Bernarda
Alba, një grua e sertë dhe e pakompromis, do ta ringjiste në skenë më të fortë
se kurrë. Ato të dyja u bënë bashkë, pazgjidhshmërisht, të paktën për 90 minuta
mbingarkesë. Dukej sikur, në një fill të padukshëm e krejt të paimagjinueshme
që tentonte të zgjatej në kohë e hapësirë, Lorka në Madrid e kishte shkruar
enkas për aktoren shqiptare dramën e tij të jashtëzakonshme “Shtëpia e Bernarda
Albës”. Regjisori Gëzim Kame i besoi rolin kryesor pa pasur në mend asnjë të
dytë: “Ti dhe askush tjetër.” Pesë vajzat e tjera të “saj” me më të voglën,
Adelën, që interpretoheshin nga Elvira Diamanti, Rajmonda Bulku, Flutura Godo, Zamira Kita e Gjenovefa Rredhi, mbronin diplomën. Ndërsa ajo do ta mbyllte aktin e fundit të të njëjtës
skenë me fjalët drithëruese: “Vajza e Bernarda Albës, vdiq e ndershme.” Pas
kësaj, në një eufori të përgjithshme, të gjithë ata që e njihnin por dhe të
tjerët që s’kishin dëgjuar kurrë për Justina Aliajn, do ta duartrokisnin
fort...
Kjo ka qenë hyrja e një interviste
botuar në gazetën “Shekulli”, në mesin e dhjetorit 2012. Që nga dita e botimit
të saj, që vendosi dhe marrëdhëniet tona miqësore, Justina Aliaj, kjo grua
elegante e plot sharm, më telefonon për të më ftuar të jem i pranishëm, në
mënyrë korrekte e lineare, sa herë që ka një eveniment kulturor, ajo vetë apo
dhe vajza e saj Flonja Kodheli. A ja kam prishur ndonjëherë e të mungoj në këto
evenimente? Absolutisht jo. E para nuk gjej dot justifikim, e dyta dhe më e
rëndësishmja është se kam kënaqësinë ta shoh gjithmonë në skenë, në mos me
Bernardën e paarritshme, të paktën me zonjën Pernelë tek “Tartufi”, një rol i
vogël por gjithsesi shumë dinamik, që ajo e luajti së fundmi në skenën e
Teatrit Kombëtar.
E bëra këtë hyrje të dytë sepse prej
kohësh më mundonte ideja se më duhet të bëja një portret të saj, jo me laps e
letër, as me penel e bojëra vaji, por thjesht me fjalë dhe për më tepër i
mbështetur në gjithë dëshminë që ajo vet ma pat dhënë në një intervistë të
pazakontë e mbresëlënëse të sajën.
Justina Aliajt i kërkova një intervistë
në vigjilje të festivalin 51 të këngës në Radiotelevizion. Ajo më tha se më
priste atje ku qo qëndronte të bënte provën e radhës në skenë si një prej të
zgjedhurave që do të përshëndeste. E gjeta në platenë me poltrona portokalli të
Pallatit të Kongreseve. Epo... kongrese nuk bëhen më aty, por emri i ka mbetur
i njëjtë që prej ditës së inaugurimit të tij edhe pse një artist si Ardit
Gjebreja e ka pagëzuar “Pallati i Koncerteve”. Kishin kaluar plot 40 vite prej
kohës kur ajo do të këndonte “Në ekranin e televizorit”, një kompozim i Agron
Xhungës. Fill pas kësaj do të vinte dënimi. Një kalvar i gjatë problemesh, të
cilat siç më tha vetë ajo: “Të binte rrufeja në Vermosh a Konispol, do të
togëzohej tek Festivali 11”. Dhe të mendosh që humbja vinte pas fitoresh,
sigurisht, ku duhet thënë se për shkak të talentit ajo, në një rast unik e të
paparë ishte pranuar pa konkurs në degën e Dramës të Institutit të Lartë të
Arteve.
Kështu e ka jeta. Thjesht duhet ta
përballosh. Ndaj në këto raste shpejt e shpejt të kujtohet sentenca: “I ra gurit
dhe... i ra njeriut... e mbajti...” Ajo padyshim bëri të njëjtën gjë.
