![]() |
Elida Cangonji |
nga Leonard Veizi
Kur
i thanë se mund të luante në film, madje i propozuan rolin kryesor, ajo u step
disi, refuzoi, por gjithsesi e shtyrë nga kurioziteti i brendshëm dhe natyrisht
nga një motiv disi aventuresk... pranoi. Dhe kaq u desh. Të bënte prapa as që
mundej. Megjithëse në auditorët e fakultetit të mjekësisë, vendi i saj,
qëndronte bosh sa herë ajo duhej të paraqitej për të bërë dublat e radhës në
shesh xhirimi...
Zana
e Dedës, Vera e Shpëtimit, Zara e Mato Grudës, apo dhe... Minushja e Kananit, ishte
po ajo, aktorja e re që u përzgjodh nga regjisorët si imazhi ndryshe i
filmit. Elida Cangonji, aktualisht rezidente në jugun Francës dhe vizitore e
herë pas hershme në Shqipëri, rrëfen për gazetën “Shekulli” se si u përfshin në
botën e kinemasë, në një kohë kur në Shqipërinë socialiste nuk është se kishte
shumë zgjedhje të tjera e për me tepër forma argëtimi tjetërkund.
A keni menduar
ndonjëherë që pasi luajtët filmin e parë në kinema ta braktisnit fakultetin e
mjekësisë për të vazhduar artin dramatik?
Jo
që nuk e kisha menduar vetë, por edhe kur ma propozoi regjisori, i ndjeri
Viktor Gjika, fillimisht i thashë një “jo” të prerë. Unë e pranova rolin pasi
isha kureshtare dhe me pëlqente të eksperimentoja gjëra të reja, të argëtohesha
në kohen kur kjo gjë nuk ishte shumë e mundur në ato vite për ne vajzat, por në
asnjë mënyrë të ndërroja drejtim.
Si u lidhët me
botën e filmit? Kush ishte ai që ju zbuloi dhe ju bëri ofertën e parë?

Cili ishte
impresionoi kur u ndeshët me figurën tuaj në ekranin e madh?
E
kisha parë filmin pjesë-pjesë kur bënim dublimet e zërit. Filmin të plotë e
pashë natën e premierës në kinema “17 Nëntori”. Ajo që ndjeva ishte diçka që
kish të bënte me marrëdhënien që kisha përjetuar me grupin e xhirimit. Koha që
kalova me ta ishte magjike në shumë drejtime. Xhirimet mbaruan dhe ne shkuam
secili në punën e vet. Unë e vuajta ndarjen nga ajo jetë plot ngjarje, njohje, miqësia,
shakara, vështirësia... dhe ja ku vjen çasti i premierës së filmit dhe ne ishim
përsëri të gjithë bashkë, në një sallë të mbushur plot me njerëz dashamires që
duartrokiten fort. Aty kuptova e ndjeva se unë dhe ata, unë dhe kujtimet e asaj
kohë do ishim përgjithmonë bashkë. Dhe u ndjeva aq mirë.
Sa e rëndësishme
ishte për një femër në Tiranën e viteve ’70 - ‘80 të ishte dhe person publik?

Cilin nga rolet
që keni interpretuar keni më për zemër?
Sigurisht
do veçoja rolin e parë, atë të Zanës në filmin “Rrugë të bardha”
Kë do të
cilësonit më të dobëtin, apo më skematikun?
Janë
dy role fare të vogla në dy filma ku, për hatër të së vërtetës, i pranova pasi
xhiroheshin në kohë vere, pra kur isha me pushime dhe paguhesha me rrogë
mujore. Të argëtohesh duke punuar dhe të paguhesh... ishte mirë.
Cila ishte
përvoja juaj me regjisorët dhe partnerët aktorë?
Duhet
të pohoj një gjë... kam qenë me fat. Kam punuar me regjisoret më të mirë dhe
kam pasur partnere aktorët më të talentuar jo vetëm për atë kohë por edhe për
sot. Regjsorët kane qenë: Viktor Gjika, Gëzim Erebara, Pirro Milkani, Muharrem
Fejzo. Partnerë kam pasur Rikard Ljarjen, Timo Fllokon, Astrit Çermën, për të
shtuar pastaj dhe të mrekullueshmin Robert Ndrenika, Tinka Kurti, të ndjerët
Minella Borova, Drita Pelingu, etj. Ajo që do veçoja nga përvoja e punës me ta,
është dashuria me të cilin të gjithë pa përjashtim e mbështillnin rolin, e bënin
të tyren, serioziteti dhe korrektësia në punë, zemërgjerësia dhe toleranca ndaj
njëri-tjetrit, sakrificat që duhet të përballonin në sheshin e xhirimit. Këtu
mund të flas pa fund, pasi secili është një enciklopedi me vetë. Unë që isha
brenda dhe mes tyre, por dhe jashtë, duke i parë me një distancë, kam një
opinion më të pa cenuar nga marrëdhënia e përditshme, prandaj duhet të më
besosh kur të them se ishin apo janë artistë të talentuar dhe shpirtra humane, janë
pasuri kombëtare.

