Kur u njoha me
Khaledin dhe me rrëfimin e tij, kuptova realitetin e një populli për të cilin
dija më pak se pak. Por kjo nuk ishte tregues i mendjengushtësisë time dhe as i
mungesave enciklopedike. Meqenëse Afganistani ishte larg, edhe lajmet që vinin
prej andej mbesnin rrugëve e pakogjë vinte deri në Agjencinë Telegrafike të
Tiranës e cila po aq censurohej për t’u transmetuar në TV Tirana apo për t'u
botuar tek "Zëri i Popullit". Dinim vetëm që atje luftohej, por nuk
dinim në bëhej jetë sociale apo jo. Sepse kudo, në çdo kohë, njeriu ka nevojë
për jetë sociale. Ndaj jetë sociale është bërë edhe në Shqipërinë e pushtuar
prej ushtarëve të Fashos Italiane, madje dhe kur u fut gjermani me të cilin
shkalla e shakasë binte ca shkallë ndjeshëm.
Por Khaledi, me urtësi
e dashuri më tregoi gjithçka tjetër, për të cilën as që më kishte shkuar në
mend të interesohesha më parë. I urtë e i shtruar ai më rrëfeu se çfarë kishte
ndodhur në vendlindjen e tij, përpara se ushtari i parë sovjetik të kapërcente
kufirin e të niste pushtimi.
Në parantesë, me
Khaledin më prezantoi miku im, botuesi Luan Pengili. Ai më tregoi se Khaledin e
kishte gjetur në tregun italian ku kishte bërë namin në shitje kopjesh, ndaj
vendosi ta sillte dhe në Shqipëri duke marrë sipas rregullave dhe të drejtën e
autorit. Pengili më la romanin e tij në dorë e më tha: Lexoje dhe do ta
shohësh... nuk do zhgënjehesh. I prirë të besoja se nuhatja e një botuesi të
mirë nuk do më zhgënjente vërtet, romanin “Gjuetari i balonave” e lexova gjatë
asaj pasditeje, në redaksinë e gazetës Ballkan ku punoja asokohe, teksa prisja
që puna ime ditore si gazetar terreni të faqosej e të dilte në boca.
Qëlloi që
shkrimtari afganas, i natyralizuar si amerikan tashmë, të ishte vërtet një
zbulim. Një letërsi e bukur dhe një histori e trishtë që të mbante të mbërthyer
deri në faqen e fundit për nga surprizat që dukeshin sikur nuk do të mbaronin.
Dhe pasi ktheva dhe kopertinën e librit për të parë tek e fundit dhe
fotografinë e shkrimtarit, kuptova që e njihja Afganistanin, sepse kisha jetuar
në Kabul e rrethinat e tij po aq sa dhe Khaledi.
Padyshim nëse ka
një realitet tjetër të Afganistanit, përveç kronikave filmike të atyre viteve,
ka mbetur e zeza mbi të bardhë ajo çka është shkruar prej shkrimtarit Khaled
Hosseini. Ashtu si dhe Perëndimin, shqiptarët e njohën fillimisht shkrimtarin
afgan përmes librit të tij të parë "Gjuetari i balonave". Ndërsa më
pas saga do të vazhdonte me "Një mijë diej vezullues" e "Dhe
malet oshtijnë".
E me këtë rast më
duhet të them se krijimtaria e Khaled Hosseinit nuk është vetëm një realitet
letrar, por po aq dhe autobiografik dhe gjithashtu historik. Ai ishte një
pasqyrim e realitetit të panjohur.
Që prej vitit 1979
ishim mësuar të dëgjonim se Afganistani ishte pushtuar nga ushtria sovjetike.
Dhe kaq. Pas largimit të sovjetikëve, dhe përfshirjes së vendin në një luftë civile, mësuam se Afganistani u
mor nga Talebanët. Pra një grupim vendasish radikalë që ishin një prej
fraksioneve të luftës civile në Afganistan. Pastaj mësuam se në Afganistan
ndërhynë trupat amerikane. Sërish kaq. Sepse Afganistani për ne ishte larg dhe
prej tij vinin vetëm lajme lufte. Duhet pasur parasysh se dhe Shqipëria u bë e
njohur e bëri xhiron e botës, pikërisht në vitin 1997 kur u futën në luftë ...
“me Zotin”, e ç'praznim pa fund armët në qiell.
Leximi i romanit
të Hosseinit më dha një përfytyrim tjetër të Afganistanit. Sepse ne kuptonim që
në Afganistan lindnin vetëm luftëtarë dhe po ashtu vdisnin si të tillë. Dhe se mjeti më i dashur për ta, po
aq sa dhe shqiptarët, ishte kallashnikovi. Mirëpo ja që Khaled Hossein më
tregoi se Kabuli kishte qenë një kryeqytet ku jetohej po aq sa në pjesën tjetër
të botës.
Se në Kabulin e
viteve ’70 të shekullit të kaluar, gjeje po aq sa dhe në perëndimin evropian
plus gjithçka nga tradita vendase. E për më tepër Khaledi më tregoi se në
vendin e tij, kur ishin të vegjël, përveçse pinin coca-cola, filmat
hollivudianë western me aktorët e njohur të atyre viteve, që shihnin në kinema
i shijonin në gjuhën vendase. Pra ishin të dubluar. Në Shqipërinë evropianë
edhe në vitin 2021 kjo teknologji është gati inekzistente. Sepse ne përdorim
titrat, të cilat kanë dalë nga qarkullimi këtu e... kush e di sa vite më parë.
Kjo donte të thoshte se Afganistani, që në perceptimin tonë ishte një vend
krejtësisht i prapambetur, në fakt ishte më e zhvilluar se Shqipëria e viteve
’70 kur vendi drejtohej nga Byroja komuniste dhe coca-cola konsiderohej një
pije “e degjeneruar”.
E ç'tjetër më
tregoi për vendin e tij Khaledi, përderisa pas ndërhyrjes sovjetike, qoftë dhe
i mishëruar në personazhin e tij Amir, u detyrua të lejë Kabulin me çajtore e
mejhane që binin erë mishi të pjekur, e të shkonte në Amerikë. Dhe më e
tmerrshme do të bëhej situata kur vendin e zaptuan radikalët talebanë.
Sot 20 vjet pas
ndërhyrjes së ushtrisë amekiane në Afganistan historia po përsëritet. Talebanët
kanë rimarë Kabulin e janë shtruar këmbëkryq në pallatin presidencial. Po aq sa
brigadat partizane në nëntorin e vitit 1944
vërshuan në hollin plot shkëlqim të pallatit mbretëror, ndërsa vetë partizani
Meke u shtri sa gjatë gjerë në krevatin ku kohë më parë kishte fjetur i pari i
Savojës perandorake, Emanueli III.
Afganistani është
pushtuar nga talebanët. Shqipëria, e përfshirë në zbutjen e krizës
humanitare, ka bërë gati krevatet ku do
të strehojë një pjesë të afganasve të arratisurve prej realitetit të ri. Njerëz
të tmerruar nga ky fakt kapen pas rrotave të avionëve me shpresën për t’u
larguar nga një vend ku mendojnë se nuk kanë asnjë ditë të ardhme.
Kahled Hoseinit do
t’i duhet të ulet sërish në skrivani e të shkruajë sërish për vendin e tij. Për
amerikanët dhe talebanët. Dhe për fëmijët e tjerë që nuk kanë mundësi të
gjuajnë më balona.
No comments:
Post a Comment