Që prej Festivalit 11, që daton me
fundvitin 1972, askush nuk do ta shihte më në skenë. Në autobusët “Viberti” të
linjës Kinostudio-Kombinat, po. Çdo mëngjes madje, tek shtypej mes njerëzve të
klasës punëtore, për të arritur në kohën e duhur tek reparti ku prodhoheshin
mjete mësimore. Kjo ishte puna e saj e re, pasi Teatri e cilësoi “të
padëshirueshme”. Ajo që u paraqit gjithë sharm në skenën e festivalit aq shumë
të përfolur, nuk duhej të ishte më vetvetja. Me pak të kuq buzësh duhej të
lyhej që të mos binte në sy dhe krem në fytyrë gjithashtu duhej të kishte më
pak. E sa për modën e veshjes, padyshim; bluzë najloni e pantallona nga
teritali i kombinatit “Mao Ce Dun”. Ditët e arta kur shijohej muzikë prej
Bitëllsatve apo Rollingstonsave, teksa shihje një katalog mode duke qëndruar në
permanent, kishin marrë fund. Në Radio e Televizionin e Tiranës, shiritat me
zërin e saj ishin asgjësuar. Vendi në arkivin e mbetur bosh e kishte zënë me
shpejtësi filmat skematik të studios së Pekinit. Ndërsa lart në Byro nuk kishte
më qetësi. Stuhia me artin ishte sa për të hapur oreksin.
Tanimë ajo periudhë ka mbetur e largët
gjithsesi. Kohët kanë ndryshuar skajshmërisht. Megjithatë në kujtim të një “brezi
të humbur” Justina kërkoi t’i bënte homazh jo vetëm një kënge por krejt
Festivalit, që solli jo pak andralla në jetën e saj të mëpastajme.
E ndërsa e pyes së çfarë ndodhi pas
Festivalit me dy njësha ajo më thotë thjeshtë e pa asnjë mllef: Kënduam bukur
dhe u dënuam. “Ne ishim krejt të sinqertë, madje duke ndjerë një lloj krenarie
që ishim pjesë e zhvillimit të artit bashkëkohor në Shqipëri. Por ramë në
pabesi”, më thotë. Natyrisht, nuk ishin pjesë e komplotit për rrëzimin e
Komitetit Qendror. Ma trego pabesinë, këmbëngul unë. Ajo merr frymë thellë “Në
mbledhjet ku isha e pranishme fillimisht gjykohej Todi Lubonja që ishte dhe
drejtori i Radio-Televizionit Shqiptar. Më pas fuqishëm filloi gjykimin në
pjesëza të vogla dhe aty e kuptova se edhe mua po më vinte radha. Skenari i të
dënuarve u vu në zbatim në mënyrën më perfekte, d.m.th. në mënyrën më
shkatërrimtare. Ndjeja se u bëra fajtore e pafaj. Çdo rrufe binte mbi atë
festival. Të ngjethej mishi të pohoje me gojën tënde: “Po unë isha pjesëtare e
Festivalit 11”.
Kishin kaluar 40 vjet sigurisht, sado të
ishin ftohur gjakrat diçka nuk ecte natyrisht. Është një rrëfim i copëzuar,
plot paranteza me sjellje e risjellje në mend të gjithçkaje të ndodhur. Justina
e mban mend mirë kur i thanë se nuk e kishte vendin më në Televizion, duhej të
kthehej në Shkodër. Në dosjen e saj ishte shënuar: “Për në Dukagjin”, thjesht
ose për të dhënë mësim në ndonjë shkollë, ose për të punuar në ndonjë vatër
kulture. Talenti i saj nuk kishte më vlerë. Skenat e mëdha ishin përmbytur...,
jo nga uji, nga propaganda. Por ia bënë të ditur gjithashtu se duhet ta
harronte muzikën e lehtë. Edhe kjo ishte akoma më e rëndë.
Justina më thotë se gjithsesi plani për
‘internimin’ në Dukagjin nuk u zbatua. “Bilal Paruca, që ishte kryetar i Komitetit
Ekzekutiv në Shkodër ndërhyri për mua duke qenë se ai vetë më kishte dhënë
bursën për në Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve. Kështu që mbeta
në Shkodër në teatrin “Migjeni”. Qëndrova atje 4-5 vite jo më shumë. Kur u
martova erdha sërish në Tiranë. Por nuk kishte punë për profilin tim në
kryeqytet. Atëherë për 8 vite me radhë punova tek ndërmarrja e Mjeteve
Mësimore”.
Ironia e fatit. Edi Luarasi, prezantuese
gjithashtu në të njëjtin festival, do të punonte në rrobaqepësinë ushtarake.
Punë e ndershme,sigurisht, por jo për të
talentuarit. Ata kishin tjetër mision.
Biseda jonë me zë të ulët u ndërpre.
Drejt nesh vinte Sherif Mejdani. Ai gjithashtu ishte pjesë e përshëndetjes në
festivalin 51. Ai gjithashtu ‘e hëngri mirë’ nga Festivali 11. Takohen në
Justinën pas shumë vitesh. “Nuk më besohet që po të shoh”, thotë Sherif Merdani
si kishte ngjitur krejt sport shkallët e platesë. Një përqafim miqësor e i
përmallshëm. “Doja të të takoja në skenë, por ti ma dogje këtë etapë që kisha
parashikuar”, ia kthen Justina. Dukej si një çast gati solemn edhe pse në
platenë e zbrazët dëshmitar i vetëm isha unë, një gazetar i ndodhur në krah të
Justina Aliajt, me kërkesën e zakonshme për të bërë një intervistë me të. Fonia
ishte e lartë sa më s’bëhej. Provat vazhdonin. Festivali qe në prag, nuk bëhej
më shaka. Megjithatë vështirë të shkëmbeje dy fjalë në një ambient të tillë.
