Diplomati italian në Tiranë, rrëfen punën 5-vjeçare në krye të
ambasadës:
“U angazhova të lehtësoja dialogu politik të Brukselit me Tiranën. Në
bordin e një anije luftarake italiane, përfundova marrëveshjet me të
ashtuquajturit kryengritës të Vlorës. Kryeministrit Prodi i kërkova të më
besonte, përndryshe do të jepja dorëheqjen. Qeveria Fino doli nga zyra ime,
Nano më dha një titull nderi”
nga Leonard Veizi
Përballja me tokën shqiptare, tek zbriste
nga bordi i një avioni boing me ballinën jeshile të shoqërisë “Alitalia”, mund
të mos ishte fort mbresëlënës. Pista e pamjaftueshme e krejt e qetë, kulla e vogël
e aeroportit dhe vetë rruga e ngushtë që lidhte terminalin me kryeqytetin,
tregonin se vendi, i cili ndahej në kufi vetëm nga një ngushticë prej 70
miljesh det, ishte krejt i largët. Pesë vite më vonë teksa të njëjtën rrugë e
bënte në kthim, me shkresat në valixhen e vogël diplomatike ku thuhej se
misioni i tij kishte përfunduar me sukses, dhe malli për vendin e sapolënë nisi
nga çasti kur avioni bardhë me vizën jeshile tej e tej dhe me një stemë të
kuqen në bisht, mori lartësinë për të krijuar distancën e ankthshme me pistën e
pamjaftueshme e terminalin modest në anën e majtë të tij...
...Ai e “braktisi” projektin aq shumë të rëndësishëm
me Brukselin ku kryesonte delegacionin italian pranë Bashkimit të Europës
Perëndimore. Në Tiranën fqinje e prisnin zyrtarët e ambasadës ku sapo ishte emëruar.
Shtetarët e rinj dhe krerët e tjerë të politikës kërkonin të dinin se çfarë përfaqësuesi
kishte sjellë Italia në rokadën e fundit, vendi i cili jo shumë kohë më parë pati aplikuar dhe një
mision ndihmash humanitare për Shqipërinë kaotike, nën emrin e koduar “Pelikan”.
Vendi dukej miqësor. Njerëzit që kishin dalë nga komunizmi po mundoheshin të
ndërtonin një demokraci hibride. U duhej asistencë medoemos. Dhe nuk duhej shumë
kohë, që zyra e tij si kryediplomat i ambasadës, të kthehej në një rezidencë bisedimesh
të rëndësishme, ku merrnin udhë të gjitha ato që nuk gjenin zgjidhje në selitë
e partive apo zyrat e larta të shtetit. Paolo Foresti, diplomati 71 vjeçar që
erdhi nga Roma në Tiranë, rrëfen për gazetën “Shekulli” punën e tij pesëvjeçare
si ambasador i Italisë në Shqipëri, ku padyshim periudha më e vështirë ka qenë ajo
e vitit të trazuar 1997. Ishin ditët kur ai vetë do të udhëtonte me helikopterë
të mitraluar për të zbarkuar në një fregatë të flotës italiane, i vetmi vend
neutral ku mund të bisedohej për armëpushimin mes shqiptarëve.
Si e pritët emërimin si ambasador në një vend të vogël si Shqipëria?
Aso kohe isha specialist në fushën e marrëdhënieve
shumëpalëshe. Prej vitesh punoja me Bashkimin Europian, NATO-n dhe organizma të
tjera ndërkombëtare madje, sapo kisha marrë detyrën e Përfaqësuesit të
Përhershëm në Këshillin e Europës. Kur ministri i Jashtëm Emilio Colombo më
thirri për të më njoftuar se Qeveria, me propozimin e tij, kishte vendosur
emërimin tim si ambasador në Tiranë, u mërzita shumë. Është e vërtet që me
nxitjen e Presidentit Cossiga kisha qenë ndër realizuesit e misionit “Pelikan”
në Shqipëri, por kurrë nuk e mendoja një detyrë në një fushë dypalëshe. Colombo
më parashtroi faktin se, për shkak të gjendjes së vështirë në Shqipëri dhe të
rolit impenjativ të Italisë, unë isha i vetmi diplomat për të cilin Qeveria
ishte shprehur në mënyrë unanime në ngarkimin me këtë detyrë. Kundrejt
protestave të mia këmbëngulëse, Ministri më tha (kështu thuhet në këto raste,
mendova, kur duhet zbutur shija e ilaçit për t’u gëlltitur!) që kisha të
drejtën ta refuzoja, por në atë rast, do të bëja një gabim të rëndë në
vlerësimin e kësaj detyre dhe shtoi: “Një ditë do ta kujtosh këtë çast dhe do
të na jesh mirënjohës për misionin që të ngarkuam”.
