Flet kryetar i garave në Federatën Shqiptare të Karatesë: Sporti largon
fëmijët nga teknologjia
Nga Leonard Veizi
Nuk është një sport i zakonshëm, dhe ndoshta për këtë
arsye është parë gjithmonë me adhurim. Njihet si “shkathtësi luftarake” dhe vjen
prej një ishulli të largët japonez, Okinavës. Art luftarak dhe formë
vetëmbrojtjeje kundrejt agresioneve, e quajtur karate, u konceptua nga një murg
hindu me emrin Bodhidharma, Më pas, një mjeshtër i kësaj fushe, me emrin Giçin
Funakoshi, e demonstroi për herë të parë karatenë në publik. Ishte po ai që në
ishullin e larët Okinava themeloi shkollën e parë të karatesë. Tanimë, prej
rreth 30 vitesh, sporti i mrekullueshëm i “shkathtësisë luftarake” është futur
edhe në Shqipëri duke marrë terren përditë e më shumë, volejbollit,
basketbollit, edhe vetë futbollit të madhërishëm. Në një intervistë për FJALA,
Erton Latollari, mbajtës i “rripit të zi” në mes, dhe me 5 kilogram medalje në
qafë, tregon se si u zhvillua karateja në Shqipërinë e postdiktaturës, ku deri
në atë kohë, së bashku me boksin, ishin parë si herezi.
Sfidat dhe rrugëtimi që keni bërë për të arritur deri këtu?
E kam nisur me futbollin. Por në karakterin tim nuk ishte
te loja e ekipit, por sporti individual. Kur u prezantova me karatenë u
dashurova dhe kam punuar fort që prej asaj kohe. U bënë rreth 17 vite që nuk
jam ndarë qoftë edhe një ditë të vetme nga ky sport kaq i bukur.
A paragjykohet karateja si një sport agresiv?
Një pjesë e mirë e njerëzve nuk e njohin sportin e
karatesë, por nisen vetëm nga filmat që janë transmetuar në televizor. Programi
i sportit të karatesë në radhë të parë të mëson kontrollin e teknikave,
disiplinën, e të mëson si të përballosh situata në çaste të ndryshme. Kjo do të
thotë të bëhesh i aftë të kontrollosh vetveten, emocionet e tua, por dhe t’u
bësh ballë situatave të ndryshme që mund të kesh jashtë palestrës.
Në çfarë moshe duhet të fillojë ushtrimin e këtij sporti?
Do të marr shembull Francën: Ata krijojnë klasa duke
filluar nga mosha 3-vjeç. Pra fëmijët, edhe pse janë të vegjël, u përshtatet
një program i tillë, i cili mundet që me disa elementë shumë të thjeshtë, të
fillojnë të praktikojnë sportin e karatesë. Në Shqipëri, mosha minimale është
4-vjeç. Domethënë, një fëmijë që është 4-vjeç, është në gjendje të kuptojë
bazën, ta mësojë, dhe pse jo nga ajo të fillojë të niset të praktikojë pjesën
tjetër të teknikave. Pjesa tjetër e praktikantëve nuk kamë limit moshe, sepse
karateja është një sport që u përshtatet edhe 40 apo 50 vjeçarëve. Mosha nuk e
lejon që ai të ketë një shtrirje të mirë të këmbës apo dorës por mund të fitojë
disa reflekse.
Djemtë apo vajzat e frekuentojnë më shumë karatenë?
Në fakt ka më shumë djem. Në Shqipëri ende jemi në fazën
e revolucionit për të thyer tabutë. Ky sport është prezantuar dikur si sport
mashkullor. Por kohët e fundit kemi parë interes mjaft të lartë edhe nga vajat.
Dmth, duke parë që karateja të jep disa cilësi të mira që të vlejnë jo vetëm në
palestër, por edhe jashtë saj, vajzat kanë filluar të praktikohen.
Sa i shëndetshëm është ky lloj sporti?
Karateja është një sport i mirëfilltë. Në programin e saj
përfshihen ushtrime, teknika, pjesa e streçingut, e tonifikimit të muskujve,
përqendrimi, që është një gjë shumë e rëndësishme, por edhe pjesa e disiplinës.
Është një lloj stabilizatori që nëse një person ka një natyrë më të mbyllur,
fillon e bëhet më social. Nëse ka një hiperaktivitet të lartë, fillon e bëhet
më i qetë dhe më i kontrollueshëm. Pra, gjithsecili e gjen veten në këtë lloj
sporti.
A ka arritur Shqipëria standardet e vendeve të tjera në karate?