Por krijoheshin dhe pauza gjithsesi. Sherif Merdani kishte mbërritur për të
bërë interpretimin e parë, pa prova studioje, drejt e te Pallati i Kongreseve.
Ata vazhdonin të kujtonin detajet e 40 viteve më parë. Festivali i kishte
mbledhur sërish. “Të mbahet mend kur thosha ndonjë batutë me spec për regjimin,
ti ma ktheje: “Po mbylle gojën o t’u mbylltë!”, kujton Justina. Shkodrane
vërtet, por korçaren e shkriu vetëm me një batutë. Sherifi qeshi dhe tundi
kokën. Kjo do të ishte një frazë tepër domethënëse për këngëtaren e re në ato
vite kur njerëzit e Sigurimit i mbanin veshët përpjetë. Nëse gjendej dikush ta
denonconte, Gaz-i i Degës e çonte me shpejtësi drejt e në bodrumet e Ministrisë
së Brendshme. “Janë 40 vjet në mes”, thotë Merdani i mallëngjyer. Karrierë e
ndërprerë, burg e punë e detyruar. Duken si të harruara në kohë, por në fakt
asgjë nuk harrohet.
Në çast Shpëtim Saraçi, udhëheqës
artistik i festivalit thirri Merdanin në skenë. “Kam 40 vjet që nuk e kam
dëgjuar të këndojë live”, më drejtohet Justina, meqenëse për rastësinë time
ndodhej në një situatë të tillë që dhe po ta kërkoja, nuk kisha për ta gjetur
dot. Sherifi mori mikrofonin në dorë e u përqendrua tek partiturat e tekstit,
nuk kishte shumë probleme me zërin a muzikën. Mbaroi shpejt, vetëm dy prova dhe
Alfred Kaçinari i dha shenjën “Ok”. Erdhi radha e Justinës. Ajo ndihej e qetë,
kishte kaluar në provat e studios dhe ishte e gatshme të përballej me çfarëdo
vështirësie skenike. Dy prova të shpejta dhe për të. Nuk e mundoi orkestrën dhe
as dirigjentin. I njëjti zë, me një performancë shpërthyese skenike. Me sa
duket 40 vite nuk ishin dhe aq shumë. Jetmir Barbullushi mbeti i kënaqur. Duket
se suksesin e përbashkët e kishte futur në “xhep”.
Dalim. Përballë te “Qemal Stafa” është
kafja më e afërt. Biseda vazhdon. Krejt padashur kemi kaluar në një kapitull
tjetër. Mesi i viteve ’80 do të ishte më i mirë për të. Me një përpjekje të
dhimbshme për të mbijetuar, ajo arriti t’ia dalë në krye. Në fillim një rol
episodik, e më pas një karakter më të plotë në kinema. Në vitin 1985 do të
shpërfaqte një rol kryesor dramatik. Pas kësaj, jeta do të ishte më afër
realitetit të supozuar.
Fillimi i saj i ri do të niste me
emërimin në Teatrin e Kukullave. Mbahet mend dhe aty, prej zërit karakteristik
padyshim, sepse me maskën e bufit në kokë askush nuk do ta njihte tek
“Ditëlindja e Bardhoshes”. Herë pas here i jepnin role të vogla në film. Nuk
ishte e lehtë të çaje në Kinostudio. Dosja me biografinë mbahej në sirtar.
Kujtohet me rolin e ‘kapos’ tek “Rrethi i Kujtesës”, tek “Vdekja e burrit” pati
një rol më të madh. Dhe kështu fillon e zgjerohet galeria e personazheve.
Në vitin 1990 iu kthye sërish këngës.
Këtë herë në Estradën e Tiranës ku Sulejman Dibra i krijonte mundësi herë pas
here. Po shkrihej situata e ngrirë. Kënga që duhej të harronte, nuk ishte
harruar. Ndërkohë iu rikthye skenës së festivalit me “Këngën e nënës”, një
kompozim i Shpëtim Kushtës me tekst të Xhevahir Spahiut. Një pjesë e repertorit
të saj kujtohet mirë nga të pasionuarit e muzikës ku spikasin titujt: “Mall për
vendlindjen”, “Stacion i dashur”, “Në mbrëmjen e vallëzimit”, “Unaza”, “Unë
dhe shokët e mi”. Por vetëm kaq pasi në vitin 1991 do të largohej nga
Shqipëria.
