Arian Manahasa, ish-student i dhjetorit 1990 dhe një nga krerët e Lëvizjes, tregon ditët e vrullshme të revoltës kundër diktaturës. Çfarë ndodhi në Qytetin Studenti dhe zyrën e Ramiz Alisë në ditët kur komunizmi jepte shpirt
Ju rrëfej Ardian Klosin, fali librezën e kursimeve për revolucionin studentor
Leonard Veizi
Muri sovjetik i Berlinit kishte rënë në Gjermani, dhe Bukureshti ishte përfshirë prej kohësh nga revolucioni i përgjakshëm antikomunist, por në Shqipëri ende nuk ishte ndjerë si duhet fryma e ndryshimeve radikale që kishte përfshirë Evropën Lindore të KNER-it, ku dikur futeshin vendet e “Kampit Socialist”. Gjithçka po lëvizte zhurmshëm, por timpanet e alarmit ende nuk kishin mbërritur në veshin e izoluar të shqiptarëve. Ndërsa, ata të cilët e kuptuan se gjithçka dogmatike kishte marrë fund, ishin dhe të parë që iniciuan lëvizjet për demokraci.
Studentët e shpërthyen zemërimin e mbledhur prej kohësh. Kordoni i policisë blu pa grada dhe për më tepër e ushtarëve të veshur me uniforma jeshile e mburoja plastike, nuk mund ti bënin më ballë uraganit të saponisur. Qëndresa për ta mbajtur Shqipërinë, “as me Lindjen dhe as me Perëndimi” kishte marrë fund. Arian Manahasa, një prej organizatorëve të Lëvisjes Studentorë ’90, rrëfen për “Shekullin” atmosferën e atyre ditëve të mbushura me emocionet e një ndryshimi të aqpritur:
Cila ishte situata mes të rinjve kryeqytetas dhe atyre të ardhur nga rrethet në fundin e vitit 1990?
-Sigurisht që kishte një farë ndryshimi midis studenteve Tiranës dhe studenteve që vinin nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë e që krijonin komunitetin e Qytetit Studenti por ky ndryshim sipas mendimit tim, në atë kohë ishte thjeshtë një diferencë në mënyrën e jetesës së përditshme. Është afër mendjes që studentet e ardhur nga rrethet kishin një nivel jetese më të vështirë së studentet e Tiranë për vetë faktin që kushte që shteti i kalbëzuar i asaj kohe ofronte ishin në limitet e mbijetesës. Përsa i përket diferencave të tjera të natyrës kulturale apo sociale, ishin krejtësisht të pa përfillshme. Nuk do të ndaja dot këto dy kategori studentesh të asaj kohë. Gëzimet, hallet dhe gjykimet e natyrshme të brezit, ishin tejet të binjakëzuar.
Ishit student i Tiranës. Çfarë u shtyu të bashkoheshit me revoltën që nisi në konviktet e Qytetit Studenti?
-Ajo që shtyu dhjetëra e qindra moshatare të mij në atë kohë. Ajo që bashkoi një popull të tërë. Dëshira për të folur i lirë, për të jetuar i lirë, për të rindërtuar dhe trashëguar një dinjitet njerëzor të nëpërkëmbur ndër vite. Nga ballkoni i shtëpisë time tek një nga rrugicat e Rrugës se Kavajës, dëgjoheshin qartë thirrjet që vinin nga Qyteti Studenti ku sapo kish nisur revolta. Ishte e pamundur për një si unë të mos u vidhesha prindërve e mos dilja atë natë nga shtëpia për t’u bashkuar me shokët e mi. S’do ta harroj kurrë vështrimin aprovues të përzier me frikën e natyrshme prindërore të tim eti kur më pa tek porta e oborrit. E kuptoi që tashmë asgjë s’do më ndalonte.
Cilat ishin pretendimet e studentëve, vetëm ekonomike apo dhe politike?
-Të duash te ndash karakterin e kërkesave të revoltës së studenteve të Dhjetorit 90 është njësoj si të gënjesh veten. Thelbi i ç’do veprimi, i ç’do kërkesë, i ç’do sakrifice ishte një dhe i vetëm ... përmbysja e sistemit diktatorial. Fakti qe brenda pak orëve që nga nisja e revoltës u kristalizua dhe u bë qëllim kryesor Pluralizmi Politik nuk le vend për shume interpretime për karakterin e kërkesave te studenteve.
Si u përzgjodh delegacioni që shkoi në takim me Kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor?
-Fusha e sportit e qytetit studenti atë mëngjes ishte shndërruar në “agora”-në më të bukur dhe më emocionuese që kam parë e jetuar. Fjalët lapidar të Ardian Klosit, i panjohur në atë kohë, kur ngriti një libreze personale kursimesh në ajër dhe thirri “e fal për JU”, fleta e daktilografuar me 11 kërkesat e studenteve që bridhte dorë më dorë për t’u lexuar më pas me zë të lartë para tyre, fakti që fjalë të tilla thuheshin publikisht dhe me entuziazëm për herë të parë... janë elemente që mjaftojnë për të përshkruar gjendjen shpirtërore të studenteve dhe situatën e atyre ditëve. Ndofta për herë të parë, në një kohë rekord, pa e kuptuar as ne vete, u zhvilluan zgjedhje të ndershme. Ç’do fakultet u mblodh rreth vetes ne atë fushë e në ato shkallare për të zgjedhur përfaqësuesit e vet qe do te shkonin përballë komunistit të fundit të mbetur në institucion, e t’i hidhnin dorezën e sfidës. Sot kujtoj me bindje se edhe pse ata që u zgjodhën, midis studente e pedagogë, ishin ndofta të panjohur me njëri – tjetrin, për këdo që do t’i vështronte nga larg, do te dukeshin sikur jo vetëm njiheshin prej kohësh por ishin tejet të lidhur e të sinkronizuar në atë që po bënin. Ishte një ideal që i amalgamonte.
Çfarë u diskutua pasi u dëgjua nga qendra e zërit biseda e studentëve dhe pedagogëve me Ramiz Alinë?
