Thursday, October 27, 2016

Intervista me Melpomeni Çobanin: Darka e fundit me Sandër Prosin në hotel “Vollga”


Melpomeni Çobani dhe Leonard Veizi
nga Leonard Veizi

­E gjithë jeta e saj me rolet në skenë është ‘vulosur’ në arkivin e Televizionit Shqiptar”, në bobinat e vjetra e të dala mode që presin të kalojnë nga shiritat manjetik në formën dixhitale për t’u bërë sërish të vlefshme. Por për teleshikuesin e ri, ata që nuk kanë jetuar në vitet kur emri i saj ishte bashkangjitur më atë të aktorëve më në zë, ajo vazhdon të jetë aktive në disa qindra metra film artistik. Melpomeni Çobani ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës së saj në skenë. Tanimë 86 vjeçe, kujton se një rol të plotë skenik për herë të fundit e ka pasur në vitin 1996 ndërsa për herë të parë me spektatorët është përballur të paktën 50 vjet më parë, që prej vitit 1946.
Ju njiheni si Melpomeni Çobani, ndërkohë që zyrtarisht keni mbiemrin e bashkëshortit tuaj Siliqi...?
Historia e mbiemrit tim është e çuditshme në fakt dhe më ka mbetur që prej kohës së Luftës. Në stabilimentin “Atdheu” ku unë punoja, erdhi një patrullë gjermane për të më arrestuar. Kishin dhe një fotografi timen me vete që nuk e di ku e kishin marrë, por me siguri nga ndonjë i brendshëm. Ia tregojnë drejtorit dhe i thonë: Melpomeni Çubonja, këtë kërkojmë. Në fakt ky ishte dhe mbiemri im origjinal, trashëguar nga babai im Mihal Çubonja. Por drejtori nuk më ‘shiti’ dhe u tha: “Ne këtu kemi një Melpomeni Çobani, por nuk është kjo e fotos”. Gjermanët ikën dhe unë shpëtova. Në këtë mënyrë ai më pagëzoi me një mbiemër të ri, mbiemër që e kam trashëguar dhe sot, edhe pse zyrtarisht ai nuk ekziston.
Çfarë pune kishit me ju një patrullë naziste?
Në fakt unë u lidha me Lëvizjen NAÇL që në fillim të saj. Isha një e re komuniste. Qemal Stafa më rregulloi të punoja në shtypshkronjë dhe aty fillova nga aktiviteti. Shtypnin e shpërndanim trakte. Gjermanët kanë dashur dy herë të më arrestojnë. Një herë tjetër erdhën tek shtëpia ime në Rrugën e Kavajës. Aty më ndihmoi Lym Keta të arratisesha përmes dyerve të njëpasnjëshme, që ishte karakteristikë e shtëpive të vjetra tiranase. Unë isha pjesë e një prej njësiteve guerile të kryeqytetit, me komandant Ilia Pandukun. Në luftën për çlirimin e Tiranës, njësiti ynë, i armatosur mbante nën kontroll godinën e Radio Tiranës, që do të sulmohej bashkë me një skuadër partizane të Brigadës së Parë. Për veprimtarinë time në Luftën Antifashiste jam dekoruar me Medaljen e “Trimërisë” dhe atë të “Kujtimit”. Por dhe në filmin “Radiostacioni” më dhanë një rol si kujtim të pjesëmarrjes time në çlirimin e tij.
Po pas çlirimit, si do të fillonte aktiviteti juaj artistik?
Fillova sërish të punoja në tipografi, në stabilimentin “Mihal Duri” ku ç’është e vërteta kisha një rrogë shumë të mirë prej 7500 lekësh në muaj. Isha dhe pjesë e grupit amator. Piktori i Teatrit Popullor, Hasan Reçi më dalloi nga amatorët e tjerë dhe kërkoi që unë të bëja pjesë në grupin teatror të Tiranës. Ashtu u bë. Me teatrot amatorë u zhvillua një Festival dhe aty Grupi i Tiranës mori çmimin e parë. Roli im u duartrokit shumë. Kisha rolin e një nëne
ruse që i ishte vrarë djali në luftë, dhe salla qante bashkë me mua. Me atë rol rashë në sy të regjisorit të Teatrit Popullor, Pandi Stillu. Më 1948 më ofruan një vend si ‘proibiste’ ose praktikante në Teatrin Popullor. Por niveli i rrogës më ra në 3500 lekë. Megjithatë kisha përkrahjen e familjes që më inkurajonte në rrugën e artit. Ndërsa unë vetë kisha një vullnet të jashtëzakonshëm për t’u bërë aktore. Në Teatrin Popullor ne të gjithë aktorët e dalë nga lufta bëmë dhe shkollën e lartë dy vjeçare dhe u diplomuam. Më pas u bëra një aktore që pata sukses në skenë. Ia di për faleminderit regjisorit Pandi Stillu dhe piktorit Hasan Reçi.
A ju afruan ndonjë rol që në fillim, apo u desh kohë që ju të realizoheshit?
