Kujtim Gjonaj dhe Leonard Veizi |
Nga Leonard Veizi
Ashtu
si dhe të tjerët, artistë me punë shumë e “Mjeshtra të Mëdhenj” në tituj, edhe
Kujtim Gjonaj u largua nga bota e të gjallëve, paqësisht. Nuk kishte ndër mend
të dorëzohej, sepse ishte një luftëtar i epërm e plot kurajë. Por duket se dhe
humbja ka vlerën e saj. Në jetën njerëzore po e po. Dhe është një vlerë që hera-herës
ngrihet në madhështi.
Kujtimi
iu fal vdekjes. Duhet të ishte ndjerë i lodhur së fundmi, disi i drobitur, por
gjithsesi krejt i plotësuar. Dhe e ka lënë veten të lirë, të shkojë përtej e ta
shohë botën e këtejshme nga një tjetër dimension. Aty ku na kanë mësuar ta
quajmë Parajsë.
Betejat
e mëdha i kish fituar me kohë. Pesë ditë më shumë në jetë, do të kishin vlerë
të paçmuar për familjaret e tij, për gruan, vajzën, djemtë, e nipërit. Por për
shumëkënd, koha në dispozicion e marrjes frymë, e thithjes së oksigjenit dhe
çlirimit të dyoksidit karbonik është veç një konvencion a një nocion abstrakt.
Sepse për anonimët, që nuk ishin të lidhur drejtpërsëdrejti me të, Kujtim
Gjonaj është një emër i cili kishte vetinë e paçmuar që fjalët t’i kthente në
pamje vizive, dhe kjo ishte më se e mjaftueshme.
Kujtim
Gjonaj iku nga bota e të gjallëve. Kinemaja shqiptare humbi një prej korifenjve të
saj. Dhe televizioni gjithashtu. Sepse ai nuk e përfundoi krejtësisht të gjithë
angazhimin e tij ndaj tyre. Si kineast, skenarist e regjisor bashkë. Kishte
bërë një mal me punë, kishte regjistruar në qindra e mijëra metra celuloid e
shirita manjetik, por në “pension” nuk kishte ndër mend të dilte. Ndaj,
projektet vazhdonin të qëndronin mbi syprinën e tavolinës së punës duke pritur
t’u binte me laps.
Sot,
në database-n e të dhënave të tij, rëndojnë me ton peshë titujt e
filmave dokumentarë, të medaljeve, dekoratave të nderit e gjithfarë certifikatash
të tjera mirënjohje. Sepse ai ka hedhur mbi një film bardh e zi, botën plot nuanca
të Shqipërisë. Atë historiken, e modernen bashkë, mbështetur mbi jetën e
burrave që bënë epokë. Ndaj pa frikë mund të quhet si babai i dokumentarit
shqiptar. Jo sepse ishte i pari që e nisi këtë punë, por sepse punoi me të si
askush tjetër. 150 tituj filmash mbante mbi shpinë. Dhe shumë të tjerë që ishin
shtrirë nëpër skicë-projekte por që nuk mundën dot të merrnin formë.
Në
këtë mënyrë ai vetë bëri epokën e tij.
Kjo
ishte dhe pasuria më e madhe që ai na la. Një pasuri e pakonvertueshme.
Kujtim
Gjonaj e solli historinë e Shqipërisë shumë pranë nesh. E thjeshtësoi, e bëri
të kapshme, dhe na e dha gati. Duhet veç ta shijonim. Kjo histori erdhi përmes
një realiteti të ri, pasi ai i dha figurën e munguar “Lidhjes shqiptare”,
“Kryengritjeve të mëdha” për të vazhduar me Ali Pashën, Vëllezërit Topulli,
Jeronim De Radën, Josif Bagerin, Hasan Tahsinin. E për të vazhduar më pas me
emrat e epokës sonë: Nënë Terezën, Ramush Haradinajn, Panajot Panon, Abedin
Dinon, Margarita Xhepën, etj,.
Kujtim
Gjonaj bëri një jetë të larmishme e plot nerv, duke i rënë kryq e tërthor
trojeve shqiptare, sepse vetëm kështu mundi të hulumtonte në vazhdimësi për të
marrë lëndën e parë të heronjve të tij.
Një
vit më parë, ende pa nisur furtuna e asfiksisë pandemike, botova në gazetën
“Fjala” intervistën e fundit me Kujtim Gjonajn. Dhe tek e lexoja në ditën e
ikjes së tij nuk mund t’i shtoja asgjë më shumë se sa kisha thënë më parë. Dhe
ja çfarë shkruaja asokohe në hyrje të kësaj interviste:
...Ai është i ngopur deri në tej me titujt, dekorata
plot shkëlqim ku janë stampuar gjithfarë figura emblematike, dhe kartonë bojë
floriri ku kanë shkruar motivacione deri në superlativë. Dhe me siguri, nëse do
t’i varte në qafë, do të shëmbëllente me Çezarin që kthehej nga ekspeditat ndëshkimore
të Egjiptit, a me një Gjeneral Armate nga Lufta e Dytë Botërore, që pati
marshuar me tank mbi Berlin. Ndaj shtesa në organikë e një “teneqeje” më shumë
nuk është se i krijon pritshmëri a ndonjë efekt entuziazmi sipëror. Dhe nga
përfitimi i ndonjë titulli tjetër të pamarrë, që do ketë mbetur në ndonjë cep
sirtari administrativ, ka hequr dorë prej kohësh. Por, as me egon e pangopshme
për ca para më shumë, nuk ka të bëjë më puna e tij. Gjithçka është e lidhur
thjesht me pasionin që e ka pasur në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë gjithë
karrierës artistike, dhe që nuk i zbehet as nga koha dhe as nga hapësira e
pamat. Imagjinata e tij vazhdon të kuadratojë imazhe të çuditshme njerëzish a
ngjarjesh, të cilat kërkon me se s’bën t’i lërë si trashëgimi në celuloid apo
negativin e një filmi. Dhe për këtë nuk i duhen noterë e as mbështetje në akte
nënligjore, madje as kamera “Arriflex” demode, por vetëm një aparat dixhital e
mikser shumëplanësh në montazh. Pas kësaj, puna vazhdon… Në krye të herës ai
është dokumentaristi më i mirë në Shqipëri, me punë të krijuar organikisht si
para ashtu dhe pas viteve ‘90. Madje njihet si regjisori që ka shkruar historinë,
pasi pjesa më e madhe e dokumentarëve flasin për figurat më me peshë të
popullit shqiptar. Në background-in e tij artistik numëron rreth 150
dokumentarë. Pesë më shumë apo pesë më pak, kjo nuk ka më kurrfarë rëndësie,
dhe as e lëviz një gramë kandarin e tij të peshës. Thotë se në punën voluminoze
që ka bërë jo detyrimisht çdo dokumentar merr rëndësi, për më tepër kur flitej
se në Kinostudion e atëhershme kishte një plan që duhej realizuar medoemos. Por
dhe po të heqim firon e menduar, sërish mes titujve të tij gjenden aq shumë
materiale të vlefshme, se vetë ai do të mbeste në histori”.
Sot
Kujtim Gjonaj nuk është më mes të gjallëve. Ka ikur larg...
...Puna
e tij ka mbetur këtu.
No comments:
Post a Comment