Saturday, May 7, 2016

“Rroftë mediokriteti”

Leonard Veizi

“Rroftë mediokriteti”!
Nuk është se kjo shprehje, thjesht të kujton një njeri si Salieri, apo që kërkon të ngrejë në piedestal njerëzit me “virtyte” si ai. Të qenit mediokër apo jo i tillë, pra më lart apo më poshtë se një stekë që na e paska vënë “dikush”, e ka vënë në dilemë njerëzimin që prej çastit kur filloi gara e ethshme për të qenë dikushi në jetë. Por jo të gjithë ia dalin në këtë turravrap të mundimshëm. Ca e kalojnë stekën, ca mbeten mbi stekë... Dhe në përgjithësi shprehja e rëndomtë “mediokër”, është përdorur në sensin më pezhorativ të mundshëm, për të kuptuar ata njerëz të cilët nuk ia dalin dot të kapin majën.
Është pikërisht kjo shprehje që në fjalorin e Gjuhës Shqipe është trajtuar në dy pika, njëra prej të cilave thotë: “Që ka aftësi të kufizuara, që nuk shquhet për ndonjë zotësi ose për ndonjë cilësi të veçantë; që është i rëndomtë (për njerëzit)”.
Kjo sa për fillim, ose sa për t’ju kujtuar një pjese të lexuesve, se në fakt kjo fjalë nuk ka kuptime më të këqija se sa kaq. Shkurt: nuk është se të shan kush kur të thotë "mediokër".
Por ndërsa deri dje, njerëzit e kësaj kategorie, penalizoheshin nën emërtimin “negativ”, tanimë mendoj se ka ardhur koha të thirret fort, me vërtetësi dhe pa asnjë lloj dyshimi: “Rroftë mediokriteti”.
A mund të jep bindës në këtë që po them?! Mbase jo... Mbase ia dal...
E që ta fus në brazdë këtë bisedë me veten, po filloj me arsyetimin tim, ndaj vetes time, sigurisht. Nuk kam punë me të tjerët.
Prurjet në të gjitha fushat e jetës, por sidomos në ato të artit, muzikë, pikturë apo letërsi, këto vitet e fundit kanë qenë të shumta. Nëse të gjitha këto prurje do të kalonin hollë në sitën e kritikës dhe opinionit publik, padyshim pak gjë do të mbeste. Pjesa tjetër pa frikë mund të konsiderohej edhe si “mbetje”. Por për shkaqe të ndryshme, - të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi, - kritika në Shqipëri nuk ka ecur në të njëjtin hap me prurjet. Kështu që shumëçka ka mbetur e pa situr, duke iu servirur publikut në të gjitha format, herë si krijime të mrekullueshme, herë si arritje, herë si “bum”-e dhe herë si...
Emërtime pa fund.
Gjithçka nëpërmjet reklamave mediatike, të cilat natyrisht janë të paguara. Dhe në një rast të tillë, një media, - vizive apo e shkruar qoftë ajo, - merr përsipër që në bazë të shumës së përcaktuar që më parë, të transmetojë një spot, për atë çka një artist ka hedhur në treg. Deri këtu jemi në rregull në marrëdhëniet shitës-blerës, pra thënë shkurt në marketing.
Ajo që mbetet e patrajtuar është vlera.
E gjitha kjo m’u kujtua teksa në një nga ekranet me sigël shqiptare, - jo i pa rëndësishëm për nga fuqia - transmetohej një emision, ku drejtuesi i tij, pasi ftonte në studion e tij këngëtare fare të reja me një apo dy debutime, - absolutisht jo në skenë - i prezantonte plot zhurmë: “Mes nesh një këngëtare e famshme”. “Ndërsa tani do të kemi të pranishme një këngëtare edhe më të famshme”. Pastaj një: "Më e famshme se të famshmet"...
Inflacion fame?
E pra, absurditeti nuk njeh kufi.
Megjithatë nuk është një gjë që ndodh vetëm këtu tek ne, ku rëndom përdoret shprehja “vend i Botës së Tretë”. Ka ndodhur dhe në ekrane prestigjioze të vendeve të zhvilluara. Por ajo kohë ka marrë fund. Sot në perëndimin e largët, në ekrane televizive apo skena gjigante nuk ka më vend për mediokrit.
Por sa e lehtë të bëhesh e famshme këtu tek ne?
Ndoshta vetëm se je e gjatë, ke flokë bionde të lyera me peridrol, trup elegant, pak botoks në buzë e vithe. Megjithëse këndon me superpozim dhe skenën “live” as që e ke menduar. Por ndoshta këto nuk kanë fort rëndësi në kohën e teknologjisë së lartë, ku të gjitha defektet, janë të riparueshme, “pas kuintave”.
Megjithatë edhe kjo e ka një të mirë.
Nuk është se kisha probleme me performancën e tyre. Madje nuk është se arrija të nxehesha me vete se përse humbja kohën për të parë të tilla mediokritete. Ndoshta sepse atëherë dhe pikërisht atëherë mendova se nëse nuk do të ishin këta këngëtarë, apo më mirë të themi këngëtare - pa i fyer aspak se i kemi vënë në dukje mediokritetin e tyre, - nuk do të kuptonim famën e këngëtarëve të vërtetë që kanë dominuar në skenat e festivaleve të mëdha. Nëse nuk ka pikturë pa asnjë koncept por të fshehur thjesht nën emërtesën “moderne” apo “abstrakte”, nuk mund të vlerësojmë ata që dinë të vërtet të hedhin ngjyra mbi telajo. Nëqoftë se nuk do të kishte letërsi konsumi, mbushur me ujëra pa fund, pa sintaksë e ndonjëherë pa fare shenja pikësimi, si do mund t'i dallonim ata që dinë të shkruajnë vërtet.
E pra, të gjithë nuk mund të jenë gjeni. Shumica absolute që mbushin radhët e atyre që i quajmë pa të drejtë, artistë apo krijues, kanë qenë dhe janë mediokër. Dhe këtë më shumë se kushdo e ndjen shoqëria, që përballet çdo ditë me veprat e tyre, pa asnjë vlerë të veçantë, nga të cilat natyrshëm nuk mundtë mësosh asgjë, dhe as ndonjë mesazh nuk ke nga ta marrësh.
Por në këtë mënyrë, - duke marrë parasysh të mirën që na bëjnë pa dashje - me apo pa të drejtë na jepet mundësia të thërrasim pa frikë se na paragjykon njeri: “Rroftë mediokriteti”.


Botuar në revistën Kult - gusht 2012

No comments:

Post a Comment