Ia vlejti vërtet ky propozim dhe vetë misioni?
Ka qenë një detyrë shteruese e vështirë,
tepër impenjitave, totalizuese. Por nëse qëndron fakti që shpërblimi është së
paku në të njëjtën masë me vështirësitë që kapërcehen, unë nuk mund të ankohem.
Ka qenë përvoja profesionale dhe njerëzore më ekzaltuese e jetës sime, e vetmja
dhe e papërsëritshme. Më bëri të njoh dhe të dua një Vend dhe një popull, që
përmes vuajtjeve dhe shpresave të tyre më hynë në shpirt dhe më bënë një njeri
të tyrin. Në vijim të kësaj përvoje, edhe pse kisha marrë emërimin e Kryetarit
të Misionit Italian në Bruksel, pranë Bashkimit të Europës Perëndimore, e
kuptova se një cikël i jetës sime ishte mbyllur sakaq dhe më duhej të hapja një
faqe tjetër. Kjo bindje m’u përforcua edhe nga sulmet e disa elementëve
ekstremistë të politikës italiane dhe të disa organeve të informacionit, të
cilat, sikurse kishte ndodhur në Shqipëri në ditët tragjike të pranverës së
1997, u rrekën të më përfshinin në kurthe të pabesa e në ngjarje të turbullta, prej
të cilave kam dalë gjithnjë i papërlyer dhe me kryet lart.
Cila ishte gjendja në Shqipëri, më 1993, me ardhjen tuaj?
Në fillimet e 1993 Shqipëria ishte e
shkatërruar, por shqiptarët shihnin drejt së ardhmes me besim, e përjetonin
ngrohtësinë e atyre që i kishin ndihmuar dhe e ndjenin daljen nga izolimi në të
cilin kishin qenë të dënuar nga një diktaturë mizore dhe obskurantiste prej
gati gjysmë shekulli. Kujtoj nga ajo kohë, një popull të sfilitur, pa ushqim,
pa punë dhe që i duhej të ribënte gjithçka. Por kujtoj dhe forcën e vullnetit,
dëshirën për të riafirmuar dinjitetin të atyre njerëzve, që kishin nevojë për
gjithçka. Mbaj mend që për orë të tëra mungonte uji dhe energjia elektrike, gjë
që krijonte jo pak probleme; e megjithatë njerëzve nuk u mungonte siguria dhe
bindja se po shkonin drejt një stine të re. Artistët nuk kishin për të ngrënë,
u mungonin mjetet për të zhvilluar veprimtarinë e tyre, por megjithatë, e
gjenin mënyrën për të shprehur vetveten edhe në ato kushte. Ato kohë kam njohur
të madhin Kel Kodheli në një Galeri të errët Kombëtare të Ekspozitave; kur e
pyeta nëse mund të bëja ndonjë gjë për të, më tha pa hezituar - ai që mezi
siguronte diçka për të ngrënë - se i nevojiteshin penelë, ngjyra, pëlhurë për
pikturat e tij. Kujtoj emocionin e madh në Teatrin e Operas, kur u shuan dritat
në sallë dhe sopranoja vazhdoi të këndojë deri në fund, pa orkestër! Po vinte
një agim i ri që do ta rivendoste Shqipërinë në Europë dhe në botë.
A e gjetën shqiptarët atë që mendonin se do gjenin përtej kufijve?
Në fakt qe i madh zhgënjimi i banorëve të
Vendit të Vogël të Shqiponjave, kur konstatuan se kufijtë, - pas dhjetëra
vitesh mbylljeje nga brenda - ishin hapur për t’u mbyllur menjëherë nga jashtë.
Ishte e vështirë ta kuptoje dhe akoma më e vështirë ta shpjegoje. Duhej kohë
dhe koha, siç thuhet, do të duhej të ishte e duruar dhe zemërgjerë.
Cila ka qenë ndihma që shteti italian i dha Shqipërisë në fushën ekonomike
dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Qe një ndihmë bujare dhe e konsiderueshme.
