Tuesday, February 25, 2020

“Armiku pas porte”




“Armiku pas porte”. Po citoj titullin e një filmi fortë të njohur hollivudian për të thënë se tanimë, armikun e vërtetë, jo me kallashnikov në duar e granata të lidhura rreth mesit, e kemi vërtet pas porte. Në mos na ka hyrë në shtëpi dhe ne ende nuk e kemi marrë vesh.
Koronavirusi është tema e ditës së mediave. Po të ndeshesh me portalet italiane, e kupton se po dërdëllit kot rreth masave të marra dhe entuziazmit se në Shqipërinë “shkëmb graniti” nuk futet armiku, pasi bateritë bregdetare nga Saranda deri në Velipojë i kemi në gatishmëri numër një. Virusi “Korona”, tanimë është bërë krejt evident. Nuk pyet për bateritë bregdetare dhe as për ato kundërajrore. Edhe nëse ka hyrë në Veriun e Italisë, kjo do të thotë që as Franca nuk mund të jetë imune, as Zvicra, dhe as Austria që janë vendet më të afërta me Friulin, Piemonten apo Toskanën.
Po a duhet të ngremë duart përpjetë e të dorëzohemi?
Shpresa vdes e fundit, – thotë populli.
Vetëm pak ditë më parë, prestigjozia gjermane Deutche Welle, shkruan se: Tek 80 përqind e të prekurve infeksioni është i padëmshëm, të rrezikuar janë kryesisht të moshuarit.
Jarebi o Allah. Apo duhet të themi “Hallelujah”. Domethënë, tek e fundit nga dy të këqija duhet zgjedhur më e vogla. Pra le të rrezikojmë pleqtë, por mjafton të shpëtojmë fëmijët.
Po çfarë thotë për më tej Deutche Welle “Në analizë janë përfshirë gjithsej 72.314 kartela pacientësh,  në më shumë, se 80 përqind të rasteve ka pasur një ecuri të butë, 13,8 përqind e të infektuarve janë sëmurur rëndë dhe vetëm 4,7 përqind janë klasifikuar në gjendje kritike”.
Gjysma e të keqes. Pra, nuk është se fara njerëzore do të zhduket nga toka e nuk do mbijë më.
Do t’i referohem edhe një herë Deutche Welle-s, edhe pse të njëjtat shifra hasen edhe në portale të tjera jo më pak të rëndësishme “Të rinjtë janë dukshëm më pak të rrezikuar. Midis moshës 10 dhe 50 vjeç kuota e vdekshmërisë rritet me rritjen e moshës nga  0,2 në 0,4 përqind”, transmeton prestigjozia gjermane.
Domethënë, sipas kësaj statistike, më të rrezikuarit janë ata që kanë imunitetin më të dobët. Ose janë në moshë shumë të madhe, ose kanë një sëmundje, gjë që vetëm me një grip shtesë e çon pacientin drejt një fundi fatal.
Këtu fillojmë të marrim pak frymë, dhe kaq duhet që të fillojmë me të tjera kalkulime.
A është kjo dorë e Zotit, apo ka ndonjë teori konspirative në këtë mes? Sepse jo pak bëhen dhe kalkulime të tipit: largimi nga skena e njerëzve të cilët e kanë kryer ciklin e jetës. Që do të thotë largohen ata që marrin pensione dhe mbahen në jetë ata që janë fuqi prodhuese.
Jo, jo, jo,… nuk duam ta besojmë këtë.
Por le të kthehemi pak në kohë,… se ndoshta na ndihmon në analizën tonë të pathelluar mirë:
Të paktën 10 vjet më parë një virus vdekjeprurës sulmoi botën me çfarë kishte. Quhej AH1N1, por për shkurtim njerëzit e koduan atë sipas mënyrës së tyre: “Gripi i Derrave”. Më shumë se vdekjet që shkaktoi, alarmante ishin lajmet dhe masat e marra rreth tij. Mirëpo doli antivirusi me emrin “Tamiflu”. E gjithë bota pagoi tek prodhuesit e saj shuma marramendëse parash, që të siguronin popullsinë e tyre lokale. Dhe u mbushën magazinat plot. Edhe Shqipëria gjithashtu mori kontingjentin e saj të Tamifluve. Nuk mund të bënin dot ndryshe. U përdorën apo jo nuk u mor vesh ndonjëherë, sepse pas kësaj për AH1N1 nuk është se pati lajme alarmuese. Dhe me shumë gjasa kontingjenti i Tamifluve, ose u hodh në kazanin e plehrave, ose vazhdojnë të jenë ende nëpër magazina, edhe pse u ka kaluar data e skadencës.
E njëjta situatë ndodhi dhe me Gripin e Shpendëve.
A mos ndoshta e njëjta situatë do të përsëritet edhe me Koronavirusin?
Gjithsesi, këto quhen teori konspirative tanimë. Nuk është se mund t’u besojmë tërësisht. Dimë vetëm se jemi në një fazë alarmesh. Dhe të gjithë jemi të rrezikuar. Ndaj nuk mund të jemi të qetë gjithsesi. Armikun e kemi “pas porte”.



No comments:

Post a Comment