Nga Leonard Veizi
Mos u shqetësoni
nga titulli i këtij shkrimi, pasi nuk kam ndërmend t’i kundërvihem psikologut
me famë botërore Sigmund Frojd e për më tepër as psikologut tjetër po aq të famshëm
Gustav Le Bon. Por nuk është se po bëhem gati të nxjerr as ndonjë teori të re
mbi “psikologjinë e turmave”, pasi të them të vërtetën, më mungojnë argumentet.
Dua vetëm që përmes citimeve të tyre të ngre një hipotezë mjegullore dhe fare të
paargumentuar, por që më pëlqen të bëj një lojë fjalësh.
Kush ka kohë të
më ndjekë vetëm në 70-80 rreshta më poshtë.
Për analizën e “shpirtit
të turmave” nga Le Bon, dhe i motivuar prej librit të tij, Sigmund Frojd arriti
në cilësimin “e mrekullueshme” kur midis të tjerash e citon: “Turma është tepër
e sugjestionueshme dhe e padjallëzuar, ajo beson me lehtësi dhe është e
zhveshur nga shpirti kritik...”
U futëm në thelb
të çështjes pa i ardhur fare rrotull, apo siç themi kur flasim me zhargon: nga
Kina.
Në kohët e sotme,
që prej 20 vjetësh e quajmë “mileniumi i ri”, nuk është më e nevojshme të mbash
fjalime patetike, me qëllimin e vetëm, të orvatjes së manipulimit të turmave. Një
status në rrjetet sociale dhe shpërndarja në qindra faqe të tjera me ndikim
populist deri në banalitet, është më efikas se sa të çjerrit të zërit nga ana e
oratorit, mbi një podium të sajuar, për adhuruesit që e ndjekin nga pas.
"Qëllimi justifikon
mjetin", do të shprehej italiani fiorentin Nikolo Makiaveli të paktën 500
vjet më parë, i cili gjithashtu përmes librit të tij “Princi” u rrëfente
shtetarëve, se si duhet të udhëhiqnin, ose thënë ndryshe si të kishin ndikim mbi
turmat duke marrë kontrollin e tyre.
Afërmendsh që po.
Madje me mjete të sofistikuara ku dhe vetë veprimi është kthyer në art
sugjestionues, ashtu siç shprehej Le Bon.
Psikologu
francez që studioi shkencërisht sjelljen e turmave, në vitin 1895 botoi librin
e tij studimor “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, ku shpjegon “shkrirjen e
identitetit individual në një identitet kolektiv”. Sipas Le Bon në turmë,
njeriu bëhet “kafshë” dhe instinktet e tij primitive e bëjnë praktikisht
identik me ata që ndajnë të njëjtën eksperiencë grupi. Për të, turmat nuk mund
të udhëhiqeshin nga arsyeja, për arsye se fryma e turmës karakterizohet nga të
ndjerit dhe jo nga të menduarit.
Tani jemi
larguar pak nga thelbi i problemit sepse po merremi me garniturën.
Libri i Le Bon,
që edhe sipas Frojdit u bë tepër i famshëm, zuri vendin e një udhërrëfyesi, apo
manuali, për shumë politikanë të rëndësishëm të shekullit XX që pas marrjes së
pushtetit u kthyen në diktatorë. Hitleri, Musolini, madje dhe Lenini përpara
tyre, u ndikuan nga tezat e psikologut të famshëm francez.
Pra, përmes
tezave të Le Bon, ata mësuan me themel artin e manipulimit të turmave.
Në sqarimin e
ideve të tij Le Bon shkruan se: “Turma është një qenie amorfe, e paaftë të
dëshirojë apo të veprojë pa udhëheqësin e saj”.
Sot flitet për
udhëheqës që bota i shikon dhe i dëgjon në kohë reale. Por flitet shumë dhe për
ata që qëndrojnë në hije e drejtojnë në mënyrë misterioze, duke manipuluar
turmat pikërisht përmes këtyre të parëve dhe atyre çfarë nxjerrin nga goja si të
besueshme deri në 99 përqind e më shumë. Ç’është e vërteta, turmat janë
manipuluar herë pas here, për të mos thënë që ato kanë qenë në vazhdimësi të
manipuluara. Shkurt, turma nuk arrin të ketë një mendim të vetin. Individi i
shkëputur prej saj, po. Por ai është fare i dobët, dhe krejt i pafuqishëm.
Tani të vijmë te
çështja jonë, e shkurtër, për të cilën bëmë këtë hyrje të gjatë.
