Nisa të kem respekt për minjtë, edhe pse
dikur i neverisja si brejtës që dinin të jetonin veç nëpër kanalet e ujërave të
zeza. Por duket se ata dukshëm kanë prirje thuajse të barabarta me qeniet
humanoide që frymojnë mbi tokë. Dhe për ta vërtetuar këtë u desh një
eksperiment, i cili edhe pse u përsërit 25 herë me radhë dha të njëjtin
rezultat.
Kur u njoha me "Univers 25", eksperimentin e
shumëpërfolur të shkencëtarit amerikan John Calhoun, nuk mund të them se u
trondita aq sa të vija duart në kokë. Edhe pse në të shumtën e informacioneve
të ekspozuara për lexim, ai ishte trajtuar si një nga eksperimentet më të
tmerrshëm në historinë e shkencës. Veç mendova: minjtë po aq sa dhe njerëzit
paskan të njëjtat parime në jetë. Dhe pas kësaj, më pak respekt nisa të kem për
njeriun. Sepse në të vërtetë ai kishte të njëjtat pikëpamje me një mi dhe bënte
jetën e tij.
Calhoun, për eksperimentin e tij zgjodhi brejtësit, megjithëse qëllimi
përfundimtar i kërkimit ishte gjithmonë një parashikim për të ardhmen e
shoqërisë njerëzore. Ai bëri një analogji të drejtpërdrejtë me njeriun, duke
shpjeguar se tipari kryesor njerëzor, - fati i tij natyror - është të jetojë në
kushtet e presionit, tensionit dhe stresit.
Për ta shpjeguar me pak fjalë: John Calhoun krijoi një "botë ideale"
apo atë që u cilësua si "Parajsa e Minjve" në të cilën qeniet e tij
eksperimentale do jetonin duke pasur ushqim, ujë dhe hapësirë jetese me bollëk.
Eksperimenti nisi me katër çifte që në një kohë të shkurtër filluan të
riprodhohen. Pas 315 ditësh riprodhimi i tyre filloi të ulet ndjeshëm. Kur
numri i brejtësve arriti në 600, mes tyre u krijua hierarkia. Papritur u
shfaqën të ashtuquajturit "të mjerët". Brejtësit më të mëdhenj nisën
t’i sulmonin. Rezultoi që shumë meshkuj u "shemben" psikologjikisht.
Femrat nga ana tjetër u bënë agresive ndaj të vegjëlve të tyre, shfaqnin
elementë izolimi dhe mungesë të humorit riprodhues. Lindjet u ulën dhe
vdekshmëria u rrit. Pastaj, u shfaq një klasë e re e brejtësve meshkuj, të
ashtuquajturit "minj të bukur". Ata nuk pranuan të çiftoheshin me
femrat ose të "luftonin" për hapësirën e tyre. Gjithçka për të cilën
kujdeseshin ishin ushqimi dhe gjumi. Erdhi një çast kur, "meshkujt e
bukur" dhe "femrat e izoluara" përbënin shumicën e popullsisë. Me
kalimin e ditëve, vdekshmëria e të miturve arriti 100% dhe riprodhimi ra në
zero. Midis minjve të rrezikuar, u vu re homoseksualitet dhe kanibalizëm,
pavarësisht faktit se nuk vuanin për ushqim. 1780 ditë nga fillimi i
eksperimentit, që përkon me vitin 1973, ngordhi dhe miu i fundit në “Univers
25”.
Nuk ishte më e nevojshme që John Calhoun të bënte konkluzionet, sepse në bazë
të të dhënave gjithkush e nxjerr një përfundim. Në një mirëqenie të dukshme
njeriu bëhet i plogësht, pa iniciativë, nis nga veset e rëndomta dhe për më
tepër humbet sensin për jetën.
Në njëfarë mënyre mund të thuhet se: mirëqenia prodhon njerëz të dobët.
E gjitha kjo më kujton thënien e Shejh Rashid, themeluesit të Dubait, i cili
kur u pyet nga gazetarët për të ardhmen e vendit të tij, u përgjigj: “Gjyshi im
hipi në deve, babai im hipi në deve, unë hipi në një Mercedes, djali im udhëton
me një Land Rover dhe nipi im në të ardhmen do të ngasë një Land Rover... por
stërnipi im do të duhet të hipë përsëri në një deve.” Kur gazetarët e pyetën se
përse duhet të ndodhte kështu, ai u përgjigj: “Kohët e vështira krijojnë njerëz
të fortë. Burrat e fortë krijojnë kohë të lehta. Kohërat e lehta krijojnë
njerëz të dobët. Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira. Shumë nuk do ta
kuptojnë këtë, por ju duhet të rrisni luftëtarë, jo parazitë.”
Sipas kësaj thënie fort të mençur, po jetojmë kohë të lehta. Ose jemi në fillim
të kohëve të vështira.
A nuk po jetojmë një kohë me mirëqenie ekstreme? Përderisa tavolinës tanimë nuk
i mungon gjë, udhëtimet me avion konsiderohen rutinë e çdokush prej nesh e ka
në përdorim një makinë. Flas gjithmonë për vendet e zhvilluara dhe ato në
zhvillim.
Ne po jetojmë mirëqenie ekstreme kur çdonjëri prej nesh është i pavarur për të
parë nga ekrani i celularit atë që dëshiron dhe nuk ka përse bashkë me pjesëtarët
e tjerë të familjes të ndjekin një kanal në mënyrë uniforme.
Ne jetojmë mirëqenie ekstreme përderisa gjithçka na vjen te goja vetëm me një
telefonatë apo me një sms. Sepse blerjet bëhen online, tanimë janë futur në
modë, dhe pakoja me rrobat e dimrit të vjen me triçikël te dera e shtëpisë. E
tanimë nuk ka më nevojë të shkosh as në bibliotekë, pasi google të mundëson
gjithçka, dhe aplikacione shkarkimi përmes internetit ka sa të duash.
A thua kjo situatë mirëqenieje ekstreme ka sjellë një rritje galopante të
impotencës apo homoseksualitetit njerëzor, po aq sa dhe në eksperimentin e
minjve që John Calhoun e nisi në fund të viteve ‘60 të shekullit të kaluar?
Besoj jemi të qartë.
Natyrisht, qenia njerëzore vendos arsyen në çastin vendimtar dhe nuk arsyeton
me mendjen e miut, por gjithsesi një eksperiment me minj tregon se dhe njeriu i
pajisur me tru inteligjent drejtohet më së shumti nga instinktet.
Sunday, September 26, 2021
Minjtë impotentë të një rehatie banale
Leonard Veizi
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment