Leonard Veizi
Një pjesë e tyre kanë mbetur në harresën e kohës, një
pjesë tjetër janë kujtuar përciptazi, ndërsa të tjerë vazhdojnë të jenë të
pluhurosur pasi për vite me radhë kanë qenë krejtësisht të ndaluar. Duket si
një klasifikim i zakonshëm që vjen nga një propagandë inkuizicioni, por nuk
është se ka ndodhur krejtësisht kështu. Për më tepër kur flitet për njerëzit e
letrave. Ajo ishte e sofistikuar që një pjesë të vlerave t’i kthente në
antivlera dhe e kundërta.
Dihet mirëfilli që në rrugën e gjatë të popullit shqiptar
shumë ngjarje të rëndësishme historike, shumë figura të ndritura të letërsisë
apo historiografisë sonë kombëtare kanë mbetur të pastudiuara thellësisht ose
krejt të pastudiuar një pjesë e tyre. Ideologjia ekstreme e së kaluarës kishte
diktuar që, si ngjarje të veçanta ashtu dhe një sërë figurash të mohoheshin apo
të mbeteshin nën mjegullnajën e kohërave. Për t’iu kundërvënë këtij konteksti
lindën realitetet, që sollën nevojën e shpalosjes së gjithë asaj pjese të
historisë sonë, që ishte kapluar nga eklipsi kohor. Në fakt, viktimë e kësaj
ideologjie kishin rënë jo vetëm Faik Konica dhe At Gjergj Fishta, por në
njëfarë mënyre edhe Fan Noli, për të cilin, në fakt ishte bërë një përjashtim i
vogël. Gjithsesi, as Noli nuk mund të pretendonte se ishte i përkëdheluri i
sistemit. Idetë e majta, krijimi i Autoqefalisë dhe sidomos Revolucioni
Demokratik e kishin shpëtuar gjeniun shqiptar nga presioni i harresës. E
megjithëse me një mendje brilante, arsimim të shkëlqyer dhe njohës i 15 gjuhëve
të huaja, administratorët e shtetit komunist ishin mjaftuar që emrin e tij ta
përjetësonin në një shkollë 8-vjeçare, diku pranë “Pazarit të Ri” në kryeqytet.
Ndërsa vlerat e tij ishin për shumë më tepër, ndoshta për vetë universitetin
shtetëror.
Po kaq i harruar ishte edhe një lirik si Lasgush Poradeci
apo prozator si Kasem Trebeshina që, edhe pse e jetuan regjimin në të gjallë të
tyre, në fakt duket të ishin gati inekzistentë. Njëri në burg dhe tjetri i
“syrgjynosur”. Ndërsa vepra e tyre mbeti fare e panjohur, apo thënë ndryshe e
pabotuar për vite më radhë.
E megjithatë dua të shtoj se "Letërsia e
ndaluar", nuk ka pse të glorifikohet për hir të “ndalesës” nëse vlerat e
saj janë të nivelit mesatar. Kjo ka ndodhur pasi ndonjë studiues, për hir të
kompromist me peshën e emrit nuk i ka dhënë vlerësim objektiv veprës.
Ernest Koliqi është padyshim një nga krijuesit më të
talentuar të fillimit të modernitetit në prozën shqipe. Këtë e kanë vërejtur në
forma të ndryshme shumë studiues, që janë marrë me krijimtarinë e tij
artistike. Por edhe ai, viktimë e një firme politike, do të zhytej në terrin e
harresës 50-vjeçare, për të marrë më pas një dimension të ri të shpërfaqshëm.
Me krijimtarinë e pastudiuar të Koliqit mund të bashkohen dhe autorë të tjerë,
si Kuteli e Konica në prozë edhe Poradeci në poezi. Ndërsa Migjeni i përdorur
me mjeshtëri si “poeti i mjerimit” i mbijetoi sistemit jo vetëm për shkak të
vargjeve goditëse, por mbi të gjitha falë talentit të tij të jashtëzakonshëm.
Ka dalë nga harresa një publicist si Gjergj Bubani. Vepra
e tij është botuar thuajse e plotë nga shtëpia botuese “Omsca-1” e më pas dhe
eseja monografike “Gjergj Bubani i harruari i përkohshëm” shkruar nga Kliton
Nesturi.
Gjithsesi ishin vlera të mbuluara nga pluhuri i harresës.
