Friday, April 3, 2020

Blasfemia e radhës, mallkimi mbi bibliotekat familjare



Nga Leonard Veizi

Një blasfemi e çuditshme ka ndodhur këto ditë karantine në rrjetet sociale. Po qarkullon një pyetje një milion dollarëshe me një milionë përgjigje që të gjitha bashkë bëjnë a s’bëjnë një cent. Shqetësimi është ngritur aty ku nuk thuhet. “Përse njerëzit  publikë, ca VIP-a, ca politikanë e ca të tjerë që nuk kanë shumë ndikim, dalin në intervista e lidhje të drejtpërdrejta përmes celularit në ekrane të ndryshme televizive, me biblioteka pas shpine? Demek duan të tregojnë se kanë ca libra?”
Ja këtij shqetësimi i janë turrur komentuesit për t’i bërë copë ata që kanë biblioteka, me fyerje e mallkime. “Bo, bo, -thashë me vete, - po unë i ziu? Edhe unë e kam një palo biblioteke aty te cepi i korridorit”. Më erdhi turp nga vetja. Më vinte t’i merrja librat, t’i hidhja në kazanin e mbeturinave, ca benzinë sipër, e t’u vija flakën. Në djall le të vinin.
Ja kështu o posi.
Nuk kisha ndër mend të bëhesha gazi i botës.
Në këto çaste të një dileme hamletiane dhe shekspiriane bashkë, m’u kujtua historia. Viti 1933. Në Sheshin e Teatrit të Berlinit 70 mijë gjermanë të etur pas doktrinës naziste kishin sjellë karroca me libra të cilat i zbrazën përdhe. Lëvizja iu faturua studentëve. Njëri prej tyre, me emrin Herbert Gutjahr, mbajti fjalën: "Vepra jonë drejtohet kundër shpirtit jogjerman. Çdo gjë jogjermane unë ia dhuroj zjarrit". Masa brohoriste. Pas djegies së 20 mijë librave të parë nisi flaka në shumë universitete të tjera. Autorët që nuk përputheshin me ideologjinë nacionalsocialiste shiheshin si armiqtë e regjimit.
Më parë se kaq, në vitet e errëta të inkuizicionit u bë modë djegia e librave të heretikëve.
Sot jemi në vitin 2020.
Sërish ka ardhur koha të kemi turp nga librat.
Një ftese televizive për lidhje të drejtpërdrejtë, përveçse iu përgjigja pozitivisht, mendova së pari që kamera të kishte objektiv fytyrën time dhe në sfond diçka që të mos binte në sy për keq. Pamja e parë më nxori pas shpine frigoriferin. Lëviza pak më tutje, aty u fokusua kondrabufeja dhe lavapjati. Bela e madhe. Në të kundërt kisha gotat e rakisë dhe një shishe me etiketë uiski, por me konjak “Skënderbeu” brenda. Punë shqiptarësh. Nuk dija nga ta rrotulloja kamerën. Vajta nga dhoma e gjumit, ambient i papërshtatshëm. Shkova në tualet, nuk po e gjeja dot veten. Po ta vendosja objektivin të ca piktura që mbaj në dhomën e ndenjes, me firmë të Gjovalin Pacit dhe Arben Morinës, kisha akoma më shumë frikë. Kush e di se çfarë do thonë. Do flasin lart e poshtë se Nard Veizi e paska kap aq shumë veten sa ka blerë piktura me çmim stratosferik në ankand. Ec t’u mbushësh mendje se janë dhurata miqsh.
I dhashë drejtim, e vendosa objektivin e kamerës në një copë muri që ka nja tre vjet pa u lyer.
Dhe rashë rehat.


No comments:

Post a Comment