Në mënyrë absolute, ka qenë ndihma më e rëndësishme e ofruar nga bashkësia
ndërkombëtare. Mbështetja e Italisë ka qenë thelbësore dhe e vazhdueshme në të
gjitha zhvillimet shqiptare në këto 20 vitet e fundit: nga NATO në Bashkimin
Europian, nga ndihma ekonomike në atë shoqërore, të sigurimit ushtarak. Në
fakt, nuk ka fushë në Shqipërinë e re që nuk ka përftuar ndihmën italiane. Por
dua të theksoj se ndihmat italiane, edhe ato më specifiket, dypalëshe, kanë
qenë gjithnjë të inkuadruara në një perspektivë europiane, për t’i dhënë
mundësi Shqipërisë të marrë një rol të sajin ndërgjegjësues në Europë, në radhë
të parë si vend anëtar i Bashkimit Europian dhe në botë, në kuadrin e një
bashkëpunimi ndërkombëtar në rritje.
Sipërmarrësit italianë kishin interesa për të investuar në Shqipëri?
Sigurisht, shumë investime dhe janë bërë,
disa syresh madhore, të tjerat, më pak. Të mos harrojmë se investimet, sidomos
ato që bëhen jashtë vendit, që të realizohen dhe të jenë të frytshme, kërkojnë
struktura publike dhe infrasktura funksionale në kuadrin e një sigurie të së
drejtës. Natyrisht, kushte të tilla në një vend si Shqipëria, e dalë nga një
diktaturë sa perverse aq dhe reaksionare, kërkojnë impenjim të madh dhe kohë jo
të shkurtër për t’u realizuar.
Ishin vite të një trafiku të madh klandestinësh shqiptarë drejt brigjeve
italiane. Cilat qenë masat që i dhanë fund këtij trafiku?
Trafiku klandestin, si veprimtari
kriminale dhe fenomen i skllavërisë moderne duhej asgjësuar në mënyrë absolute.
Kështu ndodhi falë dhe një sërë nismash bashkëpunimi midis vendeve tona që
arriti pikën kulmore në përfundimin e marrëveshjes së ripranimit - e para në
kuptimin absolut - e hartuar nga Italia, në kohën kur Presidenti Napolitano
ishte Ministër i Brendshëm. Dua të saktësoj se në emigracionin klandestin
përfshihen ngjarje të rëndësishme njerëzore, të cilat nuk mund të mos merren
parasysh. Për këtë arsye, krahas kundërshtimit të kriminalitetit, u zgjeruan
dhe u thjeshtëzuan masat për lëshimin e vizave të rregullta derisa u arrit - kur
Bashkimi Europian e bëri të mundur - në heqjen e vizave. Sot bashkësi të
rëndësishme shqiptare janë të pranishme dhe të njohura në Itali, në gjurmët e
një historie që, pa shkuar larg, në epokën iliro-romake, ka njohur në shekuj
prani domethënëse komunitetesh të të dy vendeve në territoret përkatëse.
Viti i trazuar 1997 Ju gjeti në vendin tonë, cili qe roli i Italisë në zbutjen
e krizës shqiptare?
Roli i Italisë ka qenë themelor. Mund të
themi se kemi shmangur shndërrimin e ndeshjeve tronditëse të atyre ditëve, në
një luftë të përgjakshme civile. Mendoj se nuk ka ardhur ende çasti të flitet
me qetësi për atë periudhë, por mund të pohoj me ndërgjegje të plotë se, pa
veprimin tonë të durueshëm dhe të vendosur, nuk do të ishte arritur - në
qershor të 1997 - në zhvillimin paqësor të zgjedhjeve. Jam i sigurt se një ditë
jo të largët, studiues shqiptarë dhe italianë, duke mbledhur dëshmitë e shumë
protagonistëve të atyre ngjarjeve, do të japin ndihmesën e tyre në qartësimin e
një momenti tepër të trazuar të historisë shqiptare të kohëve të fundit.
Si u përgatit vizita e kryeministrit italian Romano Prodi në Vlorë në
periudhën e trazirave të vitit 1997?
