Të vish në këtë botë kur nuk e di se pse
je ti, zgjedhja... Të ikësh prej saj e qetë, me një vetëdashje misterioze...
Mbase nuk është aq e trishtueshme sa duket. Mbase... “Do ishte mirë të mos
kishte vdekje” i them Rezit të “News”-it, siç jam mësuar t’i them vitet e
fundit, teksa zbresim ato 4 shkallë të godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa
brenda tij ndodhej trupi i pajetë i një artisti, rreth të cilit bëhen homazhet
e fundit. “Të gjithë rendim drejt fundit, - ma kthen ajo. - Por unë dua të iki
nga kjo jetë më shpejt. Teksa jam në lëvizje. E re”. Mbetem i befasuar. Hutohem
pak. Pastaj qetësohem sërish. Nuk dua ta pyes Rezin: Pse?
Në arsyetimin tim herë të cekët e herë
më të thelluar e gjej përgjigjen. Mbase, mund të jetë pak më e gëzueshme nga sa
mund ta mendosh. E sërish kjo është dilema e përditshme e jetë-vdekjes. Por,
nëse i ke mbaruar detyrimet që të kanë marrë pjesën më të madhe të jetës dhe
s’të ka mbetur gjë e lënë në mes, mund të kërkosh të ikësh pak më shpejt. Kush
djallin e duron plakjen, dhimbjen e shtyllës kurrizore, artritin, aritminë e
zemrës... kancerin. Është një kërkesë e natyrshme brenda jo të natyrshmes,
sigurisht. Sepse je ti ai që e di se energjia e mbetur do vazhdojë të të lejojë
të buzëqeshësh, kur të tjerët e kanë marrë seriozisht atë që do t’u mungojë më
pas.
Ti lemë argumentet. ...E gjitha kjo
është një shaka sigurisht...
Është vetëm një togfjalësh, një ide e
hedhur në hapësirë. Asgjë më shumë se kaq. Mundohem të shoh ndonjë gjurmë
trishtimi tek Rezarta. Asgjë në pamjen e parë. Madje dhe po t’i hidhja një
vështrim të imët e kurajoz, sërish asnjë gjurmë trishtimi nuk do të gjeja. Veç
një gazi të çlirët, gati të pambrojtur, që tingëllon si një qelq i hollë tek
thyhet mbi syprinën e mermertë. E pra, tanimë s’ka asgjë të panjohur për të,
për jetën dhe për vdekjen sigurisht. Dhe për pasvdekjen askush s’do mund ta
pyesë më...
Është ajo, Rezarta Reçi, tashmë një
ikonë e ekranit televiziv, e palodhur, energjike, me një serial pyetjesh në
mikrofonin e saj që herë-herë duket sikur nuk duan të mbarojnë. Po ashtu,
pyetjeve të mia, ajo i përgjigjet me po të njëjtën shpejtësi, krejt e shpenguar
si për të konkurruar ethshëm në drejtimin e kundërt të kahut të saj. Në këtë
lëvizje të shpejtë ajo ka fituar, madje edhe kur është tunduar t’i përgjigjet
ekstremisht një pyetjeje krejt të tejskajshme...
Shkojmë të pimë një kafe aty pranë. Te
“Noeli”. Artisë e gazetarë gjen nëpër shkallë e bar. Unë dua të bëj një
intervistë me të. Pastaj ndërroj mendje. Më mirë të gdhend një portret, mendoj.
Nëse ia dal, sigurisht. E për çfarë duhen intervistat në fund të fundit: njëri
pyet, tjetri përgjigjet... Mos është një kurth ku ne gazetarët biem dhe kur
s’duam?
Çështje profesioni.
Je bërë shumë e njohur, i them. Por ka
dhe nga ata që nuk të njohin. Rezi qesh. Ajo ka një natyrë të butë. Nuk
konfliktohet asnjëherë. Të bëjë sherr as që mendohet. E ka më të lehtë të hapë
rrugë, teksa tjetri mund të ketë qejf të mburret në idiotësinë e tij. Emisioni
i përjavshëm që transmetohet çdo të shtunë në “News24” prej 10 vitesh, me një
titull intrigues “Arratia e Peshkut të Kuq”, tashmë më ka bërë të njohur dhe të
vlefshme për një pjesë të komunitetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. “Janë
me qindra personazhet e intervistuar nga unë me mikrofon, - më thotë. - Janë të
shumta temat e trajtuara dhe karakteret e zbuluar, janë qindra orë transmetimi
radiofonik dhe televiziv gjatë të cilave kam përçuar veten time, kulturën dhe
formimin tim, kam ngritur ura komunikimi me njerëz të njohur dhe të panjohur,
duke përvijuar kështu edhe portretin tim profesional. Me pak fjalë, Rezarta
është gazetarja, e diplomuar për shkenca politike, që pas viteve ‘90 nuk iu nda
për asnjë çast trajtimit në mënyrë të kulturuar dhe me finesë të problemeve dhe
personazheve që kanë lidhje me sferat sociale, kulturore dhe artistike”.