-Përcjellja e autobusit me shokët dhe pedagogët tanë drejt takimit me Alinë ishte përsëri një nga ato çaste që jetohen vetëm një herë. Një entuziazëm i shfrenuar përzier me një ndjenje të natyrshme frike e mosbesimi tek fitorja ndaj regjimit ishin elementet skenografike të asaj nate kur për herë të parë në historinë e Shqipërisë një grup djemsh e vajzash me moshë mesatare 22 vjeç, u vunë përballë njërës nga diktaturat më të egra të botës. Nuk besoj se është e rëndësishme të komentohen hollësitë e atij takimi. Askush nuk mund të zbehë guximin e fjalëve të Azem Hajdarit ne atë takim. Askush nuk mund të kritikojë urtësinë dhe logjikën e Shenasi Ramës, zgjuarsinë e Arben Likës, ironinë e Blendi Gonxhes, shpërthimin e Mimoza Ferrës, vendosmërinë e Arben Demetit etj. etj. ajo që u tha përballë Alisë, ajo që u diskutua e u brohorit gjatë dhe pas kthimit të atyre djemve nga takimi dhe ajo që ndodhi në orët në vijim kishte vetëm një emër … Shqipëria u ngrit, djemtë e rinj të saj dinin se ç’po bënin dhe ishin gati për sakrificë sublime për ta kryer deri në fund atë që kishin nisur.
Krijimi i partisë politike jo detyrë vetëm studentëve
Por si precipitoi situata për të krijuar për herë të parë një parti politike, pas 45 vitesh monizëm? Arjan Manahasa thotë: “Erdhi krejt natyrshëm. Si në ç’do lëvizje politike, pas uraganit të parë, lind nevoja e një lidershipi si në aspektin fizik ashtu edhe në aspektin organizativ dhe politik. Asgjë më shumë se krijimi i një force politike të ndryshme nga PPSh nuk do të mund të kurorëzonte atë revolte që tashmë kish marrë përmasa mbarë kombëtare. Nuk ishte e vështirë të arrihej në idenë e krijimit te një partie të kundërt me PPSh e cila te vihej në krye të kësaj lëvizjeje popullore. Pluralizmi i kërkuar dhe fituar nga studentet duhej konkretizuar. Sigurisht që një ndërmarrje e tillë, krijimi i një partie politike në një vend ku vetëm ta mendoje mund të kishe probleme serioze, nuk ishte diçka e lehtë dhe nuk ishte diçka që i përkiste si detyrë vetëm studentëve të Dhjetorit. Po kaq natyrshëm erdhi dhe përfshirja e organizimi i një grupi më të gjerë njerëzish të cilët gjithashtu në një kohë rekord proklamuan, mundësuan dhe legjitimuan të parën forcë opozitare shqiptare të historisë së pas luftës. Diktatura tashme ishte mundur. Ndër vitet që pasuan, komentet mbi kush, pse, si etj për ata që krijuan e drejtuan PD, u stërholluan tepër. Për mendimin tim asgjë nuk është me e rëndësishme se ajo që realisht ndodhi. Të tjerat janë nën gjykimin e kohës dhe të njerëzve, nën gjykimin e një shoqërie me kapacitetet dhe rregullat e saj. Nga grumbullimet tek godina 15 e grupit nismëtar, tek kati nën tokë i shtëpisë se Gramoz Pashkos ku shtypej një program politik e deri tek salla e kinoklubit te Qytetit studenti ku atë mbrëmje Alfons Gurashi solli lajmin e legalizimit nga ministria e regjimit të Partisë Demokratike Shqiptare nuk kishin kaluar më shumë se disa dhjetëra orë. Pikërisht ky vrull është thelbi i asaj që ndodhi e që u vazhdoi deri në rrëzimin e monumentit të Hoxhës në shkurt ‘91”.
Koha për ndryshim, sistemi komunist ishte vetkalbur
Në 8 dhjetor studentët u bënë të “pabindur” në kërkesat e tyre. Por në çfarë kushtesh nisi revolta studentore e dhjetorit 1990? Arian Manahasa, një prej organizatorëve të kësaj Lëvizje thotë: “-Do të theksoja faktin se nuk kishte rëndësi se si nisi revolta por pse nisi ajo. Sistemi diktatorial i Hoxhës ishte në një dekadencë të plotë dhe kishte kohë që lëkundej në themele. Nga njëra ane ishin ngjarjet përreth nesh, në Evropë, që nuk mund të kalonin pa u vënë re edhe nga nje shoqëri tejet e izoluar dhe tejet e kontrolluar si Shqipëria. Rënia e murit te Berlinit, revoltat ne Rumani etj. Shënuan kthesën e madhe historike të një shoqërie që tashme hidhte poshtë me forcë koracën e rendë të një sistemi komunist tejet të vetkalbur. Nga ana tjetër, gjendja ekonomike e një vendi të vogël si Shqipëria, e mbetur vetëm tashme fale politikave të izolimit që prodhoi regjimi komunist, ishte drejt kolapsit total. Shenjat e para të një revolte ndryshe nga përpjekje të vazhdueshme sporadike të ndodhura në vite u panë që nga fillimi i vitit ‘90. Rebelim të heshtur në ambiente e qytete të ndryshme të Shqipërisë gjithmonë e më shumë komentoheshin me një lloj entuziazmi nga shoqëria e sidomos të rinjtë. Korriku ‘90, muaji i famshëm i ambasadave, ishte preludi i një historie të re e cila përgatitej të shpalosej vrullshëm. Tirana, por edhe qytete të tjera të rëndësishme si Shkodra, Durrësi, Kavaja manifestonin dukshëm ç’do ditë akte e gjeste të ndryshme të cilat kundërshtonin hapur diktaturën e Hoxhës. Revolta e studentëve të dhjetorit nuk ishte asgjë me shumë se shkëndija që shërbeu për të ndezur atë zjarr të madh të ndryshimit për të cilin një popull i tërë ishte jo vetëm gati por edhe tejet i dëshiruar. Si ne ç’do revolucion, është rinia ajo që hedh hapin e parë duke marre mbi vete kostot dhe rreziqet e frontit. Në qytetin studenti, ata djem, jo vetëm ndezën këtë shkëndije por i dhanë jetë zjarrit duke e furnizuar me idealin e tyre tashme të konsoliduar, dëshirën e tyre vetëmohuese për të jetuar e folur në liri. Nuk kanë rëndësi emrat, numrat, hollësitë. Një gjë është e ma tjetërsueshme. Ata djem e vajza hynë më forcë, të bindur në misionin e tyre të drejte, dhe u bënë pjesë e rëndësishme e historisë së një vendi”.
Azem Hajdari kish lindur lider
Duke folur për rolin e Azem Hajdarit në lëvizjen studentore, Arian Manahasa thotë: “Ju pyesni se cili ishte roli i Azem Hajdarit në Lëvizjen Studentore? Shumë e thjeshte përgjigja ... roli i një lideri. Siç dihet botërisht lider lind, nuk bëhesh dhe Azem Hajdari kish lindur lider qe në çastin kur thirri me zë të lartë gatishmërinë për te sakrifikuar veten e familjen për kauzën e studenteve e deri kur mbylli sytë ai ishte një figurë tejet e spikatur dhe me vlera të patjetërsueshme. Ai ishte dhe do të mbetet personifikimi i demokracisë së re shqiptare”.
Drejtimi i revolucionit
Studentët ishin të parët, por menjëherë marrja e frenave në dorë prej njerëzve që erdhën nga jashtë radhëve të tyre. Por si u prit kjo nga studentët? Arian Manahasa e shpjegon kështu: “ - Studentet nuk pritën që dikush të merrte në dorë frenat drejtuese të asaj lëvizjeje mbarë popullore. Vrulli i atyre ditëve dhe rrjedha e ngjarjeve ishin aq te shpejta dhe aq të paparashikuara sa nuk mund te ndash një çast të tillë kur dikush ose disa erdhën dhe morën në dorë drejtimin e revolucionit. Ç’do gjë, ç’do pjesëmarrje apo ndërhyrje ishte tejet e mirëpritur mjaft që ishte nën të njëjtin ideal. Mos harrojmë se studentet ishin në një moshe tepër të re dhe nuk besoj se dikush mendon se ata mund të vazhdonin të vetëm të udhëhiqini edhe politikisht këtë revolucion mbarë kombëtar. Koha dhe historia kanë nxjerrë në pah një sërë faktesh e kanë zbardhur një sërë ngjarjesh që sot do të interpretoheshin shumë më ndryshe se në ato kohë por mos harrojmë kushte dhe kapacitete e asaj kohe. Sot mund të gjykojmë ose të kritikojmë një sërë veprimesh dhe një sërë personazhesh të asaj kohe që në një mënyrë ose në një tjetër morën në dore frenat e situatës por ... në asnjë çast nuk mund të hedhim asnjë fije dyshimi mbi ç’ka studentet e Dhjetorit dhe populli shqiptar vendosi të bënte dhe e bëri”.
Iu largova politikës
Edhe pse një nga organizatorët e Lëvizjes, Arian Manahasa nuk u përfshi në politikë, ashtu siç bëri shumëkush që ishte në mesin e saj. Ai thotë: “-Duke hequr mënjanë pjesëmarrjen aktive në organizimin e revoltës së ditëve të dhjetorit njësoj si dhjetëra bashkëmoshatarë, në krijimin e Partisë Demokratike njësoj si shumë shokë të mij, në organizimin dhe drejtimin e shkurtit 91 ku hodhëm poshtë monumentin e Hoxhës si qindra studente si unë ... nuk e kam ndjerë veten kurrë si të përfshirë “in primiss” në politike. Ne ishim studente dhe siç e kam thënë dhe herë të tjera detyra jone ishte të mbaronim studimet. Ngjarjet e Dhjetorit ‘90 krijuan një pauzë në kalvarin tonë didaktik, pra ne duhet t’i ktheheshim mbarimit të shkollës. Personalisht, në kohën e duhur, ju ktheva përfundimit të studimeve edhe pse diku tjetër, në një vend të Evropës Perëndimore, bashkëmoshatarë të mij të asaj kohe u përfshinë në strukturat politike të Partisë Demokratike, në radhët e parlamentit të parë pluralist e kështu me radhë. Edhe kjo për mendimin tim ishte një diçka e natyrshme, ishte një rrjedhë që nuk mund ta ndaloje”.
Sakrificat për ta bërë Shqipërinë si Evropa
Pas 23 vitesh, të rinjtë e djeshëm nuk janë më të tillë. ndërsa aspiratat e vitit 1990, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, ka mbetur në kufi. Duke folur për këtë çështje Arian Manahasa thotë: “-23 vjet për mendimin tim janë shumë pak për të pasur një shtet dhe një shoqëri siç ne shohim rreth e rrotull në botën e zhvilluar. Ne thërrisnim “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa” por vërtetë shpejt u kuptua se Shqipërinë duhej ta bënin si gjithë Evropa. Askush nuk dhuron asgjë. Një jetë ka kuptim kur atë e jeton dhe e ndërton. Po ashtu edhe një shoqëri nuk mund të pretendojë që t’ia dhurojnë ndryshimin e dëshiruar. Atë duhet ta bëjë vetë me sakrificat e nevojshme. Nuk është entuziazëm ose optimizëm bosh fakti që personalisht quaj progres ecurinë e shoqërisë shqiptare në këto 23 vite por njëkohësisht pranoj evidencën e nevojës për shumë, shumë punë, përpjekje e kohe për të mundur të krahasohemi e shoqëri tek të cilat aspirojmë. Sot studentët e djeshëm që ishin iniciatorët kryesorë të lëvizjes për demokraci janë kudo. Ata janë aq shumë sa është e pamundur të listosh ku janë e ku jetojnë. Ata ishin një kur ideali i lirisë i bashkoi. Ata ishin në të njëjtin vend kur dëshira për të jetuar të lirë i ndriti deri në vetëmohim. Ata sot janë kudo. Kudo ku jeta dhe shoqëria i ka vendosur. Janë nga yje mbi lapidarë, heronj të një kohë të lavdishme deri tek burra shteti. Ajo që i bashkon akoma, në ç’do kohë, moment dhe moshë është ndjenja që kanë kur thonë ... “ne ishim fatlum që jetuam ato ditë...”
---------------------------------------------------------------------------
---------------------------------------------------------------------------
Afrim
Krasniqi, ish-studenti i dhjetorit ’90 rrëfen si u motivua Lëvizja për
demokraci. Iniciatoret e parë për krijimin e një partie opozitare. Pse u
shkarkua Azem Hajdari nga kreu i PD-së
“Pardesytë
e bardha volën frytet e Lëvizjes së Dhjetorit”
Leonard
Veizi
Rëndom ndodh që historinë e njohim jo
ashtu si ka ndodhur realisht. Por kur vjen puna për Lëvizjen e dhjetorit ’90 gjenden
dëshmitarë që nuk të lenë shtigje për manipulim faktesh. Afrim Krasniqi, pjesëmarrës
aktiv në ngjarjet e dhjetorit ’90, por dhe më tej, jep këtë tablo për ditët
plot tension
Cila
ishte situata në fundin e vitit 1990, dhe si nisi revolta studentore?
