Megjithëse frynte pak erë e ftohtë, dielli ishte i ngrohtë
dhe njerëzit kishin dalë me rroba banje për të marrë rreze të cilat ende janë të
shëndetshme për trupin, duke transmetuar dhe në vazhdimësi Vitaminën D...
...Sezoni veror quhet i mbyllur tashmë dhe shkencërisht jemi
në stinën e vjeshtës apo thënë ndryshe në vjeshtën astronomike sepse 21
shtatori daton dhe me ekuinoksin, që më konkretisht do të thotë se dita dhe
nata janë të barabarta, nga 12 orë secila. Që nga ky çast shkencëtarët thonë se
toka nis e largohet nga pak prej diellit, dhe moti brenda atmosferës bëhet më i
ftohtë. Për konspiracionistët është ndryshe: nuk është Toka që rrotullohet
rreth Diellit, por anasjelltas... e ca më shumë se kaq.
Ekuinoksi vjeshtor
Fillimi i vjeshtës në Shqipërinë e vitit 2021 ka dy pamje:
spitalet Covid që po mbushen vazhdimisht me të sëmurë që kanë marrë virusin Sars
Cov-2, varianti Delta e me vdekshmëri në rritje, dhe një sezon plazhi që duket ka
gjasa të ketë qenë vërtet i suksesshëm, sepse moti po mban i mirë dhe paketat
turistike vazhdojnë. Ndaj veç shqiptarëve, në plazhin e fundjavës së fundmuajit
shtator kishte dhe plot të huaj, të cilët gjithashtu preferonin të merrnin
rreze e të laheshin në ujërat e Adriatikut, - të cilat tani nuk i akuzon dot për
qarkullim mbetjesh e lubrifikuesish industrialë, - ndaj janë edhe më të pastra
në muajt korrik-gusht. Sepse fundjava e ardhshme përkon me fillimin e tetorit
dhe ndoshta moti nuk do të jetë kaq dashamirës sa të dhurojë rreze si në një
ditë vere të vërtetë. Por asnjëherë s’i dihet...
Udhëtimi i rrezikshëm
Për të shkuar në plazhin e Golemit, këtë herë mund të mos
marrësh mbikalimin pa u futur në Durrës e që të çon tek Plepat, por mund të udhëtosh
në rrugën piktoreske mespërmes plazhit tradicional. Sepse në ditë sezoni kjo
rrugë është aq e mbipopulluar sa vështirë të dalësh prej andej pa të shkuar
djersa në ulluk, e pa t’u ngritur qimet e kokës përpjetë nga nervat. Por përpara
së të vish tek kjo rrugë piktoreske, do të duhet të udhëtosh nëpër autostradën
Tiranë-Vorë-Durrës, ku dhe një pilot si Eirton Sena do ndihej ngushtë e s’do
dinte nga të kalonte. Sepse përveç budallallëkut njerëzor me okë, që bëjnë
akrobaci të papara, vetë rruga është aq shumë e arnuar, sa ta bën makinën për amortizatorë
të rinj vetëm me nja 2-3 xhiro lart e poshtë. Mjerë ata që për shkak të punëve
e bëjnë përditë këtë rrugë!
Nostalgjia për “Breshkën”
Sa zbret nga mbikalimi në kufi me Portin Detar, makina çan
në rrugën e Plazhit. Lagja e dikurshme e Shkozetit të Durrësit është
transformuar totalisht e meqenëse kaloj shumë rrallë andej, ka gjasa të mos më
kujtohen të gjitha yçklat. Megjithatë, ashtu si mund të bëhej një ushtrim
matematikor për të mbajtur zgjuar kujtesën dhe unë kërkoja të vija në imagjinatë
sinorët sipas stacioneve. Ndaj nisa numërimin: Teuta, Apolonia, Hekurudha...,
Iliria. Kampi i Punëtorëve, ai i Kuadrove, bashkë me pistën Iliria ishin pjesë
e sektorit Iliria. Po aty rrotull, mes Ilirisë dhe Hekurudhës ndodhej dhe “Breshka”
lokali i famshëm, se ishte pika e referimit për të gjithë ata që vinin nga
Tirana. Kabinat e dikurshme të dërrasave janë zhdukur me kohë, por pallate
dykatëshe nga ato të “kohës së partisë”, vazhdojnë të jenë në funksion për
familjarë por dhe për pushues. Pas Ilirisë vjen Blloku, ku si atëherë dhe sot
vazhdon të jetë i rrethuar dhe i ruajtur. Kampi i Pionerëve ndodhet mes konvaleshencës
së Ministrisë së Brendshme dhe asaj të
Ministrisë së Mbrojtjes. Por sot nëse konvaleshencat e ushtrisë dhe policicë
kanë ruajtur identitetin, kampi i pionierëve nuk ekziston më si emërtim, jo si
territor. Dhe pas kësaj vjen Shkëmbi i Kavajës, i cili përveç telave me gjemba
si kufiri me konvaleshencën ushtarake, ndahet dhe nga një kanal i ujërave të
zeza ende funksional. Kemi dalë nga juridiksioni i Durrësit dhe jemi futur në
atë të Kavajës, por më saktë në atë të Golemit.
