“Druri ka dalë nga
xheneti”, thotë një fjalë e urtë popullore. Por duke ndjekur dhe
terminologjinë, nuk kuptohet mirë se nga cili popull ka dalë. Sidoqoftë, ne si
shqiptarë e kemi përvetësuar, e themi se është pjesë e folklorit tonë.
Mirëpo, sado që e
kemi të standardizuar në kanunin e Veriut a qoftë tek kodet e Jugut, se mbi
gratë nuk vihet dorë, ne si shqiptarë e kemi ves që t’i rrahim gratë, sidomos
kur na e sjellin shpirtin në majë të hundës. Për më tepër, kjo bëhet evidente
kur të tjerët të thonë se pikërisht kjo është rruga e duhur për të vendosur
autoritetin: druri. Se po kaloi një herë miu nën mustaqe... aha, e bëri rrugë
dhe ec e ta zësh pastaj.
E kështu, secili
prej nesh mundohet ta tregojë veten para gruas, ose duke bërtitur e duke u
çjerrë, o duke e shaluar në dru sa t’i dhembin kryqet një javë rresht e të mos
guxojë të ngrejë kokë. Por, po nuk i doli kjo, ka dhe një mënyrë të fundit, shumë efikase: i fut një koqe plumbi dhe ia mbyll një herë e mirë gojën.
Dhe këto kohët e
fundit, sipas statistikave, burrat shqiptarë e kanë shtrirë goxha dorën. Me të
drejtë. Se tek e fundit duhet të duken që janë burra:
-Po mancipimi ku
është këtu, - do të shtronte pyetjen ekzistencialiste me karakter filozofik
Agushi, postieri i Marenës te “Shoqja nga fshati”.
Ouuuu..., pa prit
pak... se u kujtova. Por si e morëm ne burrat këtë model, përderisa doket dhe
zakonet na e ndalojnë të rrahurit paq të gruas? Se zakonisht modeli është vetëm
një, - etalon me vlera të rralla, - e pastaj shumëfishohet me copy-paste.
E gjeta, - u hodha
përpjetë.
Në ndihmë me erdhi
televizori i cili ka mbetur i stacionuar te kanali i filmave shqip, ku më së
shumti jepen ata të Kinostudios. Se unë jam fort i dashuruar pas kinemasë në
tërësinë e saj, dhe jo pak pas filmit shqiptar në veçanti. E duke i parë në
vazhdimësi kam rënë në përfundimin: Kinostudio, me emrin “Shqipëria e Re”, një
nga mjetet më të rëndësishme me të cilën bëhej propaganda në vitet e
komunizmit, na mësoi si të rrahim gratë. Më saktë, na mësoi dhunën në familje,
por në veçanti si mund t’ia rrasësh në shpullë një gruaje sa t’i dalin sytë
xixa, apo thënë ndryshe: “t’i duket prifti gomar”?
E di që s’do bini
fort dakord me mua, por ta shohim një herë... E marrim me qetësi. Pa i nxehur
gjakrat.
Sa gra rrihen prej
burrave në filmin shqiptar? Dhe nisa të mbaj një evidencë, e cila më rezultoi
si më poshtë:
-Tek “Brazdat”,
kur dikush e lëndoi te pika e dobët dhe i foli për ujqërit me dy këmbë që nuk e
kishin frikë traktorin, Azemi ia plasi në shpullë Martës e cila lëronte arat e
kooperativës që me natë.
Një në dorë.
-Kujtimi ia
ngjeshi surratit Liljanës tek filmi “Kur xhirohej një film”, sepse nuk duronte
dot që ajo të bridhte majë makinave për të ndjekur në terren realizimin e
projekteve të ndërtimit, ndërsa ai të bënte punët e shtëpisë: demek të lante
enët, t’i fuste një fshesë shtëpisë e të gatuante ndonjë tavë me patëllxhanë.
Ja u bënë dy.
-Bardhyl Kraja
shaplloi në dru të fejuarën Liza tek “Kur hapen dyert e jetës”, sepse kjo e
fundit nuk donte ta shoqëronte doktorin e ri në vendin e punës, ngaqë Partia e
kishte emëruar në majë të malit.
Rasti i tretë.
-Kryeinxhinier
Emili tek “Rikonstruksioni” e fyen Adelinën kur shpullën e dublikoi
edhe me termin: “dhi shterpë”, sepse demek ajo e kishte fajin që shtëpia kishte
mbetur pa pasardhës.
U bënë katër
raste.
-Inxhinier Jani e
lëshoi pa teklif pëllëmbën mbi Teutën, sepse dyshonte që ajo po flirtonte me
kolegun e tij inxhinier Gencin dhe vetë filmi titullohej “Shokët”.
Ky ishte incidenti
i pestë.
-Llano Bleta ia
rrasi në shpullë Klarës, që ishte vajza e drejtor Baki Branicës, që e kishte
marrë për grua, por që e ëma nuk ia njohu kurrë, sepse Klara e kishte ca të
zorshme të shkonte deri në fshatin e lindjes së burrit. Kjo ndodhi tek "Dhe vjen një ditë".
