nga Leonard Veizi
“Të rrosh a të mos rrosh”.
Çështja, sipas këtij versioni zyrtar, është shtruar për zgjidhje që në
shekullin e XVI. Por taksirati ynë që enigmën e kësaj pyetjeje nuk e kemi
gjetur dot as sot.
Në ditët e një ekonomie tregu pa kthim, njerëzit nuk e vrasin mendjen shumë
për filozofira dhe as për të zgjidhur çështje që kanë mbetur pezull prej 500
vjetësh. Në është zgjidhur, mirë, në nuk është zgjidhur në djall të vejë. Sot
pikëpyetja e madhe e ditës është: Si të bësh lek? Domethënë kur themi lek, zëre
se kemi thënë dhe euro, dollarë e paund.
Mirëpo, një ditë të bukur vjen tërmeti. Edhe kur vjen natën njëlloj është. Ai
nuk të pyet fare, je i pasur, i varfër, njeri publik e me reputacion të lartë
apo pacient i spitalit psikiatrik. Ai thjesht të tund të të shkund me ç’ke. Nëse
ke bërë para boll dhe i ke shndërruar në prona të patundshme, t’i rrënon deri në
themel. Nëse ke preferuar t’i mbash në letër dhe paratë i ke siguruar në bankë,
ai thjesht të gropos bankën pesë pashë nën dhè, e ty të mbetet karta e kreditit
në dorë. Atë mbaje ta kesh, se si dihet. Sa për paratë, “eja t’i marrësh kur të
çlirohet Shqipëria”.
Thënë shkurt: një fuqi e madhe si tërmeti, t’i çon në zero të gjitha
investimet e jetës. Dhe ti mbetesh përsëri në dilemën: Të rrosh a të mos rrosh,
kjo është çështja.
Se, fjala vjen, po të jesh nga 65 a 70 vjeç dhe të duhet t’ia nisësh nga e
para, është ca vonë. Si t’ia bësh, të marrësh rrugën e emigracionit me
objektivin e largët për të bërë 1 milion dollarë.
Kështu që menjëherë pasi ke psherëtirë fort, “shyqyr që shpëtoi koka”, vjen dhe tjetra, “pse nuk më mori me vete, por më la në këtë derexhe”.
Dhe nga ky çast nis avazi. Ka nga ata që të afrohen vërtet për të të dhënë
një dorë ndihme. Ashtu siç ka nga ata që edhe në derexhenë ku ke rënë, mundohen
të të shesin ndonjë gjë nga malli stok.
Ja, këtij i them biznesmen unë. I qëndron punës në kokë.
Edhe ky tërmet na kujtoi shumë gjëra. Na kujtoi se jemi të vdekshëm, në më
pak se 30 sekonda. Na kujtoi se i gjithë investimi i jetës të kthehet në zero e
të duhet t’ia fillosh sërish nga e para. Por na kujtoi se në raste të tilla rreziku,
na gjendet një dorë ndihme për të na nxjerrë nga rrënojat e për të na lehtësuar
ta hedhim hallin e madh.
Dhe pasi ka kaluar e keqja, njeriu bën bilancin me veten, duke vënë dhe pikëpyetjet
e mundshme. A duhet të jem më i mirë pas gjithë kësaj? A duhet të fal më shumë
dashuri?? A duhet që nga kuleta te xhepi i brendshëm i xhaketës, të shpenzoj ca
para për humanizëm???
Ama gjete çfarë të thuash. Gjithë kjo mirësi pa arsye.
Sapo ke shpëtuar nga një bllok betoni që gati sa nuk të ka rënë mbi kokë, njihesh
me faktin se ca ndihma që po vinin drejt teje, d.m.th ndonjë batanije, ca miell,
oriz e vaj, i ka vjedhur dikush. Domethënë një person a një bandë, ç’rëndësi
ka.
-Si ore i vodhën? Po a shtyhet poshtë ai oriz e ai vaj...?
Shtyhet që ç’ke me të, po ta bësh pilaf sidomos.
Sërish kthehemi te zeroja. Domethënë asgjë nuk harrohet. Më parë se kamioni
i ndihmave, vjen hajduti, grabitësi. Vjedhjet shtohen, korrupsioni po ashtu. E
përse na u dashka të bëhemi më të mirë. Vetëm pse pamë vdekjen me sy? Hiç o
fare. Ne ia hodhëm pas ‘97-ës kur kërciste kallashnikovi nga t’i donte qejfi, e
jo më tërmetit.
Duket se në çaste të vështira njeriu nxjerr anën e tij më fisnike. Kjo ka
ndodhur gjithmonë dhe me shqiptarin. I pritëm kosovarët 20 vjet më parë, na
pritën ata 20 vjet më pas. Por ç’e do, s’të le njeri t’i gëzohesh këtij fakti.
Se paska nga ata që në të tilla raste nxjerrin anën e tyre më e errët.
Përfitimi nga e keqja e tjetrit. Dhe kjo nuk është ndonjë gjë e rrallë. Ndaj,
kur nuk je i zoti mbetesh sërish pa ngrënë, pa një batanije dhe vetëm me yjet
mbi kokë.
Merrini or vëllezër, merrini dhe këto ndihma që na i japin me aq zemër ata
që mezi nxjerrin muajin për vete. Hani hallvë e pilaf sa t’u dojë xhani. Nuk
mbarohet or jo, sado keq që jemi.
-Ore po se u kujtova, ajo Holanda a na solli ndonjë lek...? Jo, se,
mungon në apel, andaj.
Ja, kjo është situata e jetës dhe e çmimit të saj në ditët e sotme
shqiptare.
Dhe pas kësaj të del nga shpirti shprehja: “spekulatorët në litar”.
Po kush t’i çojë se...
Kështu si kanë shkuar punët në këtë vendin tonë duhet me jetu me kobure në
brez. Ndërkohë që jeta ka treguar se dhe trimat nuk rrojnë gjatë. Ndaj dhe
hallvën ta hanë dy herë, një herë me pjesën tënde nga miell i ndihmave, dhe një
herë në restorant pasi të kanë përcjellë tek banesa e fundit.
Ja, sërish te zeroja u kthyem.
“Të rroç' a të vdeç', kjo është puna”,
thuhet në toskërishten bazë tek një film fort i njohur shqiptar. Me të drejtë.
Por cili është çmimi i jetës në Shqipëri? I barabartë me atë të vdekjes.
Joooooooo... Ku e ke dëgjuar këtë pazar.
Vdekja është me e lirë se jeta. Shumë herë më e lirë madje. Sot paguan
paratë e dynjasë që ta blesh jetën. Paguan ndërtuesin që të të sigurojë kokën në
një shtëpi. Paguan mjekun që të të operojë kokën. Dhe po nuk eci njëra prej
këtyre dy investimeve më të mëdha të jetës të duhet të paguash një ceremoni
modeste varrimi, sepse vdekjen e ke qyl.
Ja, kështu vajti kjo punë.
Ndaj dhe dilema hamletiane është ringritur po aq në art sa dhe më parë.
Të rrosh apo të vdesësh.
Ec e t’i japësh përgjigje të kam rixha.
No comments:
Post a Comment