Thursday, July 8, 2021

In memoriam/ Gjovalin Paci, piktori befasues i dimensioneve të mëdha

Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci

Nga Leonard Veizi

 Teksa trupi brenda arkivolit hermetizohej nga një pllakë betoni te një varrezë familjare tip mauzeole, e kuptova përfundimisht se kisha humbur një prej miqve më të çmuar. Deri atë çast gjithçka dukej në kufijtë e së pamundurës, që kishte të bënte ose me një gabim në dhënien e informacionit, ose me një trill mjekësor që e bën të vdekurin të gjallë dhe anasjelltas. Pasi lamë varrezat, drekën mortore dhe nisëm udhën e kthimit të përndjekur nga zhurma e njëtrajtshme e motorit të makinës, në heshtjen e thellë të kabinës, tek meditoja përhumbshëm e kuptova përfundimisht se do të më mungonte togfjalëshi i tij i parë me të cilën përballesha gjatë bisedave të shkurtra në celular: Ku ke hup bre burrë? Në studion e tij nuk do të më priste kush dhe nuk do të flisnim më gjatë deri në stërhollim mbi pikturën dhe filozofinë…
 
… Këmbëngulëse zilja e celularit tek binte e më dukej se po vazhdoja të përjetoja një ëndërr djajsh. Ishte 7 korrik 2018, e shtunë herët në mëngjes, dhe fakti që mbi ekran ashtu në përgjumjen mëngjesore dallova emrin e Ilir Kadisë, një mik e koleg gazetar, do të thoshte se më duhej të përballesha me diçka enigmatike, surprizuese por aspak entuziaste. “Më duket se Gjovalini ka vdekur”. Lajmi ishte vërtet shokues. Ndoshta ishte vetëm ëndrra që po vazhdonte e dot s’po zgjohesha. Telefoni m’u drodh në dorë, por nuk më ra. “Më duket se…” pra jo se “kishte vdekur vërtet”. Dyshimi ishte aq i shkurtër, sa nuk bëri të mundur asnjë grimcë lehtësimi. “Në fakt, ka vdekur”. Dhjetë minuta më pas piva një kafe të fortë me Ilir Kadinë, i cili më sqaroi situatën. Të nesërmen po në mëngjes, bashkë me Flutura Açkën e Kliton Nesturin u nisëm për në Razëm, vendi ku kishte lindur Gjovalin Paci, dhe e kishte lënë me amanet të varrosej po aty. Po ashtu si ne, nga Tirana disa dhjetëra makina të tjera ishin nisur me shokë e miq që kërkonin të përcillnin piktorin për në banesën e fundit.
 
