Rubrika:
“Shkrimtari në karantinë”
Dramaturgu
Bashkim Hoxha në një intervistë ekskluzive për “Fjala”
Nga Leonard
Veizi
Me
shumë pjesë të vënë në skenën teatrore si dramaturg dhe shumë romane të botuara
në letër, Bashkim Hoxha duket se ditët e karantinës së tij të detyruar po i
kalon larg krijimtarisë letrare dhe më afër të qenin si një lexues i
stacionuar. I mësuar me jetë aktive, të shkojë herët në mëngjes për të drejtuar
emisionin e tij emblematik “Koha për tu zgjuar”, e të kalojë nga teatri
“Aleksandër Moisiu” ku gjithashtu ka qenë drejtues për shumë kohë, kurthi i
ngujimit i ka dhënë një ndjesi “meditimi
të errët dhe shumë pak shkëndija”. E megjithatë ai është në pritje të
heshtur që në mënyrë të parashikueshme ta kapi çastin e tij të paparashikueshëm
për ta shtrirë në faqen e bardhë të letrës e për të na befasuar kështu me një
pjesë të re dramatike apo një roman të ri, ndoshta. E ndërsa është në çastet e
një dyzimi të tillë, të mërzitshme e pak stresuese gjithashtu, prej Durrësit
bregdetar e relaksues ai pranon të ndajë me lexuesit e “Fjala” atë çfarë po
ndodh me qenien dhe nënndërgjegjen e tij, në këto ditë “mungese lirie të sforcuar”
-Si po i kaloni
ditët në karantinë?
Ditët
në karantinë janë shumë të mërzitshme, sigurisht, dita është shumë e gjatë dhe
në shumicën e saj boshe. Sigurisht, në karantinë ke kohë më shumë të merresh me
veten në vetminë tënde, por duke qenë një gjendje e detyruar, nën hijen e
ankthit të infektimit, kjo gjendje ofron
meditime të errëta dhe shumë pak shkëndija. Në mungesë të lirisë, gjithçka
duket e sforcuar.
-A është
frymëzuese për ju një situatë e tillë?
Jo.
Unë vet nuk e shoh frymëzuese. Edhe pse, në kushte normale pa karantinë, në një
farë mënyre kur shkruan secili nga ne përjeton një farë “karantine”, kjo
karantinë e vërtetë dhe distancimi social më shumë më sjell ngushtësi se sa
frymëzime. Gjërat janë të sforcuara në
kushte karantine.
-A mund të
përbëjë ky precedent një motiv që në të ardhmen të shkruhet më shumë për të dhe
rreth saj?
Ndoshta.
Por edhe në se nuk vjen drejtpërdrejt tema
e karantinës në veprat letrare, unë mendoj se do të kemi më shumë vepra
ku meditohet për çështje madhore kushtëzuar nga kjo rrethanë si për shembull,
pesha e vdekjes në jetën e përditshme, dimensionet trishtues të njeriut me
botën e madhe, raportet e njeriut me natyrën dhe dëshira për ta vlerësuar atë
jo si një qenie triumfatore mbi natyrën por si pjesë modeste e përulur e
natyrës, e të tjera si këto.
-A mund të
kthehet në vlerë qëndrimi si i ngujuar nga frika e një virusi?
Atë
përpiqemi të bëjmë të gjithë, por nuk e di se sa arrijmë, dikush duke lexuar
dikush duke shkruar, dikush duke interpretuar në largësi, një tjetër duke u
ndalur më gjatë tek nostalgjia dhe kujtimet. Me siguri me vlerë është raporti i
ri që krijojmë me veten dhe botën përtej karantinës duke bërë analiza i
distancuar. Ndonjëherë distancimi të ndihmon të shohësh më mirë rrugën që ke
bërë dhe të kuptosh se çfarë ke bërë gabim.
-Kush është
primare në ditë të tilla, leximi apo krijimtaria?
Varet.
Deri tani unë them leximi. Por edhe krijimtaria është si virusi, e
paparashikueshme, e padukshme, pa paralajmërim. Nuk e di se nga vjen dhe kur të
bën të ulesh në tavolinën e shkrimit.
Intervistoi:
Leonard Veizi/Fjala/
No comments:
Post a Comment