Piloti,
avioni i të cilit shpërtheu në ajër nga municioni kinez
Azbi Serani |
…Ka
qenë 4 tetori i vitit 1972, kur avioni i drejtuar prej tij, një Mig-19 humbi
lartësinë i mbështjell në zjarr. Asnjë gabim njerëzor. Deri në ato çaste,
gjithçka e kryer nga Azbi Serani ishte në përpikmëri me instruksionet. Por
“armiku” kishte qenë fare pranë tij. Një predhë do të shpërthente ende pa u
shkrehur. Ishte dita e zhvillimit të një stërvitje të madhe ushtarake e koduar
“Peza 72”. Allaman Isaku, miku i tij i ngushtë jo vetëm gjatë viteve të punës,
por dhe gjatë periudhës së studimeve, kujton me emocion, jetën profesionale të
Azbi Seranajt dhe ngjarjen e ndodhur mëngjesin e asaj vjeshte të 37 viteve më
parë, ku ai humbi jetën në mënyrë tragjike:
Allaman Isaku |
Që kur jeni
njohur me Azbiun?
Kemi
qenë shokë të ngushtë së bashku, kemi vazhduar shkollën “Skënderbej”, por dhe
shkollën e aviacionit. Por në verën e vitit 1957-të Ministria e Mbrojtjes
Popullore vendosi që unë, Azbiu dhe të tjerë të shkonte për studime jashtë
shtetit meqenëse ishim me rezultate të mira. Por më kujtohet që ditën që do
niseshim Azbiun e kthyen.
Cila ishte
arsyeja?
Një
fshatar nga anët e Azbiut kishte bërë një letër në Ministrinë e Mbrojtjes, ku
shkruante se babai i Azbiut ka qenë xhandar në kohën e Zogut. Prandaj e kthyen
ne aeroport duke i thënë se duhej të ishte bërë ndonjë gabim dhe se ky problem
duhej sqaruar.
Po si mundi t’i
vazhdonte studimet?
Azbi
Serranaj ka ardhur në Bashkimin Sovjetik pasi është takuar me Enver Hoxhën
personalisht, pasi ka këmbëngulur fort në të drejtën e tij. Pas këtij takimi,
Enver Hoxha ka marrë në telefon Et’hem Gjinushin, i cili ishte Drejtor i
Drejtorisë së Kuadrit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i thotë: “Azbi Seranaj
duhet të shkojë për atje ku e kishit nisur më parë”.
Cilën shkollë do
të ndiqnit?
Ne
filluan studimet pranë Shkollës Ushtarake të Aviacionit “Valerij Pavlloviç
Çkallov” në qytetin e Borisoglebskit të BS. Kjo ishte një shkollë e famshme
sepse edhe vetë Çkallov kishte qenë një pilot i jashtëzakonshëm, i cili kaloi
Polin e Veriut dhe u ul në Amerikë. Gjatë atyre tre vjetëve që studioi aty,
Azbiu u dallua si një nga kursantët më të shkëlqyer. Përveç përgatitjes teorike
që e bëmë vitin e parë, Azbiu u dallua në veçanti për përvetësimin e elementëve
të fluturimit në stërvitjet praktike, duke u cilësuar si një nga kursantët më
të guximshëm dhe më me qendrueshmëri në proceset e vështira të fluturimit me
avionët luftarakë.
Kur do të
ktheheshit në Shqipëri?
Shkollën
e Aviacionit e përfunduam në vitin 1960-të dhe në tetor të atij viti Azbiu u
diplomua si “Pilot Gjuajtës” me rezultate të shkëlqyera. Pra kishim pilotuar
avionët me helikë “Jak” fillimisht, pastaj gjuajtës Mig-15 dhe në fund Mig-17.
Po në atë kohë kishin filluar dhe mosmarrëveshjet me partive. Atëherë u kthyem
në atdhe në nëntor të vitit 1960 në kohën kur në Moskë zhvillohej mbledhja e
famshme e 81 partive komuniste. Kur u kthyem na dhanë vetëm 10 ditë leje të
shkonim nëpër shtëpi dhe menjëherë u mobilizuam pasi na thanë se situata ishte
mjaft e rënduar dhe nga çasti në çast mund të na sulmonin. Kështu që itenerari
ynë ishte nga Rusia në Qytetin Stalin. Atje na priti Shefi i Shtabit të
Përgjithshëm Petrit Dume, komandanti i Aviacionit Edip Ohri dhe shumë kuadro të
Ministrisë së Mbrojtjes.