Dhjetori 1990 nuk ishte vetëm
kalendarikisht viti i fundit i vitit, ishte përmbledhje e gjithçkaje që ndodhi
atë vit. Në fillim të vitit pati raste të protestës politike në Shkodër dhe më
pas në Kavajë, pati vizitë në Tiranë të Peres De Kuelar, pati rikthim të disa
institucioneve fetare, pati ikje masive në ambasadat e huaja, pati zhvillime në
gjithë rajonin, pati takimin e shefit të regjimit me intelektualët, kriza e
thellë ekonomike, dhe në fund edhe deklaratën politike të shkrimtarit Ismail
Kadare. Të gjitha së bashku ishin pjesë e një klime ndryshimi. Në ambientet
universitare kishte rritje të dukshme të pakënaqësisë dhe ndjenjës së
protestës, nuk kishte më frikë për kritika ndaj regjimit dhe eksponentëve të
tij kryesor, pakkush besonte ende në aftësinë e regjimit për ndryshim dhe se
nënshtrimi letargjik i shoqërisë shihej si e papranueshme. Shpresa se ndryshimi
do ishte i shpejtë, do vinte nga pjesa e elitës zyrtare të regjimit ishte minimale.
Protesta nisi dukshëm në ditët e para të dhjetorit, fillimisht me thirrje
politike dhe revoltat e ballkoneve dhe më pas, në mbrëmjen e 8 dhjetorit me
thirrje dhe nismë konkrete për protestë të organizuar. Protesta e datës 8 vijoi
disa orë, deri në mesnatë, dhe ishte një luftë e ashpër nervash dhe force midis
studentëve dhe forcave më të zgjedhura policore dhe politike të regjimit.
Ministra dhe zyrtarë, rektorë dhe shef partie erdhën aty bashkë me specialët e
policisë për të bindur studentët për tërheqje dhe pasi dështuan, atë natë dhe
të nesërmen në mesditë ata bënë atë që dinin më mirë të bënin prej 46 vitesh,
përdorën dhunën, kërcënimin dhe shantazhin.
Si
reaguan studentët pas kësaj dhune?
Studentët reaguan ashtu siç nuk ishte
reaguar asnjëherë më parë, jo fshehje në frikë, por përballje me regjimin,
rrëzimin e frikës dhe vendosmërinë për të ecur përpara në projektin e tyre.
Duken gjëra të thëna, por janë thelbësore. Nëse studentët do ishin tërhequr atë
natë, historia e pluralizmit shqiptar do të kishte qenë shumë më e vonë dhe
shumë më ndryshe. Ata reaguan, u mblodhën, u qartësuan në kërkesat politike dhe
i imponuan regjimit ultimatumin për pluralizmin politik. Unë e shoh me modesti
praninë time aty, si një fat të trefishtë, sepse isha, sepse mora vendimin e
duhur dhe sepse bëra gjithçka bashkë me kolegët të realizonim synimin e
përbashkët për ndryshimin e sistemit. Por tej historive e ndjesive personale,
flasim për një brez dhe një ngjarje që përsëritet njëherë në një shekull dhe që
kanë të drejtë Berisha e Rama kur e konsiderojnë unike. Studentët kanë meritën
se rrezikuan, morën përgjegjësi, refuzuan “status quon” dhe udhëhoqën një
lëvizje politike që ishte dhe mbetet lëvizja më qytetare, elitare dhe pozitive
në historinë moderne të shtetit shqiptar.
Si
evoluan pretendimet e studentëve dhe si u motivua Lëvizja?
Fillimisht nisi me kërkesa ekonomike.
Edhe lëvizjet më të mëdha politike kanë pasur alibi ekonomike apo sociale. E
njëjta situatë u përsërit edhe në Shqipërinë e vitit 1990. Gjithsesi, dokumenti
i vetëm zyrtar është peticioni i studentëve dhe ai qartësisht përmban kërkesën
për pluralizëm politik, për reforma të thellë politike dhe ekonomike, për
krijimin e partisë së re konkurrues me PPSH dhe për publikimin e dokumenteve
ndërkombëtarë që përbëjnë “abc” e standardeve demokratike. Ky dokument nuk lë
dilemë se protesta ishte dhe mbeti politike nga dita e parë në të fundit. Edhe
në takimin me udhëheqësin komunist Alia, askush nuk u mor me tema ekonomike e
sociale, e gjithë biseda është politike dhe nuk mund të ishte ndryshe. Çdo
përpjekje që tenton të japë një ide tjetër, të akteve të rastësishme dhe
synimeve që lidhen vetëm me komoditetin personal, janë të trilluara dhe produkt
denigrimi për lëvizjen dhe integritetin e saj.
Si
u prit nga studentët, marrja e frenave në dorë prej njerëzve që erdhën nga
jashtë radhëve të tyre?
Zhvillim normal, pritej. Ditën e dytë të
protestës studentët ftuan shumë emra pedagogësh për tu bashkuar me lëvizjen,
vetëm ndonjë emër sot periferik pranoi, ata që ishin dhe janë edhe sot emra
kryesorë refuzuan. Kjo ka një shpjegim. Përpara dhjetorit intelektualët
publikë, ata që kishin një mendim sadopak politik, e patën rastin të reagonin
qoftë edhe në takimin me Ramiz Alinë por ata megjithëse donin ndryshim, e
kërkonin atë gabimisht tek vetë kreu i regjimit Alia, tek ndryshimi i elitave
në PPSH dhe në përmirësimin e vetë sistemit njëpartiak. Ata nuk ishin, nuk u
shprehën dhe as kërkuan pluralizëm. Përkundrazi. Ndaj kur studentët kërkuan
mbështetjen e tyre me 8-9 dhjetor shumica absolute e tyre refuzuan, preferuan
qëndrimin në PPSH apo në heshtje. Vetëm kur protesta dha rezultat dhe klima e
ndryshimit u qartësua ata u bashkuan me studentët për të marrë frytet e
protestës dhe lëvizjes së tyre. Suksesi i tyre nuk përkthehet si dështim i
studentëve, por zhvillim i pritshëm paralel.
