"VEÇ
'GJERDANIT TË ARTË' MORA DHE SHUMË FLETËRRUFE"
Liliana Cingu flet
për 45 vitet e saj jetë skenike dhe punën për të kërcyer në 65 vjetorin e
lindjes. Viti 1970 kur në Dizhon francezët thërrisnin: “Viva Albania”, në qafën
e kërcimtares nga Shqipëria vendoset “Gjerdani i Artë”
nga Leonard Veizi
Majat e gishtave
të saj dukej sikur nuk donin të rëndonin mbi tabanin e skenës dhe as të preknin
në të. Ndërsa shputat e këmbëve uleshin me lehtësi dhe ngriheshin njëherazi si
të ishin krejt pa peshë. Askush nuk e ndjente fërkimin e tyre me shtresë plastike
e cila ishte shtruar mbi dyshemenë prej dërrase të skenës dhe frymëmarrjen që
kontrollohej me ritmin e muzikës, gjithashtu se ndjente kush. Ajo ishte krejt e
lehtë...
...Francezët e
Dizhon-it, filluan të thërrisnin fort “Viva Albania” kur në gjoksin e
kërcimtares së re shqiptare u vendos “Gjerdani i Artë” i Festivalit. Edhe pse
trofeu i takonte gjithë Ansamblit, në mënyrë krejt spontane, a ndoshta të
përllogaritur që në hapin e parë, kryetari i jurisë, i qetë dhe i pandikuar nga
thirrjet frenetike të publikut, u drejtua për nga më e reja e grupit që kishte
dalë në skenë me simbolet kuq e zi, valltarja 19 vjeçare, Liljana Cingu...
44 vite pas kësaj
ngjarje emocionuese e të pazakontë, ish-balerina e parë e trupës së Ansamblit
Kombëtar, e njohur shkurt si Lili, rrëfen jetën e saj në skenë:
Si lindi pasioni për kërcimin. Fillimet tuaja?
Si çdo fëmijë që
ka dëshirat e veta për të realizuar një ëndërr në një profesion edhe unë
dëshiroja që të ngjitesha në skena e të vallëzoja, megjithëse kisha talent edhe
për sport si gjimnaste apo atlete. Po pasioni i vërtetë ishte që të ngjitesha
vetëm në skenë. Që e vogël, këtë dëshirë timen e realizoja në pistën e Shtëpisë së Oficerëve, ku darkoja me
prindërit.
Ambicia juaj fillestare ka qenë një kërcimtare e
Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, apo do të donit të ishit më shumë një
balerinë e teatrit klasik?
Fillimisht jam
aktivizuar me shkollën, me Pallatin e Pionierit. Por më pas vazhdova një
shkollë 4-vjeçare pranë Ansamblit të Valleve dhe në moshën 16-vjeçare, fitova
të drejtën për të filluar punë si valltare në Ansambël. Dëshira ime ishte
pikërisht në këtë fushë.
Si e kujtoni daljen e parë në skenë?
Ishte vitin 1967.
E kisha disi të vështirë përballjen me publikun. Pyesja veten: “A do jem në
lartësinë e duhur në kërcim pranë Besim Zekthit?”. Kisha shumë emocione. Por me
punë e përkushtim ia arrita qëllimit që të isha një profesioniste në skenë.
Kurrë nuk rreshta së thëni vetes: “Do punoj për të qenë e denjë dhe më e mira
në kërcim”.
Viti 1970 përkon me marrjen e “Gjerdanit të artë” në Festivalin e
Dizhion-it në Francë. Çfarë kujtoni nga ato ditë?
Në vitit 1970,
Ansambli i Këngëve dhe Valleve bëri turne në Festivalin e Dizhon-it në Francë.
Ishin 44 shtete në atë festival botëror. Grupi i shqipeve gati fluturonte.
Ishin fillimet e mija e një gëzim i papërsëritshëm për mua kur në stadiumin me
20 mijë spektatorë vendoset në qafën time “Gjerdani i Artë”, një meritë për ne
artistet e Ansamblit. Janë të pa përshkruara emocionet që ne kishim. Prezantimi
dinjitoz e mbresëlënës me vallet, këngët, kostumet, muzikën bënë që francezët
të brohorisnin “Viva Albanie”. Ishin vërtet emocione të papërshkrueshme.
Ndërkohë Ansambli ka marrë edhe çmime të tjera
ndërkombëtare. Cilat kanë qenë trofetë e radhës?
Gjithmonë Ansambli
është vlerësuar me trofe e çmime në çdo vend, si brenda vendit e jashtë. Dhe
kjo ka qenë meritë e grupit si dhe e drejtueseve të këtij Ansambli.