Situata ishte
vërtet kaq kërcënuese?
Në
fakt drejtuesit madhorë të MM mendonin se meqenëse ne kishim qenë në Rusi, mund
të ishim infektuar, pra mund të merrnim avionët dhe të arratiseshim. Kështu që
donin të siguroheshin për patriotizmin tonë. Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Nga
pilotët e aviacionit nuk është bërë asnjë marrëzi e tillë përsa i përket
historisë deri në vitet ‘90
Cili ishte
niveli i pilotëve të rinj të porsaardhur nga studimet?
Ne
filluam menjëherë fluturimet. Komandant i regjimentit në atë kohë ishte Niko
Hoxha, ndërsa zv/komandant Fahri Bubsi. Në vitin ‘61 u testuam dhe morëm klasin
III si aviatorë ndërsa një vit më vonë morëm klasin II, ku fluturohej natën në
kushte të thjeshta dhe ditën me re. Ndërsa klasin e I nuk e morën dot sepse në
vitin 1965 pas rrëzimit në Niko Hoxhës u pezulluan fluturimet e vështirësisë që
kërkonte klasi i parë. Por megjithatë ne ishim pilotë që i kryenim këto
fluturime të vështira edhe pse kjo certifikatë nuk jepej më.
A iu besuan
detyra drejtuese Azbi Seranajt?
Azbi
Serani u kthye në Shqipëri dhe u emërua menjëherë me detyrën e Komandantit (të
çiftit) në Skuadriljen e dytë të Regjimentit të 23-të, të Aviacionit
gjuajtës-bombardues në Kuçovë. Që në fillimin e marrjes së detyrës, ai iu
përkushtua me një mobilizim maksimal dhe ajo gjë ra në sy të komandës, e cila
shpesh herë e falënderonte dhe e bënte shembull. Duke u nisur nga ajo
përgatitje e lartë e Azbiut, në shtatorin e vitit 1961 Komanda e Regjimentit e
emëroi atë si komandant katërsheje. Gjatë asaj periudhe Azbiu ishte pjesë në
disa stërvitje të mëdha të përgatitjes luftarake, që u zhvilluan nga ana e
Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, siç ishin ato të koduara me emrat “Drini”,
në vitin 1961, “Dumreja” në vitin 1962 dhe “Gramozi” në vitin 1963. Pas atyre
stërvitjeve luftarake ku Azbiu u dallua për një përgatitje të lartë
profesionale, në vitin 1962-63, atij iu ngarkua detyra e instruktorit për
përgatitjen e kursantëve të rinj pilotë që studionin në Shkollën e Aviacionit
të Kuçovës. Në vitin 1964 Azbiu u emërua zv/komandant skuadriljeje, ndërsa dy
vjet më vonë në 1966-ën, ai u emërua zv/komisar i Grupit Ajror të Regjimentit
të Kuçovës.
“Peza 72”:
Stërvitja që i mori jetën pilotit
Pas
gjithë atyre stërvitjeve ushtarake që Azbi Serani mori pjesë si pilot me
avionin e tij gjuajtës-bombardues “Mig-19”, në tetorin e vitit 1972 ai u
ngarkua që në krye të katër avionëve, të merrte pjesë në një stërvitje të madhe
të koduar “Peza 72”, e cila do të zhvillohej në zonën e Belshit të Elbasanit.