Të
ashtuquajturit njerëzit me “pardesy të bardha” ishin më afër studentëve?
Atë kohë në Tiranë nuk kishte disidencë
politike, nuk kishte grupe apo individë me imazh publik pozitiv antiregjim, nuk
mund të pritej të kishte parti studentore, por do të kishte një opozitë
politike dhe ajo, do të ishte produkt popullor i çdo shtrese që vetafrohej, jo
vetëm i moshës së re dhe studentëve. “Pardesytë e bardha” ishin të gatshmit dhe
ata morën edhe drejtimin politik të PD-së dhe partive politike të krijuara më
pas. Lëvizja nuk ishte më e njësuar me PD-në, është pjesë thelbësore e saj, por
jo 100% PD. Në listën themeluese të saj ka shumicë studentësh, por vetë
studentët ishin produkt vullneti i njohjes gjatë lëvizjes, jo i një mekanizmi
të organizuar dhe strukturuar. Studentët vijuan mësimin, një pjesë zgjodhi
politikën, të tjerë emigruan, pra hynë në një sistem të ri shoqëror. Kjo është
meritë jo fajësi. Pas 12 dhjetorit PD u bë parti, me program dhe rregulla të shkruara,
me interesa shpesh të ndryshme, me ngritje e ulje në debatin politik, kurse
Lëvizja mbijetoi si platformë idealiste rinore deri me 20 shkurt 1991 kur u
rrëzua busti i diktatorit. Teza që PD dhe Lëvizja studentore nuk ishin
tërësisht identike provohet edhe me faktin se ajo parti ishte kundër grevës së
urisë, madje ka një deklaratë publike dhe një dokument të brendshëm debati që e
vërteton këtë.
Pas
23 vitesh, mendoni se aspiratat e vitit 1990, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë
Evropa”, etj., janë arritur?
Nuk ka përgjigje të prerë, por unë e kam
një përgjigje. Unë besoj se dita e parë e Shqipërisë në BE do jetë dita që
përputhet tërësisht me pritshmëritë rinore, pse jo edhe utopike të dhjetorit
1990. Çdo zgjidhje e mesme përbën alibi, është e mbetet gjysmake. Shqipëria në
BE do kërkojnë minimalisht edhe një dekadë, ndaj edhe aspirate reale, ajo për
demokraci funksionale, shtet të së drejtës dhe Shqipëri evropiane do kërkojnë
po ashtu një dekadë tjetër. Shumë më tepër se çdo vend tjetër ish komunist, por
nëse lexojmë historinë tonë politike, një tipar i përhershëm i vonesave në
proceset tona kombëtare, shtetërore, demokratike dhe integruese.
“Katovica”,
alibia e dështimeve
I pyetur rreth një monitorimi të mundshëm të “Lëvizjes”, kur herë
pas here, nga persona me influencë, është folur për çështjen “Katovica” dhe
ndikimin e saj në shqipëri, Afrim Krasniqi thotë: “Kam përshtypjen se tezat për
skenarë të gatshme, parashtrim të historisë dhe tranzicionit, inskenim të
zhvillimeve, partive, zgjedhjeve, etj, janë më shumë alibi për paaftësinë dhe
dështimet e një brezi politik e publik sesa argumente që mund të provohen.
Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte pjesë e asnjë skenari rus apo
ndonjë vendi tjetër, edhe sepse prej vitesh ishte jashtë sferës së secilës
perandori ideologjike. Ishte një vend tërësisht i izoluar në marrëzinë e vet,
ishte aktor pa peshë politike në gjeopolitikë, ndaj përveç fantazive dhe
nevojës për alibi, nuk shoh ndonjë arsye apo argument të besoj diçka të
ndryshme. Është tjetër gjë të thuhet se disa erdhën nga Ramizi apo PPSH dhe
tjetër të thuhet se gjithçka ishte parashkruar, deri edhe zhvillimet e
tranzicionit. Po, regjimi dërgoi njerëzit e vet, shumë individë nga brezi i
dytë dhe i tretë karrierist në PPSH u bashkuan me opozitën, dosjet nuk janë
hapur, kapitali vijoi të mbesë monopol i ish pushtetarëve, etj, etj, por këto
janë defekte, janë gabime, janë zgjedhje oportune, janë tipare të një
tranzicioni problematik, jo produkte të parashkruara perëndish si në besëtytnitë
pagane të vjetra. Në fund të fundit, modele populiste, kritike apo korruptive
si Nano apo Berisha ka pasur në çdo fushë e sektor në tranzicion, çfarë më
shumë duhet kërkuar tek kultura jonë politike, raporti ynë me shtetin dhe
qytetarët, modeli i njeriut që krijoi diktatura dhe mbijetesa jonë përmes
miteve të rreme, populizmit të turmës apo regjimesh personave sunduese”.
PD
nuk nderon themeluesit
Themelimi i PD-së u bë në 12 dhjetor. Por
cilët ishin në lisën fillestare si firmëtarë të parë të saj. Afrim Krasniqi
sqaron: “Firmat u mblodhën mesnatën e 11 dhjetorit dhe të nesërmen në mëngjes.
Ka pasur disa nisma paralele për mbledhje firmash ndaj shpesh ka keqkuptime
edhe me emrat. Por ka një listë finale, dhe ajo është e depozituar në
Ministrinë e Drejtësisë, si dhe pjesë e librit tim “Fundi i Siberisë
Shqiptare”. Unë kam dokumentet origjinale të gjithë asaj periudhe dhe aty
shpjegohet gjithçka. Lista u pri nga intelektualët pedagogë që iu bashkuan
Lëvizjes, më pas dominohet nga studentët pasi nuk pati numër të mjaftueshëm
intelektualësh për ta nënshkruar. Në fund ka edhe një numër minimal punëtorësh.
Kjo është historia e saj. Sot pas 23 vitesh duhet përmendur një fakt:
asnjëherë, as ato ditë dhe as sot, PD dhe askush tjetër nuk i ka ftuar,
mbledhur apo nderuar nënshkruesit e themelimit të partisë së parë opozitare,
dhe njëherësh të pluralizmit politik në Shqipëri. Ironi e revolucioneve. Siç
dje dhe sot në krye të kujtimeve për 8 dhjetorin janë emra si Berisha e Rama,
dy individë me kontribute të mëvonshme, por që për ironi të fatit, me 8 dhjetor
nuk ishin në Shqipëri, - ishin në Itali ose Greqi, në udhëtime të privilegjuara
vetëm për njerëz të besuar të regjimit”.
Shkarkimi
brutal i Azem Hajdarit
Duke folur për rolin e Azem Hajdarit në
lëvizjen studentore, dhe për mënjanimin e tij nga drejtimi i PD-së, Afrim
Krasniqi thotë: “Azemi ka meritën sepse iu bashkua vetëm disa orë më vonë
Lëvizjes Studentore dhe më pas u identifikua si drejtuesi kryesor i saj. Ai
rrezikoi shumë, jetën dhe familjen, por arriti shumë, sepse u bë simbol publik
për zhvillimet e atyre ditëve dhe të mëvonshme. Në krijimin e PD ai u bë
kryetar i Komisionit Nismëtar deri në shkurt, kur u shkarkua në mënyrë
konsensuale dhe brutale, përmes kritikash dhe rivalitetesh të ashpra. Ai
gabimisht mendoi se duke qenë zë i studentëve e kishte të garantuar pozitën
dominuese në parti, por duke mos pasur më studentë në kryesi, ai mbeti vetëm, u
shkëput nga studentët dhe u bë pjesë e një loje politike, të cilën nuk ishte i
përgatitur ta luante. Pas shkurtit mbeti figurë politike me rëndësi, por derisa
u vra, duhet përmendur fakti se është i vetmi lider protestash në Evropën
Lindore që nuk pati post dhe as të drejtë firme në sistemin e ri që u krijua”.
Përfshirja
dhe “dorëheqja” nga politika
“Unë isha pjesëmarrës në shumicën e
ngjarjeve të dhjetorit 1990, grevës së urisë dhe çdo ngjarje politike që
shoqëroi ato. Me disa kolegë krijuam më pas Unionin Studentor, më pas hyra në
RD duke qenë gazetari politik më i ri në historinë moderne të medias shqiptare.
Pas vitit 1992 dhe me mbarimin e studimeve gjërat ndryshuan, isha pjesë e FRPD,
drejtues për 4 vite, si dhe deputet në parlament. Pas angazhimeve akademike
postuniversitare, studimeve të avancuara në shkencat politike, pata fatin të
rikthehem në media në rolin e komentatorit politik, këshilltarit politik të dy
presidentëve, pedagogut të shkencave politike dhe botuesit të librave të vetëm
studimorë në Shqipëri që lidhen me partitë politike, sistemet zgjedhore, si dhe
më pas të botimeve të tjera profesionale mbi partitë, zgjedhjet, sistemet
politike dhe shoqërinë civile. Aktualisht nuk jam pjesë e politikës dhe nuk e
shoh veten pjesë të saj as në vitet më të ardhshme. Kam bindjet e mia politike,
shumë të ngjashme me vizionin e dhjetorit ‘90, idetë thuhen, mbrohen,
promovohen dhe ndahen edhe pa qenë në politikë, madje sot është një kohë kur
qenia jashtë saj mund të jetë vlerë pozitive, sidomos nëse nuk heq dorë nga
mbrojtja publike e ideve tek të cilat beson”, thotë Afrim Krasniqi për gazetën
“Shekulli”.
---------------------------------------------------------------------------
---------------------------------------------------------------------------
Dr.
Bislim Ahmetaj, Kryetar i Grupimit “Dhjetor ‘90” tregon si u motivua Lëvizja e
Studentëve për Liri e demokraci. Dërgata
e studentëve me kërkesa ekonomiko-politike përballë Ramiz Alisë, përfaqësuesi i
fundit i shtetit diktatorial
Si
i shpëtoi protesta studentore fatit të kinezëve në Ten Nian Men
Leonard
Veizi
Shqipëria ishte fort e izoluar për të
kuptuar në kohë reale se çfarë po ndodhte ne pjesën tjetër të botës, e për më
tepër në Evropën Lindore ku regjimet komuniste të instaluara më së shumti pas Luftës
së Dytë Botërore po shpërbëheshin në mënyrë të përshpejtuar e të pakthyeshme. Sllogani
“Lindja është e kuqe” kishte pushuar së funksionuari, të paktën në Evropë, e
për më tepër, në Azi po ndërmerreshin reforma të përshpejtuara. E megjithëse me
vonesë në ngritjen e revoltës qytetare, sërish shqiptarët ishin në kohën e
duhur për t’ju bashkangjitur vagonit të fundit të trenit që kishte marrë
superxhiron për nga kahu i kundër, andej nga jeta nuk kishte mungesa, dhunë e
privime të pakuptimta...
Studentët e gjetën pretekstin për t’u
ngritur në një revoltë të zhurmshme. Ca kushte ekonomike më të mira në ambientet
e rinuara të Qytetit Studenti, ku socializmi përgatiste kuadrot e rinj për
“frontin e madh të punës”. Nuk u desh më shumë se një natë e tillë që gjysma e
Tiranës të mbushte sheshet e qendrës studentore në një manifestim solidarizues
mbushur me parulla e kundërparulla “reaksionare”. Bislim Ahmetaj, një prej të
rinjve aktivë në këtë lëvizje që do të sillte dhe demokracinë shqiptare, gjatë
një interviste për “Shekullin” thotë:
Si
e mbani mend Shqipërinë e fundviteve ’80?
E ngjashme me situatën e përgjithshme të
gjitha shtresave të popullsisë, figurativisht i ngjashme me një shtëpi të
rrënuar që është gati të bjerë në çdo çast dhe të zërë brenda banorët e saj.
Një shoqëri që ishte brejtur nga skamja dhe mjerimi, me dyqane të boshatisura
ku nxinte fotografia e diktatorit si i vetmja “orendi” që nuk shitej edhe për
faktin se askush s’kishte më uri për ta blerë. Ishin të ngopur me të. Brenda
këtyre ngrehinave standarde pas banaqeve ngjyre gri, shfaqej një shitëse,
shumicën e rasteve ndihmesë gjysmë vullnetare e sigurimit të shtetit. E them gjysmë
vullnetare pasi, rekrutimi kishte ardhur për të ruajtur atë vend pune parajsë
për kohën, kështu “shoqja shitëse” e ndihmonte armën e dashur të udhëheqjes për
të vjelë pakënaqësitë e klientëve të bjerrur nëpër radha. Por lufta për
mbijetesë nuk e kishte shuar përfundimisht edhe ëndrrën dhe shpresën për liri.
