Plasi
skandali.
Tani
shqiptarët janë revoltuar paq. Dhe janë gati t’i hidhen në fyt kujtdo që kërkon
t’i marrë bukën nga goja. Se shqiptarët mund të ngrihen në një demonstrim të përgjithshëm
e agresiv vetëm në dy raste: nëse kërkojnë t’u marrin lekët nga kuleta, apo t’u
fusin dorën në trastë për t’u marrë bukën. Se pa gjellë rron shqiptari, pa bukë
as edhe një ditë.
Pastaj
diskutimi për çështje të tjera; jo po akciza..., jo po fletë kuitanca..., çmimi
i karburanteve... apo... nuk e çon njeri menderen nga minderi i shtëpisë ku janë
rehatuar për të ndjekur lajmet propagandistike të mbrëmjes.
Së
fundmi u tha se çmimi i bukës do të shtrenjtohet.
-Luj
more vendit... Mos more ç’na bënë.
Na
lanë pa bukë, jo për gjë. Se ne bukën e kemi të parën kudo. Ndaj dhe dita kur u
dhe lajmi për rritjen e çmimit të bukës, me gjasa mund të shpallet si ditë zije
kombëtare.
Apo
nuk kemi vuajtur për pak bukë gruri, derisa arritëm të prodhonim 100 përqind
nevojat e vendit.
-Aaaa...
Këtu po lajthitni. Partia dhe shoku Enver na porosit që çështja e drithit është
çështja e të gjithëve, - thuhet në një prej batutave të filmit “Përballimi”, ku
anëtari anonim i Plenumit të rrethit i bën vërejtje shokut Kopit, homologut të
tij disfatist, në prezencën e sekretarit Martin që dilte nga tregu i zi për të
matur pulsin e kulakëve.
Duke
e analizuar thellësisht këtë mangësi në shoqërinë shqiptare, detyra kryesore në
vitet e socializmit ishte “sigurimi i bukës në vend”. Kjo donte të thoshte se
duhet të prodhonim aq grurë e misër sa të ishim të pavarur nga eksporti. Po të
hanim me nikoqirllëk ama. Dhe prap mirë, se te e fundit nuk ktheheshim në obezë,
si tani.
Diku
nga vitet ’70 të shekullit XX, me shumë sforco në fakt, sigurimi i bukës në
vend u arrit. E plasi festa e u morën zotime të reja për pavarësinë ushqimore
të shqiptarit, i cili edhe po të mos kishte me çfarë ta lyente bukën, mund ta
hante thatë. Ose siç bëjnë andej nga Elbasani, bugaçe. Bukë, me një petë byreku
brenda. Ose thënë akoma më shkurt: Bukë me bukë.
Opo
buka të mban, ç'i do llafet.
Në
vitet '80 po të shekullit të kaluar, pas tufëzimit të bagëtive, ku duhej tolloni
- dhe më shumë akoma njohje miqësore apo krushqi me shitësen, - për ca mish
brazili, buka u bë edhe më e domosdoshme.
Mirëpo
pas viteve ’90, kur toka u la djerrë e nuk mbillej gjë prej gjëje, Shqipëria nuk
prodhonte grurë as sa për muajt e verës, jo të shtynte dimrin. Gjithçka
eksportohej. Gruri na vinte me të lirë herë nga Kanadaja e largët, por më së
shumti nga Serbia që e kemi këtu pranë. Ne vetëm hanim. Epo bukë hesapi. Më lirë
se aq nuk bëhej.
Tanimë
kanë kaluar 30 vjet nga hapja e dyerve dhe kufirit. Jep e merr me njëri tjetrin
e përsëri vazhdojmë të themi se jemi në tranzicion. S’kanë të mbaruar vuajtjet
e shqiptarit. Edhe emigracioni nuk e ndryshoi dot traditë e tavolinës, ku
fillimisht në mesin e saj vendosej kanistra e bukës. Edhe në restorantet me pesë yje një shqiptar i vërtetë e do një fetë buke, qoftë dhe të prerë hollë, se
nuk shtyhet ndryshe. Kështu që vazhdojmë të blejmë nga një pllakë buke për çdo
dy veta. Imagjino një familje me 6-të veta... Bllokohet wc-ja.
Tani
po thonë se ky gruri që na vjen nga Serbia është cilësia “zh”, s’ka duk fare.
Ne po nuk duam t’ia dimë nga ajo anë dhe vazhdojmë të hamë bukë... me bukë. Ç'rëndësi
ka cilësia, dhe sasia e bojës që hidhet mbi krunde, që buka të marrë një
ngjyrëëëëë... mysybet.
-Ejani
të hamë një kafshatë bukë, - vazhdon të thuhet ende në familjet tona, kur të
ftojnë në tryezë për mëngjes, drekë apo darkë. Sepse elementi kryesor i
tavolinës është buka. Imagjino të ishte mishi...
-A
do vini të hamë një çapë mishi...?
Sikur
nuk shkon. Ka lezet buka. Na është mësuar edhe veshi dhe syri.
Por
si t’ia bëjnë që t’ia heqin shqiptarit bukën nga menuja?
Ja,
i rrisin çmimin.
Në
fakt çmimi i bukës ka kohë që ka shkuar në statosferë. Sepse sasia e një buke është
zvogëluar nja dy a tri herë me atë ç’kemi pasur një herë e një kohë. Se, me një
bukë 50 lekshe të para viteve ’90 sot i bie të hajë tërë mëhalla. Ndërkohë, që
siç po shkon puna, çdo shqiptar do marrë bukën e vet e s’do ta ndajë me njeri
tjetër. Gjashtë veta në shtëpi, gjashtë bukë në sini. Nga 1000 lekë të vjetra
buka... iku dita e punës. Do mbeten dritat pa paguar. Kush duron burgun.
Aman
o shqiptarë, mos hani kaq shumë bukë se latë nam. Hani ore... banane... Se u
del më lirë.
No comments:
Post a Comment