Të pranishëm në këtë stërvitje kanë qenë dhe krerët e ushtrisë, kryeministri
Mehmet Shehu, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, shefi i Shtabit të
Përgjithshëm Petrit Dume e Komandanti i Aviacionit Edip Ohri. Lidhur me këtë,
Allaman Isaku dëshmon: Ne ishim të ndarë në dy grupe. Lufta bëhej midis të
“kaltërve” dhe të “kuqve”. Sepse kuptohet, duhet të ishin dy palë. Unë isha
përgjegjësi i të “kaltërve”. Të “kuqtë” ishin në Kuçovë ndërsa ne një grup
pilotësh të “kaltër” erdhëm në Rinas, sepse na duhej të bënim veprime të
kundërta. Ne ngriheshim për zbulim e bombardim (teorikisht) dhe ata duhet të na
kapnin. Sapo kisha dhënë urdhrin për të ngritur çiftin e parë të avionëve. Por
komandanti i Rinasit më merr në telefon në pikën e drejtimit dhe më thotë:
Urdhëro çiftin të kthehen në bazë e të shuajnë motorët. Kur e pyeta se përse
ndodhte kjo ai ma kthehu: Vij unë atje dhe të sqaroj. Ndërkohë ishte vrarë
Azbiu, kishte ndodhur fatkeqësia. Vjen komandanti i regjimentit me GAZ në pikën
e drejtimit dhe më thotë “Është vrarë Azbi Seranaj”. Aty filluam duke qarë.
Aksidenti Ajror
Po
ç’kishte ngjarë me avionin e pilotit Azbi Serani? Lidhur me këtë, Allaman Isaku
thotë: “Aksidenti që i mori jetën Azbi Serani, erdhi si pasojë e një defekti që
i ndodhi avionit të tij nga predhat e prodhimit kinez në topin 25 mm. Një parti
predhash që kishin ardhur nga Kina, ashtu si dhe avionët nuk kanë pasur sustën
e sigurimit. Kjo predhë plasi brenda topit, brenda aeroplanit. Kështu që Azbi
Seranaj ka përfunduar i djegur në tokë”.
Letra e Enver
Hoxhës
Enver
Hoxha, në një letër që i dërgonte familjes me anë të Manush Myftiut, me këtë
rast shkruante: “Është një krenari e ligjshme, që në gjirin e popullit tonë,
sot po rriten e po edukohen filizë të tillë, të cilët me vendosmëri të madhe
janë në gjendje që po ta lypi nevoja, të mbrojnë me gjoksin e tyre të çeliktë
Atdheun tonë të dashur, duke luftuar në të gjitha drejtimet: nga toka, nga
ajri, nga qielli. Shqipëria është shumë e shtrenjtë për të gjithë bijtë e bijat
e saj, për çdo njeri të ndershëm. E tillë qe ajo edhe për Azbiun, i cili sa
herë që fluturonte me avion e shihte atë si zbukurohej e lulëzonte pandërprerë,
përpara syve të tij vigjëlentë”
Kujtim Serani |
DËSHMIA/ Flet
Kujtim Serani, vëllai i dëshmorit të ajrit
E pash vëllanë
në ëndërr të ngjitej në qiell si engjëll
Nuk
ka qenë aspak e lehtë për familjarët të merrnin vesh lajmin e vdekjes së
njeriut të tyre të dashur. Kujtim Seranaj rrëfen se çfarë i ndodhi atij vetëm
4-5 orë përpara se të merrte vesh lajmin tragjik të rënies në krye të detyrës
të vëllait të tij. “Kjo e ka zanafillën në 4 tetor 1972 duke u gdhirë. Isha
turni i tretë dhe aty nga ora 3 ose 4 e mëngjesit më vinte për gjumë. Nuk i
mbaja dot sytë hapur. Mbështeta kokën në tavolinën e punës dhe më kishte zënë
gjumi. Pashë një ëndërr të çuditshme. “Një avion po fluturonte rrëzë malit të
Dajtit. Në një çast ai merr flakë. Piloti hidhet me katapultë dhe parashuta e
hapur në vend që të ulej, filloi të ngjitej lart derisa m’u zhduk nga sytë. Pra
piloti u bë engjëll”. I tmerruar, u zgjova, u ngrita dhe vrojtova disa minuta,
por nuk pashë gjë. Ku ta dija unë se atë ditë pas pesë orësh do vritej Azbiu,
vëllai im i dashur! Ndaj mua më është fiksuar se ai është engjëll”.