Shqipëria ishte vendi me liritë politike e njerëzore më të dhunuara në planet.
Kjo ishte pak a shumë panorama e përgjithshme në të gjitha qytetet e
Shqipërisë, të mëdha apo të vogla po e njëjta gjendje errësire zotëronte edhe
nëpër fshatrat e Shqipërisë.
Po
studentët në fundin e vitit 1990, në çfarë kushtesh ishin?
S’kishe si të ishte ndryshe gjendja, as
midis studentëve bijë e bija të shqiptarëve të stërlodhur, mbledhur nëpër qendrat
studentore të Tiranës nga të katër anët, ku jetonin nga katër deri në tetë vetë
nëpër dhoma me kushte të ngjashme me repartet ushtarake apo qendrat provizore
të punëtorëve. Ndryshimi qëndronte tek zjarrmia dhe shkalla e lartë e lirisë që
rridhte ndër dejet e studentëve, kryesisht konviktorëve, të cilët për hir të vërtetës
duke qenë larg kontrollit të familjeve kontrolluan dhe udhëhoqën Lëvizjen
Studentore nga dita e parë me 8 Dhjetor dhe deri me 20 shkurt të ‘91 kur ra monumenti
i diktatorit në Sheshin Skënderbej, ditë që konsiderohet edhe si fundi i
Lëvizjes që legalizoi pluralizmin politik dhe ç’mitizoi shoqërinë shqiptare
prej miteve të diktaturës.
Si
nisi revolta studentore e dhjetorit 1990 dhe si u motivua ajo?
Revolta startoi si kryqëzim i mungesave
të pafund të kushteve të jetesës, dikush protestonte se kishte ftohtë pasi
batanijet e tij ishin bërë të tejdukshme, të tjerë për mungesa jetike të higjienës
personale, dikush nga uria dhe mungesa e një pale xhinsave që i kishte një shok
i tij, të tjerë nga teprica e hormoneve por shumë e shumë krejtësisht të qartë
dhe të motivuar 100 % politikisht me misionin e madh të çlirimit të shqiptarëve
prej diktaturës më të egër në lindjen e ftohtë. Këtij grupit të fundit i kam
përkitur edhe unë pasi diktatura e kishte bërë kundërshtarë fisin tim që në
vigjilje duke më pushkatuar gjyshin nga nëna, dajën e babës, pastaj dënuar e
internuar shumicën e njerëzve të gjakut.
Pretendimet
e studentëve ishin vetëm ekonomike apo dhe politike?
Siç i përmenda në përgjigjen e pyetjes
së mësipërme pretendimet dhe qasjet e studenteve kanë qenë të ndryshme por që
kryqëzoheshin dhe gjenin nja emërues të përbashkët: kështu nuk vazhdohet më
tutje, ai regjim duhej rrezuar me çdo çmim. E vërtetë është që shumica jonë nuk
e dinte se çdo të ndodhte më pas.
Si
u përzgjodh delegacioni që shkoi për të takuar Ramiz Alian?
Çdo fakultet zgjidhte përfaqësuesit e
vet, nga Instituti i Lartë Bujqësor erdhëm për t'ju bashkuar dërgatës që do të
shkonte tek Ramiz Alia pesë përfaqësues dy pedagog dhe tre studentë njëri prej
tyre isha edhe unë. Ne e zumë autobusin duke u nisur dhe numri ishte plotësuar kështu
që thjeshtë pritëm me ankth, entuziazëm dhe frikë kthimin e tyre. Përzgjedhja e
përfaqësuesve që do takoheshin me diktatorin Alia për të parashtruar kërkesat e
studentëve ka shënuar edhe procesin e parë zgjedhor demokratik. Me vonë ky
proces shumicën e rasteve ka rezultuar i kontestueshëm me dhe pa baza reale.
Çfarë
u diskutua pasi u dëgjua nga qendra e zërit biseda e studentëve dhe pedagogëve
me Kryetarin e Presidiumit?
Emocione dhe ovacione krejtësisht të panjohura
për dy breza shqiptaresh, një çiltërsi e pamatshme, përqafime dhe lot gëzimi me
njerëz që si kishe parë kurrë. U vendos siç ishte rënë dakord që të rifillonte
mësimi, dërgata e Instituti i Lartë Bujqësor u nis ta kryente këtë mision nën
një shi të imët por që na lagu deri në palcë.
Si
precipitoi situata për të krijuar për herë të parë një parti politike, pas 45
vitesh monizëm?
Krejt natyrshëm një palë e kishte
partinë ajo ishte Partia e Punës, pala tjetër që ishin studentët,
intelektualët, kryesisht pedagogë por edhe përfaqësues të institucioneve
kulturore të kryeqytetit si Kinostudio, Teatri Popullor, entet botuese të kohës
punëtoria dhe qytetarët e Tiranës do të krijonin partinë e tyre, opozitën e
Partisë së Punës. Pa mbështetjen kurajoze të këtyre grupeve që përmenda, unë
edhe sot pas 23 vjetësh jam plotësisht i bindur që Lëvizja Studentore do të
kishte pasur fatin e protestave të studenteve kinezë në Sheshin Ten Nian Men.
Si
u prit nga studentët, marrja e drejtimit të revoltës prej njerëzve që erdhën
nga jashtë radhëve të tyre?
Vështirë të jem shterrues në përgjigjen
e kësaj pyetje. Studentët ishin një amalgamë interesash, prirjesh, stilesh jete
të sjella nga të katër anët e vendit, aso kohe por edhe sot e kësaj dite është
e vështire t’i tipizosh apo t’i kanalizosh në një stereotip brezin 18-25 vjeçar
edhe brenda kësaj moshe ka një larushi ndryshimesh të pa fund aq më tepër në
atë kohë që kushdo mund të ishte “zot” i mendimit të vet. Unë personalisht kam qenë
për një parti kombëtare siç u bë realisht Partia Demokratike.
