Thursday, July 1, 2021

Shqipëria mbledh kufomat e bijve të saj


Nga Leonard Veizi
 
Shqiptarët kanë nisur të mbledhin kufomat, ashtu si trojanët pas përleshjeve të ashpra me akejtë. Situata është e trishtë, po aq sa ekzaltuese ishte një çast më parë, atëherë kur ende nuk kishte ndodhur gjëma. Sepse komedia dhe drama luhen në të njëjtën skenë dhe asgjë nuk ndahet dot me thikë a teh të hollë brisku, sa të kuptosh se ku mbaron njëra prej të dyjave që të fillojë tjetra. Mes tyre është vetëm një fragment sekondi, dhe gjendja ndryshon krejt, tek po e njëjta skenë.
Në sytë e nënave lotët nuk rreshtin. Zemrat vazhdimisht në ethe a goditje aritmike presin çdo çast një lajm që do t’u shpërthente venat nga vërshimi apokaliptik i gjakut, do t’ua çante aortën dhe do t’i shembte në mënyrë të pariparueshme vetë muret e organit jetësor. Një trokitje në portë, një mesazh në celular, apo një tringëllimë e çjerrët zileje... dhe gjithçka do të merrte fund. Sepse lajmi që vërshon furishëm, të gjen dhe po të jesh fshehur thellë në nëntokë.
Nëpër ekrane televizive, “real time” e kohë rekord mund të shohësh gjithfarë pamjesh lebetitëse, makina që shkarraviten asfaltit e kthehen përmbys si në një film kaskadorësh të “Disney”-t, e llamarina të deformuara që mbajnë brenda si në një kurth, të vdekurit e rinj. Trupat janë ende të ngrohtë, aq sa mund t’u heqësh bluzat prej pambuku e t’u veshësh këmisha e kravata ceremoniale. Po aq nga ekrani mund të numërosh gëzhojat e armëve dhe gjurmët e plumbave pa numër nëpër fasada ndërtesash, ku njerëzit e tmerruar nga bataretë dhe eksplozivët kanë braktisur shtëpitë për të marrë arratinë.
Nuk jemi në situatë lufte, gjithsesi. Por viktimat e përdhosura me armë zjarri nuk mungojnë. Ato vazhdimisht e mbushin jetën tonë..., me lajme monstruoze dhe imazhe makabre.
Kasaphanë njerëzish në delir.
Shqipëria po gulçon, si të jetë një grua e ve e mjerane që ka mbetur dhe pa djalin e saj të vetëm. Jo sepse ky është fati?! Por sepse një gjë të tillë ne ia bëjmë vetes. Pa mëshirë.
Vdekjet kanë ndodhur ndërkohë. Trupat janë hedhur nxitimthi në barela dhe transportuar me shpejtësi nga autoambulancat drejt spitaleve me shenjat e kryqit të kuq, ku asnjë aparaturë moderne dhe oksigjen i presuar në bombola nuk mund t’u japi më jetë. Duket sikur dhe vetë Zoti, - ai që dimë se është mbi re a një mëkëmbës mbi tokë, - i ka braktisur. Sepse askush nuk i di planet e tij. Gjithkush di vetëm planet që ka bërë një natë më parë, se kërkon të mbërrijë sa më shpejt në destinacion, se babëzia i ka errur sytë dhe kërkon të zhvasë sa më shumë për të plotësuar egon e shfrenuar. Sepse ndihet Zot, aty ku në fakt nuk është absolutisht i tillë.
Ky ishte fati i tyre, aspak më i mirë se i atyre që mbetën gjallë. Sepse ata do të vazhdojnë të vuajnë, po aq sa dhe në flakët e Ferrit.
Në morg kufomat rreshtohen njëra pas tjetrës dhe presin radhën për një ndërhyrje imediate. Pak kozmetikë, ashtu si në një sallon bukurie ku të rregullojnë thonjtë e flokët, të vendosin pak krem me glicerinë në fytyrë dhe qerpikët t’i bëjnë korb të zi me solucion kimie. Në varr nuk mund të hysh ashtu i gjakosur, me vrima plumbash në kraharor apo llamarina të ndryshkura që kanë çarë tej për tej zonën e butë  abdominale. Duhet të jesh... i krehur të paktën, dhe me një veshje për të qenë, të cilën mund ta kishte përdorur në ceremoninë e martesës, të paktën. Është çasti kur vrasësi dhe viktima janë po aty të pandashëm gjithësisë. Dhe kjo është e vetmja pauzë gjatë së cilës ndërgjegjja e dëmtuar disi, arrin të përtypë një fjalë ngushëllimi, me bindjen ekstreme se pas gjithë kësaj kasaphane diçka e hyjnishme do t’i bëjë më të lehta netët e ankthit.
Një ditë më pas, gjithçka është harruar, është hedhur pas krahëve për të filluar sërish nga fillimi, me po të njëjtat rite e kode. Me po të njëjtat inate e mllefe, me po të njëjtin delir dhe egoizëm ofensiv. Ndaj ti je në çdo sekondë preja e një thertori makabër, që ka dalë për të vrarë e për të qetësuar pasionin e shprishur nga gjaku i derdhur. Ndaj jeta bëhet gjithmonë e më e pavlerë.