Kliton Nesturi, Gjovalin Paci, Ilir Kadia, Leonard Veizi, Spasse Thanasi

***
Krejt i shpenguar, me flokë të rrallë, pak mustaqe, një mjekër të shkurtër, ai dukej krejt shqiptar në pamje të parë. Gjykim idiot, gjithsesi. Por teksa më sqaronte se gjak i përzier i rridhte në deje, italian nga një familje fisnike, pleksur me malësorët e Shkodrës, nuk dukej më aq ballkanas. Nisa të dyshoj në linjën e tij. Vështirë se ky lloj të ishte nga ata shqiptarët e vërtetë, pak kaçak me thikë e kobure në brez që pi duhan Taraboshi. Po t’i vendosje një shall rreth qafës, të ngjante po aq italian sa dhe piktorët e tjerë të Perëndimit latin. Por nëse në delir e sipër, atij i shkrepej të thoshte se kishte origjinë franceze, sërish do ndryshoja mendim. Dukej po aq elegant, sa një parizien.
A ishte kjo një lojë nervash…? …apo çështje perceptimi?
Me Gjovalin Pacin njihesha prej vitesh, ndoshta që në fillim të mbërritjes së tij në Tiranë. Fillimisht kishte lënë pas natyrën piktoreske të Razmës, si kishte marrë prej saj gjithçka i ishte dashur. Pastaj ishte larguar nga Shkodra, pikërisht, sepse nga ky qytet i jashtëzakonshëm nuk kishte çfarë të merrte më. Dhe së fundi kërkonte të linte Tiranën kaotike me të njëjtin arsyetim: nuk kishte çfarë të bënte më në një qytet që i kishte marrë gjithçka. Dhe jo për rastësi kërkonte të shkonte atje ku kishin jetuar të parët e tij, në Firence, ndoshta në Milano, por pse jo dhe në Romë. Gjithsesi, në Itali. Ç’rëndësi kishte kjo.
Në rrugëtimin e tij të pazakontë, mes telajosh, bojërash, dhe një trekëndëshi të vetëm që quhej kavaletë, Gjovalin Paci ishte befasues gjithmonë. Ai vazhdimisht kishte sjellë një atmosferë pikture thuajse të pangjashme, dhe po aq të ngjashme çuditërisht. Kishte dhe një filozofi interesante në atë çka artikulonte, e cila, pa dyshim përcillej dhe në tablotë e tij herë abstrakte, e herë krejt absurde. Me të njëjtën filozofi ai kishte bërë shkëputjet e tij të mëdha. Nga Shkodra erdhi në Tiranë me rrobat e trupit. Nuk e mori mundimin të thërriste një kamion taksi, ku do të paketonte kostumet, këmishët dhe kravatat, të paloste dhomën e gjumit e për më tepër të zbriste shkallëve kolltukët e dhomës së ndenjies. “Të nxjerrësh dhjamë nga pleshti”, i thonë kësaj. Gjovalini nuk e njihte këtë lloj kategorie.  Ai ishte nga ata që vazhdimisht kërkonin diçka të re. Për të nuk kishte pasur asnjëherë rëndësi dërrasat e mobilieve, as gardëroba ku ngjyra e çorapëve kalkulohet me atë të kopsave të këmishës. Për të rëndësi kishin telajot e përfunduara dhe mjetet e tjetra të punës. Vetëm kaq i duhej që kryeqytetin e egër ta mbërthente për gryke. Dhe ia doli.
-Më duhet një vapor që të transportoj pikturat në Itali, – më pati thënë së fundi, atëherë kur nisma e tij për ta kaluar përfundimisht Adriatikun bëhej gjithnjë më evidente.
Gjovalin Paci
Gjovalin Paci ishte ndër të paktët piktorë, për të mos thënë i vetmi, që mbante familjen vetëm duke shitur piktura. Koleksionistët i gjuanin së largu ekspozitat e tij. Dhe kështu ai vazhdimisht shiste. Pastaj blinte komplete të reja bojërash, kanavacë, shkollonte fëmijët dhe… pa dyshim i mbesnin para edhe për bukë me djathë. Punë e madhe. Por ai refuzoi të bënte edhe diçka tjetër, shofer taksie, apo burokrat në zyrat e shtetit. Ishte thjesht një piktor. Një tjetër kolege e tij, që rastisi të ndodhej në një tavolinë me ne, shpjegonte me plot pasion se veç Liceut Artistik dhe Akademisë së Arteve për pikturë, kishte bërë dhe një kurs parukerie, dhe se falë kësaj kishte mundur të merrte një ambient me qira ku do mund të bënte manikyr e pedikyr për nuset që do të martoheshin. Gjovalini i hodhi një vështrim zhvleftësues: Të paktën mos thuaj më që je piktore.
-Si është kjo puna e origjinës? – e pyeta një herë. Doja ta publikoja. Për të nuk kishte rëndësi në shkruaja në gazetë apo e doja për konsum personal. Unë e kisha të nevojshme të dija historinë e familjes, ndërsa ai të domosdoshme ta rrëfente. Nuk kishte më sekrete.
Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci
– “Historia është e gjatë, duket e pabesueshme, por ajo ka ndodhur, – rrëfeu thjeshtësisht. –  Mbiemri ynë origjinal është Pacaj, që në italisht merr kuptimin “të marrët”. Pacajt ishin familje e madhe në mesjetën fiorentinase, ishin bankierë. Por kishte një rivalitet me familjen akoma më të madhe, Mediçët. Kjo u shfrytëzua nga Papati dhe Pacajt bënë një vrasje nën bekimin e papës. U vra i madhi i Mediçëve. Por mëkati më i madh është se vrasja u bë në ambientet e një kishe. Mediçët u organizuan dhe iu kundërvunë Pacëve, i vranë e i përndoqën, aq sa meshkujt e pakët që mbetën nga familja morën rrugën e mërgimit. Për rreth 60-70 vjet nuk dihej vendndodhja e tyre. Por diku mes viteve 1720-1730 nëpërmjet rrugëve që kontrollonte Venediku ata u futën si tregtarë në Shkodër. Në Razmën e atëhershme me 5-6 mijë banorë, si dhe kishën e Shën Premtes që ishte ndërtuar rreth vitit 1200, Pacajt blenë truall në pjesën e pabanuar të vendit. Ishin të huaj, por thuhej se kishin sjellë shumë pasuri me vete. Ndërtuan një shtëpi me gurë e dërrasa, me një teknologji të lartë, të panjohur nga vendasit. Ajo shtëpi ekziston dhe sot. Në derën kryesore vendosën një gur që e kishin sjellë nga Firence. Ai gur, që tregon origjinën e tyre, ka të gdhendur me daltë një kryq, të vendosur horizontalisht dhe koka e kryqit është e drejtuar nga perëndimi. Pak kohë më pas ata u dekonspiruan dhe Mediçët që ishin vigjilentë, dërguan mercenarë. Pacajt u zunë në pusi. U qëllua mbi shtatë meshkujt e mbetur gjallë nga familja. U vranë 6 prej tyre, por për fat të mirë i fundit mbijetoi i plagosur. Në kushtet e reja ai u kthye të bëjë jetën e një shqiptari dhe u martua me një shqiptare. Mbiemri ynë u transformua në Paci dhe pasardhësit u pagëzuan me emra katolikë, por të shqiptarizuar. Në Razëm një lagje ende quhet “Gil Pacaj”. Them se vrasja e bërë në një institucion fetar mori nga pas dhe mallkimin e vetë institucionit. Pacajt e kanë vuajtur një gjë të tillë për breza me radhë. Të paktën për 250 vjet vetëm një nga Pacët meshkuj jetonte. Tjetri, më i vjetri, vdiste nga shkaqe të ndryshme. Vonë Pacajt filluan të shumohen”.
Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci
Kisha mbetur pa frymë. Histori brilante. Krejt horror, për gazetë, roman e subjekt filmi. Këto dhe ca të tjera i botova para disa vitesh në gazetën “Shekulli”. Ka ende për të eksploruar, me siguri.
-“Ore, të vërtetë e ke gjithë këtë histori?” Besoja, por po aq isha dhe skeptik. – “Shkojmë në Razëm, – më bëri një ofertë Gjovalini. – Shohim shtëpinë. Kam dhe ca dokumente të tjera që do të të bindin”. –“Çfarë thua o Gjove, – ia kthej unë. – Të na nxjerrësh ndonjë rrugë Italie, vij me vrap. Razmën ua kemi lënë turistëve për verim”. Gjovalini qeshi shpenguar. Ai ishte artist në të gjithë dimensionin e tij. Megjithëse thoshte se nuk ishte e lehtë ta merrje një titull të tillë.
Pati hapur ekspozita të çuditshme, me krijime në të gjitha gjinitë e pikturës, kompozim e portret. Punonte në disa lloj teknikash: akrilik, vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi. Paci është i pari dhe i vetmi piktor shqiptar, që arriti të ekspozojë veprat e tij në Galerinë e Komisionit Evropian në Bruksel, ku u prezantua me punime të realizuara me teknikën e akrilikut të pjekur. Gjithashtu, ai qe ndalur në disa kryeqytete evropiane, mes te cilave edhe në Frankfurt, duke ekspozuar në galerinë gjermane, “Arti në shtëpinë blu”. Me rastin e 100-vjetorit të Nënë Terezës, Gjovalin Paci gjithashtu ndërtoi një ekspozitë enkas për këtë rast. “Nënë Terezën e kam parë në ëndërr, – më tha. – M’u duk sikur ishte e varrosur dhe më thotë: Më jep dorën. Unë i jap dorën e djathtë. Ajo më flet sërish: E ke të bekuar këtë dorë. Kjo ishte një ëndërr që s’do të më shuhet nga kujtesa. Pastaj kisha dhe mbresa të jashtëzakonshme nga vizita e saj, kur erdhi në Shkodër. Atëherë pashë një grua të imët, me një veshje të bardhë e shirita të kaltër, që dukej sikur nuk prekte në tokë kur ecte, por fluturonte. Thosha me vete: Ku qëndron forca e këtij njeriu? Ajo ishte një grua në moshë, jo më e bukur, por ishte si një engjëll. Ishte vërtet një nënë, me duar të rrudhura e fraktura. Lexova korrespodencën dhe shumë libra mbi jetën e saj, studiova karakterin nëpërmjet fotografive. Isha i inspiruar. Më pas krijova një seri portretesh të saj me firmën time”.
Fatmir Boshnjaku, Orjona Tresa, Leonard Veizi, Gjovalin Paci, Ilir Kadia, Rezarta Reçi
 
***
Gjovalin Paci u nda nga jeta, pas një ataku kardiak, vetëm dy muaj pasi hapi ekspozitën e tij të fundit të titulluar “Skënderbeu”. Ishte vetëm 60 vjeç. La në mes të rrugës projekte të mëdha dhe bisedimet ku me shumë gjasa piktura e tij, e piketuar nga menaxherët ndërkombëtarë, do të kuotohej në bursat më të rëndësishme të artit bashkëkohor. Por gjithçka mbeti e pambaruar.
Orjona Tresa, Gjyljana Paci, Gjovalin Paci, Leonard Veizi - Ekspozita "Skënderbeu"




No comments:

Post a Comment