Koncertet në Kosovë ishin të tjera aktivitete
mbresëlënëse të Ansamblit. Cila ishte atmosfera në vitet ‘70 kur dhe u lejuan
shkëmbimet dypalëshe?
Në vitin 1971
kishim një ftesë për një turne në të gjithë Kosovën. Ndjeva shumë emocione, se
do prekja tokën e vendlindjes se babait tim. Ndarja e kufijve në ato vite ishte
e pabesueshme që të na realizohej të takonim tokën tonë, gjakun tonë, gjuhën e
njerëzve, me kulturën dhe artin e përbashkët, por ja që forca e artit u
realizua, edhe me sakrifica. Shumë mbresëlënëse ishte kur ne flisnim një gjuhë,
atë gjuhë të tokës së përbashkët më me kulturë e art, me shumë tradita njësoj.
Njerëz që ju ndriçonte fytyra nga gëzimi duke na shoqëruar pa iu dridhur syri.
Kur dilnit jashtë shtetit, sa ishit të monitoruar nga
Sigurimi i Shtetit?
Daljet tona jashtë
kufijve kanë qenë gjithmonë të survejuara me punonjës të cilët na shoqëronin,
ndoshta që të mos humbnim nga bukuritë e vendeve të tjera. Por ndodhte që ne
kërcenim në skena e ata humbnin nga bukuritë e vendeve ku shkonim. Pra, ndodhte
e kundërta. Artisti lodhej e djersitej që
të dilte sa më mirë në skenën e vendit të huaj, shoqëruesit tanë
mahniteshin, se s’kishin punë tjetër.
Me Ansamblin këndonte edhe një emër si Vaçe Zela.
Çfarë kujtimesh ndani me të?
Nuk mund të mos e
kujtoj këngëtaren e madhe Vaçe Zela, një emër i madh për ne shqiptarët, një
talent që ka bërë publikun të ngrihet në këmbë me zërin e saj. Po unë do të
thosha edhe një njeri me zemër të madhe, me një kulturë të vlerësuar dinte të
respektonte. Vaçen e dua shumë, respekt për atë artiste.
Mendohej se artistët bënin një jetë më të mirë se
pjesa tjetër e popullit. Në fakt sa vlerësoheshit materialisht e moralisht para
viteve ‘90?
Ne si artistë,
para viteve ‘90 kënaqeshim më pak se thoshim: “Mos kërko më shumë se e gjen
vendin tjetër kund”. Lodhja e artistit vlerësohej sa një minator, por vetëm për
djersën dhe jo materialisht. Në disa drejtime ndoshta bënin një jetë më të
mirë. Gjithmonë ideja bazë ishte se një pjesë e artistëve dhe sportistëve
dilnin jashtë shtetit dhe kjo u jepte mundësi të tjera.
Kur jeni larguar si soliste e Ansamblit?
Duke qenë se ato
vite artistët dilnin në pension në moshën 45-vjeçare, unë qëndrova edhe dy vjet
të tjerë dhe dola në pension në vitin 1997. Më pas kam qenë me kontratë. Për
njëfarë kohe kam qenë në Kanada, e ftuar nga ish-nxënësit e mi. Një shoqatë
shqiptaro- kanadeze më ftoi për të marrë pjesë për Festën e Flamurit më datë 28
nëntor. Vajta atje dhe u ndjeva e mrekulluar kur flamuri ynë u valëvit në mes të
Toronto-s. Në atë kohë kam pasur aktivitete me studentët. Ka shumë shqiptarë që
jetojnë atje dhe e duan folklorin.
Ju jeni aktive edhe sot. Cili është plani më
afatshkurtër që keni?
Duke qenë se jam
gjithmonë në aktivitet, falë Zotit që më ka dhuruar forcë për të mos ndalur nga
vallëzimi në skena, me dashamirësinë edhe të artistëve që e vlerësojnë talentin
tim, si përkrahja e partnerit Rexhep Çeliku si edhe drejtuesi artistik Sulejman
Balteza që më kanë aktivizuar me Ansamblin në ndonjë koncert. Por aktivitetet e
mija siç duket nuk do mbarojnë këtu. Vazhdimi do jetë me një recital tjetër, me
forcën time, me dashamirës e simpatizantë të artit çdo gjë realizohet dhe
arrihet. Duhet punë e djersë... duke qenë se unë “Mjeshtër i Madh” e kam marrë,
më duhet ta justifikoj deri sa këmbët të më lënë.
Ëndrra që u bë realitet
Karriera e saj
është e mbushur me shumë çaste të bukura, por më e veçanta ka mbetur ajo kur në
moshën 19-vjeçare, në qafën e saj u vendos Gjerdani i Artë në festivalin e
Dizhon-it në Francë, nga kryetari i Festivalit në mes 20 mijë spektatoreve. Kjo
përkonte dhe me fillimin e karrierës së saj. Lili Cingu thotë se: “Duke ardhur
në atdhe me medalje, dhe ëndrra m’u bë realitet. Çdo njeri në jetë numëron
sfida dhe suksese. Dëshira ime më e madhe në jetë ka qenë suksesi në skenë si
valltare dhe kur i drejtohesha Zotit me lutjen, “O Zot ma realizo dëshirën që
të kem një emër të nderuar si artiste e madhe”, e ndjeja që isha në rrugën e
duhur. Unë jam krenare që ia kam arritur, kjo edhe falë talentit dhe punës
time”.
Kur Partia më kritikonte
Liljana Cingu
tregon se si do të ndryshonte jeta e saj vetiake dhe artistike pas viteve ’90.
“Ndryshimet për mua ishin të shumta. Fillimisht m’u larguan “fletërrufetë” që
ishin bërë të modës. Më kujtohen fjalët e sekretarëve të partisë apo
sekretarëve të rinisë që kishin si parullën e tyre: ‘Bëj si them unë e mos bëj
si bëj unë’. Unë gjithmonë kam dashur ta kërcej vallen, ashtu siç populli ynë e
kërcen me mjeshtëri, por kam hasur edhe pengesa nga disa persona në Parti, që
nuk dinin çfarë ishte vallja. Një veprim i vogël më shumë në valle shoqërohej
me fletë-rrufe ose vërejtje me paralajmërim. Ishin të zakonshme këto për të
talentuarit. Dhe i talentuari çuditërisht merrte gjithmonë kritika ose
vërejtje. Natyrisht, këto nuk mungonin as për mua. Si një vajzë që më pëlqente
e bukura, mundohesha të ndiqja modën dhe kritikohesha. Por ishte puna ime që i
përmbyste të gjitha vërejtjet që më bënin... Nejse, ajo kohë iku, ndryshimet
erdhën dhe u bëmë njerëz të lirë”.
Përkrah mjeshtrave
Duke folur për
partnerët e saj si “balerinë e parë” e Ansamblit, Liljana Cingu thotë:
“Fillimet e mia në ansambël kanë qenë duke vallëzuar me partnerë në masë. Por
shumë shpejt ëndrra ime u realizua me punën time, djersën e palodhur, ndihmën e
koreografëve e mjeshtërve si: profesor Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Besim
Zekthi. Ata bënë që talenti im, puna ime, ëndrra ime, të arrinte aty ku unë
dëshiroja, soliste me solistët virtuoz: Besim Zekthin e Rexhep Çeliku. Në atë kohë me dinjitet u formua
treshja, siç jemi cilësuar edhe nga mediet... “Zekthi, Cingu, Çeliku”. Kam qenë
gjithmonë krenare në karrierën time artistike, që kam kërcyer me më të
talentuarit valltarë. Kemi bërë histori në skene, si brenda dhe jashtë vendit.
Bashkëpunimi ynë ka qenë gjithmonë me punë, duke e ngritur bukurinë e valles në
lartësi, ku ato janë vlerësuar si perla të vendit tonë. Kjo është edhe merita e
koreografeve”.
Ansambli dje dhe sot
Ansambli i Këngës
dhe Valleve Popullore, sot nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm, edhe pse në
kushtet e reja i ka mbijetuar më së miri të gjithë “furtunave”. Duke folur për
vijimësinë e tij, Liliana Cingu thotë: “Ansambli ka qenë i shumtë në numër dhe
më vjen keq që sot këtë ansambël nuk e bëjnë po aq grupe sa kanë qenë. Edhe
tani ansambli punon dhe ka shumë aktivitete. Shumë vite më parë ansambli ka
qenë rreth 80 vetë, por sa i takon valles, duke dalë 12 çifte në skenë ajo mbushet. Gjerdani i Artë në Dizhon të
Francës në 1970 ishte një vit i veçantë, ne me vallen dhe këngën tonë u vlerësuam
në një aktivitet të tillë, ku merrnin pjesë shumë shtete. Artistët ishin ambasadorë të kulturës kudo që
shkonin. Folklori ynë nuk ka dallim kudo që ne e interpretojmë ai vlerësohet.
Dëshira ime për Ansamblin është dhe do të jetë gjithmonë, që ta shoh me sa më
shumë valltarë dhe ky Ansambël duhet të na përfaqësojë denjësisht kudo në
botë”.
Botuar në Gazeta Shekulli - 27 Janar 2014
http://arkivi.peshkupauje.com/2014/01/liliana-cingu-do-te-kercej-derisa-kembet-te-me
https://sq.wikipedia.org/wiki/Liljana_Cingu
https://sq.wikipedia.org/wiki/Liljana_Cingu
No comments:
Post a Comment