Shqipëria po mbledh kufomat e hedhura në rrugë makinash e shezlongë plazhi. Më parë se kaq i ka mbledhur edhe nëpër gardhe e hendeqe, si shenja të sigurta sinorësh.
Ndoshta duhej që të vdekurit t’i vendosin mbi një piedestal druri, e flakën t’ua vënë mbi një urë zjarri, duke qëndruar në heshtje përpara shpërbërjes së trupave me mish e kocka që kthehen në një masë hiri të paemërt. Por ky rit ka dymijë vjet që nuk kryhet më. Trupat e njerëzve tanimë futen në tokë, me një arkmort dërrase të presuar dhe të qëndisur me gjithfarë ornamentesh, si ikonostaset e një bazilike mesjetare. Mishi tretet vërtetë, por kockat mbeten aty, në jetë të jetëve. Si një dëshmi e pazakontë e kokëfortë.
Varrezat po mbushen me trupa të vdekurish. Vende nuk ka më. Situata është ulëritëse.
Në muzg dielli bie, dhe terri nis të kafshojë tokën si një hienë e uritur. Ekstaza rritet e bashkë me të uria që nuk njeh kufij. Sepse sytë janë errur, dhe më nuk shihet asgjë. Njerëzit këputen të pa shpirt dhe në vegimin e fundit gjithçka parakalon në sytë e tyre, dhe në trurin imagjinar ku neutronet përpiqen të skanojnë edhe një fragment më shumë, me një shpejtësi skëterre aq sa askush nuk do të mund të deshifronte diçka nga imazhi dixhital që shpërbëhet sapo neutroni i fundit shuhet. Por për atë që e lë këtë botë ato imazhe të pakuptimta thonë shumë më tepër se ç’do të kërkonte dhe nëse do të kishte në dispozicion dy orë të plota për t’u zhytur në botën e kujtimeve të largëta.
Shqipëria po mbledh kufomat e saj të mortit.
Viktimat e përditshme janë fëmijë ende të mitur, disa pak më të rritur, dhe ca të tjerë pak më të vjetër, por edhe pse kanë ende jetë për të jetuar, u duhet ta mbyllin po aq shpejt, sepse duket se hija e tyre mbi tokë, bezdis dikë. Dhe ai nuk e duron këtë.
Nën një ritëm vaji rrëqethës që ngërthehet frikshëm për t’u bërë histerik e krejt i papërballueshëm, - i cili herë-herë zbehet deri në zbrazëti e bëhet po aq monoton sa dhe kërcitja e pistonave të një motori pa lubrifikim, - makina funerale me karrocerinë e gjatë ku prehen trupa njerëzorë, i prin kortezhit funebër. Sinjale bllokazhi që pupuliten çdo çast, lule, kurora e dedikime të shkruara mbi fjongo të cilat valëviten prej erës, tregon se për herë të fundit, një i vdekur po udhëton drejt destinacionit pa kthim, banesës së tij të re.
Gjendja është alarmante.
Nëse nuk është, duhet të ishte e tillë.
Sepse për ca e ca, ku emocioni i brishtë nuk e gjen dot rrugën, vdekjet nuk përbëjnë më tragjedinë e madhe...  Ato pak nga pak, e për çdo ditë pa ndalim, po kthehen në statistika. Dhe statistikat janë të ftohta, shifra të hedhura në letër dhe të arkivuara në dosje, që do të kenë vlerë 100 vite më pas, për të shkruar ndonjë rresht historie.
A duhet të jetë kështu në fakt...???
Shqiptarët nuk po gjejnë qetësi. Po mbledhin kufoma shumë më tepër se në ditët më të errëta të pandemisë. Sepse pandemia dhe procesi post saj janë të pandashëm. Por pakkush e kupton këtë.
Është një pamje e përhershme, tanimë shumë më shpesh, - a thua se përtej pandemisë, e vdekjeve ciklike që më shumë se sa mbarimin e jetës tregojnë ripërtëritjen e saj, një dorë e padukshme shprish vazhdimisht ëndrrën që ka nisur të gjallojë, - njëlloj si në epokën e lashtë të Rozafës, ku muret e kalasë i rrënonte një duhmë e zezë.
Historia përsëritet, sado ndryshojnë kohët dhe jeta duket se bëhet më e mirë.
Nuk janë paratë gjithçka... Dhe pse të gjithë rendim ethshëm pas tyre.
Në varreza, punëtorët dihasin e djersijnë nën zheg duke goditur tokën me tehun e mprehtë të kazmës, gjithë ankth prej mbikëqyrësit që pi duhan e jep urdhra verbalë. Panorama duket asnjanëse dhe krejt e zakontë për një kantier ndërtimi.
Por jo në varreza...
Dy metra thellë dheu është thuajse i njëjtë, por lartësia mes bazamentit dhe togut që është rritur aty pranë ngrihet ndoshta 100 metra më tepër. Është një dimension skëterre dhe i pamatshëm. Nëse do të biesh brenda, nuk do të kesh më mundësi të dalësh prej aty. Sepse po ashtu si në vdekjen e tyre faraonët shoqëroheshin nga skllevërit, edhe çdokush prej nesh bëhet pjesë e një procesi të pakthyeshëm vdekësor.
Varret janë gati.
Shqipëria po varros kufomat e bijve të saj. Trupat e pazëshëm të mortit.

No comments:

Post a Comment