Në mënyrë
mediatike, “Covid 19” po cilësohet si armiku kryesor i njerëzimit. Masa e të
vdekurve që ka shkaktuar ky virus edhe pse mediatikisht i hiperbolizuar, ku
futen ata që vdesin nga “Cov” dhe ata që janë me “Cov”, sërish nuk po kap
ndonjë shifër ekstreme ndaj të cilës duhet të fillonte vërtet frika dhe paniku.
Ndërkohë, frika
dhe paniku ekziston. Atë na e kanë injektuar.
Dua të kujtoj se
statistikat e të vdekurve gjithmonë nuk janë reale, por lëvizin sipas
interesave të atyre që arrijnë të manipulojnë turmat. Fjala vjen. Fillimisht, për
numrin e viktimave në ish-Bashkimin Sovjetik të Luftës së Dytë Botërore u tha
se ishin 18 milion, disa vite më pas kjo shifër u rrit në 20 milion, pastaj në
22 milion, dhe së fundi shifra është ndalur në 27 milion, pra kemi një rritje
prej 9 milion jetësh njerëzore, shtesë. Dhe kush i numëroi që ishin kaq...?
A është ky
manipulim?
Për viktimat e “gripit
spanjoll” shifra ka varjuar dhe më keq. Shifra e parë e të vdekurve që shkaktoi
ky grip ishte 17 milionë qenie humane. Dhe shifra e fundit mbyllet me 70 milionë
jetë njerëzore të humbura. Të shkonte nga 17 në 18 do të ishte e besueshme, por
nga 17 në 70, kjo është e frikshme.
A nuk është dhe
ky një manipulim?
Çfarë na bën të
besojmë se “Covid 19” ka shkaktuar deri tani 30 mijë të vdekur, kur për shumicën
absolute të tyre thuhet se kanë pasur edhe nga një, dy apo tri diagnoza shtesë.
Pra realisht nuk kanë vdekur nga “Cov” edhe pse mund të kenë pasur “Cov”, ashtu
si shumë e shumë të tjerë që janë në jetë shëndoshë e mirë. Statistika të tjera
thonë se po kaq vdekje nga gripërat stinore janë shënuar përgjatë gjithë viteve
të fundit. Pra, nëse nuk do të kishim një informacion të fryrë, me siguri
askujt nuk do t’i binte në mend për “Covid-19”, e jo më ta kthenim në një
gogol.
A është kjo një
teori konspirative apo thjesht rastësi?
“Në histori, - citoj
Le Bon tek “Psikologjia e turmave”, - pamja ka pasur gjithmonë një rol më të
rëndësishëm se sa realiteti”. Por cili është realiteti ynë në këtë rast?
Ne jetojmë të
bombarduar nga një mizëri lajmesh, të cilat kanë të njëjtin logo të frikshme
“Covid-19”. Krejt e pazakontë, deri në mizori ajo që thuhet e transmetohet në mënyrë
të pandërprerë në lajme, titra, emisione... pra në gjithçka që ndeshim.
Nëpër rrugë
patrullojnë autoblinda të ushtrisë me grykat ngrehur. Por armiku thuhet se
është një mikrob mikroskopik i cili merr fund vetëm nga një e larë duarsh me
sapun 15 lekësh nga ai i Rrogozhinës. Policia ka nxjerrë bllokun e gjobave dhe
vazhdimisht mbush letrat. Ndëshkohet kush thyen orarin fashë të karantinës.
Buxheti i shtetit u bë. Nuk ka nevojë për doganat dhe as për tatimet. E po
vazhdoi kështu nuk do kemi nevojë as për ndihmat nga Evropa e Turqia.
Po kush është i
interesuar, që në emër të shëndetit, të mbajnë të mbyllur në karantinë gati një
të tretën e botës, pra në kufirin e dy miliard njerëzve?
Një mjeke shqiptare,
e quajtur Juna Musa, njëkohësisht Kandidate Shkencore post doktorate, e cila
punon si mjeke në klinikën e njohur “Mayo Clinic” në Minesota USA, jo rastësisht
gjatë një interviste për emisionin “Opinion” e lidhi situatën e “Sars Cov-2” me
frekuencën 5G.
Po kjo, a është
një teori konspirative?
Pyetjeve që unë
ngre sot do t’u jepet përgjigje, pa padyshim, dhe kjo do kohën e vet. Pra
nesër...
No comments:
Post a Comment