Nga Leonard
Veizi
Kur
mora vesh lajmin se për të shkuar në plazh tash e tutje duhet t’i drejtohesha e-albanias për një leje të posaçme, stampuar
në letër përcjellëse me çadër dielli e det në sfond, m’u bë zemra mal e gati sa
s’më doli vendit nga emocioni. Se, me thënë të vërtetën, na ishte bërë plazhi
verem. Turli farë surretërish gjeje aty. Ca në det, ca në rërë... Joooo, tani
ktheu fati. Për cilësinë e surratit vendos e-albania.
Fillimisht do të fusë në skaner. Po nuk i pëlqeve nuk ta jep lejen ta bësh dhëmbin
sa të elefantit. Lahu në dush po deshe dhe merr rreze dielli nga ballkoni sa të
duash.
Ja
kështu funksionon shteti.
Ca
më parë se kaq isha gëzuar pa masë dhe kur u njoftova se koha e liridaljes dhe ajrimit
nga 60 minuta u tolerua në 90 minuta. Pra qeveria e vuri dorën në zemër. Jo, ky
ishte një sukses i vërtetë, i pabesueshëm. Se edhe qentë e zagarët po kaq e kanë
lirinë nga të zotët që i mbajnë të lidhur me qafore.
“Ky
është shtet”, - thashë me vete, meqenëse kisha ca kohë që nuk para kisha besim
te ai, që nga koha kur nuk po i funksiononin institucionet e sistemit të drejtësisë.
Por kot nuk ka dalë shprehja lavdiplotë: “qeveria e kap lepurin me qere”. Me qerre
vëlla me qerre, edhe po pate guximin t’ia mbathësh me një “Ferrari” model i
fundit. Vërtet shtet me brekë nëpër këmbë, por ca huqe nga ato të Gestapos po
mundohet t’i aplikojë edhe te ne, pikërisht në vendin e shqiponjave për të cilët
thuhet se vetë Hitleri na kishte cilësuar si racë të pastër ariane.
Por
plazhi është ende larg, dhe që t’ia arrijmë asaj dite do të na duhet të heqim
dhe shumë belara të tjera.
Në
ditët e zymta të karantinës kam vënë re se orët më të mira të saj kalojnë fare
pa u vënë re, sepse jam gjatë gjithë kohës duke aplikuar për të marrë gjithfarë
lloje lejesh, dhe të pres përgjigjet e radhës. Unë jam njeri i kujdesshëm dhe i
trembem ligjit si “djalli nga temjani”, kështu që mundohem ta marr çdo gjë shtruar:
të aplikoj për fletë-leje dhe kur më teket të pi një cigare poshtë pallatit. Sepse
kam parë në internet të postohen lloj-lloj videosh, ku thuhet se “njoni dul pa leje me hudh plenat e hongri dru
nga policia si gamori në polloge”. Por ka pasur dhe rast të tjera kur janë çuar
në komisariat për të vazhduar “formalitetet”. Po muhabete koti janë. Ehu, sa
llafe ka fshati... se mos janë të gjitha të vërteta. Sa video fallco qarkullojnë,
aq të mira qofshin. Madje me këtë fake news
një herë na u ngatërrua dhe ai “i gjati” dhe drurin e policisë në një protestë
antiqeveritare në Algjeri, ia faturoi
policisë spanjolle për situatën e Codit 19-tës. Kësaj i thonë të ngatërrosh kekun me byrekun
or tungjatjeta, apo siç e ekzagjeron një miku im i vjetër: plehrat me sultjashin.
Nejse,
iku ajo punë dhe u mbyll me një të falur në rrjetet sociale. Ndaj aksioni vazhdon.
Mirëpo
kohët e fundit duket se Qeveria po e trash zullumin ca si tepër. Dhe nuk po e kupton
ende. Ose jam unë ai që i bëjnë sytë e nuk jam në terezi. Por ta analizojmë qetësisht. Ja ta marrim nga fillimi: Që Qeveria apo shefi i saj i mbylli ambientet sociale dhe e futi popullin
në karantinë mirë e bëri. Por duhet theksuar se asnjë shtet në Evropë nuk e bëri
me një dhunë ushtarake si në rastin e Shqipërisë. Le që ne nxorrëm dhe autoblindat për çdo rast, me mitraloza 12.7 sipër kupoles. Ndërsa
në vend të MIG-ëve që po kalben në lëndinat e Kuçovës, qiellit të Tiranës i vërtiten
dronët. Por tani do biem rehat: Kush
prish rregullat e karantinës shkon drejt e në birucë. S’ka llafe. Janë nja dy nene të reja or lum miku që ta bëjnë rrup-sup. As avokati
nuk të hyn në punë. Epo, zaten, ne fashën orare e njihnim vetëm nga filmi i
Kinostudios “Nusja dhe shtetrrethimi”. Jo, po shyqyr Zotit, nuk do vdesim ka e kuptuar thellësisht se çdo të thotë
të ta masin kokën me pe, dhe të mos e nxjerrësh atë farë koke në dritare pa
sinjalizuar më parë e-albanian.
Qeveria
tani kërkon të kontrollojë gjithçka. Si ai xhandari ndërkombëtar që dikur ia
faturonin Amerikës. E-albania na u bë "babai" i shtëpisë. Me të drejtë... Anarki s'ka këtu. “O Shef efendi, ty të paçim sa malet edhe na
rrofsh përjetë, sepse edhe qetësinë na e ruan edhe shtëpitë na i shpëton nga
zjarri, edhe bagëtinë po na i shton e na i shumon, edhe fëmijët qeshin edhe këndojnë
kur vjen zotrote...”
Po
na afrohet diktatura, thonë ca gjakprishur. Këta po, është për t'i marrë vërtet në
dru sa të mos u zënë këmbët the. Se ku e shohin diktaturën... më sa shohin
virusin.
Lëreni
o vëllezër qeverinë të punojë, se pastaj po qeverisë do t’i kërkojmë llogari.
Lerë të na i mbledhë lakun, e t’i bëjmë aferim çdo ditë që po na jep mundësin të
marrim frymë. Se ka dhe më keq, jo për gjë.
Por
me sa duket Qeveria nuk e di që zakonisht këto qeveri nuk e kanë fort të gjata,
edhe pse bariu i tufës përbetohet se gjithçka po e bën në të mirë të deleve. Po
me të njëjtën kartë luajti dhe qeveria komuniste e Enver Hoxhë. U dëgjua ndonjëherë
që të flitej për masa në dëm të popullit? T’u thaftë gjuha jarebi. Jo, absolute.
Masat ishin vetëm në të mirë të popullit. Dhe vajti deri aty ku ku nuk mbante më.
Aman,
mos na kujtoni revolta e rrëzime statujash. Jemi në ditë karantine.
Ndaj
dhe masat e qeverisë aktuale, janë vetëm në të mirë të popullit.
Brilant!
ReplyDelete