As që bëhej fjalë. Në teatër në atë kohë ishin 8 aktore, por rolet për femra ishin të pakta, kështu që i merrnin aktoret kryesore. Unë me vullnet mësoja tekstet si dublante. Në ato vite, në teatër ishte një regjisor rus që quhej Andrea Kriçkoviç dhe si regjisor shqiptar ishte Pandi Stillu. Ata që më rrinin më afër ishin Sandër Prosi dhe Prokop Mima. Kështu mësova të dubloja rolin e gruas së Qazim Mulletit në komedinë “Prefekti”. Ndërkohë Behije Çela ishte gati për të marrë lejen e lindjes. Regjisorët kërkuan një dublante dhe meqenëse vetëm unë e kisha mësuar tekstin, më provuan mua. Krahasimisht me Behijen unë kisha në favor dialektin, pasi isha lindur dhe rritur në Tiranë. Regjisori rus, megjithëse nuk dinte shqip më vlerësoi për interpretimin. Kështu që e mora këtë rol. Domethënë unë i fitova rolet me punën time të madhe.
Ndërkohë ju vazhdonit të ishin praktikante?
Vetëm për një periudhë të shkurtër, për disa role. Pastaj në nëntor 1949 fillova si profesioniste dhe rroga u rrit menjëherë në 6500 lekë. Punova në teatër disa vite dhe mora 7­8 role kryesore. Në vitin 1950 bashkë me Xhemal Brojën u ngarkuam të krijonim Teatrin e Kukullave. Ndërsa në vitin 1952 krijuam Estradën e Shtetit. Në atë kohë ishte një drejtori dhe aktorët qarkullonin sa në një skenë në tjetrën. Kështu më duhej të punoja në Teatër, kurs’kisha shfaqje aty, kaloja në Estradë, dhe të dielave interpretoja tek Teatri i Kukullave për fëmijët.
Kur do të vendoseshit përfundimisht në Estradën e Shtetit?
Kur u ndanë drejtoritë regjisorët më sugjeruan se meqenëse kisha një talent për komedi, do të bëja më shumë punë në Estradë. Kështu u ndava nga teatri nga ku bëra 7­8 role dhe kalova në estradë ku bëja 6­7 role në ditë, dhe ku më qëllonte të bëja një fëmijë 7 vjeçar e pak minuta më vonë një plakë 80 ­vjeçare. Por isha gjithashtu edhe konferencierja e Estradës. Puna ime e palodhur u shpërblye kur në vitin 1961 unë bashkë me 25 aktorë të tjerë nga e gjithë Shqipëria morëm titullin “Artist i Merituar”. Ndërsa në vitin 1976 mora dhe titullin e lartë “Artiste e Popullit”. Falë kësaj veprimtarie unë kam marrë edhe pensionin e veçantë.
Gjatë punës voluminoze keni pasur situata që mund t’i sillni në kujtesë si më
problematiket?
Incidente apo situata të çuditshme ka pasur plot, por unë dua të kujtoj dy prej tyre që kishin të bënin me jetën. Më ka ndodhur që pë rshkak të një roli të kërcënohesha me vdekje. Gjatë interpretimit të një monologu, ishte shprehja: “Burrat nuk mbajnë shami dhe duart i fshijnë me astarët e xhepave”. Por natyrisht që duke interpretuar i drejtohesha sallës. Në shfaqje qëlloi dhe një kampion çiklistik me shokët e tij. Ata filluan ta thumbonin e t’i thoshin çiklistit: “E ka për ty, se ty t’u drejtua. Me sa duket edhe kjo e di që t’i i fshin duart me astarin e pantallonave”. Ai u nxeh keq. “Do ta vras” u betua. Dhe s’e mbanin dot. U krijua një situatë kaotike. Nuk dilja dot në rrugë se më priste çiklisti. Ndërhyri drejtori, e për ta qetësuar e ftoi në zyrën e tij dhe i tregoi materialin e shkruar, duke i shpjeguar që “nuk ishte për ty” por kështu ishte konceptuar nga shkrimtari. Vetëm kështu u largua. Mua më shoqëruan për në shtëpi sepse me thënë të drejtën më hyri frika.
Po rasti i dytë?
Në rastin e dytë nuk isha unë e kërcënuara. Trupa e teatrit, si e vetmja në atë kohë bënte shumë turne, në të gjithë Shqipërinë. Nuk linim vend pa dhënë shfaqe. Në Rubik jepej pjesa dramatike “Halili dhe Hajria”. Drama interpretohej në një vend të hapur, pasi qyteti ende nuk kishte një skenë. Vetë drama kishte motive nga veriu i Shqipërisë dhe si zakonisht, në atë kohë rolet ishin të ndara në pozitive dhe negative. Loro Kovaçi luante rolin negativ, por e interpretonte me kaq mjeshtëri e vërtetësi sa që një prej malësorëve u ngrit, nxori koburen dhe qëlloi në drejtim të tij për ta vrarë. Fati qëlloi që plumbi nuk e zuri. Ndërhyri policia dhe e morën autorin. Por ai thoshte: “Do ta vras se na koriti”. Situata ishte paradoksale. E tregova këtë rast për të thënë se në ato vite punohej me mish e me shpirt për rolin. Dhe kjo bëri që edhe në skenë një aktor të dukej si armik.
A ishte ngarkesë e madhe të bënit shumë role brenda një shfaqjeje?
Ç’është e vërteta ngarkesë e madhe ishte. Kush e di sa herë është kërkuar mjeku në sallë për të më kontrolluar, pasi më fillonte takikardia. Ose vinte ndonjë mjek nga urgjenca. Disa herë ka qëlluar kardiologu Spiro Qirko i cili familjarisht ishte i rregullt të premierat e estradës. Padyshim puna ishte e vështirë dhe me emocione. Brenda pak minutash të një skeçi apo monologu duhet të jepje maksimumin. Edhe gjendjet emocionale duhet të ndryshonin nga një pjesë në tjetrën.

