I lehtësuar nga
vuajtjet tokësore, tani ai ka shkuar në përjetësinë kozmike. Dhe ne që na la
pas nuk dimë në duhet të hidhërohemi fort apo të gëzohemi për fatin e tij,
tanimë. Gjithsesi bota poetike mbeti pa vargjet e tij të mëtejshme, pasi ato që
do të thurë nga sot e tutje do t’i përkasin vetëm hapësirës galaktike. Ndaj,
përpara se të kalojë portën e amshimit, Shën Pjetrit që do e përcjellë për më
tej, do t’i recitojë disa nga vargjet e tij, si një simfoni që do të lëvizin
nga eteri për t’u përhapur në largësinë e tejskajshme...
Në rrugët bosh unë
iki kuturu,
Nuk kam ku të
mbytem këtë mbrëmje pa paqe,
Me kë ta pi kafen,
nuk njoh asnjeri,
Tek-tuk ndonjë
qen, po qentë nuk pinë kafe.
...Korriku, ishte
pikërisht ky muaj i nxehtë e plot diell që i dhuroi frymën e parë dhe një
vizion të pakonturuar të botës së përkohshme, ku qeniet e gjallë lëviznin mes
tyre në një mënyrë tepër kaotike, duke e pasur të pamjaftueshëm aplikimin e një
shkence ekzakte. Ndaj ai ofroi vargjet e tij për t’i bërë më të buta përplasjet
inorganike.
Ishte po korriku,
po aq i nxehtë me diell absolut e krejt pa reshje, ai që e mori në vete për ta
dërguar në një dimension krejt estetik. Vetëm 15 ditë më pas, do të festonte
ditëlindjen e tij të 67-të. Por gjërat në jetë nuk ecin ashtu siç do të donim.
Dhe planet tona gjithmonë prishen nga një forcë të cilën ne as mundemi ta shohim
dhe as ta kontrollojmë nuk mundemi dot. Ajo ka ligjësinë e vetë, dhe ne si
qenie të dobëta na mbetet veç t’i bindemi.
Petrit Ruka u
largua prej nesh. Ai na la si trashëgim një duzinë librash me vargje. Dhe ne
nuk kemi përse të grindemi e t’i ndajmë ato. Sepse mund t’i kemi të gjithë, të
gjitha nëse duam.
Në inventarin tim
30-vjeçar prej gazetari, me Petrit Rukën më ka mbetur vetëm një intervistë.
Ishte viti 2000 dhe ai sapo kishte prezantuar për publikun, filmin e tij
dokumentar “Braktisja e Madhe”. Dhe më shpjegonte se si e kishte gjetur
Himarën, të braktisur e të rrënuar, ku rrugicave me kalldrëm shihje vetëm gra
të veshura me të zeza, e me nga një telefon celular në dorë, në ankthin e
pritjes së një tringëllime zileje nga qindra kilometra larg, ku dëgjonin zërin
e bijve që kishin shkuar në emigrim. Mbi të gjithë këtë fabul, ai kishte
ngritur një dokumentar që siç tha dhe vetë, nuk kishte të bënte vetëm me
Himarën, por po aq dhe me Shkodrën, Kukësin, apo çdo vend tjetër të Shqipërisë,
ku djemtë e vajzat në moshën më të mirë, kishin braktisur shtëpitë e tyre,
lagjet e vjetra ku ishin rritur, kishin lënë arrat djerrë dhe ullinjtë e
pambledhur, për të punuar nëpër ullishtet e fqinjëve tanë përtej kufijve. Dhe
kjo “Braktisje e madhe” ishte dhe fatkeqësia jonë e madhe.
Petrit Ruka iu
largu anga kjo botë.
Ai nuk do të jetë
më midis miqve, të atyre që e thërrisnin “Petja”, si një përkëdhelim të emrit
Petrit. Në kafen e zakonshme sërish do të mungojë. Dhe këtë herë nuk do të jetë
ai i vetmuari, siç e perifrazon në vargjet e tij:
Në rrugët bosh zë
e ndjek vetveten,
Nuk kam ku të
shkoj këtë mbrëmje pa paqe,
Rrjedh muzgu i zi
nga mëngët e mia,
Tek-tuk ndonjë
qen, po qentë nuk pinë kafe…
Në jetën e tij
tokësore, Petrit Ruka ka pasur një karrierë për t’u pasur zili. Sepse i kishte
marrë asaj, gjithçka mund t’i marrë një poet e kineast, bazuar mbi punën e tij të
pashtershme dhe padyshim mbi talentin e madh. Në jetëshkrimin zyrtar të tij
thuhet se ishte lindur në Tepelenë më 21 korrik 1954. Ka kryer studimet e larta
për Gjuhë-Letërsi Shqipe dhe studimet pasuniversitare për dramaturgji filmike,
Akademia e Arteve të Bukura, Tiranë në vitet 1985 – 1986. Ka punuar si pedagog
nё Shkollën e Mesme tё Përgjithshme, Tepelenë në vitet 1976 - 1984. Ndërsa në
vitet 1986 – 1996 ka qenë skenarist dhe regjisor në Kinostudion “Shqipëria e
Re” e cila pas viteve ‘90 u emërtua “Alba Film Studio”. Por ka qenë dhe Drejtor
nё Teatrin Kombëtar të Fëmijëve, si dhe
Kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare në vitet 2000 – 2005.
Do ta niste rrugën e botimeve në vitin 1978 me “Rinia ime” vëllim me poezi, për
të përmbyllur me “Shtatëmijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, botuar në vitin
2008.
E veç këtyre ka
realizuar më shumë se 30 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.
Petrit Rukës i
ishte akorduar dhe “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë,
Bujar Nishani me dekretin nr. 9371, Tiranë, më 18 dhjetor 2015, e me motivacionin:
“Për krijimtarinë e tij letrare dhe kinematografike, si poet, skenarist, shkrimtar
e publicist i shquar”.
E me gjithë këto
të dhëna, ku herë superioriteti kalonte tek kineasti e herë të pedagogu, sërish
e mbi të gjitha ai njihej si poet.
Petrit Ruka do të
na mungojë, gjithsesi...
No comments:
Post a Comment