Është
aq e dashur sa ndonjëherë me duket dhe si mallkim. Unë kam tre muaj që kam
mbushur moshën e pensionit. Kam 14 vjet që bëj vajtje ardhje Shqipëri- Francë. Do
ishte më e udhës që te rrija e të shijoja natyrën atje në fshatin ku banoj, ne
jug të Francës, por ja që atje shkoj "vetëm për pushime" thotë im
shoq. Ndoshta vetëdija që këtu ka kaq shumë probleme në këtë fushë dhe kaq pak mundësia
për t'i zgjidhur, më bën të përfshihem qoftë dhe në mënyrë fare modeste.
Do të ishit
vetvetja po të kishit rolin e një mjekeje dhe në kinema?
Them
se po. Kam bërë 9-të vite studime universitare e pas-universitare për t'u bërë
psikiatre për fëmijë. Punova si mjeke e përgjithshme, pastaj si pediatre e me
pas si psikiatre. Kam punuar në shërbim ambulator dhe spitalor kur me është
dashur, për shumë vite, kam qenë në role drejtuese por dhe krijuese e
institucioneve të reja. Pra me gjithë këtë eksperience, them se rolin e një
mjekeje do ta bëja mirë... pra do isha vetja jo se do luaja rolin por se jam
vetja në këtë rol... edhe pse më mungon shkollimi në artet dramatike.
-Nostalgjia pas
një filmi-
Nga
“Rrugë të bardha” ajo kujton me nostalgji ditët që nuk kthehen më. “Mbaj mend të
qeshurën me lot gjatë qëndrimit në Tropojë, ku e gjithë trupa e xhirimit ishte
mbledhur aty dhe po prisnim që të binte borë. Dhe atë ditë si për çudi, nuk
kishte ndodhur kurrë më parë në ato vite që të mos binte dëborë, dhe ajo nuk po
vinte... dhe kështu rrinim... me aktorë dhe trupën xhiruese. Ishim me aktorët
Minella Borova, Robert Ndrenika, Saimir Kumbaro... regjisorë, kameramanë... mbanim
brinjët me dorë, bënim shaka e humor. Unë isha më e tërhequr në fakt, se ishte
hera e parë për mua që lija shtëpinë, që largohesha nga Tirana, por ishte një
shoqëri dhe ambient kaq i këndshëm sa nuk e harroj dot. Më mungon edhe sot”.
-Nga leksionet e mjekësisë në sheshet e xhirimit-
Ajo vazhdonte studimet në një fakultet të vështirë si mjekësia. Por sa e pengonte pjesëmarrja në shesh xhirimi studimet e saj apo punën si mjeke? Elida Cangonji thotë: “Kur kam xhiruar pjesën më të madhe të filmave kam qenë studente, kështu që, pasi kisha rregulluar me dekanatin justifikimin e mungesave, të tjerat i përballoja. Më duhej të flija me pak që të studioja, të vrapoja për të mos humbur leksionet apo praktikat mësimore që shpesh me duhet t'i ndiqja me grupe të tjera për shkak të mungesave. Ja di për faleminderit dekanit, Dr. Ciril Pistolit, i cili në pamundësi që të më pengonte, më paralajmëroi se do më bënte vetëm një lëshim, të me justifikonte mungesat... për të tjerat s'duhet të kisha asnjë pretendim ndryshe nga të gjithë studentet. Po kur je 20 vjeç, si thotë populli “ç’fluturon, hahet”. I bëja të gjitha, shkollën, filmat, zboret, aksionet”.
-Psikika e të rinjve shqiptarë, në kushte alarmante-
Prej
kohësh ajo shfaqet në ekranet e televizioneve më shumë si mjeke, edhe pse
shumëkush e ngatërron me aktoren. Ndërsa pyetjes se cilat janë problemet
psikike që shfaqen vitet e fundit tek të rinjtë shqiptarë, ajo i përgjigjet: “Një ndër problemet tek të rinjtë
shqiptare është stresi nën të cilin ata jetojnë. Ka katër vite që jap mësim në
universitete. Gjëja e parë që bëj iu mas shkallën e stresit studenteve dhe këtë
e bëj jo vetëm për t’i ndërgjegjësuar ata, por dhe për të ditur vetë se me ke
po punoj. Është e vështirë të punosh me të rinj 20 vjeçar që e kanë mundësinë e
përqendrimit vetëm 4-5 minuta. Gjendja është alarmante, po ashtu dhe shkalla e ndërgjegjësimit
për kujdesin e shëndetit mendor është alarmant. Ndryshe si shpjegohet
agresiviteti në të cilin jemi te zhytur e notojmë pa e kuptuar se është si noti
në ujërat e zeza? Por le te mos ja prishim atmosferën kësaj interviste...”
-Mes Shqipërisë
dhe Francës-
Elida
Cangonji prej vitesh jetoni mes Shqipërisë dhe Francës. Por si është raporti i
kësaj marrëdhënie? Ajo thotë: “Jetoj mes Tiranës dhe një fshati në jug të Francës,
unë shqiptare, bashkëshorti danez... Duket e komplikuar, por me besoni se ajo
qe kam kuptuar është se ndjehem më shumë vetja në këtë situatë. Më ndodh të
konsultoj edhe fëmijë franceze ashtu siç konsultoj fëmijë shqiptarë, ndonjëherë
dhe ndonjë danez... dhe kjo të bën të ndjehesh vetja kudo që je dhe të mos kesh
nevojë për më shumë”.
Botuar në gazetën SHEKULLI më 3 shkurt 2014