Epo prezantimi u bë, s’na mbetet gjë
tjetër veç të futemi drejt e në temë. Ta shohim Rezin më thellë, të bëjmë të
njohur diçka që nuk e transmeton dot përmes pamjes në ekran apo zërit të saj. E
pyes pse ka zgjedhur të bëjë gazetaren: Çfarë të ka tërhequr? “Komunikimi, -
thotë shkurt. Dhe për më gjatë vazhdon: - Më pëlqen të jem vazhdimisht në
kontakte të drejtpërdrejta me persona që shndërrohen në personazhe falë
komunikimit, të cilët kanë se çfarë të rrëfejnë, kanë kontribuar me jetët e
tyre dhe transmetojnë mesazhe. Për të shtuar këtu, që profesioni që unë kam
tashmë lidhet dhe me një ëndërr time të fëmijërisë, që fati dhe këmbëngulja ime
ma bënë pothuajse të realizueshme”.
A keni menduar ndonjëherë ta braktisni?
Pyetja është e menjëhershme. Përgjigja
nuk vonon: “Janë bërë mbi 20 vite qëkurse nga një studio hijerëndë e
Radio-Tiranës, përmes një mikrofoni që ende vazhdon të mbetet i shenjtë, iu
drejtova një auditori sa imagjinar aq dhe real me ciklin e emisioneve: “Tema
dhe Dilema”. Tashmë është e vërtetë që pas kaq vitesh kam edhe unë dilemat e
mia për kohëzgjatjen në këtë profesion. Por e di? Sapo takoj personazhin e
radhës dhe përfshihem në realizimin e një tjetër emisioni, i harroj dilemat.
mbetet vetëm tema”.
E mbaj mend mirë Rezartën në
Radio-Tirana. Ajo guxoi të më ftonte në studion e saj. Them guxoi pasi unë sapo
kisha nxjerrë librin tim të parë, një vëllim me novela. Asokohe Radio-Tirana
ishte e vetmja dhe me një audiencë të plotë. Ishte viti 1997. E regjistrova atë
bisedë. E ruaj në një kasetë “HF” 60 minutëshe, model i vjetër. Sot është
ndryshe, shkarkohen drejt në hard-disk. Mund ta hedhësh në FB, ose në Youtube.
Ajo ka një zë magjik. Kështu e
konsiderojnë të paktën. Shumëkush vazhdon ta ruajë në kujtesë vetëm nga zëri.
“Në transmetimet radiofonike arrita të krijojë imazhin e një figure, të cilës
mund t’i besoje rrëfimet më të thella, më tronditëse dhe me të fshehta të
shpirtrave njerëzorë, - thotë Rezi. - Por edhe ky trishtim, kjo dhimbje e madh
që vërshonte gjatë komunikimit radiofonik më bëri të lumturohem dikur kur në
një lokal në plazhin e Durrësit arrita të takohem me fansat e mi, me të cilët
njiheshim vetëm nga zëri”.
Profesion i bukur gazetaria, të jep
vazhdimisht impulse. Por i vështirë. Edhe për një mashkull madje. Kam më shumë
se 20 vjet që e bëj vetë një punë të tillë. Nuk ia kam nxjerrë fundin ende. Tek
e pyes nëse ndihet e privuar për shkak të profesionit, ajo më thotë: “Nuk e kam
ndjerë këtë. Ndofta është shtuar herë pas herë doza e kënaqësisë, kur të
komplimentojnë apo të urojnë njerëz të panjohur. Ndërsa gjithçka tjetër rrjedh
thjeshtësisht siç është dhe vetë natyra ime, por edhe vetë mënyra ime e të
jetuarit”.
Prej një kohe të gjatë ajo vazhdon e
merret me personazhe të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Si e ndjen veten
pranë tyre, e pyes: “Si mes miqsh, - më thotë. - Pothuajse të gjithë ato që kam
njohur, takuar dhe që më pas janë bërë personazhe të emisioneve të mia janë
shndërruar tashmë në miqtë e mi të mirë, tek të cilët mund të mbështetem
realisht në çaste të ndryshme, ndonëse koha na bën të patakueshëm a të largët”.
“Arratia e Peshkut të Kuq” është një
format i saji origjinal, i konsoliduar me kalimin e viteve. “Gjithçka është
fryt i fantazisë sime dhe i frymës së bashkëpunimit me personazhet që më
mbështesin me dashamirësi. Më kanë hapur me bujari shtëpitë e tyre, por jo
vetëm kaq. Kanë thënë dhe zbuluar edhe strehëza të veçanta të shpirtrave të
tyre dhe nuk janë penduar. Unë i falënderoj me të vërtetë”.
Më shtyn kureshtia ta pyes se çfarë ka
ruajtur nga këta personazhe. “Kam një arkiv të mirë me një pjesë të emisioneve
të realizuara në radio dhe televizion. Kam shënime-mbresash, kam vlerësime të
veçanta nga personazhe të ndryshëm. Kam shumë libra dhe piktura të dhuruara me
kënaqësi. Kam dhe një album të mrekullueshëm me foto të përbashkëta, me
pothuajse të gjithë personazhet e intervistuara, të cilin sa herë që e shfletoj
më bën të eci mbrapsht në rrjedhën e kohës dhe të kujtimeve. Nuk e di se çfarë
do të bëhet me to kur të mos jem më, por hë për hë rrugëtojmë së bashku”.
Nuk dua të bëhem i bezdisshëm, por kjo
punë kështu e ka. E pyes se si ndihet për personazhet që ikin nga kjo jetë?
“Ndjej dhimbje për miqtë e mi- personazhe, të cilët kanë ikur nga jeta për të
mbetur në arkivin tim të kujtesës, të fotove, të emisioneve të realizuara dhe
një pjese të tyre ende nuk arrij t’i heq as emrin, as numrin e regjistruar në
celular”.
I ndjek çdo të shtunë personazhet e
Rezit. Janë biseda të këndshme. Ndonjëherë të dielave në ritransmetim. Sa janë
bërë? “Nuk jam tip i statistikave, - ma kthen ajo. - Por afro 500”. Shumë. Dhe
çfarë ke fituar nga eksperienca e tyre? “Riformatimin tim të vazhdueshëm”.
Nuk dua përgjigje më të gjatë. Ç’i do
fjalët e tepërta.
E teksa pimë kafenë mendoj se ka ardhur
çasti të flasim pak për jetën e saj private. Çdo javë një personazh. Punë e
ngjeshur. Keni kohë të lirë? “Kur kam mundohem të ndjek jetën kulturore
artistike që na ofron kryeqyteti, ndonjë kafe me shoqërinë, një gotë verë me
miqtë dhe fundjavave çlodhem nëse e kaloj pranë detit”.
Ajo lexon vazhdimisht. Më qëllon që sa
herë takohemi të flasim për botimet e fundit. E pyes për raportet me librin:
“Vazhdoj të jem ende e magjepsur pas tij, - më thotë. - Siç dhe vazhdon
dashuria ime e hershme për librin dhe njerëzit e tij, të cilët ndikuan në
formimin dhe plotësimin tim. Tashmë jam në një fazë që përzgjedh çfarë lexoj
dhe i gëzohem akoma pasurimit të bibliotekës familjare që nuk është e vogël”.
Po familja? Kujtohem sikur kam bërë
ndonjë mëkat. Rezarta sërish buzëqesh dhe thotë: “Familja ime është e vogël në
numër por e madhe në mbështetjen që më ka dhënë për t'u ndjerë e lirë ne
realizimin tim si grua dhe si profesioniste. Nuk ndjehet mungesa ime sepse gjej
forma dhe mënyra për të qenë prezent. Me shaka po ju them se një pjesë e mureve
dhe e bibliotekës janë të zbukuruara nga fotot e mia dhe... pra: Unë jam”.
Ndërkohë ajo më tregon se është fort e
lidhur dhe me vajzën e saj. “Iva, kështu quhet vajza ime, më ngjan në pamje, në
karakter ka marrë nga im shoq. Tashmë është një vajzë e rritur, e diplomuar,
nuk i pëlqen dhe aq “të shesë mend me mua”, por është e vetëdijshme se tek unë
ka miken e thellë që nuk do ta tradhtonte për asnjë lloj arsyeje”.
E pyes për lumturinë. Ç’është e vërteta
ndonjëherë më del si koncept disi absurd. Por Rezarta e ka një përgjigje: “Jam
ndjerë e lumtur kur arrita t’u dhuroj një buqetë me Margarita të bardha
prindërve të mi të dashur në 50 vjetorin e martesës së tyre, së bashku me
nderimin tim për një jetë të tillë të gjatë e me sakrifica, me përkushtim dhe
me dashuri. E lumtur jam ndjerë në ditën e diplomimit të vajzës tonë Iva. Janë
shumë çaste në të cilat unë e kam prekur lumturinë dhe të gjitha së bashku më
bëjnë të ndjehem kryesisht një grua me botë të pasur shpirtërore që kërkon gjithnjë
lëvizjen dhe intensitetin e të jetuarit”.
Marr frymë thellë. E kishim harruar
vdekjen me të cilën nisëm bisedën. Po flisnim për jetën.
![]() |
Rezarta Reçi dhe Leonard Veizi |
Mund të flasim edhe më gjatë me Rezin e
“News”-it, por dua ta mbyll këtu. Prandaj e pyes: Nuk di si të ta përshkruaj
karakterin, pse nuk ma thua ti? Ajo përqendrohet vetëm në dy sekonda...
“Paqësore, tolerante, meditative dhe e heshtur, kokëfortë paksa, romantike dhe
ëndërrimtare, një peshk që i pëlqen të notojë në ujëra të qeta dhe të
paturbulluara, e dashuruar me të bukurën, finesën dhe elegancën, e vetëdijshme
për rendjen e shpejtë të kohës që nuk kthehet më”.
Postuar
në ResPublica 31 Tetor, 2014
No comments:
Post a Comment