet ky vend”. Dhe të mendosh që në histori na kanë mësuar që ne shqiptarët u kemi bërë ballë të gjitha dyndjeve të huaja e spastrimeve etnike. Racë e fortë jo shaka. Tani u dashka të ikim vetë. Muhabet kafeneje. Pagova paratë dhe u ngrita. “Kafenë tjetër e pimë në një lokal me drita”, - i them mikut që atë çast rrëmbeu bidonin e ujit në dorë.


Postuar në ResPublica 04 Gusht, 2015

No comments:

Post a Comment