Të gjithë me siguri i mbani mend marrëveshjet
që përfundova me të ashtuquajturit kryengritës të Vlorës, në bordin e një anije
ushtarake italiane në gjirin përballë portit të qytetit. Kjo qe pikënisja, të
tjerat janë histori ende për t’u shkruar. Qenë të shumtë ata që, në të mirë e
në të keq, sikurse dhe gjatë gjithë asaj periudhe të trazuar, u përpoqën të
luajnë - brenda dhe jashtë Shqipërisë - një rol jo gjithnjë të qartë, transparent
dhe konstruktiv. Tani për tani mund të them lidhur me zhvillimin dhe
organizimin e asaj vizite - kaq delikate dhe e rëndësishme ishte - se mbërrita
deri aty sa i deklarova Kryeministrit Prodi se isha gati ta lija detyrën, në
rast se të tjerë do të vazhdonin të mbanin qëndrime të papranueshme ndaj meje
ose, më keq akoma, në kundërshtim me punën time.
Politikanët shqiptarë, nuk takoheshin në Parlament, por në zyrën time
Në këtë intervistë të tij për gazetën “Shekulli”,
diplomati Paolo Foresti flet dhe për marrëdhëniet e tij me politikanët e të
gjithë spektrit shqiptar: Ai thotë:
“Marrëdhënia ime me politikanët shqiptarë ishte karakterizuar nga një marrëdhënie
e bazuar në besueshmëri dhe transparencë dhe, kur qe e mundur, edhe miqësore.
Që në fillim të misionit, në rezidencën time takoheshin përfaqësuesit e të
gjitha partive shqiptare edhe kur (ata) nuk takoheshin në Parlament. U bëra
thirrje me sukses të gjitha forcave politike italiane, edhe eksponentëve të
Parlamentit Europian, me të cilët kisha lidhje të mira, të nisnin bashkëpunimin
me forcat përkatëse shqiptare, me qëllim që të lehtësohej dialogu politik, si
ai i brendshëm dhe i jashtëm. Ky aksion i imi shkoi shumë më tej veprimtarisë
diplomatike, aq sa në janar të vitit 2003, m’u dha - në një ceremoni ku ishin
të pranishëm eksponentë politikë shqiptarë të të gjitha tendencave - diploma
Honoris Causa, nga Universiteti i Shkodrës, me propozim të Qeverisë së Fatos
Nanos. Nga ana tjetër, nuk besoj se është i fshehtë fakti që më 1997,
përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare u mblodhën në rezidencën time, për
të hartuar marrëveshjen që çoi në formimin e Qeverisë Fino. Edhe sot e kësaj
dite ndihem i nderuar që kam - ndër miqtë e shumtë shqiptarë - mjaft eksponentë
të rëndësishëm të forcave kryesore politike të Vendit.
Europa, afër dhe larg
Izolimi e ka mbajtur larg Shqipërinë nga
pjesa tjetër e Evropës. Por duket se pas përpjekjeve 20 vjeçare, politika sot, edhe
pse e ka afruar më shumë, sërish nuk arrin ta bëje Shqipërinë pjesë të saj, për
të përmbushur ëndrrën popullore të viteve 1990-1992 kur shqiptarët që rrekeshin të dilnin nga
diktatura hidhnin parrullën: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Duke folur
për mundësinë shqiptare të të qenit pjesë e Bashkimit Evropian, Paolo Foresti
thotë se pikërisht disa nga përplasjet mes forcave politike duke qenë se janë
shumë të forta e kanë dëmtuar disi imazhin e vendit. “Por nuk duhet harruar që
në vitet 1991-1992 Shqipëria dilte nga një diktaturë e gjatë, që e kishte
izoluar vendin tuaj nga Europa. Kanë kaluar vite e janë bërë përpjekje të mëdha
për modernizimin e vendit, dhe shumë të tjera do të bëhen më pas, ndaj unë
mendoj se duhet ta shohim me shpresë të ardhmen”
Politika shërben për të ndërtuar demokracinë
“Mendoj se politika është e nevojshme, e
domosdoshme, por në të njëjtën kohë është e komplikuar dhe në disa raste e
pisët. Por politika shërben për të ndërtuar demokracinë”. Këtij citimi,
diplomatit Foresti i shton dhe një citim mbështetës të Çurçillit i cili ka
thënë: “Unë kam njohur shumë sisteme qeverisje, por demokracia më duket më e
mira ndër to”. Në jetëshkrimin e Paolo Forestit thuhet se ai u lind në Romë në
23 shtator 1942. Në 1964 u diplomua gjithashtu në Romë, për diplomaci. Njihet
si specialist në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe. Për shumë vite ka punuar
me Bashkimin Europian, NATO-n dhe organizma të tjera ndërkombëtare madje.
Botuar në gazetën SHEKULLI në 5 maj 2013
No comments:
Post a Comment