Tanimë një pjesë e tyre i janë nënshtruar një studimi të
plotë. Vepra e Jeronim De Radës vjen gjithashtu tërësore në këtë 200 vjetor të
lindjes së tij.Vlerat e tyre po dalin në dritë. Kështu na kanë ardhur në botime
të panjohura Konica e Fishta, Noli dhe Koliqi, Poradeci dhe Camaj. Madje ky i
fundit në një vështrim mjaft interesan tek “Camaj i paskajuar” i studiuesit
Shaban Sinani. E ndërsa krijimtaria e tyre ka marrë jo pak kohë nga ditët e
studiuesve, të cilët këtë herë e kanë parë gjithçka në dimensionin e tyre të
vërtetë, jashtë kornizave.
Nisma e një shkrimi të tillë erdhi pas një vëzhgimi jo
fort të hollësishëm, por gjithsesi të dukshëm e domethënës, ku dola në
përfundimin se në valën e promovimeve, sot ndesh jo pak vëllime të mirëfillta
studimore, kushtuar figurave që mbartin vlera të vërteta. Janë pikërisht këto
dalje në dritë e vlerave që kanë pasuruar më tepër tregun e librit shqip.
...Por ndoshta s’duhet të mjaftohemi me kaq. Tanimë, ajo
që paraqitet më e mundshme si rrezik i paralajmëruar është harresa e një pjese
tjetër autorësh. Jo vetëm Pjetër Bogdani, Pjetër Budi apo Frang Bardhi, që i
përkasin një kohe më të largët, por dhe vetë vëllezërit Frashëri janë më pak të
përkrahur nga fryma e re studimore. Ndre Mjeda ndoshta është nga të paktët me
një korpus prej 8 veprash, ku shtrihet e përmbledhur vepra dhe studimet mbi të,
nga studiuesi Mentor Qyku. Por ende shumë pak është marrë në konsideratë dhe
vepra e Zef Skiroit, Jul Varibobës apo Zef Serembes. Ndërkohë që ende nuk kemi
një evidentim të kontributit të viteve ‘30, ku hyjnë autorë e publicistë si në
rastin e Terenc Toçit. Nuk kemi ende një studim se çfarë përfaqëson Asdreni apo
Viktor Eftimiu në letërsinë shqipe. Ndërkohë që Çajupi mbetet ndër autorët më
të studiuar, ku spikat dhe studimi i Ermir Nikës: “Vepra e Çajupit dhe takimet
e saj me rrymat letrare”.
Ndërsa ata që epokën e tyre e bënë nën regjimin e para
viteve ‘90 kanë probabilitetin më të madh të futen në labirintin e harresës, të
paktën për njëfarë kohe. Kështu prodhimtaria e Jakov Xoxes, Kolë Jakovës,
Dhimitër Shuteriqit, Vath Koreshit, Dhimitër Xhuvanit, Dionis Bubanit, Ali
Abdihoxhës, Mitrush Kutelit, Faik Balancës apo dhe një sërë krijuesish të tjerë
që u munduan t’i shpëtonin socrealizmit është ende e patrajtuar.
Por problem mbetet dhe dramaturgjia ku ende nuk kemi një
studim të dramaturgjisë shqiptare, që zë fill me dramën “Besa” të Sami
Frasherit shkruar më 1874. Ndërkohë që ende nuk ka studime për gjuhën dramatike
të Fadil Krajës, atë të Teodor Laços apo Ruzhdi Pulahës. I njohur më së shumti
për përkthimet e fjalorët e tij, Vedat Kokona ka qenë gjithashtu një dramaturg,
vepra e të cilit nuk është e studiuar. Studime mbi dramaturgjinë shqiptare janë
ende shumë larg. Një pjesë e studiuesve tanë ose kapen nga gjëra të çastit ose
vazhdojnë të bëjnë referenca me pagesë. Nuk është ndonjë gjë për t’u lavdëruar
deri këtu. Ndër të rrallët që ka shkruar gjerësisht për dramaturgjinë shqiptare
është kritiku dhe studiuesi Mexhit Prençi, por që gjithsesi mbetet ende shumë
për t'u bërë. Ndërkohë që jemi në një periudhë ku krijimtaria e shpluhurosur të
rilexohet në një kontekst të ri.
E duket se gjithkush do kohën e vet.
Postuar në ResPublica
19 Dhjetor, 2014
No comments:
Post a Comment