Koktejl shpullash
me gjashtë variante.
Në fund të filmit “Të mos
heshtësh” Ardi i futi duart në fyt e gati sa si nxori sytë vejushës Silvi, që i
thoshte se e dashuronte e donte ta merrte për grua me gjithë djalin jetim.
Veç skena e dhunës
edhe pse erdhi rrotull mungoi nga i përmbajturi Hariz tek “Dritat e Qytezës”, i
cili bashkë me e Tanën që e mbante dritë shtëpinë, kishin vendosur ta ndërtonin
jetën në Ksamil. Po ku të linte Seferi, kushëriri që donte vetëm sherr.
Ky ishte dhe
raundi i parë i statistikës.
Për së shumti
thuhej se filmat në kohën e Partisë, ishin edukues. Herë me frymë proletare e
herë me frymë fshati. Vetë Partia deklaronte se emancipimin e femrës e kishte
në rend të ditës. Por me sa duket nuk paska qenë tërësish ashtu. Pse pak u
duken këto që përmendëm më sipër?
Mesazhi ishte
dhënë ndërkohë.
Vijmë tek raundi i
dytë i statistikës. Sepse pas kësaj tek filmi artistik i Kinostudios "Shqipëria e Re"
fillon dhuna në familje ku baballarët rrahin fëmijët e vëllezërit motrat:
-“Me turpërove
bushtër, s'kam sy e faqe të dal para fshatit” - ia fërshëllen babai Ganiu, te
“Streha e re”, vajzës së tij Verka, sepse i kishin thënë që ajo kishte nisur
t’i luante syrin traktoristit të fshatit, ndërkohë që familjet e tyre ishin në
mëri prej një kohe të gjatë.
Një situatë e
ngjashme ndodh dhe në filmin “Përsëri Pranverë” ku Dino Bregu ia jep një
flakurimë të bijës, Linda, se ajo i tha që kishte rënë në dashuri me
kryeagronom Ilirin, me të cilin kishin kontradikta punë si përgjegjës sektori
që ishte.
Dru hëngri dhe
Tili te “Shoku ynë Tili”.
-Po unë të pash
vetë more, - qëllon Qemal marangozi djalin që po merrte ca para nga bufeja ku i
mbanin fshehur, duke menduar që i biri o kishte filluar duhan, o i donte për të
luajtur bixhoz.
Te “Përtej mureve
të gurta”, bakërxhiu Haziz e shtron në dru Asimenë, se luante “e ka kush e ka”
me çunat e lagjes.
Ndërsa te “Rethimi
i vogël” xha Zenuni ia dha mbrapsht të birit m’u në zyrën e kryetarit të
Komitetit Ekzekutiv: “Dorë të rëndë paske Zenun Boriga”.
Te “Malet me
blerim mbuluar” Safa Ymeri i jep shpullën e fundit djalit dhëndër, pikërisht në
natën e martesës dhe pas kësaj Birçja doli partizan që të na sillte lirinë.
Ndërkohë edhe
shoferi Stefi Petro i jep një mësim të mirë Mirit, që nuk linte dy gurë bashkë
tek “Në shtëpinë tonë”, duke ia “përkëdhelur” ca faqen.
Por dhe Petriti te
“Fushë e kuqe fushë e blertë” na rrëfen se si mund të rrihet motra, sidomos kur
flirton me futbollistin e skuadrës kundërshtare që e ke halë në sy.
Po e vazhdoj me skenën epope, tek "Në fillim të verës", ku Vera qëllohet me mashën e zjarrit nga babai fanatik, sepse ajo kishte filluar të bënte çorape për partizanët te shtëpia e Nazos.
-Me shoqet, me shoqet. Nuk të mjaftoi dita por dhe nata moj trularaskë.
E si për t'i vënë kapakun po përmend skenën skandaloze te filmi "Një vajzë dhe një
djalë" ku babai arrogant gati sa nuk e shqeu djalin Artan, se na paskësh rënë në
dashuri me telefonxheshën Arjana, e cila ishte ca vite më e madhe në moshë.
Ja këto ishin
rastet që numërova shpejt e shpejt, duke mos dashur të përmend Nashon, të cilit
babai ia hodhi rakinë në surrat te “Pesha e kohës”, as baba Sazani te “Dy herë
mat” që i shkul veshin vajzës sepse nuk e rrihte dot në shah dhe as Dodë
Gjinarin tek “Komisari i Dritës”, që e hapte krahun për të rrahur Rudinën, të
cilën e mbante në shtëpi si vajzën e vet.
Në këtë mënyrë,
përmes imazhesh filmike, të transmetuara në vazhdimësi, ne kemi mësuar se si të
rrahim njerëzit e familjes. Por me së shumti gratë, si qenie më delikate se
burrat, të cilët kanë muskuj e mbajnë mustaqe sedërliu.
No comments:
Post a Comment