Sërish na duhet të marrim pak frymë para
se të ndërrojmë kapitullin. Pak nga pak portreti i saj po merr formë...
Justina flet me krenari të ligjshme kur
bie fjala për familjen. Më thotë se të gjithë, bashkëshorti e dy fëmijët u
vendosën në Bruksel, Belgjikë. “Vajza ime Flonja Kodheli studioi për piano,
djali Rubini për violonçel. Pas një viti djali shkon në Munih për të marrë
pjesë në konkursin që zhvillonte konservatori ‘Riçard Shtraus’. I fitoi falas
studimet. Por pas një viti shkojmë të dy bashkë në Nju Jork ku Rubini konkurroi
në ‘Julliard School’ një shkollë unike në nivel botëror. Ai është dhe studenti
i parë shqiptar që studion në këtë shkollë, ku dhe u diplomua. Tashmë ka një
kuartet të vetin, me katër violonçela dhe një bateri, me të cilët luan muzike
xhaz në Amerikë. Ndërkohë edhe kompozon. Jam shumë krenare për të. Ndërsa vajza
që studionte në Bruksel për piano, pa dëshirën time, konkurroi në një shkollë
për aktore në Paris, ku dhe u diplomua në akademinë prestigjioze ‘Florent’.
Aty u binda plotësisht pse Justina
ndihej aq krenare për familjen.
Unë vazhdoj me pyetjet e mia: Si do të
vazhdonte jeta juaj artistike jashtë Shqipërisë? Dhe Justina përgjigjet: “Sapo
ika kam dashur të ingranohem me jetën time autoriale, kam luajtur në anglisht
tek një tragjedi të Euripidit “Gratë trojane”, pranë teatrit “Off-Off Brodvvay”
në Nju Jork. Janë nga ato teatrot e pafund, me salla të vogla, me audiencë jo
shumë të madhe, ku gjithçka është e lyer me ngjyrë të zezë, madje edhe skena.
Doja të shtoja se është shumë komode për një aktor të interpretojë përpara një
publiku në distancë kaq të afërt. Mua m’u dha kjo mundësi”.
Po si këngëtare do ta gjenit veten diku?
Edhe për këtë pyetje Justina dha një përgjigje mjaft interesante. Ose m’u duk
mua të paktën, sepse në fakt ishte befasuese. “Po në këtë periudhë fillova të
kërkoj rrugën e skenave për këngën. Kam kënduar në 8 gjuhë. Kam bërë disa
recitale me instrumentistë të ndryshëm”. Në 8 gjuhë, e ndërpres unë i habitur.
“Po po, madje dhe në kinezçe”, më sqaron ajo. Po ëndrra juaj në sirtar që u
realizua në skenat e vendeve të huaja? “Doja të luaja rolin e një burri, -
vazhdon Justina. - Një rol të tillë e luajta në Nju Jork, në teatrin e famshëm
“Mama mia”, shfaqje e cila titullohej “Nobodysees”. Luajta rolin e Homerit, në
dy gjuhë anglisht dhe frëngjisht. Ishte një vepër mjaft domethënëse, ku me pak
fjalë aspironte se si Homeri do t’i shihte në ditët e sotme, të vëna në skenë
veprat e tij “Odisenë” dhe “Iliadën”.
E kuptoj që jam drejt fundit. Unë e
kompozoj portretin ashtu siç e dëshiroj. Ndonjëherë më duhen fare pak pyetje.
Ndonjëherë shumë më tepër. Portreti mbetet aty. Dikush tjetër mund ta
rikompozojë sipas një mënyre tjetër. Kjo punë s’ka fund asnjëherë. E pyes:
Çfarë ju ka mbetur pa u realizuar? “Ëndrra më e bukur do të mbetet një ëndërr e
cila vazhdon. Dua të bëj në Shqipëri një recital me fëmijët e mi, siç e kam
bërë në Nju Jork. Por kam dhe një ëndërr tjetër në sirtar: ëndërroj të
interpretojmë të dyja me vajzën, në të njëjtën skenë, në të njëjtën dramë...
Është bukur ta kesh vajzën edhe kolege”.
Më thuaj një peng? Pa dyshim gjithkush
duhet ta ketë një peng besoj unë ndaj nuk ndalem ta ngacmoj për herë të dytë. A
keni një të tillë? “Po, e kam një peng, - çlirohet Justina. - Do të dëshiroja që unë me fëmijët e mi të
hipi në një skenë të projektuar prej bashkëshortit tim, Pjerin Kodheli, i cili
ka qenë mjeshtër dekori në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”.
E bukur, mendova, e gjithë familja në
skenë. Kjo po, është një ëndërr... e realizueshme padyshim.
Justina Aliaj dhe Leonard Veizi |
Postuar
në ResPublica - 30 Maj, 2015 10:29
No comments:
Post a Comment