Për herë të parë karateja në Shqipëri hyri në vitin 1991
nga profesori i nderuar Enver Cakiqi, një shqiptar i Kosovës. Ne nuk e njihnim
si sport dhe s’kishim mundësi informacioni. Profesor Cakiqi u përpoq me të
gjitha mundësitë që ta masivizonte këtë sport. Brenda një periudhë të shkurtër
arritëm të konkurronim të paktën vendet ballkanike. Nga viti 2005, nisëm të
kemi sportistë shumë të talentuar, që na kanë përfaqësuar në mënyrë dinjitoze në
aktivitete të ndryshme. Po të bëja një krahasim me vitet e para, mund të themi
që karateja ka ndryshuar shumë në Shqipëri. Ata që deri dje ishin nxënës, sot
janë bërë instruktorë dhe janë përpjekur të ndryshojnë mënyrën e stërvitjes, duke
mos përdorur metodat tradicionale, por duke futur ato moderne, të cilat janë në
shërbim të rritjes së nivelit të karatesë.
Sot prindërit po i orientojnë fëmijët drejt karatesë. Ka ndonjë arsye?
Arsyeja kryesore është largimi nga teknologjia. Por jo vetëm
kjo. Duke qenë se në kryeqytet hapësirat, që fëmijët të mundet të luajnë, janë
të pakta, ata përpiqen të gjejnë mënyra që fëmija të merret me një aktivitet
fizik. Ajo që kërkon sporti i karatesë është disiplina. Prindërit nuk
pretendojnë që fëmija i tyre të bëhet një kampion i madh, por kërkojnë që
thjesht fëmija i tyre të disiplinohet në kontekstin sportiv. Sigurisht që sot
fëmijët kanë shumë energji, dhe karateja këtë energji e kanalizon në funksion
të sportit. Ndaj në një kohë të shkurtër fëmija ndryshon jashtëzakonisht shumë.
Një mesazh për të gjithë ata të rinj që kanë krijuar vartësi nga celularët?
Në radhë të parë do t’u thosha prindërve, të cilët shohin
fëmijët e tyre që sa vijnë e bëhen akoma më të varur ndaj teknologjisë, të
përpiqen që të çojnë fëmijët në një aktivitet sportiv. Nuk është e thënë vetëm
te karateja, sepse ka shumë sporte të tjera të bukura.
Sa medalje keni marrë deri tani?
Fillimisht i numëroja medaljet. Tani ka ardhur një çast
që nuk i numëroj por i peshoj. Pra, janë afërsisht 5 kilogram medalje në total,
që janë personale të miat.
Po ekipit që stërvitni?
Për sa i përket ekipit, viti 2019 ka qenë shumë i
suksesshëm bashkë me vitin 2018, madje në 2018-ën për herë të parë ne u
shpallëm si ekipi më i mirë në Shqipëri, duke thyer pak edhe tabunë e ekipeve
të vjetra, të cilat dominonin prej vitesh. Kështu që me shumë punë dhe me një
objektiv shumë të qartë, arritëm që të dalim në krye të ekipeve në Shqipëri.
Cilat janë objektivat për të ardhmen?
Duke qenë se çdo vit i vendosim objektiva vetes, edhe
këtë vit synojmë që të qëndrojmë në majë të klasifikimit të ekipeve. Po
përpiqemi të që ta masivizojmë sa më shumë sportin e karatesë edhe normalisht
të kualifikojmë sa më shumë sportistë nga klubi jonë që t’i bashkëngjiten
ekipit kombëtar, të cilët do të shkojnë të na përfaqësojnë në Kampionatin
Ballkanik Europian, Mesdhetar, dhe pse jo dhe Botëror.
POSTI
Mbështetja nga Federata e Karatesë
Tanimë ai mban postin e Kryetar të Garave emëruar nga
Federata Shqiptare e Karatesë “Mbajtja
e këtij posti është një përgjegjësi e madhe. Falënderoj Kryetarin e Federatës së
Karatesë, z.Luftar Kurti, i cili ma propozoi këtë post. Sigurisht që kishte
ardhur çasti që në Shqipëri të ndryshojë pak mënyra e organizimit të garave.
Duke qenë se jemi në vitin 2020 dhe ky vit përkon me vitin olimpik të karatesë,
ne duhet t’i përshtatemi kohës, duke bërë disa ndryshime të rëndësishme në
organizim, që do të thotë disa kritere të cilat do të ngrenë sa më lart
standardin e aktiviteteve në Shqipëri. Kjo duhet të jetë në shërbim të
sportistëve sepse ata do të jenë figura që do të na përfaqësojnë ne nëpër
aktivitete ndërkombëtare dhe jo vetëm. Federata megjithëse ka problematikat e
veta, është përpjekur për të siguruar fondet e nevojshme që ky sport te ketë
mundësi të merrni pjesë nëpër aktivitete të ndryshme. Kuptohet që s’kemi
arritur t’i plotësojmë të gjitha nevojat. Megjithatë, kohët e fundit gjërat
kanë ndryshuar dhe shpresojmë që në aktivitetet e ardhshme të kemi mundësi, jo
vetëm për të marrë pjesë nëpër aktivitete, por edhe në trajnime të ndryshme që
organizohen nga kampionë të mëdhenj evropianë e botërorë”, shprehet Erton
Latollari.
No comments:
Post a Comment