Jashtë sezonit
Megjithëse jashtë sezonit, sërish duhet të shohësh mirë për
ndonjë vend parkimi të lirë pasi të duket si një ditë e zakonshme plazhi ku për
të parkuar duhet t’i lutesh Zotit. Një pjesë e mirë e shezlongëve dhe të çadrave
janë çmontuar duke lënë hapësira boshe. Por shumë nga segmentet vazhdojnë të
funksionojnë, madje me shumë pushues që qëndronin shtrirë sa gjatë-gjerë me
pamje nga deti, në horizontin e të cilit nuk kishte më skafe e motora uji të
shpejtësisë së lartë, por anije transporti që rrinin pa lëvizur në radë, në
pritje për t’u futur në Portin e Durrësit për shkarkim. Në bregun e detit veç
plazhistëve ka nga ata që ushtrojnë vrapin, por herë pas here kalon edhe ndonjë
trim me biçikletë “mountinbike” që ia ther me çantë mbi shpinë bregut dukshëm më
pak të populluar.
Pamja e përgjithshme
Koshat e mbeturinave tanimë janë të mbushura në më pak se
gjysmën e kapacitetit mbajtës. Por aty-këtu sheh togje me mbeturina edhe pse
kazanët e mëdhenj ndodhen fare pranë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me punën e
pabërë të pushtetit lokal, por dhe me edukatën e vetë qytetarëve, të cilët në
pjesën dërmuese lenë shumë për të dëshiruar.
Edhe muzikë me zë të lartë tani nuk ke ku dëgjon më.
Përveç ndonjë rasti si nja dy kompani të cilët kishin organizuar një aktivitet
për punonjësit e tyre. Muzika e lartë dhe kërcimi në rërë në këtë rast
shërbente për ç’tensionim dhe heqje stresi.
Shitësit ambulantë ishin të rrallë dhe ofronin fare pak
asortimente dhe jo si në muajt e sezonit ku të vinin te goja që nga akulloret e
misrat e pjekur, tek petullat e yndyrosura e gjithfarë frutash të sezonit.
Dhe po aq nga pedonalja ishin zhdukur me magji edhe
lypësit, të cilët gjatë muajve korrik-gusht i ke çdo dy metra largësi, ose të
vijnë në tavolinë për të kërkuar lëmoshë e për të të zënë kafen në fyt, çdo 2
apo 3 minuta.
Pushimi i papaguar
Pushuesit janë turrur të shijojnë çdo mundësi që ofron
natyra shqiptare. Nga të vetmet mrekulli që nuk e paguajmë ende janë rrezet e
diellit. Edhe futja në det ende nuk ndalohet me tra dhe me faturë plastike që
mos të të laget nga uji. Dhe kjo derisa dikujt t’i shkojë në mendje e ta
privatizojë, ku bashkë me shezlonin e çadrën të të faturojë dhe 5 orë diell,
tre paradite e dy pasdite si dhe dy futje në det nën cilësimin e “banjës” po aq
sa dhe hyrja në hamam ose “banja turke”. Dhe veç kësaj 20 përqind TVSH do të ishte
po aq dinjitoze, në ndihmë të buxhetit të shtetit.
Menuja e tavolinës
Në restorante, menuja është e njëjtë. Çmimet po ato. Në
disa pika nuk ka nevojë të shkosh deri në Jug për të treguar faturat e çmendura...
Por dhe restorante popullorë ka plot, ku përveç shqiptarëve të varfër sheh me
shumicë të huaj, për të cilët thuhet se e kanë xhepin plot. Po kur vjen puna për
të paguar edhe ata nuk falin kollaj. Jo pak prej tyre kanë marrë dhe ndonjë
plitkë me vete, sepse në dhomën e hotelit mund të bëhet ndonjë pilaf i shpejtë
sa për të shtyrë drekën. E sa për kafen, nuk ia vlen, sepse atë ta shërbejnë
kudo deri para orës 09.00 të mëngjesit vetëm për 50 lekë të reja. Ndaj bashkë
me kafenë, mund të shijosh dhe flladin e mëngjesit me pak jod e kripë.
Rrugë e gjatë për në shtëpi
Kur kthehesh nga pushimi i fundjavës, duhet të bësh
ushtrime joge dhe psikologjike për të kaluar me sukses udhëtimin. Sepse fillon
me vështirësinë e kalimit nga një rrugicë mes pallatesh për të dalë në rrugën
dytësore, ku nuk ke mundësi të shohësh kush të vjen nga e majta dhe kush nga e
djathta. Edhe këtu duhet t’i lutesh fort Zotit, që të gjesh sekondin e duhur për
t’u futur në një rrugë me precedent të lartë rrezikshmërie. Megjithatë, askush
nuk përplaset. O kemi fituar imunitet, ose Zoti i dëgjon lutjet tona?! Dhe pas
kësaj nis vozitja në rrugën panoramike të plazhit tradicional për të dalë në
autostradën Durrës-Vorë, ku arnat nuk të ndahen dhe amortizatorët amortizohen.
Sapo kalon dhe mbikalimin e Rinasit futesh në një segment ku mund të të duket
vetja si zotni. Dhe për më tej nuk po flas më... sepse prej vitesh preferoj
rrugën e Ysberishtit për të anashkaluar tmerrin e Astirit.
No comments:
Post a Comment