-Prosi, aktori që interpretonte nën presion-
Sandër Prosi, iku vetë nga kjo jetë, me një dëshirë të papërmbajtur për të mos qenë më pjesë e saj, ndërkohë që vetë skena shqiptare kishte ende shumë nevojë për të. Melpomeni Çobani, rrëfen çastet e fundit të aktorit të madh shqiptar, pasi ka bërë dhe një portret interesant të tij. “Me Sandër Prosin kishim njohje të vjetra e miqësi familjare. Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Ishte njeri me shumë kulturë, ose me “dojç kulturë” do ta cilësoja unë, sepse kishte bërë studimet në Austri. Sandri vinte nga një familje e pasur, kishte shtëpi të madhe. Ai na priste në shtëpinë e tij gjithmonë. Ishte shumë bujar. Te ambientet e teatrit, nëse nuk kishte prova apo nuk kishte rol, Sandrin e gjeje duke lexuar. Nuk rrinte kot. Madje mund të them se njerëzit që lexonin më shumë në Teatër ishin Sandër Prosi, Prokop Mima dhe Injac Saraçi. Por Sandri ndihej në një lloj persekutimi, ndoshta përshkak të goditjes që iu bënë shumë intelektualëve që kishin studiuar në perëndim. Punonte nën presion. Disa nga rolet që i dhanë e impresionuan negativisht, por kishte dhe njerëz të tjerë që nuk ia donin të mirën dhe ndikonin keq në jetën e tij. Të gjitha këto probleme psikike iu rënduan. Në pranverën e vitit 1985 ai po xhironte një film në Durrës. Ne si Estradë kishim shkuar po në Durrës për të dhënë shfaqje. Më kujtohet që darkën e fundit e hëngrëm bashkë tek hotel “Vollga”. Aty ishin strehuar artistët. Ai kërkoi të largohej shpejt. “Më duhet të ngrihem në orën 03.00 të mëngjesit pasi në 04.00 nisin xhirimet” më tha para se të largohej. Nuk kaloi shumë kur dëgjuam një zhurmë. Ai ishte hedhur... Ngjarje e rëndë e s’dua ta kujtoj më tej”.

-Në kujtim të Vaçe Zelës-
Në mes të Tiranës dhe në turnetë që zgjatoheshin në çdo skaj të Shqipërisë ati ishin po bashkë, Vaçe Zela dhe Melpomeni Çobani. Duke kujtuar ditët e punës së përbashkët ajo tregon: “Vaçe Zela jo vetëm që ishte një këngëtare e madhe por ishte dhe njeri i jashtëzakonshëm. Bashkë kemi punuar gjatë. Ajo këndonte në Estradën e Shtetit. Bënte shumë shaka me mua, sidomos gjatë kohës që unë bëja dhe konferencieren e më duhej ta prezantoja në skenë. Ishte një femërshumë inteligjente dhe situatat e vështira i kalonte me shumë zgjuarsi. Zakonisht Vaçja dilte në skenë e fundit. Por na gjente belaja, ne dhe atë bashkë, se spektatori e duartrokiste fort dhe e kërkonte të dilte në skenë nga dy dhe tre herë. Dhe ajo nuk ua prishte kurrë. Këndonte me shumë pasion. Mesnatën mes 5­6 shkurtit mësova lajmin se ajo u nda nga jeta. Jo vetëm që më erdhi shumë keq, por kalova emocione negative nga vdekja e kësaj artisteje të madhe”.

-“Fëmijët i rrita në skenë”-
Të sakrifikosh përskenën. Kjo ka qenë motivi i shumë artistëve shqiptare, e padyshim Melpomeni Çobani e kishte përqafuar fort këtë sentencë: “Dy fëmijët e mi, vajza dhe djali më i vogël u rritën në skenë. Unë i merrja me vete gjithmonë. Madje dhe kur ishin të sëmurë. Aty i mbaja, të mbuluar me pallto, u jepja ilaçet, madje u kemi bërë penicilinat. Bashkëshorti im, Mark Siliqi, një ekonomist­revizor në Ministrinë e Financave ishte në të shumtën e kohës me shërbime nëpër rrethe. Por puna e aktorit në skenë ka dhe një risk tjetër. Më ka qëlluar të jem vetë e sëmurë dhe kam dalë në skenë, por më kujtohet një rast kur më njoftuan për vdekjen e vjehrrit dhe ku në shtëpi s’kisha asnjeri, veç kishin ardhur disa të afërm. Porshfaqja nuk mund të pezullohej. Spektatorët ishin në plate. Më duhej të futesha në skenë ku kisha rolin e një gruaje që këndonte e kërcente. Unë këndoja, kërceja dhe qaja njëkohësisht. Salla u shqetësua. Kur dola për të ikur, shumë spektatorë ishin mbledhur te hyrja për të pyetur: “Çfarë kishte Melpomeni”. Këto ishin vështirësitë e një profesioni për të cilin kam sakrifikuar shumë”.

-Jetëshkrimi-
Melpomeni Çobani, lindi në Tiranë më 6 qershor të vitit 1928. Është aktore e skenës dhe ekranit, Artiste e Popullit. Në vitin 1947­1949 kreu shkollën për aktore nën kujdesin e Teatrit Popullor. Interpretoi role të suksesshme në dramë dhe komedi. Përmendim: “Rrënjët e thella”, “Fejesa”, “Vajza nga fshati”, “Prefekti” etj.

-Rolet në Kinema-
Ajo ka luajtur disa role karakteri në kinema, ku përmendim filmat: “Tana”, “Kapedani”, “Ballë për ballë”, “Radiostacioni”, “Cirku në Fshat”, “Tela për violinë”. Por thotë se kur u bë bilanci doli se kishte interpretuar më shumë nga të gjithë aktorët e tjerë, pra të paktën 3500 role në Estradën e Shtetit.

-Në Kinostudio-
Ajo ka qenë aktore e kërkuar në kinema, por thotë se në vetvete ishte një aktore skene dhe jo filmi: “Qëllonte shpesh që në film skena e fundit xhirohej e para dhe anasjelltas. Dhe mua kjo gjë nuk më pëlqente, prandaj nuk kam qenë e afërt me Kinostudion”, kujton Melpomeni Çobani.

-Roli i fundit-
Në skenën e Teatrit Kombëtar jam ngjitur në vitin 1996, kur regjisori Agim Qirjaqi vuri në skenë komedinë e Ferdinand Radit, “8 persona plus” që në atë periudhë u vu me një emër tjetër. Aty luaja rolin e Memit, përkrah Agim Qirjaqit, role që më pas u interpretuan nga Luiza Xhuvani dhe Roland Trebicka.


Botuar në gazetën SHEKULLI më 10 shkurt 2014
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=40193

No comments:

Post a Comment