Azem
Hajdari, roli i liderit absolut
Azem Hajdari pati dhe rolin kyç në
lëvizjen studentore të vitit 1990. Duke kujtuar ato ditë të tensionuara e plot
emocioni ku Azem Hajdari doli në krye të turmës, Bislim Ahmetaj thotë se
gjithsesi ai kishte rolin e një i liderit absolut. Për më tej ai e vlerëson në
këtë mënyrë rolin e kreut të Lëvizjes Studentore: “Roli i Azem Hajdarit në
Lëvizjen Studentore ishte roli i liderit absolut, askush se vuri në dyshim
rolin e tij përgjatë atyre ditëve dhe muajve që rridhnin me shpejtësinë e
rrufesë. Atij s’ia dha kush atë rol e fitoj prej guximit, moshës, energjive,
fjalimeve të zjarrta, besimit që ngjallnin fjalët e tij të thjeshta por të
thëna me shpirt dhe kurajë që bënte diferencë me të tjerët. Kush e thotë
ndryshe është nihilist dhe figurativisht po e them me një fjalë zhargon është
edhe legen”.
Në
krye të protestave
Bislim Ahmetaj, i njohur tashmë si
drejtuesi kryesor i grupimit “Dhjetori ’90”, do të përfshihej menjëherë në
politiken e re postkomuniste. I pyetur rreth kësaj ai thotë: “Jam përfshirë në
politikë në orët e para të Lëvizjes Studentore, në krye të protestave të
studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor, anëtare themelues i pluralizmit
politik shqiptare. I kthjellët dhe plotësisht i ndërgjegjshëm që po bëja një
shërbim ndaj vendit tim, ndaj familjeve më të mira të Shqipërisë, që diktatura
i quante klasa të përmbysur, do ta bëja edhe njëmijë herë të tjera me po të
njëjtin pasion dhe përkushtim edhe pse tani mbi mua rrinë më shumë vite dhe
koha na kanë bërë shpesh të zhgënjehemi dhe të përjetojmë gremisje dhe deformime
ekstreme të sjelljeve të njerëzve politik ndaj demokracisë, pluralizmit, pronës
dhe lirisë në përgjithësi si produkti i parë dhe më cilësor që çliroi Lëvizja
Studentore e Dhjetorit 90. Vazhdoj të jap kontributin tim në politik por për
fat të keq jo atje ku behet politika, këtu nënkuptoj Parlamentin, kjo jo për
fajin tim por për faj të deformimeve që ka pësuar demokracia dhe përdorimi
negativ i lirisë nga ata që e konsiderojnë veten pronar të partive politike dhe
të demokracisë, po ashtu”.
Mentaliteti
i politikbërësve ende bolshevik
“Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte
dhe parulla bazë e lajtmotivi kryesor i Lëvizjes studentore., Por sa janë
arritur aspiratat e vitit 1990, 23 vite më pas: “Do të isha nihilistë po të mos
pranoja që Shqipëria ka pësuar ndryshime dhe zhvillim epokalë përgjatë këtyre
23 viteve, veçse po kaq hipokritë do tregohesha po të mos pohoja që ky zhvillim
është më i paqëndrueshmi që mund të perceptohet nga mendja e një njeriu normal.
Në mënyrën e tij çdo shqiptarë jeton më shëndetshëm dhe më mirë se para viteve ‘90
edhe lypsit ushqehen më shëndetshëm dhe vishen më mirë seç visheshin punëtorët
apo edhe nëpunësit në kohën e diktaturës që ndërronin dy deri në tri herë jakat
e këmishëve. “Luli i vocërr” në kohën e diktaturës shpesh herë ka qenë mësuesi
po aq sa nxënësi. Ajo që është dëshpëruese është zhvillimi me pasoja të
pariparueshme për të sotmen dhe të ardhmen e brezave i infrastrukturës së
demokracisë, dhunimi i vazhdueshëm i votës, mungesa e vullnetit politik për të
kontrolluar korrupsionin, humbja e shansit për tu ndarë me të kaluarën në
mënyrë dinjitoze, përpjekjet e pandërprera dhe mjerisht të suksesshme për të
paraqitur funksionimin totalitar të qeverisjes, si imperfeksion të vet
demokracisë. Për fat të keq thirrja që doli nga shpirti i lirë i studentëve dhe
qytetareve të Tiranës dhe ma pas u bë pronë e të gjitha shesheve të gjithë
Shqipërisë; “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ka mbetur një jehonë, një
mirazh, një utopi. Ajo thirrje burimore nga kauze e qytetarëve u pronësua nga
pronarët e politikës si premtim elektoral dhe me një dashakeqësi të pashoqe u
shitet atyre si ofertë elektorale bëjuni me ne në qoftë se doni t’ju bëjmë vend
kandidatë. Mentaliteti i politikbërësve ka mbetur bolshevik, ata janë më afër anëtarësimit
në vendet e republikave të ish Bashkimit sovjetik se në ato të Bashkimit
Europian. Qytetarët e Shqipërisë nuk e meritojnë këtë klasë politike që herë e
zgjedhin vetë e herë jua zgjedhin të tjerët, një klasë politike që maskon e
shuan vlerat, që i jep shanse mediokritetit, që zhbën kompeticionin dhe krijon
klane, fort të ngjashme me organizatat mafioze”, thotë për “Shekullin” Bislim
Ahmetaj, Kryetari i grupimit “Dhjetori ‘90”.
Dje
dhe sot
Nga 8 dhjetori i vitit 1990 kanë kaluar
plot 23 vite. Po ku janë sot studentët e djeshëm që ishin iniciatorët kryesorë
të lëvizjes për demokraci? Bislim Ahmetaj, si një prej eksponentëve të kësaj Lëvizje
thotë: Iniciatorët dhe drejtuesit e
Lëvizjes Studentore sot gjenden në të katër anët e planetit, shumica kanë
ndjekur yllin e vet, një pjesë e madhe e kanë lënë Shqipërinë që në mars të 91,
një pakicë kanë pasur sukses në politikë, disa të tjerë janë biznesmen të
suksesshëm, një pjesë kanë dashur gjithmonë të mbeten anonim. Duke qenë në krye
të një organizate rreth të cilës janë bashkuar një pjesë e ish-studentëve dhe
pedagogëve të Dhjetorit ‘90, kam një bazë të dhënash për shumë prej tyre: Të
gjithë janë dinjitoz, profesionistë të zotë, stafet akademike në shumicë janë
prej këtij brezi. Për fund, kam arritur në konkluzionin që pronarët e
politikës, gjithmonë kanë ushqyer jo vetëm mosmirënjohje, por edhe një lloj
racizmi ndaj këtij kontingjenti të shoqërisë që sakrifikoi gjithçka për të
shembur diktaturën komuniste dhe për t'i çelë rrugën zhvillimit, integrimit dhe
demokracisë në Shqipëri. Kjo është për të të ardhur keq!”