Fatura: Lin Biao
akuzohet nga Shqipëria
Pas
vdekjes tragjike të Pilotit Azbi Seranit, atij iu krye një ceremoni mortore e
veçantë me të gjitha nderet. Ish- komandanti i regjimentit të Kuçovës Bardhyl
Taçi ka bërë një fluturim me avion në shenjë nderimi ndërsa trupi i të ndjerit
është nisur nga Kuçova për në Tiranë. Trupi i tij u vendos në varrezat publike
të Sharrës, në parcelën e veçantë. Po kështu në shtëpinë e Azbi Seranit, në atë
kohë shkuan për ngushëllime që nga Kryeministri Mehmet Shehu, Ministri i
Mbrojtjes Beqir Balluku, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume dhe shumë
ushtarakë të tjerë madhorë. Kujtimi mban mend që gjatë vizitës ngushëlluese të
kryeministrit në shtëpinë e tyre, Mehmeti duke përshëndoshur të atin e
dëshmorit është shprehur, “Na e vranë kinezët Azbiun xha Ramadan”. Edhe pse ishte ende
herët nga fillimi i mosmarrëveshjeve mes krerëve të lartë të partive komuniste
shqiptare dhe asaj të Kinës, duket qartë se kryeministri këtë viktimë e ka
regjistruar si një incident të stimuluar nga “aleatët” e mëdhenj. Në qarqet e
larta ushtarake aksidenti tragjik u interpretua si një sabotim nga pala kineze.
Edhe pse një aksident i pazbardhur mirë, pala kineze për të “larë duart” ia
faturoi dërgimin e municionit difektoz, ish- ministrit të Mbrojtjes, Lin Biaos.
Ishte koha kur ai ishte shpallur armik pas eliminimit të tij fizik duke e
goditur avionin e tij në ajër, me pretekstin se kishte dashur të arratisej nga
Kina për në Mongoli.
Jetëshkrimi i
shkurtër
Azbi
Serani u lind më 1 mars 1940-të në Çorush të Mallakastrës. Babai i tij,
Ramadani gjatë viteve të Monarkisë kishte shërbyer si xhandar në krahinën e
Mallakastrës. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, Ramadan
Seranaj u lidh ngushtë me lëvizjen antifashiste dhe mori pjesë aktive me armë
në dorë si partizan. Pas mbarimit të Luftës në vitin 1944, ai u titullua oficer
dhe shërbeu në armën e Ushtrisë Popullore në disa rrethe të vendit si në
Mallakastër, Librazhd, Durrës etj. Azbi Serjanaj që ishte dhe fëmija i dytë i
Ramadanit, fëmijërinë e tij e kaloi në fshatin e lindjes në Çorush të
Mallakastrës. Klasën e parë të shkollës fillore, e nisi në qytetin e Librazhdit
dhe më pas e vazhdoi atë në Plazhin e Durrësit, ku u transferua babai i tij. Në
vitin 1950-të në moshën dhjetë vjeçare Azbiu u regjistrua në Shkollën Ushtarake
“Skënderbej” ku mbaroi shtatëvjeçaren dhe të mesmen me të gjitha notat
shkëlqyeshëm. Në përfundim të asaj shkolle atij iu akordua Medalja e Artë dhe
emri i tij u shkrua në “Librin e Nderit” të Shkollës “Skënderbej”.
Nderimi i fundit
Vendimi
– Nr 29 datë 22-04-2009 me këtë motivacion: “Në shenjë respekti e konsideratë
të lartë aviatorit trim e guximtar, i drejtuesit dhe intelektualit të zot, për
kontribute të shkëlqyera në armën e aviacionit për të cilën nuk kurseu as
jetën” Vendosi: Dhënien e titullit “Qytetar nderi” i Kuçovës, Dëshmorit të
Atdheut z. Azbi Serani (pas vdekjes)
Ne
muzeun historik të Mallakastrës është vendosur fotoja dhe jetëshkrimi i tij. Ndërsa në lagjen "Kombinat" të Tiranës një rrugë gjithashtu mban emrin e pilotit dëshmor. Dhe së fundi është propozuar që në qytetin e Ballshit të ngrihet një memorial kushtuar dy Dëshmoreve
të Atdheut si mallakastriotë, Azbi Seranit dhe Luto Sadikut.
No comments:
Post a Comment